/Gazeta TELEGRAF
“Miliona euro dhe banda si “demokraci” ‘rilindase’, e pranuar edhe nga “ndërkombëtarët”, kur shkeleshin marrëveshjet”
Këtë vit u mbushën 100 vjet nga zhvillimi i zgjedhjeve të para të shtetit shqiptar. Dhe si për ta përkujtuar këtë ngjarje në mënyrë të veçantë, këtë vit ka rastisur të ketë zgjedhje, që janë të 28-tat në Shqipëri. Nëse 20 zgjedhje ka pasur probleme të kapërcyeshme, përjashto ato të diktaturës, në 8 zgjedhjet e fundit, janë manifestuar veprime mercenariste, të shitblerjes së votës në forma të ndryshme, që i ka bërë të qarta eskluzivisht 8 vjet më pare, ish- deputeti Sokol Olldashi (ndjesë pastë!) në Parlamentin Shqiptar në një fjalim që la pa fjalë socialistë e demokratë, lësëistë dhe opinionin publik. Pas asaj që ndodhi në Korçë më 23 qershorin e 2013, me dhënie parash për blerje votash të studentëve, ndër të tjera ai tha “filloi të paguhen komisionerët, më pas u paguan makinat për të nxjerrë njerëzit që të votojnë, më pas filluan të paguhen shtresat e margjinalizuara që t’u marrim votat, më pas filluan të paguhen zgjedhës direkt, ky është një treg-ofertë- kërkesë dhe kjo është demorkacia direkte e xhepave, që nuk është demorkacia reale që kanë nevojë shqiptarët. Më pas shkoi më tutje, deri në shkëmbimin e deputetëve me Nanon dhe vazhdoi me demokratët kur do zgjidhej Presidenti, e vazhdoi LSI dhe parti të vogla, që u bë sikur nuk u pa se ku po shkonim…”. Dhe vijmë tek këto zgjedhjet e fundit të 25 prillit 2021, ku miliona euro u vunë në veprim përmes bandave të mirëstrukturuara për të fituar vazhdimësinë qeverisja e korruptuar e socialistëve në pushtet. Edhe pse janë zgjedhjet me më pak pjesëmarrje në përqindje në raport me popullsinë në 100 vjetët e zgjedhjeve shqiptare, çka më shumë se çdo gjë tjetër, bëhet tregues i një ikje e shqiptarëve, dhe një lloj proteste ndaj qeverisjes së pa shpresë.
Por mbi të gjitha, këto zgjedhje të fundit treguan fenomenin e mercenarizmit si teori dhe praktike shqiptare e shitblerjes së votave nga votuesit, që konsiderohen si një mall tregu. Është një mercenarizëm, tamam ashtu si shiteshin shqiptarët për të luftuar si mish për top për llogari të të huajve, duke lënë vendin e tyre në dorë të ekspansionit të fqinjëve greko-serbë. Pikërisht tek ky mercenarizëm kanë gjeneruar edhe qeverisjet shqiptare në 110 vjetët e kaluara, si dëmi më i madh që i është bërë kombit shqiptar, nga vetë shqiptarët. Por le të vijmë tek këto zgjedhjet e fundit. Fenomenet e manifestuara dendur e ditë pas dite, disa muaj me rradhë në të gjithë qytetet dhe institucionet me lista dhe patronazhistë, janë një fenomen i bërë dukshëm faqe popullit nga njerëzit e pushtetit me lista të paracaktuara për votim, dhe para në dorë për zgjedhësit. Është kulmi i shitblerjes së votës me një kuotë parash si në asnjë zgjedhje tjetër, si dëshmi e një realiteti që ra në sy dhe u bë fakt i kryer, që i dha frutet e veta më 25 prill. A mund të quhen zgjedhje të lira dhe demokratike kur, çdo marrëveshje, me ndihmën e ndërkombëtarëve, u shpërfill nga Edi Rama dhe u tjetërsua vullneti i rënë dakord më 14 janar 2020, më 5 qershor 2020, që çoi më pas edhe në ndryshimin e kushtetutës, pa mirëkuptimin e opozitës. A mund të cilësohen demokratike nga ata që janë përgjegjës për ruajtjen dhe sigurinë e votës së lirë dhe sigurisë kombëtare? Natyrshëm lind pyetja se, ku ishin shërbimet si SHISH apo hetimi policor, prokuroria dhe SPAK për të cilin thuhet se do bëjë namin ? A vajti ndonjë informacion apo denoncim tek këto institucione ? A dolën ata për të hetuar apo marrë informacione se çfarë bëhet mes zgjedhësve, meqë po përflitej në opinion për shitblerje votash? Pati edhe shërbime të huaja që folën për këtë fenomen, por duket se edhe ato u pajtuan me realitetin, si për të thënë që “model shqiptar është”. Këto janë demokraci dhe votime të lira dhe të ndershme si në Evropë ku duam të shkojmë ? Nëse i cilësojnë të tilla, ky është standardi i votimeve të lira dhe demokratike në Evropë, kjo është demokracia me mercenraizmin dhe banditizëm që mbyllin sytë institucionet përgjegjësie shqiptare dhe ato evropiane ? Kjo ishte njera anë e medaljes. Në këtë situatë paszgjedhore ka nga ata të majtë që, mendojnë ndershmërisht, si rasti i ish- funksionarit të lartë të PS-së, Taulant Dedja, që në një moment shprehet se, “Edi Rama nuk ishte i vetëm në këto zgjedhje. Edi Rama nëse fiton, ka fituar në koalicion me Topallët, me Patozët, me Hajdarët, me Murrizët, me Topët, me Bodet, me Doshët, me Blushët, me Fevzinjtë e Co. si dhe me gjithë ata që thonin pse Luli, pse Monika, pse Meta, pse leshi. Edi Rama nëse do mbajë pushtetin do ta mbajë me paratë e oligarkëve (Llucave, Kastratëve, Maneve, Nushajve, Fushave e Co.) dhe me koalicionin e legenave! Ju që na tregoni që po fitoi, ka fituar i vetëm, mos na fyeni inteligjencën! Nuk ka parti në botë, në një vend normal, që të marrë më shumë vende në parlament se ka marrë 8 vjet më parë, pasi ka qeverisur në mënyrë skandaloze dy mandate e pasi i është mbyllur sistematikisht dera e BE-së. Pikë”. Çfarë duhet t’i them Taulant Dedes për analizën që bën ? Por përballë tij del një deklaratë e DASH nëpërmjet zëdhënësit të saj, që e përforcon edhe ambasadorja Yri Kim se, zgjedhjet ishin të mira dhe të lira, po aq edhe të drejta dhe duhen pranuar si të tilla nga të gjitha palët. (?!) Çfarë i thonë kësaj, bëj si them unë e mos bëj si bëj unë apo është Ai, Sorosi, që e do Edi Ramën në pushtet dhe ka forcën reale që të ndikojë edhe tek zëdhënësat apo ambasadorët, që thonë atë që, nuk e pranojnë edhe vetë ?
Nga modeli kapitalist i jetës kemi mësuar se njerëzimi njeh disa lloje blerjesh. Një profesoresh modeste, por me mendje të kthjellët shprehet se “ka blerje mall me mall, blerje me para në dorë, por edhe blerje me premtime ose me mashtrime, si edhe blerje në natyrë..! Me lloj- lloj nderesh!” Unë e kuptoj se çka do të thotë më shumë kjo zonjë e vërtetë, por mos ndoshta ky model u ofrua si mercenarizëm pragmatist nga ndërkombëtarët apo ata ndërkombëtarët e “mëdhenj”, mbyllin sytë para shitblerjes së votës dhe bandave të pushtetit nga ndonjë “nder” që mund t’i ketë bërë pushteti apo ata po “shesin” nderin e përfaqësimit që kanë ? Kemi 8 vjet që flasim e gërthasim, dalin skandale pas skandalesh, drogë dhe trafik, hajdutëri deri edhe banka që nuk dihet se ku shkonin paratë e vjedhura dhe krime të pazbuluara, publikohen lidhje me mafiet evropiane dhe atë amerikano-latine. Kemi 8 vjet që shohim dita-ditës shkërmoqjen e administratës nga militantizmi injorant dhe pranojmë realitetin se, kështu na thonë ndërkombëtarët dhe më pas, shtojnë kërkesat për qeverisjen deri në 15 të tilla, që duhen përmbushur, nëse duam Bashkimin Evropian dhe kur zgjedhjet bëhen me shitblerje dhe banda, ato janë të drejta dhe të pranueshme ?!.. O Zot, çfarë bëhet, ku është ndershmëria ndërkombëtare dhe drejtësia e vetingut që na u rekomandua, ky është modeli që duhet të pranojmë ? Nëse kështu është, atëherë duhet të them se zgjedhjet në kohën e diktaturës paskan qenë më të ndershme, edhe pse nën një regjim monist, që kishte diktuar ligjet dhe njerëzit duhet t’i bindeshin. Jepen shumë opinione dhe shprehen shumë mendime, por kur një opinionist si Fatos Lubonja, i besueshëm për analizat që bën, thotë se nuk do jetë më i pranishëm në televizonet shqiptare se po kërcënohen dhe po turpërohen opinionistët. Apo kur mendon se mbyllen televizione nga qeveria dhe humben gjyqe ndërkombëtare që do i paguajnë paratë e taksapaguesve dhe kur bëhen lloj -lloj pushtllëqesh për pushtetin, dhe populli ngre supet se çfarë bëhet kështu, dhe më 25 prill votohet banda e horrave që blejnë zgjedhësit si një mall tregu, atëherë shqip, kjo do të thotë: ka rënë demokracia dhe është ngritur diktatura në institucion. Thuhet se fitoi zgjedhjet e majta. Por në fakt ka fituar Edi Rama dhe shpura e tij ministrore dhe oligarke, se populli nuk ka fituar, ai ka humbur. Ka humbur drejtësinë dhe ndershmërinë se ia blenë, ka humbur dinjitetin dhe krenarin për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Ata që shitën votën dhe morën ca para, sado që të jenë ato, do ia kthejnë kryeministrit që e fitoi pushtetin me blerje. Dhe në fund, do të duhet të iki nga sytë këmbët se, kulari i zgjedhës do jetë shumë i rëndë dhe do i marrë frymën së ardhmes dhe rinisë që shpreson, por që zhgënjehet. Nëse Albert Enstein me atë mendjen e tij potente, jo vetëm bëri shpikje madhore në shërbim të njerëzimit, por la edhe ca fjalë të arta, që gjithashtu i shërbejnë njerëzimit. Nëse do të duam të kuptojmë se “Bota nuk do të shkatërrohet nga ata që bëjnë keq, por nga ata që rrijnë e i vështrojnë, pa bërë asgjë”, atëherë dua të them se kjo Shqipëria jonë e madhe në territor dhe në shqitpari, është rrudhur në këtë farë feje që jemi sot, kjo ka ardhur si rezultat i mercenarizmit të tyre dhe mbylljes së gojës së intelektualëve që duan të thonë, por i kërcënojnë banditët e pushtetit”. “Nuk ka se çfarë të bëjë shkrimtari, kur faktet flasin vetë”, ka thënë shkrimtari i madh Honore dë Balzak që Faik Konica e “përktheu” në një formë tjetër “Shqipëri të kam dhje…, s’të mora vesh një herë”. A nuk e thoshte Lenini se “Do i zhys njerëzit në varfëri ekstreme që t’i bëj të harrojnë Zotin!” kur vitet e fundit lideri komunist u V. I. Lenin u zhyt në sëmundje të rënda të cilat e bënë të harrojë veten dhe gjithçka tjetër. Zoti e toleron jobesimtarin dhe gjynahqarin, dëmi i të cilit kufizohet vetëm tek vetja e tij, por nuk e toleron zullumqarin, i cili merr në qafë njerëzinë.



















