Astrit KOSTURI*/Ora e të Majtës

550
Sigal

Kjo krizë globale, e sjellë nga ajo që një ekonomist i shquar amerikan e quan “kapitalizmi i çrregulluar dhe i babëzitur”, po risjell edhe njëherë në vëmendje të ekspertëve raportet mes të pasurve dhe të varfërve, detyrimet që kanë këto shtresa ndaj shoqërisë dhe detyrimet që vetë shoqëria ka ndaj tyre. Me fjalë të tjera, pabarazia sociale po thellohet në atë shkallë sa po shihet me shqetësim dhe nga vetë përfaqësuesit e oligarkisë politiko-financiare, të cilët do të donin një shoqëri më pak të disniveluar, për t’u ndier më mirë në komoditetin e pasurisë së tyre. Nëse në njërin krah, ky disnivel po shton në përpjesëtim të shpejtë ndjenjat antikapitaliste, në krahun tjetër, po shton përpjekjet e atyre që kanë miliarda për ta bërë më njerëzore pasurinë e tyre, aventurën e tyre të kamjes dhe disproporcionet sociale, duke “falur” diçka nga “shumica e gjërave” që zotërojnë. Në këtë mes, në këtë raport të ndërlikuar, hyn politika dhe pikërisht politika e spektrit të majtë, pasi gjithmonë në raste krizash e recensionesh, e majta është më afër halleve të atyre që vërtet kanë hall dhe më larg atyre që rreken të thellojnë hallet e shumicës, për hir të ruajtjes së miliardave. Ngjyrat e të majtës po e ngjyrosin me shpejtësi spektrin politik evropian, e më gjerë, duke treguar se ka ardhur koha e reformave me sens realisht dhe thellësisht social, jo me platformë demagogjike dhe skupe të çastit, për hir të votave. Nëse në botën e sotme ekziston pa barriera një rikthim populist tek e majta politike, sidomos në kushtet kur ekonomia globale vazhdon të shkatërrohet dhunshëm nga kriza e sjellë prej tejkalimeve më të rënda të sistemit, në Shqipëri kjo orë jo vetëm që ka ardhur por nuk mban më. Çdo vonesë do të ishte një humbje kohe dhe bjerrje e stërzgjatur në tunelin e krizës njëzetvjeçare, ku e ka zhytur vendin një politikë amatore dhe infatile. Shoqëria shqiptare ka pësuar tre trauma të rënda sociale dhe ekonomike, si pasojë e një udhëheqjes medikore për të mos thënë dashakeqe të një klase politike, kryesisht të djathtë, që e ka çuar vendin në prag të greminës. Trauma e parë ishte efekti shkatërrues ekonomik i “terapisë shok”, ideator i së cilës qe i ndjeri Gramoz Pashko dhe që u mbështet fuqishëm nga lidershipi politik blu, duke e kthyer vendin në tokë në të zezë, duke prishur e shkatërruar me ngut një pasuri kolosale, ngritur me djersën dhe gjakun e brezave të një populli të tërë.

Trauma e dytë, privatizimi i sektorëve strategjikë të ekonomisë, rrënimi i arsimit, shëndetit dhe shërbimeve publike. Rasti më alarmant i kësaj papërgjegjshmërie është privatizimi absurd i shpërndarjes së energjisë nga kompania ÇEZ dhe falimentimi i saj si rezultat i “gjobave” të vëna nga “kusarët me jaka të bardha”, duke lënë një boshllëk gjigant të zbuluar në bilancin e shifrave ekonomiko- financiare.
Trauma e tretë, por më e rënda, trauma morale, vrasja e besimit dhe e shpresës tek sistemi, vrasja e shpirtit njerëzor, nga kjo xhungël pasionesh të errëta, ku më i forti është ai që ndodhet më afër pushtetit dhe qeverisë dhe mund të bëjë gjithçka “me duar të pastra”.
Dihet se efekti politik parësor i krizës ekonomike ka sjellë një përshpejtim të ardhjes së të majtës në pushtet në Europë dhe kudo gjetkë, të cilat synojnë që të ngushtojnë sa të jetë e mundur më shumë hendekun midis të pasurve dhe të varfërve. Në Shqipëri ky hendek është aq i thellë dhe vazhdon të thellohet çdo ditë me ritme të tilla klithëse, në saj të kësaj qeverie të papërgjegjshme, sa duket se vija ndarëse po bëhet e egër dhe agravuese. Partia Socialiste, Edi Rama dhe aleatët e tij opozitarë kanë një program të fortë, konkret dhe shterues për ngushtimin e këtij hendeku, me anë të një sistemi takash progresive, me anë të rritjes së nivelit të shërbimeve publike, rritjes së minimumit jetik dhe kthimin e tij në një optimum jetik, etj. Në kushtet e reja ku gjendet njeriu shqiptar, në krizë dhe dëshpërim, në vend që t’i drejtohet një modeli, shansi a mundësie, të cilat duhet t’i shohë së pari e mbi të gjitha tek nëpunësi i administratës, tek njeriu i shërbimeve qytetare, (por në vend të kësaj sheh korrupsion dhe dallavere) shpesh i drejtohet rrugës më të lehtë e më të rrezikshme, krimit ordiner, vjedhjes, vrasjes, keqbërjes. Kur të gjitha këto kriza shkatërrojnë vetëkënaqësinë e njerëzve, reagimi i parë nuk është revolucioni, por paniku, i cili çon drejt rikthimit në zanafillë; streha dhe ushqimi. Premisat themeltare të ideologjisë sunduese nuk vihen në dyshim. Ato praktikohen ende më dhunshëm, por aktivizimi i resurseve të administrimit social të shoqërisë, me anë të vizionit politik, veti e partive të majta, sjell përmirësimin e standardeve të përgjithshme dhe uljen e diferencave të skajshme ekonomike e sociale midis shtresave të shoqërisë. Në Shqipëri kriza nuk ka ku të shkojë më tej, nuk ka ndonjë limit më të egër e më të skajshëm, ku pritet që të degjenerojë, përveçse në trauma kolektive, që larg qoftë, mund të risillnin, në rastin më të keq, nëse do të vijonte manipulimi dhe mashtrimi i politikës bunker, një nëntëdhjeteshtatë tjetër. Prandaj, jo vetëm për shkak të nevojës së ngutshme të rrotacionit politik, jo vetëm për shkak konsumimit të trishtë të një pushteti abuziv nga e djathta, por dhe për shkak të gjithë këtij kompleksiteti faktorësh nacionalë e gjeopolitikë global, është koha e të majtës. Është ora e të majtës. Shqipëria është një vend ku gjurmët e politikës së armatosur dhe përjashtuese kanë qenë të tilla që kanë lënë shenjë deri nën lëkurën e shqiptarëve të varfër, të cilët të ballafaquar me të urinë, skamjen, mungesën e shërbimeve, taksat e larta për të vobektit dhe taksat e ulëta për mafien oligarkike, nuk kanë më se çfarë të humbasin. Se çfarë të fitojnë, në një rrotacion të pritshëm politik, në një terren ku politika të mos jetë hanxhar në duart e oligarkisë, por një barkë shpëtimi për shoqërinë, sigurisht që kanë, pra kanë se çfarë të fitojnë…
Besoj se zoti Rama dhe koalicioni që ai drejton do të dinë dhe, mbi të gjitha, do të kenë vullnetin e duhur politik, për ta bërë ndryshimin e pritshëm, për të mos i zhgënjyer rishtas shqiptarët, siç ka ndodhur zgjedhje pas zgjedhjesh në këto njëzet e dy vjet tranzicion të egër, ku është vrarë morali dhe shpresa njerëzore e shqiptarëve për një jetë më të mirë. Duhet nisur thuajse gjithçka nga fillimi, por në rrethanat e një votëbesimi popullor, kur konturohen fijet e shpresës, shoqëria e ndien nga brenda ndryshimin, përgatitet për ta përqafuar dhe për ta përkrahur atë. Ndodh ajo që Karl Poper, një sociolog dhe politolog i shquar e quan “katharsisi kolektiv”, identifikimi i shoqërisë që pret të jetë objekt dhe subjekt ndryshimi me protagonizmin politik të këtij ndryshimi. Leon Trotsky njëherë e përshkroi Rusinë cariste si “ndërthurje e ligë midis kamxhikut aziatik dhe bursës evropiane”, përshkrim i cili i përshtatet edhe më mirë situatës së sotme ekonomike, sociale dhe politike në Shqipërinë e sotme, nëse “kamxhikun aziatik” e zëvendësojmë me “shkopin e gomës dhe snajperët e qeverisë” dhe “bursën europiane” me miliardat e kupolës. E majta i ka shanset të ngrihet mbi këtë mentalitet antipopullor, të rrënojë muret e izolimit të politikës nga populli dhe të ndërtojë një urë të fortë midis politikës dhe shtresave të gjëra sociale të shoqërisë, duke u bërë një shërbëtore e interesave të njerëzve të këtij vendi, që o sot o kurrë, lypset të dalë, më në fund, nga kthetrat e këtij tranzicioni primitiv e të stërzgjatur deri në neveri.
*Kryetar i Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve, anëtare e koalicionit të majtë