Bujar NISHANI*/Shqipëria, në harmoni me të gjitha vendet e rajonit

541
Sigal

*President i Republikës së Shqipërisë

Në këtë moment, kur fryjnë erërat e ngrohta euroatlantike dhe kur po ndihemi më pranë njëri-tjetrit se kurrë, me dëshirë, vullnet dhe interesa duhen ndarë disa mendime se si të çojmë më përpara bashkëpunimin dy dhe shumëpalësh në rajon. Në historinë, kulturën dhe gjeografinë e Europës bën pjesë edhe rajoni i Ballkanit, i cili aktualisht po integrohet në mënyrë progresive në strukturat europiane. Vendet e tij kanë hedhur vështrimin drejt së ardhmes, duke përballuar sfida me kurajo dhe vendosmëri. Ballkani Perëndimor është sot i gjithi i orientuar drejt integrimit evropian dhe, veçanërisht, bashkëpunimi rajonal përbën një instrument shumë të rëndësishëm të zhvillimit shumëdimensional të këtij rajoni, në funksion të përshpejtimit të synimit të përbashkët euro-integrues të vendeve tona. Politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë është e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal. Shqipëria nuk ka probleme të hapura me asnjë nga vendet e rajonit. Interesave kombëtare të Shqipërisë i shërbehet mirë në një mjedis rajonal paqësor, të stabilizuar, demokratik, ekonomikisht të zhvilluar. Ne inkurajojmë dialogun dhe përpjekjet institucionale si të vetmet mekanizma për trajtimin dhe zgjidhjen e diferencave të brendshme dhe ndërmjet fqinjëve. Kriza financiare përbën një kërcënim edhe për rajonin tonë, kur efektet e saj janë në kufi me ne. Reformat e suksesshme, sundimi i ligjit, hapja e tregut, projektet e përbashkëta, krijimi i klimës për investime, paqja dhe siguria bëhen më të domosdoshme se kurrë më parë. Ne besojmë se duhet të angazhohemi bashkërisht më shumë për të ndërtuar një infrastrukturë moderne të përbashkët rajonale. Ne po heqim të gjitha barrierat jo-fizike të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, duke nxitur shkëmbimet midis vendeve tona. Në të njëjtën kohë, duke njohur më mirë kulturën, historinë e zakonet e fqinjëve, ne mund të përmirësojmë imazhin e rajonit tonë, mund ta bëjmë atë një treg tërheqës dhe konkurrues, dhe mund të përafrojmë perspektivën e tij euro-integruese. Ndaj dhe, nën këtë frymë, luajmë një rol moderator për ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në Ballkan. Praninë e faktorit shqiptar në vendet e rajonit ne gjithmonë e kemi konsideruar si urë lidhëse midis vendeve tona dhe kemi inkurajuar shqiptarët në rajon të jenë promotorë bashkëpunimi dhe nxitës të proceseve të përbashkëta euro-integruese të vendeve ku ata jetojnë. Dorëzimi në Komisionin Evropian i Raportit të parë të gatishmërisë për zbatimin e kritereve të dala nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave dhe marrja nga ana e Kosovës e Studimit të Fizibilitetit për MSA-në janë dëshmi se Kosova ka hedhur hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian dhe bashkëpunimit me BE. Në këtë kuadër, ne kërkojmë mbështetjen tuaj për përfshirjen e Kosovës në nismat rajonale dhe më gjerë. Shqipëria mbështet përfshirjen e Kosovës në Kartën e Adriatikut A5, sepse kjo i shërben paqes dhe sigurisë në rajon dhe lehtëson procesin integrues të Kosovës në Aleancën e Atlantikut. Shqipëria vlerëson se angazhimi në projekte të përbashkëta në infrastrukturë, mjedis, turizëm, etj është një mundësi e mirë për të përfituar mbështetje nga BE nëpërmjet fondeve IPA. Integrimi i rajonit bëhet i domosdoshëm edhe për faktin se pozicionimi i tij aktual si një rajon i rrethuar me kufij të BE-së, por i paintegruar në këtë të fundit, do të ishte i dëmshëm për të gjitha palët. Ndërkohë që perspektiva e Ballkanit si një vatër e re zhvillimi ekonomik dhe punësimi do të lehtësonte edhe vetë BE-në nga një sfidë që është sa politike, po aq edhe ekonomike. Forcimi i dimensionit të sigurisë në konceptin tradicional dhe atë bashkëkohor në rajon, nëpërmjet garantimit të paqes dhe stabilitetit, demokratizimit të shoqërive tona, luftës së përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, kontrollit të qarkullimit dhe konfiskimit të parave që disponojnë këto organizata, forcimit deri në përmbushjen e standardeve më të larta të sigurisë dhe menaxhimit të integruar të kufijve, mund të realizohen më shpejt, nëpërmjet një bashkëpunimi më të koordinuar rajonal të agjencive të zbatimit të ligjit së bashku me asistencën e vetë Bashkimit Evropian. Ne duhet të vazhdojmë të bashkëpunojmë më ngushtë për ta shndërruar rajonin tonë në parajsë të mundësive për investime serioze dhe në ferr për veprimtaritë e paligjshme që cenojnë stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe klimën e duhur për qytetarët dhe investitorët.