Gazeta Telegraf/ Isuf Kadri Isai:16 vjet në kërkim të dëmshpërblimit

581
Sigal

Gazeta Telegraf/

 


Agron MEMA

 


Një histori e rrallë dhe e pazakontë, një
paradoks i shoqërisë shqiptare po ndodh, sidomos me dëmshpërblimet e ish të burgosurve
politikë.

Dhe këtë ngjarje të pazakontë, midis qindrave
të tilla, e sjell për gazetën “Telegraf” 55 vjeçari Isuf Kadri Isai nga
Podgorona i Përmetit dhe banor në Qafë-Gjashtë të Sarandës. Isufi, nip i Tasim
Hysen Isait, mes një mali me dokumente, rrëfen se ka plot 16 vjet që kërkon
dëmshpërblimin e gjyshit të tij, Tasimit, si ish i burgosur i ndërgjegjjes në
burgjet famëkeqe të Gjirokastrës, Rubikut etj, për plot 7 vjet nga vitet 1957 e
deri më 1963. I cilësuar si element armiqësor dhe agjitator i politkës
antikomuniste, por edhe si ish eksponent i Ballit Kombëtar në atë zonë nën
komandën e Safet Butkës, hakmarrja komuniste sajoi akuzën duke e burgosur për 7
vite në burgjet e ferrit të diktaturës. Isufi thotë dhe tregon dokumentet, se
ka aplikuar qysh më 29 dhjetor 2010, por ende nuk ka marrë asnjë shpërblim
sipas ligjit. Thotë se ka shkuar në të gjitha institucionet përgjegjëse: tek
instituti i ish të përndjekurve politikë, shoqata e ish të persekutuarve, në
Ministrinë e Financave e deri tek Avokati i Popullit. Por përgjigja ka qenë
“dokumentet janë jashtë afatit ligjor”, ndërkohë që shumë të tjerë që kanë
aplikuar në një ditë me të dhe pas tij, kanë marrë disa herë, ndërsa ai asnjë
këst dëmshpërblimi. Shoqata e ish të persekutuarve më thotë që je në rregull,
thotë ai dhe prit se do t’i marrësh, diku më thonë edhe ndryshe që nuk humbet
gjë t’i ndash në mes. Pra po ta pranoj këtë kusht, dokumentet qenkan në
rregull? Nuk e di, por u lodha së kërkuari dhe shpresëhumbur drejtohem edhe tek
gazeta, ndoshta i sjell në vete sensibilizimi. Nuk e di ç’po ndodh dhe pse ky
selektim? përfundon rrëfimin e tij Ismet Isai për gazetën “Telegraf”. Dhe ne
shpresojmë që ky sensibilizim mos të bjerë në vesh të shurdhër, por të
reflektohet dhe të mos sorollaten qytetarët në atë ç’ka u takon me ligj.