Drogë, vrasje, varfëri…!?

799
Evdal Nuri 
Janë tri fjalë me dy dhe tri rrokje, që jo vetëm na shqetësojnë, por dhe na revoltojnë. Ato pasqyrojnë realitetin e jetën e përditshme . S’duam t’i kujtojmë, por i shohim çdo mbrëmje në emisionin qendror të lajmeve e të nesërmen në faqet kryesore të gazetave! E para “të pasuron”, por po u ngatërrove, jeton me ankthin e të dytës. E treta, s’merret me të parën e s’ka frikë nga e dyta. Ngushëllohet me gjendjen e dëshpëruar e dëgjon të dy anët e politikës, se ç’do bëjë me ta?! 

1- Droga, po na turpëron! Shqipëria njihet si vend i prodhimit të hashashit. Ky nuk është lajm i ri. Lajm i ri s’është po ashtu as që Shqipëria është pjesë e korridorit ballkanik të trafikimit të drogës, që vjen nga vendet e Lindjes. Megjithatë Shqipëria përmendet gjithnjë kur flitet për drogën në Evropë. “Kjo më shumë, sepse shqiptarët janë pjesë e bandave kriminale të trafikimit të drogës në shumë pjesë të Evropës. Ja shembulli i fundit. Dy grupe të mëdha kriminale të trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali janë shkatërruar në Bari të Italisë. Janë arrestuar 43 persona, nga të cilët 22 shqiptarë. E prodhojmë vetë, por na vjen dhe nga jashtë. Ka një kombinim të grupeve nga brenda e jashtë vendit. Shkurt është rritur oreksi për fitime të mëdha, të shpejta e pa shumë mundime. Fukarenjtë merren me sasi të vogla, për të siguruar jetën e futen në burg. Të pasurit me tonelata e s’i gjen gjë. Viti 2018 ka filluar sërish me kapje e tonelatave të drogës. Këto ditë në një fshat të Vlorës u kap një ton drogë. Përpos rasteve ku kapen disa dhjetëra apo edhe qindra ton drogë në Itali apo Greqi, është për t’u veçuar data 28 janar në Maminas ku u sekuestrua një kamion me plot 613 kg kokainë kolumbiane, sasi rekord për Shqipërinë me vlerë 180 milionë euro. Ky fenomen lindi së bashku me demokracinë. Si shpjegohet se çdo javë dëgjojmë skafe që nisen për Itali e Greqi ? Ku u mboll? S’i u rrit e u veselit kjo sasi e madhe droge? Ku u përpunua, magazinua, transportua? Sa i përket kanabisit që përfundon në vendet e BE-së Shqipëria mbetet burimi kryesor. Treguesi i dytë është ai i ndërtimeve që janë rikthyer sërish me vrull në gjithë vendin. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit në 6-mujorin e parë të 2017-s shënoi një rritje vjetore me 82%, duke arritur në 298. Të dhëna të tjera të Bankës së Shqipërisë tregojnë se për periudhën janar- gusht, teksa kredia e re për ndërtimin, ndonëse u rrit me 46% në 17 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vlera e dhënë mbetet e njëjtë si në vitin 2012 kur ishin dhënë vetëm 37 leje! Kjo tregon se një pjesë e madhe e financimit ka ardhur nga jashtë kanaleve bankare. Fakt që e ka ngritur dhe opozita me të madhe kohët e fundit, por po kaq 

2- Vrasjet dhe aksidentet! Të dy rastet përfundojnë më humbje jetësh njerëzore. Janë shumë, aq sa s’mund t’i numërojmë. Ngjan me buletin lufte. Në 27 vjet vetëm vrasjet kalojnë mbi 6200! Vendin e parë e mban, 97-ta me 1542 të vrarë! Janë gjithashtu nga format nga më të ndryshmet e më të çuditshmet. Vrasje me një plumb në kokë. Nusja e i dashuri vrasin vjehrrën e burrin e i vënë flakën shtëpisë. Burri në Vlorë ka mbytur me litar gruan. Në Fier shoku vret me çekiç shokun dhe e bënë copa-copa. Një 16 vjeçar në Durrës vritet me thikë nga shoku se “e kishte parë vëngër”. Nusja në Kamëz helmon me fotoksinë vjehrrën. Në Gumenicë të Vlorës kushëriri vret të afërmin me sëpatë! Është e çuditshme, por krimet sikur kanë planifikimin e vet. 

Janari ishte muaji i tritoleve. Plotë 11 shpërthime me të vrarë, të gjymtuar e të dëmtuar! Shkurti, muaj i grabitjeve të pikave të Karburanteve. Marsi i përzier drogë, vrasje, vjedhje, shpërthime. ‘E gjen nga s’e pandeh’ thotë populli! Po aksidentet? Në dhjetë vitet e fundit kanë gjetur vdekjen nga aksidentet 3184 veta. Shifër shumë e lartë. Në muajin Janar 2018, numri i të vdekurve nga aksidentet ishte 13 persona. Viti 2018 ka nisur keq për sa i përket aksidenteve rrugore. Instituti i Statistikave, pak ditë më parë, raportoi se në janar të këtij viti u regjistruan 134 aksidente rrugore, nga 119 aksidente të ndodhur në Janar 2017. Ndofta më pak, por në një aksident në Skrapar u dëmtuan 10 nxënës. Të mos nisemi nga numri i aksidenteve, por nga pasojat e tyre, kjo është kryesorja. Shumica e aksidenteve janë shkaktuar nga shkelës, të cilët kanë qenë përsëritës. Del se policia merr shumë masa, por këto nuk ndikojnë aq sa duhet e s’i duhet për pakësimin e numrit të aksidenteve. Duhet sqaruar se nuk duhet të mburremi se në krahasim me vitin e kaluar kemi më pak vrasje apo aksidente. Njerëzit s’janë kv e të themi morëm më shumë apo më pak! 

3- Varfëria që vret! Shifra alarmante! Mbi 6% e shqiptarëve, nën pushtetin e varfërisë ekstreme. Një raport i Bankës Botërore përforcon varfërinë e shqiptarëve. Jo pak, por mbi 181 mijë persona jetojnë me tre dollarë në ditë. Këta janë ata me ndihmë ekonomike. Këto shifra na bindin për një varfëri ekstreme. Varfëria s’luftohet as me takime e as me mbledhje ku dëgjojmë dhjetëra citime shifrash, secili për hesap të vet. Fjala vjen, Pozita ngulmon .Janë 10063 familje që kanë përfituar për herë të parë ndihmë ekonomike. Opozita thekson, 70% e familjeve te varfra janë përjashtuar nga ndihma ekonomike . Edhe numri i atyre që, edhe pse punojnë por përsëri jetojnë me shifrën e 5 dollarëve kap shifra të larta alarmante, plot 1 milion. 

Nga do që ta kthesh e për gjithçka, jemi të fundit në Evropë . 
Kemi parë kronika të zymta ku varfëria ka lëshuar rrënjë të thella. Jetë e varfëri s’i në Mesjetë. Arsyeja se në katër-pesë anëtarë njëri është i aftë për punë, por s’punon . S’punon se s’ka punë e jo se nuk do që të punojë .Ka punë “sqarojnë “ pushtetarët, por duhen zanatçinj. Kjo nuk zgjidhet as me disa kurse për t’u punësuar qoftë dhe disa mijëra vetë e as me disa takime, duke i “qarë hallin” të varfërve në Lezhë, Lushje apo Vorë! Shtresat e varfra duhen parë më me dashamirësi. E kush s’e bën këtë? Ajo që emrin e ka Parti e shtresave sociale, që me politikën e saj vetëm këto shtresa ka goditur deri tani. Rastësisht u gjenda tek shitësi i lagjes. Atje gjeta një person, që pasi bleu 600 lekë ushqime tha, shënoi për në fund të muajit. Qerameti (shitësi), hapi fletoren ku ishin shënuar dhe dhjetëra emra të tjerë. “Kjo punë është tek unë. Mirë kur i bien, por ka dhe nga ata që s’duken më!” Në ditën e Verës një person, që dukej nga fshati ishte mbështetur në një trung pishe në Bulevard. I dinte letra e fillimisht tregojë kujdes. Kur mësoi se ishte beze e ngjyrosur bukur tha: “Ne s’kemi brekë të veshim, kurse këtu më Tiranë edhe trungjet i veshin me copa kaq të bukura”. 

Perspektivë e zymtë
Në vitin 2022, vendi ynë do të renditet në vendin e 100 në botë për sa i përket të ardhurave për frymë, duke lënë pas në Evropë vetëm Kosovën, Bosnjën, Moldavinë dhe Ukrainën. Duhet pranuar se gjithçka që trajtuam janë të lidhura me korrupsionin. Sipas të dhënave, të cilat janë publikuar bashkë me raportin e lumturisë globale 2018, Shqipëria rezulton të jetë vendi i 20 më i korruptuar në botë, ku gati 9 në dhjetë shqiptarë besojnë se korrupsioni është gjerësisht i përhapur. Krahasuar me 5 vjet më parë perceptimi për korrupsionin në Shqipëri është përkeqësuar, nga 84.7 për qind që ishte, në 88.6 për qind aktualisht. Kjo është situata. Gjithçka që thuhet jashtë këtij realiteti, është lojë fjalësh që fshehin të vërtetën e hidhur që po jetojmë. Nëntë orë debate zhvilloi Parlamenti për ndihmën ekonomike. Dëgjuam mendime e shifra nga më të ndryshmet! Disa i besonin shifrave që jepte Opozita, të tjerët besonin Qeverinë, por më e besueshmja është kjo: “Bazuar në raportin e Kombeve të Bashkuara, për Shqipëri, “lumturia” e ka humbur rrugën. Nga vendi 109 vitin e kaluar, në raportin e vitit 2018 ajo renditet e 112-ta, në grup me Sierra Leonen, Kongon dhe Bangladeshin”. Kaq mjafton për të ditur se si kemi qenë, e si jemi…!


Sigal