Bashkim KOÇI/Helmi ne rrënjë

545
Sigal

 Kishim një dëshirë, çuditërisht  si asnjë herë tjetër me kaq shumicë të shqipëtarve, të cilën na e plotësoi vota popullore e 23 Qershorit. Ajo, edhe për shkak të situatave tejet të mbarsura me urrrejtje ndaj regjimit të Berishës, vazhdon të na mbajë ende “të ngopur” me atë çka të dhuron nga ana shpirtërore një fitore, krenarinë që ditëm se si shporret një despot nga i cili ende nuk na ka ikur frika  për prapësitë “demokratike” që mund të bëjë.

  Nga ana tjetër, dhënia e besimit tek një grupim tjetër politik,  shumë shpresëdhënës dhe që gjatë fushatës elektorale dha “fjalën e besës” për një Rilindje të vërtetë të vendit, u konkretizua në ditën e fundit të muajit korrik, duke na dhënë ekipin qeverisës, apo siç ka dashur ta pagëzojë  Kryeministri Rama, skuadrën  e Rilindjes.

 Pra vetëm për një periudhë të shkurtër kohe, vetëm për pak më shumë se një muaj, përjetuam dy evenimente:  rrëzimin e një qeverie, atë të së shkuarës dhe formatimin qeverisë së re, atë të së ardhmes. Në një farë mënyre po na duket sikur u përbys një epokë dhe nga ana tjetër presim hedhjen e hapave të parë të një epoke krejt tjetër, të Re.

 “Të bësh epokë” në një vend si ky i yni, të bërë “kockë e lëkurë” nga qeveritarët makutë të derisotëm, është barrë e rëndë, e madhe sa më ska. Ndaj ajo ç’ka ka premtuar opozita e deridjeshme, Partia Socialiste bashkë me aleatët, se  “ne do t’a bëjmë Shqipërinë” nuk mund të ketë tjetër “magji” përpos punës, qeverisjen e vendit  si idealistë,  të ndryshëm, apsolutisht të ndryshëm  nga ata të derisotmit. Pyetja që kemi bërë këto ditë është e drejtëpërdrejtë dhe përmban në vetvete një merak të madh, një shqetësim që i mundon të gjithë shqipëtarët: është e tillë “skuadra qeverisëse”, i plotëson pikët për  të qënë në krye të këtyre punëve të mëdha, për të mundësuar kthesën historike? Sipas mendimit tim, deri në këto çaste, konkursin e ka fituar vetëm zoti Rama, besimi ndaj të cilit është shumë i madh, i padiskutueshëm  dhe që vlerësohet si shtetar që ka dhënë prova të pakontestueshme. Eshtë njeriu që bëri Tiranën. Mjafton vetëm kaq.

 Të tjerët!? Përpara se të vlerësohen, përpara se të futen në “skaner” një e nga një ministrat e qeverisë Rama, duhet që përpara të shikohet ç’thotë “skaneri” për Shqipërinë, me ç’tegues e merr kjo skuadër drejtimin e vendit. Dhe këtë tashmë e dimë të gjithë, e dimë ne qytetarët e Shqipërisë, por e dinë edhe të tjerët, Europa e më tutje saj. E thënë më shqip ky vend është helmuar keq, është i helmuar në rrenjë. E di çdo të thotë “në rrënjë”? Nga të gjitha drejtimet. Eshtë rrafshuar gjithçka, në mos për shumicën e problemeve jemi nën zero. Janë shkatërruar financat, ka degjeneruar rendi publik, institucionet shëndetësore, spitale e klinika, janë me “plevit të rëndë”, korrupsionin nuk e arrin kush, ecën vetëm me vrap. Janë në gjendje ministrat, e kanë forcën e intelektit dhe të dëshirës për të përballuar këtë hata që na kanë bërë “qeveritë pushtuese” me shqipëtarë të këtyre viteve tranzicioni?

 Kur shikojmë emra si atë të zotit Shpëtim Cani, i cili do të nxjerrë nga gropa financat ku i ka groposur zoti Bode, të zotit Ditmir Bushati, i cili merr përsipër pastrimin e diplomacisë shqipëtare nga klientelizmi dhe nepotizmi fshataresk, apo të zotit Edmond Panariti, intelektual që shikon më tej se “blloqët me ullishte”, votuesve që mandatuan koalicionin e Majtë u ngrohet zëmra, u rritet shpresa se ky vend do të bëhet. Nëse paraardhësit e tyre i kthyen dikasteret në disa ndërmarrje që ta shpifnin, shumisa të Skuadrës së Rilindjes, sipas meje, kanë vizion, janë të aftë dhe kompetentë  për të sjellë ndryshimin në ca drejtime që “nuk na shkon mendja”. Vërtet ky vend është helmuar “deri në rrënjë” dhe të tremb për shanset që ka për shërim, por një “mjekim” i kujdesshëm, me atë dashuri që kishin në kohë të shkuara Rilindasit tanë, besoj se ai mund të  ngrihet në këmbë, mund të bëhet ashtu si kombet që kemi dëshirë tu ngjajmë. Por pa patutur as më të voglin paragjykim, dhe ca më shumë për të mos u bërë “tersi i Pojanit”, nëse e shikojmë skuadrën e Rilindjes si një të tërë (dhe ashtu duhet të jetë) ne krye të ndonjë dikasteri janë vendosur individë me të shkuar të dyshimtë, të perfolur “me inat” në kuvendet e njerëzve të thjeshtë, pra të atyre që i kanë votuar, dhe që u janë rritur dozat e mosbesimit për ndryshime të mundëshme, sidomos në luftën kundër korrupsiunit.

 Plaga e qelbëzuar do thikë, do që t’i bëhët pastrim i plotë, madje edhe “të gjakoset”. Pra shërimi, pastrami nga helmi,  medoemos shoqërohet edhe me dhimbje. Në këtë kuptim ata që po marrin në dorë drejtimin e vendit, ata që në muajin shtator do të jenë në krye të operacioneve për të bërë ndryshimin, duhet të jenë më pak “njerëzorë” ndaj atyre që nuk i do puna, më pak përfaqësues politikë të partive nga vijnë, më të “ftohtë” ndaj miqve e soj e sorollopëve,  kur është fjalë për punëra të cilat nuk i kanë për fis. Rilindje do të thotë të lindësh me dhimbje.