Bardhyl Berberi/ Nuses në dasmë, vend të buqetës me lule i japin një tufë hashash

189

Gazeta Telegraf/

Bardhyl
Berberi

Ndodhi
ajo që nuk pritej. Në një dasmë nuses në vend të luleve i japin një tufë me
hashash për ta hedhur tek vajzat e pamartuara… Hedhja e luleve
  vajzave të pamartuara është një zakon dhe ogur
i mirë. Por çuditërisht në atë çast final një nga dasmorët i afron nuses një paketë
jeshile të ambalazhuar bukur me një rrjetë dekorative dhe i thotë: “Kjo është
buqeta e luleve që duhet të hedhësh”. Nusja hedh buqetën e luleve me kurriz
mbrapsht dhe tufën e “luleve” e kap një vajzë bionde e gjatë që ishte në
grumbullin e vajzave. Sapo ajo e merr në dorë dikush i thotë:
  – Hajde të vajtët mbarë me lule hashashi, –
po jetojmë në epokën e hashashit. Vajza edhe u tremb edhe u trondit, por dikush
aty pranë i tha “Mos u shqetëso, hashashi tani ka fituar “pasaportë” përdorimi
edhe në publik. A nuk e pe në studion e Eni Vasilit
  tufën me hashash”. Në sallë u krijua ilaritet,
dikush qeshte dhe të zotët e dasmës u shqetësuan së tepërmi dhe e quajtën si
provokim. Por kjo ndodhi dhe nuk mund të zhbëhej më…
 Edhe pse e majta në pushtet këto tre vjet është
hequr zvarrë e gjithë Shqipëria lulëzon nga hashashi me jo pak skandale. Kanë
kaluar 26 vjet në historinë e të ashtuquajturës demokraci, shqiptarët do t’i
mbajnë mend edhe shumë gjatë këtë trazicion të pafund nga një klasë politike ,sa
hileqare, po aq edhe e korruptuar. Asnjë pjesë e një kombi kaq gjatë nuk ka
duruar aq sa ka duruar populli shqiptar, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha
hapësirat ku jetojnë shqiptarët. Por fillimisht le të zbresim në terrenin tonë…
Hashashi lulëzon, çdo ditë dëgjojmë skandale, plantacione hashashi me kaq mijë
rrënjë të shkulura, kaq gomone drejt Italisë. Ndonëse ka 26 vjet që kemi rrëzuar
diktaturën, fjala ‘Demokraci’ e ka humbur peshën e saj specifike për ne
shqiptarët. Në këtë vorbull ku jetojnë shqiptarët ajo është zbehur dhe duket se
është zvetënuar. Politikanët tanë të paaftë nga të dyja polet në këto 26 vjet e
zvarritën popullin në vend që ta udhëhiqnin, e keqja ishte se fatet e politikës
i morën politikanë të paaftë dhe amatoreskë…Pati një dominim dhe legjitimim të
pushtetit. Por çfarë solli ky dominim dhe legjitimim i pushtetit, përveçse “shenjtërimin”
e drejtuesve të institucioneve, që zbehën dukshëm vlerat e vetë institucioneve,
duke krijuar një përshtypje të përgjithshme se, pa liderin nuk ka institucion,
se me largimin e liderit shuhet vetë institucioni. Rikthimi i liderit në një
emblemë të vetme të institucionit krijoi imazhin e rremë se, pas tij nuk
ekziston mundësi reale për drejtim se nuk mund të investosh besim…Por faktet
treguan se koha e liderit mitik ka kaluar, koha dhe e ka nxjerrë jashtë loje… Por
çfarë kanë
  mbjellë këta liderë të përjetshëm
që vijnë nga e kaluara me makijazhin e demokracisë? Nuk kanë eksperiencë nga
shoqëria demokratike, janë të pavendosur në çastet kur merren vendime kapitale
për vendin, janë të brishtë e me mungesë të vullnetit politik duke aplikuar
standarde të dyfishta. Nga ana tjetër ushtrimi i mekanizmit të ndëshkimit si një
ndër rrugët ligjore për të ruajtur demokracinë dhe zbatimin e ligjit ka qenë i
mangët dhe i motivuar vetëm politikisht…Le të marrim tragjedinë e Gërdecit apo
katër qytetarët e pafajshëm që u vranë në bulevard më 21 janar.
  Mos veprimi ndaj shkaktarëve, jo vetëm që ka
prishur imazhin e shtetit, por dhe dhunimin e ligjit duke i lënë rrugë
zhvillimit spontan që sjell anarki dhe korrupsion dhe, mbi të gjitha, lulëzimin
e hashashit në të gjithë Shqipërinë. Zyrtarët e lartë nuk kanë frikë nga ligji,
e shkelin
  atë me të dyja këmbët dhe e
keqja më e madhe është se, paaftësia për të ushtruar pushtetin justifikohet me
pamundësinë e menaxhimit të realitetit shqiptar, ndërkohë që ky realitet tek ne
ushqehet nga qëndrimi në pushtet, si zgjidhja më e mirë në këtë kaos. Kaos që
serviret si një realitet i pashmangshëm në kufijtë e fatkeqësisë. Kjo ka sjellë
një klimë pesimizmi dhe mungesë alternative për të ardhmen. Duke ndihmuar në
zgjatjen e agonisë dhe mbijetesën e një mentaliteti të dështuar, që na bën të dëgjojmë
shpesh herë se, ky vend nuk bëhet… Personalisht i besoj fjalës së lirë dhe
demokracisë, fjalës së thënë troç nga njerëzit e mençur. Heshtja e njerëzve të
mençur ka bërë që të paaftit të merren me politikë…Vetëm njerëzit e mençur dhe
idealistë duhet të shprehen e të mësojnë se si duhet të përparojë kombi dhe
atdheu, pa pasur asnjë fije urrejtje ndaj tij dhe njerëzve të thjeshtë që punojnë
me vetëmohim me djersën e ballit…Dashuria për atdheun dhe kuptimi i thelbit të
lirisë në demokraci duhet të kuptuar në një dimension të gjerë dhe lufta për ta
çuar atë deri në fund, duhet të jetë një aspiratë e gjerë për gjithësecilin. Partia
që merr pushtetin zëvendëson intelektualët nëpër institucione, edhe pse janë të
zotë e me tituj shkencorë dhe në vend të tyre vijnë dështakët e partive që kanë
fituar zgjedhjet edhe pse me shkolla të dyshimta, me diploma të blera që e çojnë
vendin në majë të greminës. Por qenka e vështirë që t`i shkulësh, edhe pse kanë
abuzuar me pushtetin dhe e kanë mbushur kupën. Shqipëria lulëzon nga hashashi, ata
i kemi çdo mbrëmje në ekrane dhe na japin madje edhe mendje dhe shesin
llogje Kavaje, kur thotë populli. Të
njëjta fytyra, të njëjtat agumente false me fjalime të gjata pa bukë…Një fjalë
e urtë thotë “gosti të hash përditë dhe të mërzitet”, e jo të shikosh dhe
dëgjosh apo t’u japësh votën këtyre kameleonëve. Ky ishte asociacioni që më
erdhi në mendje kur mësova historinë e hashashit edhe në një dasmë.