Gazeta Telegraf/ Maksim Tufa:Malet e Gramshit “pyllëzohen” me… hashash!

695
Sigal

Rrëfimi tronditës, i një banori të zonës: “Polici i
shtetit, më vuri armën në ballë”


Gazeta Telegraf/


Nga Maksim TUFA


Sikur të mos u mjaftonte varfëria, mungesa e kujdesit nga shteti, pushteti,
deputeti, mungesa e shkollave, kujdesit mjekësor, rrugëve, ujit dhe shpesh edhe
e energjisë, tani banorët e fshatrave të thella të Gramshit, duhet të përballen
edhe me presionet, dhunën dhe kërcënimet e kultivuesve dhe trafikantëve të
hashashit. Një banor, i cili banon në një fshat të Gramshit i deklaroi
“Telegraf” se “para disa ditësh jam gjendur unë dhe familja ime nën presionin
dhe dhunën psikologjike dhe fizike të një punonjësi të shtetit me uniformë dhe
tre trimave të tij dhe kjo për faktin se në parcelën që ata kishin mbjellë me
hashash kishte ndodhur çudia, ishte korrur dhe ishte marrë natën nga persona të
panjohur, ndërkohë që punonjësi policisë dhe tre trimat e tij më kërcënuan me
armë, ai më vuri pistoletën e shtetit në ballë dhe më dha ultimatumin se “brenda
muajit dua paratë e hashashit, ndryshe ke punë me mua”. Sipas banorit “ajo ditë
ka qenë dita e tmerrit për mua dhe familjen time, e cila jeton në varfëri të
madhe, kurse punonjësit e shtetit vijnë na zaptojnë tokat, parcelat dhe i
mbjellin me hashash, na kërkojnë t’i ruajmë, t’i ujisim dhe së fundi na
vendosin edhe gjoba kur ato korren nga persona të tjerë, ky është shteti Rilindjes,
ky është shtetit ku uniformat e tij u turren maleve dhe mbjellin hashash dhe
bëjnë terror mbi fshatarët që nuk po mbjellin prodhimet e stinës, sepse kanë
frikën e ndonjë plumbi ballit”. Ai i ishte drejtuar para disa ditësh edhe Komisariatit
të Policisë së Gramshit për ndihmë e mbrojtje duke i rrëfyer të plotë kërcënimin
e bërë nga zyrtari i shtetit, por atje e kishin tallur, e kishin përbuzur dhe më
në fund e kishin përcjell duke e kërcënuar: “Ik mbathja, se të futëm brenda dhe
ta tregojmë ne ty, se si denoncohen policët e shtetit”

I tmerruar nga sjellja dhe kërcënimi i një punonjësi shtetit, fshatari nga
Gramshi u nis drejt Elbasanit, atje ku edhe ndodhet Drejtoria e Policisë së Qarkut,
por duket se edhe atje e kanë pritur ftohtë, duke i kërkuar “të kthehet në
qytetin e tij për denoncim”. Ai deklaroi se “fshatrat e Gramshit, kryesisht ata
malorë, duke nisur nga Mashani, Lenia, Kotovjati, Bulçari dhe fshatrat deri në kufij
me Korçën dhe Skraparin kanë parcela me hashash të mbjellë, por që së fundi po
i korrin dhe zhdukin nga frika e ndonjë fotografimi nga ajri prej helikopterëve
dhe avionëve italianë, sepse kemi dëgjuar nga ajri zhurma këto ditë, por
megjithatë unë dhe familja ime nuk jemi të qetë, sepse na kërkohet vlera e
parcelës së korrur nga “pronari” me uniformë shteti”. Fshatari nga Gramshi
kërkon nga ministri Sajmir Tahiri të vijë me urgjencë në Gramsh, të verifikojë
situatën, të mbledhë “çunat” që i janë hazdisur, dhe të marrë masa, sepse do të
ndodhin tragjedi të rënda, unë nuk kam thesin me misër në magje, punonjësi i shtetit
vjen dhe më vendos tytën e armës në ballë dhe më kërkon miliona për “barin” e
mbjellë duke shkelur ligjet e shtetit, duke kryer krim”. Por ka edhe një të
vërtetë tjetër , e cila duhet të ndëshkojë të dy palët që bien në dakordësi
lidhur me mbjelljen dhe korrjen e hashashit. Nga i njëjti burim mësuam se “në
shumicën e rasteve, kultivuesi, pra pronari tokës dhe trafikanti bien dakord
për gjithçka, për mbjelljen, ujitjen, dhe deri për korrjen e “prodhimit”, kurse
fitimet nga shitja ndahen sipas përqindjes , e cila edhe ajo që dakordësohet
mes palëve, por edhe kjo ka sjellë përplasje mes tyre, e cila ka pasur edhe raste
ekstreme, duke arritur deri në përdorimin e armëve”. Ky rrëfim dhe kjo tablo,
të krijon bindjen se Shqipëria, kryesisht ajo rurale, ka kohë që ka hyrë në
rrugën e vetë-shkatërrimit të gjithçkaje të mirë, duke zëvendësuar grurin dhe
misrin me hashashin, kanalet ujitëse me tubacionet plastike që ngjiten majave
të kodrinave për të njomur kubikët e mbjellë të hashashit, autokombajnat e
dikurshme me argatët e punësuar duke mbajtur në dorë jo kosoren dhe draprin,
por pistoletën dhe kallashin.