Çfarë ju ka bërë Peza që e keni ‘harruar’, zotërinj politikanë?

270

 Mesazh sensibilizues nga një grup intelektualësh: Ja çfarë e preokupon fshatin historik!

Këtë vit, Peza feston 70- vjetorin e Konferencës historike në të cilën u hodhën dikur themelet e LANÇ-it kundër mortajës nazifashiste. Ky është ndërkohë edhe një nga momentet e rëndësishme në kuadër të 100- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Konferenca e Pezës, sikurse dihet, në historinë shumëshekullore të këtij vendi, ka të njëjtën peshë me ngjarje të tilla të mëdha; si Besëlidhja e Lezhës apo Lidhja e Prizrenit. Peza, lufta e popullit të kësaj zone, si dhe figura simbol e patriotit që krijoi të parën Çetë antifashiste në Europë, Myslim Peza, përbëjnë trinomin e krenarisë legjitime me të cilën komuniteti i këtij fshati historik, (tashmë prej vitesh anëtar i Unionit të Vendeve Martire), si dhe gjithë ata që respektojnë gjakun e derdhur të 153 bijve e bijave të popullit, të cilët Peza  i mban e i nderon me krenari në gjirin e vet, vijnë në këtë përvjetor të rëndësishëm.  Kjo është e vërteta “pa koment” e historisë së Pezës, si dhe e lavdisë së saj, me të cilën sot krenohen dhe do të vazhdojnë të krenohen në vite brezat  e shqiptareve kudo qe ndodhen, brenda e jashtë  Shqipërisë. Por kontrasti evidencohet frikshëm, kur ballafaqon prapambetjen e kësaj zone, me zhvillimin e fshatrave e zonave të tjera të Shqipërisë, bile dhe të fshatrave fqinje me zonën e Pezës. Duke përmendur një e nga një gjërat që nuk u bënë kurrë realitet në këto 22 vjet demokraci në Pezë, do të konstatonim sakaq indiferentizmin e tmerrshëm të politikanëve dhe pushtetarëve ndaj disa objektivave jetësorë për komunitetin e kësaj zone. Një problematikë gangrenë që kurrë nuk mori udhën e zgjidhjes, paçka se kryq e tërthor Shqipërisë, kudo e kudo ndryshimi la vulën e vet. Dhe le t’i numërojmë: Së pari, rruga; e cila është vetëm 6 kilometra, nga aksi nacional deri në qendër të Pezës. Vit për vit, si dhe në çdo katër vjet, sa herë që janë bërë votimet, njerëzit e kësaj zone e kanë renditur gjithnjë si objektiv të parë çështjen e rrugës. Por, edhe pse kështu, ajo kurrë nuk u rregullua, nuk u asfaltua, nuk u zgjerua në mënyrë të tillë që të ketë parametrat e një rruge normale. Rruga e Pezës edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet me asfaltin e kohës së monizmit, ku gropat e hapura gati në gjithë gjatësinë e saj, të krijojnë bindjen se po shkon drejt një zone të harruar, të braktisur, që nuk e ka parë kurrë afër dorën e përkujdesjes së shtetit. Peza një herë në vit bëhet “kryefshat”, dhe kjo ndodh në çdo 16 Shtator. Vijnë nga e gjithë Shqipëria në këtë ditë, paçka se festa e Pezës nuk njihet zyrtarisht si “festë kombëtare”. Përballë peshës së madhe të kësaj date dhe gjendjes reale të zhvillimit rural të këtushëm, gjithkush nuk e ka të vështirë të konstatojë nivelin e prapambetjes. Shkurt, Peza vazhdon të etiketohet nga çdo vizitor, si një nga vendet më të pazhvilluara të Shqipërisë. Kjo është një situatë vërtetë absurde. Vit për vit, të njëjtin shqetësim mundohen t’u përcjellin instancave shtetërore edhe organizatat e veteranëve. Ata tentojnë të sensibilizojnë organizmat e institucionet për kapërcimin e kësaj prapambetjeje në këtë zonë, ku rregullimi i rrugës për në qendër të fshatit mbetet prioriteti “numër një”.  Por përsëri asgjë nuk ka ndryshuar. Fjalët kanë rënë në vesh të shurdhët. Të gjithë e kërkojnë këtë rrugë. E kërkojnë se ajo është jetike. Tjetër: Peza dikur kishte ujë nëpër rubinetë, në çdo ditë pa ndërprerje. Sot ky shërbim është gati i asfiksuar totalisht. Uji mund të vijë në banesa vetëm një herë në katër apo pesë ditë. Dhe vetëm me nga një gjysmë ore. Asnjë sekondë më tepër. Në 22 vjet demokraci, kërkesat e komunitetit pezak për rrugën dhe ujin nuk kanë reshtur. Por përsëri heshtja e politikanëve dhe pushtetarëve ka qenë një avaz i njohur. Çfarë ju ka bërë Peza zotërinj politikanë, që silleni me të në këtë farë mënyre? Ne e shohim me vend që përmes kësaj letre të hapur t’ju rikujtojmë juve se kjo zonë dhe ky komunitet ka patur dhe ka disa veçori që duhen marrë në konsideratë, gjithsesi. Nuk duhen anashkaluar, nuk duhen injoruar ato, kurrsesi. Ne ju themi se ky komunitet, ka ditur gjithnjë të demonstrojë vlera të civilizimit e qytetarisë në realitetin e djeshëm e të sotëm. Në vitin tragjik 1997, në Pezë nuk u thye një xham. Hektarë të tërë me sera diellore, ndodhen mu në qendër të këtij fshati. E ato nuk u cenuan, nuk u shkatërruan, nuk u grabitën, nuk u ciflosën aspak. Por le të shkojmë më tej akoma: Më parë, në vitet e ndërrimit të sistemit, 1990-1992 përsëri proceset e transformimit demokratik u kryen pa asnjë ekses. Dhe kjo, falë një edukate dhe kulture të kultivuar te pezakët, tek gjithë të rinjtë e kësaj zone. Nuk u pre asnjë dru pishe, në gjithë ato masive kodrash të mbjella me mundim përgjatë viteve të hershëm 1968-1972. Ndaj edhe sot Peza ka atë kurorë gjelbërimi aq mbresëlënëse. Pra, ç’emër t’i vëmë këtij indiferentizmi vrastar, zotërinj politikanë?  Populli i zonës së Pezës,në çdo kohë ka demonstruar e mbajtur të shenjtë idealin e Konferencës së Pezës, duke respektuar gjithkënd “pa dallim feje, krahine, ideje e bindje politike”. Në cilën derë pezake keni trokitur ju politikanë në  këta 20 vjet dhe nuk ju është hapur me “bukë e kripë e zemër”, sipas traditës? Askënd prej jush Peza e pezakët nuk e kanë nxjerrë jashtë, nuk i kanë mbyllur derën në fytyrë! Askujt prej jush nuk i ka ndodhur t’i prishet mitingu apo t’i bllokohet rruga në çdo cep të zonës së Pezës, ditën, natën,  qoftë edhe në vitin e zi 1997, që ju na dhuruat. Fatkeqësisht, Peza dhe populli i kësaj zone është i dënuar prej politikanëve të këtij vendi me paragjykim dhe harresë. Populli i Pezës, rinia e kësaj zone nuk duhet të braktiset e të paragjykohet nga askush. Lufta e klasave dhe persekutimi me errësirën e harresës nuk mund të ketë vend në një shoqëri demokratike që  pretendojmë të ndërtojmë. Me dhembje e themi, por e vërteta flet vetë. As Peza dhe asnjë fshat tjetër i Shqipërisë, nuk mund të paragjykohet. As, se voton majtas, as se voton djathtas. Populli është popull. Ai zgjedh në drejtim ato politikanë që do dhe që mendon se janë më të mirët. Por ndërkohë edhe nuk mund t’i falë kur ato nuk përmbushin synimet elektorale. Por, ja që këtu zhgënjimi ka arritur kulmin. Një rrugë vetëm 6 kilometra e gjatë, që në vetvete nuk është asgjë për buxhetin e shtetit. Por jo vetëm rruga, çfarë është investuar në Pezë këto vite nga buxheti i shtetit që ta bëjë këtë popull të ndjehet mirë dhe i respektuar si zonë me histori të lavdishme. Janë miliona e miliona euro të harxhuara anë e kënd vendit deri më sot për ta bërë vendin me rrugë më të mira. Kurse Peza ironikisht vazhdon të mbetet “zonë e harruar”. Askush nuk e di se për inatin e kujt ajo rri në këtë gjendje. Askush nuk e di se përse pushtetarët dhe politikanët i mbajnë mëri asaj. Kjo situatë absurde duhet të marrë fund. Peza në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë dhe 70 vjetorit të konferencës historike ndodhet në atë gjendje që e shohim përditë: me një rrugë mjerane si ato të bëra qysh në kohën e zaptuesve austro-hungarezë dhe me një rrjet ujësjellësi të shkatërruar, që vazhdon të degradojë dita-ditës. Populli i Pezës pret një përgjigje pas botimit të kësaj letre të hapur. E pret përgjigjen nga shteti, qeveria, deputetët dhe politikanët e këtij vendi.

Ismail Hoxha

Xheladin Çelmeta

Sherbet  Zgura

Arjan  Rugji