Deklarata të forta në momente delikate për qeverinë

691
Dr. Vili Minarolli

(Vijon nga numri i kaluar)
Për fat të keq, stafi i ri nuk kishte asnjë përgatitje paraprake dhe vepronte në bazë të urdhrave e udhëzimeve, të cilat shumë herë ishin edhe kontradiktore. Shërbimi u implikua shumë në lojën politike brenda vendit, gjë që ishte në kundërshtim me ligjin. Në këtë periudhë, në Shqipëri hynë edhe shumë njerëz dhe organizata të dyshimta, sidomos ato me veshje fetare. Ata shfrytëzuan varfërinë e tejskajshme dhe mashtruan shumë njerëz, veçanërisht të rinj e të reja. Shërbimi Informativ duhet ta kishte përqendruar më mirë vëmendjen te këto grupe dhe t’u priste rrugën. B. G. i merrte urdhrat dhe udhëzimet direkt nga presidenti, por këshillat e tij nuk ishin gjithnjë të sakta. Kur fillova të isha pranë tij, gjatë kohës që patëm kaluar në opozitë, vura re se ai kishte më shumë besim te disa figura shumë të dyshimta, sesa te bashkëpunëtorët e vet. Këto figura ishin kryesisht njerëz të medias apo edhe ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit, të cilët i jepnin informacione, sipas tyre “të besueshme” dhe të “sakta”. Të gjithë këta persona” të afërt” të njëshit të shtetit, më vonë do ta tregonin fytyrën e tyre të vërtetë dhe u kuptua se ata bënin lojë të dyfishtë. Ata nuk kishin asnjë qëllim, veçse atë të pasurimit dhe për këtë qëllim sakrifikonin çdo gjë. Nga ana tjetër, kryetari i PD-së mendonte se i shfrytëzonte këta njerëz për interesat e tij, por rezultoi se i humburi ishte vetë ai. Kryetari mbeti gjithnjë një njeri shumë emocional në marrjen e vendimeve. Për mendimin tim, ai u mundua të kishte bashkëpunëtorë jashtë strukturave të partisë, si dublim i tyre. Madje shumë herë, kur shtroheshin problemet në kryesi, ato shtroheshin formalisht, sepse vendimet ishin marrë pikërisht me këta “bashkëpunëtorë”. Në shumë raste ai edhe gaboi në zgjedhjen e tyre. Ishin pikërisht këta individë, të cilët kur nuk merrnin atë që donin prej tij, si “shpërblim” të punës së tyre, shndërroheshin edhe në kundërshtarët më të vendosur.

Pra, ligji për “Pastërtinë e figurave të personave publikë” u miratua me votat e shumicës dhe pas kësaj, një pjesë e politikanëve që kishin qenë të angazhuar drejtpërdrejt në drejtimin e strukturave “të diktaturës të proletariatit” vajtën jashtë shtetit, sidomos në Greqi, ku edhe u mirëpritën. Të tjerët, ish-zyrtarë të lartë të qeverive komuniste, disa edhe kryetarë partish të opozitës, u përjashtuan nga e drejta e kandidimit. Do të sjell një shembull për të treguar se sa selektiv ishte ky ligj. Ish-ministri i Arsimit në qeverinë e fundit të regjimit komunist, ishte kryetar i një partie që në zgjedhjet paraardhëse kishte qenë në aleancë me PD-në dhe kishte fituar si deputet me votat e demokratëve. Më pas, në vitin 1994 ai mbajti flamurin e kundërshtimit të projekt-kushtetutës dhe kaloi në kampin opozitar, së bashku me PS-në. Tani, sipas ligjit të dosjeve, ai nuk u lejua të kandidonte, pasi kish qenë zyrtar i lartë i qeverisë komuniste. Në të vërtetë, në postin që kishte pasur gjatë komunizmit, ai ishte zgjedhur më shumë si teknicien sesa si partiak. Këtë e tregoi edhe në reformat me vlerë që ndërmori si ministër i Arsimit. Ndërsa ish-sekretari i parë i rinisë komuniste, post nga më të rëndësishmit partiakë, i cili u zgjodh po nga votat e demokratëve dhe e la mandatin e deputetit për atë të ambasadorit, duke u emëruar në një vend të rëndësishëm. u caktua si ambasador në një pozicion shumë të rëndësishëm (mos duhet thënë, u caktua si ambassador në një vend shumë të rëndësishëm?). Raste të tilla të veprimit selektiv të ligjit pati shumë dhe u kuptua se ai ishte hartuar thjesht për qëllime politike të çastit dhe jo për atë qëllim që i interesonte gjithë shoqërisë shqiptare.

Pas fitores së ish-komunistëve, në qershor të vitit 1997, komisioni i verifikimit të “pastërtisë” së figurave publike e vazhdoi punën, tashmë me një kryetar tjetër, një ish-gjykatës i kohës së komunizmit, i dënuar pas Konferencës së Tiranës, por që kishte mbetur në mendje dhe në veprime po ai komunist i devotshëm. Ai e vazhdoi formalisht veprimtarinë e tij deri në vitin 2002, duke mos bërë asnjë veprim, për të cilin ishte krijuar ky komision. Qeverisë dhe shumicës së majtë i interesonte vetëm për konsum të jashtëm funksionimi i këtij ligji. Pas fitores së forcave të djathta, në qershor të vitit 2005, kërkesa e një ligji të lustracionit u ngrit përsëri nga ana e Këshillit të Evropës. Në këtë kohë ishte zgjedhur si nënpresident i Asamblesë Parlamentare të KE-së një pjesëtar i delegacionit të parlamentit shqiptar, A. B., i cili u duk se kishte marrë porosi që të angazhohej në hartimin dhe miratimin e ligjit të lustracionit. Madje, ai u mbështet në disa modele të asaj kohe dhe përgatiti një draft, që sigurisht nuk u pranua nga lidershipi i partisë së tij. A. B. arriti deri aty sa t’i kundërvihej lidershipit dhe ta denonconte deri në KE, gjë që çoi në përjashtimin nga strukturat e larta të partisë dhe heqjen e tij nga delegacioni i parlamentit shqiptar në KE. Ishte hera e parë që nga viti 1995, kur ne u bëmë anëtarë të KE-së, që Shqipëria përfaqësohej në një post të lartë në këtë organizëm të rëndësishëm europian dhe nuk ngurruan ta hiqnin kur u cenuan disa interesa që lidheshin me ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit.

Në këtë kohë, një mik i S. B., biznesmen serbo-boshnjak me shtetësi britanike, erdhi në Shqipëri për biznes. Ai u duk në një foto se kishte marrë pjesë edhe në një mbledhje të Sigurisë Kombëtare, në shoqëri të një zyrtari amerikan. Kur do të nisej në aeroport, ku e priste avioni privat me të cilin kishte ardhur, prokuroria kërkoi ta ndalonte. Shefi i policisë i aeroportit e shoqëroi biznesmenin dhe priti derisa të largohej, pa e lejuar prokurorinë të vepronte. U gjykua më pas, pas zhurmës së madhe që shkaktoi ky incident, se veprimi i prokurorisë ishte i nxituar, i minutës së fundit dhe jashtë procedurave që kërkonte një veprim i tillë. Pati një përplasje midis mazhorancës dhe opozitës, ku në qendër u vu figura e prokurores së Përgjithshme, një grua e re, pa përvojë dhe e zgjedhur një vit më parë nga presidenti. Pas kësaj, prokuroria hapi një proces ndaj biznesmenit dhe hetimin e kryesoi një nga prokurorët e vjetër, i cili mendohej se ishte pikërisht ai që e cilësonte prokuroren e përgjithshme të paaftë për detyrën që mbante.

Shtypi i djathtë, i dirigjuar nga PD-ja, filloi një fushatë ndaj kryeprokurores dhe njerëzve të inkriminuar në prokurori që prej kohës së regjimit komunist. Siç duket, në këtë kohë, S. B. i kërkoi presidentit ta shkarkonte prokuroren e Përgjithshme. Pas refuzimit të tij, u krijua çarja e parë midis dy figurave kryesore të shtetit, pak më parë miq dhe bashkëpunëtorë. Ndërkohë, në parlament u hartua me të shpejtë një ligj “i lustracionit”, gjoja si “kërkesë e KE-së”, pasi ishte hedhur poshtë varianti që kishte kaluar edhe ekspertizën ndërkombëtare. Edhe ky variant dukej hapur që ishte selektiv. Ai përfshinte gjykatësit dhe prokurorët që kishin punuar në kohën e diktaturës, por edhe këta jo të gjithë. Nga njëra anë kërkohej largimi i gjykatësve dhe prokurorëve që i kishin shërbyer diktaturës, nga ana tjetër ishte po mazhoranca e djathtë që votonte juristë të kësaj kategorie në organet më të larta të drejtësisë dhe të prokurorisë. Zihej në gojë emri i prokurorit të “Çështjes F.”, derisa ky u detyrua të japë dorëheqjen dhe çështja që po hetohej u mbyll. Ligji formalisht u miratua, por nuk gjeti zbatim, pasi e arriti atë për të cilën qe hartuar: ndërprerjen e hetimit për biznesmenin serbo-boshnjak. Por, Komisioni i Venecias e hodhi poshtë ligjin dhe sigurisht nuk u dekretua as më pas nga presidenti i republikës. Edhe këtë rast, lidershipi i PD-së e shfrytëzoi për të sulmuar presidentin, që nuk përkrahte shtresën e të persekutuarve politikë, por shumë njerëz e kishin të qartë pse u hartua një ligj i tillë. Kam shumë të njohur, të cilët kanë qenë anëtarë të PPSH-së dhe sot janë në PS, madje në udhëheqje të saj. I çmoj dhe i vlerësoj si njerëz shumë të mirë, intelektualë të formuar dhe të miredukuar. Si njeri që e pranoj pluralizmin e mendimit dhe atë partiak, vazhdoj t’i konsideroj miq të mirë dhe të ndajmë me njëri-tjetrin mundësitë që na jep kjo miqësi. Por jo mendimet. Ato janë pronë e gjithsecilit dhe ne kemi respekt të plotë për çfarë mendon dhe shpreh tjetri. Nuk e konsiderojmë njëri-tjetrin armiq, por miq me mendime të ndryshme politike. Asnjëherë nuk kam mbajtur flamurin e antikomunistit radikal dhe as atë të të persekutuarit politik. Shumë të njohur në mbarë vendin, kur mendojnë se unë kam kryer shkollën e lartë, nuk u shkon mendja tek origjina ime familjare dhe persekutimet e saj gjatë regjimit komunist. Persekucioni i familjes sime për mua nuk ishte një vlerë që mund të më jepte përfitime. Kjo “mbrojtje” u është dashur atyre që nuk kanë qenë të tillë. Unë u pozicionova në forcën time politike të qendrës së djathtë, si mundësi për të shprehur dhe mbrojtur bindjet e mia, si dhe për të dhënë një farë kontributi në ndërtimin e shoqërisë demokratike. Shpeshherë jam zhgënjyer nga kolegët, por edhe nga eprorët e mi, për standarde të dyfishta, ose më saktë, për standarde false, siç ishte edhe rasti i mësipërm i drejtuesve të partisë aleate me PD-në në zgjedhjet e 1992-shit. Kështu u realizua zbatimi i ligjit të lustracionit, i miratuar në vitin 1995 dhe me këto standarde të dyfishta ai më shumë dëmtoi se sa ndihmoi në procesin e pastrimit të shoqërisë shqiptare. Prandaj u zbatua pjesërisht dhe i deformuar në përmbajtje e në formë. Kështu do të dështonte edhe përpjekja tjetër për një “ligj” të ri, që nuk hyri në fuqi për shkak, se u rrëzua si ligj antikushtetues. Kohët e fundit, kryeministri E. R. deklaroi se do të hartohet ligji për hapjen e dosjeve, por pa e përmendur procesin e lustracionit. Ai e bëri këtë deklaratë në një moment delikat për qeverinë e tij, kur një protestë e fuqishme e opozitës tregoi se qeveria e kishte humbur mazhorancën e mbështetjes popullore. Pra, edhe ai e përdori “gogolin” e dosjeve si shantazh ndaj kundërshtarit politik, njësoj si paraardhësi i vet. Kuptohet se forca politike që ai përfaqësonte nuk ishte aspak e interesuar për hapjen e dosjeve, aq më shumë për ligjin e lustracionit. Kam dëgjuar se u miratua një farë ligji, por ashtu si paraardhësit e tij, jo vetëm nuk ka gjetur asnjë zbatim, por është harruar fare. Ndoshta mund të shërbejë si shantazh politik në një kohë të përshtatshme për ata që e bënë këtë ligj. Në përgjithësi, “gogoli” i dosjeve dhe bashkë me të, edhe emrat e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, janë përdorur jo rrallëherë si shantazh për figurat drejtuese të PD-së dhe asnjëherë për figurat e partive të majta, të cilat padyshim e kanë pasur privilegj të shërbenin në “armën e mprehtë të diktaturës së proletariatit”, siç quhej Sigurimi i shtetit. Për rastin e figurave të partisë ku kam bërë pjesë edhe unë, e them nga përvoja ime se kjo mënyrë është përdorur për të spekuluar dhe mashtruar opinionin publik. Dhe përvoja ime është kjo që do t’ju tregoj më poshtë: dikur në një gazetë dhe më pas edhe në rrjetet sociale, është shkruar se edhe unë kam qenë i rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit, madje u përmend edhe pseudonimi im, sipas tyre “Profesori”. Unë nuk e përjashtoj mundësinë që ndonjë ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të ketë pasur këtë pseudonim, por ai në asnjë rast nuk jam unë. Në të vërtetë, shumica e miqve të mi, ish-nxënës dhe ish-studentë, më thërrasin me këtë emër, ndonëse nuk e kam të fituar zyrtarisht. Kam mbajtur disa poste shtetërore, si drejtor, ambasador, deputet, sekretar partie, kryetar partie në degën e Tiranës etj., dhe në shumicën e rasteve vartësit a bashkëpunëtorët më janë drejtuar me këtë emër në vend të emrit tim apo të postit zyrtar që mbaja. Unë personalisht e kam pasur për nder, pse jo edhe për kënaqësi, jo se më pëlqente një titull që nuk e meritoja, por e konsideroja si vlerësim të punës që kisha bërë në arsim për gati tridhjetë vjet të jetës sime. Pas vitit 1990 kam pasur shumë raste kur ka qenë i detyruar kontrolli i figurës dhe “pastërtisë” sime morale. Jam i sigurt se është bërë kontroll kur shkova me detyrë në Beograd. Më është thënë nga shefi i SHIK-ut se u kontrollua “pastërtia” ime kur u kandidova për herë të parë si kandidat për deputet, sipas kërkesës së ligjit nga “Komisioni M”, por siç u informova nga kryetari B. G., një person me pozitë të lartë në qeveri kishte kërkuar të gjente ndonjë “defekt” që të mos kandidohesha. Ishte një praktikë që zbatohej atë kohë, kur duhej të shmangej ndonjë person që “prishte” punë. Duke më njohur mirë për cilësitë e mia morale, këta persona me pushtet e kishin të qartë se kandidimi im si deputet në Kuçovë u prishte planet për aferat korruptive që kishin krijuar në këtë rreth. Por nuk e përjashtoj edhe mundësinë e njohjes së “dosjes” sime nga shërbimi i ndonjë vend fqinj, kur unë shërbeja si ambasador atje. Këto janë mënyra normale që përdoren për shantazh. Siç e kam thënë, “Ligji i dosjeve” që u miratua në vitin 1995 nuk u bë për të pastruar politikën apo shërbimin publik nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit. Ai u bë për ta përdorur në mënyrë selektive kundër kundërshtarëve politikë apo personave që u kishin zënë rrugën zyrtarëve të korruptuar, por edhe për shantazh e presion ndaj “të pabindurve”. Unë kam pasur pozicione të tilla që shantazhi dhe presioni për figurën time morale, në qoftë se do të ishte e njollosur, do të kishte qenë një mjet i përshtatshëm për të arritur të më mposhtnin. Për fat të keq të tyre nuk e kanë pasur në dorë këtë armë, sepse nuk kam qenë asnjëherë dhe nuk kam shërbyer kurrë si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Po ashtu, nuk kam pasur të bëj asnjëherë me të në asnjë formë të hapur apo të fshehtë. Ato ç’ka kanë shkruar apo kanë shprehur për personin tim kanë qenë thjesht shpifje, si përpjekje të dëshpëruara për të ulur sadopak figurën time të pastër morale dhe asnjëherë nuk jam përpjekur t’i përgënjeshtroj, për të mos rënë në grackën e tyre. Të njëjtën gjë mendoj se kanë bërë edhe kolegët e mi me figurë të pastër morale, që janë përmendur me të ashtuquajturat pseudonime.
Sigal