“Shërbimi i Inteligjencës së ushtrisë i tejkalon kompetencat kushtetuese”

490
Sigal

INTERVISTA/Paulin Serkaj, deputet i PS-së: “Në p/ligjin  e AIU-së mungon bashkëpunimi maxhorancë-opozitë”

Projektligji për shndërrimin e SHIU-t në Agjenci të Inteligjencës së Ushtrisë është kundërshtuar me forcë nga opozita në Komisionin e Ligjeve, po kështu edhe në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Dje, deputeti i PS-së, Paulin Sterkaj, në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, deklaroi që, “ky p/ligj është bërë nga duart e pista, të cilat deri tani kanë shkelë sistematikisht ligjet. Për çudi, kjo batutë politike e deputetit socialist nuk ngjalli replikë, thua se, ose nuk u dëgjua- zëri i zotit Sterkaj dëgjohet edhe në korridor-, ose deputetët e maxhorancës nuk kishin dëshirë apo argument të replikonin. Zoti Paulin Sterkaj, në intervistën e dhënë në “Telegraf”, në një çast pushimi të seancës dëgjimore të p/ligjit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, argumentoi përse ka bindjen që ky p/ligj është hartuar nga duart e pista, që vazhdimisht shkelin ligjet.

– Zoti Sterkaj, përse opozita p/ligjin për ngritjen e Agjencisë së Inteligjencës së Ushtrisë e cilësoni antikushtetues?

–  Në këtë p/ligj për Agjencinë e Inteligjencës së Ushtrisë, AIU-së,  mungon bashkëpunimi maxhorancë-opozitë. Ky p/ligj simbolizon veprimtari antikushtetuese dhe tejkalim kompetencash e të të drejtave të Njeriut. Kur e lexon ligjin, të duket se është i rregullt, por kur e shikon se deri ku do që të shtrij kompetencat e veta ky ligj, është dëm i madh për të ardhmen. Ne këtu në Komisionin e Sigurisë Kombëtare jemi për të bërë ligje që mbështeten në Kushtetutë. Kam bindjen që ky ligj ka për të qenë i përkohshëm, se kjo maxhorancë do të ikë nga zgjedhjet e 2013-s,

– Ku tejkalohen kompetencat, në bazë të këtij projektligji?

– Ne i kemi bërë vërejtjet tona. Konkretisht, në një nen thotë që ndalohet rekutrimi i bashkëpunëtorëve me forcë, në nenin tjetër del që Agjencia e Inteligjencës Ushtarake ka të drejtë të marrë të dhëna nga institucionet publike e private, nga persona. Maxhoranca nuk ka marrë asgjë parasysh nga kritikat e sugjerimet tona, ku nuk kemi ndërmend që të bëjmë politikë, por duam të bëjmë ligje demokratike për të gjitha, pa dallime politike.

Përse ju keni bindjen që ky p/ligj është bërë nga duart e pista, siç u shprehët edhe në Komision, para pak minutash, të cilat deri tani  vetëm dinë të shkelin ligjet?

– Ne kemi dhe posedojmë  informacione të mjaftueshme për që shërbimi sekret i ushtrisë i ka kaluar kompetencat në vazhdimësi, në pajisjet  e përgjimit, që tashmë janë bërë publike, që përdoren  100% dhe në total, janë përdorur në kundërshtim me ligjet. Fakti, që ministri i Mbrojtjes, pavarësisht që  në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, maxhoranca dhe opozita ranë dakord që të ushtrohet mbikëqyrja në ministrinë e Mbrojtjes, nuk lejon që të ushtrohet kontrolli parlamentar, kjo dëshmon që aty ka gjëra që janë fshehur e janë  antiligjore, ndaj pengojnë transparencën.

Deri tani, ju si opozitë, a jeni bindur që agjencitë e tjera të inteligjencës,  homologe të SHBA-ve dhe të partnerëve në NATO, kanë dhënë konsulentën e tyre në përgatitjen e këtij p/ligji të krijimit të Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake?

–  Ne, si opozitë, e kemi kërkuar, nëse agjencitë e inteligjencës të partnerëve tanë ndërkombëtarë, si e kanë vlerësuar këtë p/ligj, na është thënë që u kanë dhënë mendimet e vlerësimet, por transparencë për  korrespodencën e shërbimeve të inteligjencës të partnerëve tanë ndërkombëtare, nuk na e kanë njohur askush në Komisionin e Sigurisë.

– Çfarë justifikimi ju kanë dhënë dhe thënë?

Thjesht, na thanë që kanë komunikuar dhe kanë shkëmbyer konsultë, por kjo korrespodencë, sipas zotërinjve të Ministrisë së Mbrojtjes, është cilësuar e kualifikuar dhe nuk mund të na e bëjnë të ditur as neve, deputetëve që na ka votuar populli. Po të shikosh legjislacionin që kanë në vendet e tjera, për Agjencitë e Inteligjencës, ka shumë kundërshtime me këtë p/ligj që na kanë paraqitur neve për AIU-në.

Kërkesa e deputetëve për ngritjen e Komisionit hetimor në Ministrinë e Mbrojtjes, u rrëzua nga Kuvendi. Po mbikëqyrja e kësaj ministrie nga Komisioni i Sigurisë mbetet akoma e bllokuar?

– Ju keni marrë pjesë edhe në mbledhje të tjera të Komisionit të Sigurisë dhe e keni dëgjuar ministrin Imami, që të deklarojë me zotësinë e tij politike, që ka thënë hapur: “Ju nuk keni për ta mbikëqyrur kurrë ministrinë e Mbrojtjes”.

– Faleminderit!