Fitorja ka mijëra baballarë, por humbja mbetet jetim

295
Gëzim LLOJDIA
1. Humbja në qytetin e Vlorës dhe më gjerë ka qenë e paralajmëruar më herët. Fakti është se PD-ja s’ka bërë një analizë të sinqertë për të gjetur shkaqet, që prej vitit 2013. Humbja e të djathtës ose më qartësisht, dërrmimi masiv i saj ka qenë e lexueshme shumë kohë më parë, madje vite më parë. Arsyet, që nuk janë lexuar ende janë të shumta, por më kryesore është se në krye të saj kanë qenë dritë-shkurtrit, si gjithmonë. Duhet të bëj me dije se diku aty nga “perëndimi i vitit 1996”, PD arriti të realizojë një sondazh të përhershëm me anën e drejtuesve bashkiakë të rajoneve duke shkuar në çdo shtëpi. Dhe çfarë treguan të dhënat? Që PD-ja ishte në distancë nga forcat e majta, po e shpreh më qartësisht, ishte larguar forcave të majta, por në drejtimin e kundërt, jo të ngjitjes, por të zbritjes ndaj të cilave që kishin përparuar. Arsyet gjenden gjithkund, por një ishte edhe më themelore. Pas viteve ’90 prurjet në këtë qytet ishin të mëdha. Çdo vit në kohën e socializmit, Vlora eksportonte drejt zonave veriore mbi 200 specialistë, inxhinierë, agronomë,veterinerë, mësues,oficerë, mjekë. Me mbylljen e ndërmarrjeve, shkurtimet dhe kthesën e sistemit, ky kontingjent i madh u rikthye duke mësyrë ose në kryeqendër të vendit ose në vendlindje të tyre, kryesisht Vlorë. Raporti që PD-ja matej me: “hijen e mëngjesit” në vitin ’92 po ndryshonte, madje ishte prishur në mënyrën më drastike në favor të së majtës, ndërsa kjo e fundit nanuritej në “ëndrrat e një nate vere”.

2. PD-ja lokale e këtij qyteti nuk ka ditur asnjëherë ta lexojë mesazhin e një humbjeje.
Le të analizojmë prurjet, që ka pësuar Vlora në 20 vitet e fundit. Viti ‘97 ishte viti i fundit, që kur bashkia e Vlorës do të ndryshonte drejtues dhe që prej asaj kohe, ka 16 vjet që distanca vetëm rritet, ndërsa ajo numëron si zakonisht humbjen e ëmbël, por dhe të suksesshme sipas saj, sepse pati më shumë votues se një zgjedhje më parë, por kurrsesi fitoren nuk mundi ta bënte të sajën. Pas vitit ’97 në këtë qytet, prurjet u shtuan në favor të së majtës. Nga vinin prurjet dhe tendencat e bindjeve politike?

-Prurjet nga zona e Skraparit. Nëse prurjet ishin në 100 të majtë, 0 të djathtë.
– Prurjet nga zona e Lumit të Vlorës .Nëse prurjet nga kjo zonë ishin 100 të majtë, 2-3 të djathtë.
– Prurjet nga zona e Korçës. Nëse prurjet në 100 të majtë, 3-4 ishin të djathtë.
-Prurjet nga zonat e tjera, janë tipike që u përkasin bindjeve të majta. Në këto kushte kur

të majtët rriteshin në numër e djathta zvogëlohej plus, emigracioni që përfshiu të djathtën pas vitit ’97 e në vijimësi. Kundërshtari politik ka një numër absolut më të madh votuesish sesa e djathta, kështu që jugu dhe Vlora ka qenë dhe mbetet një bastion i fortë i të majtës .Por jo vetëm me bindje politike.

3. Tre herë erdhi në Vlorë, lideri demokrat por asnjëherë nuk foli për investimin kryesor, që prek Labërinë, pra rrugën e lumit të Vlorës. Në qeverisjen e djathtë, Labëria nuk përfitoi investime themelore, ato ishin sporadike. U investua vërtet në rrugën Qafë e Dushkut-Sevaster apo Horë-Bolenë, por nuk u hodh asnjë lopatë për rrugën e Lumit të Vlorës. Bode apo të tjerë zyrtarë të qeverisë Berisha nuk vendosën asnjëherë në prioritet e tyre këtë rrugë. “Thembra e Akilit”, ishte kjo rrugë madje edhe në sistemin socialist, ku tregonin se si i kishin ndërhyrë R. Alisë për të sjellë asfaltin, për një numër fshatrash dhe banorësh në ko anë. Jo vetëm ata, që jetojnë në këtë zonë, por një kategori më e madhe e tyre, edhe pse jetojnë në qytete të tjera, janë të lidhur shpirtërisht me fshatrat e tyre dhe ndërtimi i udhës së Lumit të Vlorës, jo vetëm që i entuziazmon, por u ndryshon edhe vendimin për votën, pa folur për votën masive, që dhanë vetë banorët vendas.

Mbetet i çuditshëm fakti, që gjithë kohës PD-ja e Vlorës, media pranë saj dhe këshilltarët e territ të saj ngrinin problemin e Lungomares. Askush nuk interesohej për rrugën e Lumit, apo për Bay Pasin e Vlorës, që nuk përfundoi asnjëherë apo Bay Pasin Levanit që është i lidhur më autostradën e Vlorës. Askush nuk çante kokën për “Kandaharin e jugut”, me gropa, hendeqe që ishte lënë pa investime, që prej vitit të festimit të Pavarësisë 2012. Miliona lekë investime u hodhën në këtë qytet, por detyra e opozitës dritëshkurtër nuk ishte t’i kundërshtonte, por të gjente korrupsionin dhe problemet tjera që lidheshin me këto investime, që vërtet mund të ishin elektorale, por në fund të fundit ato ua përmirësuan jetën banorëve të saj.

4. Vota ishte e lexueshme vite më parë. Rreth opozitës u grupuan ish drejtorët ata që u ndëshkuan masivisht në vitin 2013, për korrupsionin masiv,nblerjen e vendeve të punës e të tjera fenomene. Vetë kryetari aktual i PD-së është një ish-drejtor. Ka të atillë në këshillin drejtues, në këshillin bashkiak, ishin në radhët e para të karrigeve me liderin demokrat, u prezantuan në kohën e çadrës me një ish drejtorë, vijuan të sjellin ata sërish si specialistë të arsimit dhe kështu qarku, hapej, mbyllej me ish drejtorët. Doni një arsye! Sepse ata ëndërronin sërish karriget e humbura në vitin 2013. Ndërsa kundërshtari bënte realisht reforma të thella duke përzgjedhur emra të rinj në formim e arsimim, e kundërta ndodhte në këtë seli, kur në Tiranë dërgoheshin emrat e ish-ëve edhe për t’u përfaqësuar në parlament duke treguar “sa poshtë kishte rënë katundi” edhe këtë rast.

5. Edhe pse u menduan si dy zgjidhje të reja, çuditërisht nuk munguan emrat e vjetër. Ishin tepër të brishtë krahët e dy të parëve të listës, për të mbajtur barrën e një qarku që ka nxjerrë deputetë me nam, që nga kohët e mot- motit. Edhe diçka tjetër. Selinë blu në Tiranë shpesh e mësyjnë këshilltarët hije, ata që janë përfituesit kryesorë të çdo pushteti. Ata betohen e stërbetohen se e kanë në dorë Vlorën dhe Vlora sipas tyre u shkon pas në çdo kohë. Gjë që s’është i vërtet dhe ky mit ka vite, që ka rënë në jug, por ende jo në Tiranë.