Ëngjëll Musai: Koha e plehrave dhe milionat e shoqërisë civile

584
Sigal

Gazeta Telegraf/ 


 

Papunësia ka arritur shifra alarmante ,
ndërkohë që të rinjtë shqiptarë dhe të gjithë ata që janë të aftë për punë kanë
marrë rrugën e azilit në Europë, Amerikë, Australi dhe kudo ku ka mundësi për
një jetë më të mirë se në Shqipëri, më sigurt se në vendin tonë dhe më të
paguar se në vendin e ku u premtua luga e floririt. Dhe që luga e floririt nuk
do të kishte vend për fukarain kjo dihej, por shqiptarëve u hoqën edhe lugën e
drurit dhe i kthyen në roje të plantacioneve dhe hashashit fitimet e të cilit
janë marramendëse por shqiptarët paguhen me 1700 leke në ditë dhe një copë bukë
me bidonin e llallës ose shëllirës. Dhe e gjithë kjo situatë ka alarmuar botën
mbarë, pasi nuk mundet të kuptohet një vend, që 50% e popullsisë arratisen nga
sytë këmbët. Nuk e di se çdo të bënte Greqia nëse nga 12 milionë banorë të
kishin ikur 6 milionë, apo sikur nga Italia të kishin ikur rreth 30 milionë
banorë të gjithë të aftë për punë. Ja kjo është situata që duhet të alarmojë
shoqërinë civile, e cila në vend që të alarmohet për korrupsionin galopant të
qeverisë i fërkon kokën kësaj dhe hesht në këmbim të disa milionave në formën e
sponsorizimeve. Shoqëria civile ku padyshim bën pjesë edhe Komiteti Shqiptar i
Helsinkit, i cili duhet të alarmohet për krimin dhe të analizojë faktin se
policët në vend të pistoletës kanë marrë në dorë kosoren dhe presin hashash, në
vend që të marrin në analizë institucionet e korruptuara dhe ministrat hajdutë
kritikojnë ata që kapin dhe denoncojnë hajdutin. Pikërisht këtë gjë “shoqëria
civile” ose KSHH ( Komiteti Shqiptar i Helsinkit ) po tenton prej disa ditësh
të bëjë me institucionet, të cilat zbulojnë dhe demaskojnë hajdutët e
taksapaguesve shqiptarë. Dje KSHH ka qenë pjesë e skenës së estradës politike
duke treguar se ky institucion po përdoret politikisht duke verifikuar
thashethemet , të cilat qarkullojnë prej kohësh se është levë e Rilindjes dhe
atyre që e komandojnë këtë institucion në prapaskenë. KSHH ka organizuar një
aktivitet të mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla i
Komisionit për Demokraci i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë dhe se në agjendën e
tryezës theksohet se këto mendime nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të
Departamentit të Shtetit. Lind pyetja, po kë përfaqësojnë këto mendime?



Profesionalisht nuk përfaqësojnë ligjin,
praktikisht nuk shprehin realitetin e hidhur në vend. Sipas logjikës këto
mendime përfaqësojnë qeverinë , e cila mban dhe ushqen me kazanët e nxirë të
korrupsionit këto lloj shoqatash. KSHH është tjetërsuar dhe nuk është më ai
institucioni që shqiptarët besonin në gjithcka që artikulohej nga ky
institucion kur përfaqësohej nga Prof Arben Puto, Prof. Ylli Popa, Prof.
Çashku, Ballauri dhe dhjetëra intelektualë me integritet. Sot ky institucion
është uzurpuar nga partia dhe fatkeqësisht KSHH më shumë ngjan si një bashkim i
“Organizatës së grave me Frontin demokratik të kohës së Partisë së Punës”. Për
këtë mjafton fakti që KSHH ka harruar qëllimin për të cilin taksapaguesit
amerikanë kanë dhënë këto para, për të luftuar korrupsionin dhe rikthimin e
parave të vjedhura nga hajdutët e administratës shqiptare në arkat e shtetit
dhe jo të sulmojë ata që i zbuluan këto vjedhje. Sulmi i përsëritur politikisht
Komitetit Shqiptar të Helsinkit është pjesë e strategjisë për të goditur dhe
përplasur institucionet dhe jo për të bërë transparencën se ku shkuan këto
para. Si shpjegohet fakti që asnjë ftesë zyrtare nuk ka shkuar në KLSH? Si
shpjegohet që asnjë lloj saktësimi apo sugjerimi nuk është kërkuar KLSH,
megjithëse ka një marrëveshje bashkëpunimi. Nëse Komiteti Shqiptar i Helsinkit
do të ishte i përgjegjshëm, i ndërgjegjshëm për misionin e tij duhej ta
fillonte më faktin ,se sa është fondi i akorduar nga qeveria amerikane, kush i
ka përdorur paratë, emrat e atyre që janë shpërblyer apo paguar dhe në çfarë
vlere. Fakti që këto të dhëna mbahen sekret na lind dyshimi që me to janë
paguar njerëz që politikisht kanë qenë dikur të lidhur me krimin dhe trafikun e
drogës, influencës politike, të shkuarës komuniste dhe lidhjeve të dyshimta të
shërbimeve të huaja antishqiptare. Përse nuk merret KSHH (Komiteti Shqiptar I
Helsinkit) me Kryeministrin? Po me ministrat dhe drejtorët e kallëzuar
penalisht? Përse qeveria nuk u mban paratë për dëmin e shkaktuar tenderaxhinjve
? Ja këto duhej të bënte, të ngrinte zërin KSHH dhe jo të merrej me kulisat
politike. Përgjigjen më të mirë drejtoreshës ekzekutive,e cila më shumë më
ngjante me Lenka Çukon e Birosë, se sa me një intelektuale që po administron
paratë e popullit amerikanë i cili është më dashamirësi dhe më besniku në
historinë e kombit shqiptar. Përgjigjen më të saktë për Drejtoreshën e KSHH e
dha një nga gjyqtarët më me përvojë në Gjykatën e Tiranës dhe pjesë e
persekutimit komunist i cili i shpjegoi drejtoreshës paaftësinë profesionale
dhe miopinë e saj, kur i shpjegoi se KLSH dërgon materialet për kallëzim në
prokurori dhe pala e interesuar, nëse prokuroria e vazhdon apo e mbyll çështjen,
është pala e dëmtuar që në rastin konkret duhej të ishte vetë institucioni
shtetëror që i janë vjedhur paratë dhe avokati i shtetit. KLSH nuk është palë e
dëmtuar. KLSH funksionon sipas ligjeve të BE dhe ka të njëjtin mision që kanë
edhe homologët evropianë. Ai kontrollon, zbulon, raporton dhe i sugjeron
qeverisë mendimet nëpërmjet raportit dhe qeveria, si pronare e parave dhe të
mirave të vendit vendos, para përgjegjësisë ata që kanë abuzuar në emër të saj.
Këtë gjë le ta mësojë edhe “Lenka” e KSHH dhe jo të tentojë të fusë
institucionet në qorrsokak, pasi koha e diktaturës komuniste ka marrë fund
njëherë e mirë.