Bardhyl Agasi/Faleminderit Prof. Alfred Uçi!

529
Sigal

Në datën 2 dhe 3 korrik 2013 gazeta “Telegraf”, botoi intervistë me akademikun Alfred Uçi, i cili analizoi aktualitetin politik. Reagimet kanë qenë të shumta, pozitive dhe sot “Telegraf” boton njërën prej tyre, të zotit Bardhyl Agasi.

 Këto ditë janë botuar disa shkrime, artikuj, intervista, janë organizuar pothuaj në të gjitha studiot televizive emisione, debate mbi rezultatin e zgjedhjeve të sapopërfunduara, të cilat në më të shumtën e tyre kanë qenë thjesht konstatime, pa arritur në konkluzione dhe në shtrim idesh për një të ardhme sa më demokratike, për të qenë sa më pranë anëtarësimit të vendit në BE. Intervista e profesorit Alfred Uçi i kalon përmasat e një interviste të zakonshme, e pasqyruar në dy numra të gazetës “Telegraf”. Ajo përbën në vetvete një platformë të mirëfilltë, e cila duhet të studiohet me kujdes të veçantë, jo vetëm nga forcat politike fituese në zgjedhjet e 23 Qershorit, por dhe nga ato humbëse, për të përcaktuar arsyet dhe shkaqet thelbësore, që çuan në këtë rezultat të zgjedhjeve, por dhe për të ndërtuar me saktësi dhe objektivitet detyrat, pala humbëse si mund të dalë nga kjo gjendje dhe për t’u ringritur dhe pala fituese si mund të përballojë realizimin e programit të saj. E rëndësishme është që klasa politike shqiptare të kuptojë domosdoshmërinë e ndërtimit të një strategjie dhe të një programi, ku të përfshijë jo vetëm veten e saj, por dhe përfaqësuesit më në zë të shoqërisë civile, njerëzit më të kualifikuar të shkencës, të artit dhe të kulturës. Ajo që të bën përshtypje është njohja e thellë e realitetit, e zhvillimit të kapitalizmit me veçoritë e tij në vendin tonë si dhe shtrimi i detyrave konkrete për të përmbushur aspiratat e popullit tonë për liri dhe demokraci jo formale. Për këtë me të drejtë profesori shtron nevojën e domosdoshme për reformimin e bërjes së politikës, për katarsisin brenda saj, brenda çdo force politike, për luftën kundër autoritarizmit, Njëshit, duke u konsideruar liderët politikë si të përkohshëm, duke qenë i vazhdueshëm bashkëpunimi pozitë-opozitë, duke vënë interesat kombëtare mbi ato partiake, duke ndërtuar idealizmin e pastër dhe frymëzues mbi plane me intriga dhe mashtrime. Me shumë interes jepen ide mbi zhvillimin e institucioneve të pavarura shtetërore, mbi rolin e akademisë, të funksionimit në kërkesat më të larta bashkëkohore të universiteteve tona, mbi aktivizimin dhe afrimin e intelektualëve më të shquar të fushave të ndryshme. Thjesht mendimet, vlerësimet dhe idetë që profesori ynë i dashur shpreh në këtë intervistë, shënojnë një kontribut të madh për emancipimin e klasës sonë politike dhe ndërtimin e një demokracie funksionale. Është dhënë me një gjuhë të thjeshtë, si një komunikim i drejtpërdrejtë që të kujton një kujdesie atërore, me ngrohtësi dhe dashuri. Le të mësojnë prej saj të gjithë, veçanërisht njerëzit e politikës, si një apel imediat për të filluar me urtësi dhe palodhshmëri punën në shërbim të këtij populli dhe të këtij vendi, që meritojnë shumë e më shumë. Faleminderit Prof. Alfred Uçi!