Artur ZHEJI/Farsa kundër Ilir Metës dhe votimi me nr. 113

602
Tanimë Ilir Meta mund të rrijë i qetë. Llumi i derdhur me tërsëllimë po shplahet ditë mbas dite. Çështja “Frroku” ka rrëmbyer vëmendjen e publikut. Dhe Meta, i shtyrë pas krahëve në një vorbull të rrezikshme, detyrimisht do të fillojë të lihet në paqe. Për Kryetarin e LSI, kjo që sapo i ndodhi ishte edhe një test politik për të bërë bilancet reale se sa shumë urrejtje paskësh pasur nën velaturën e buzëqeshjeve të rreme, që shpesh e më shpesh i rrethojnë të fuqishmit në pushtet. Por kjo është punë e tij.
Në rastet e farsave të tilla kaq pikante dhe të veshura njëherazi me kaq art, kur akuzat ngrihen e sendërtohen sikur të ishin një rrëfim i vërtetë, vetëm analiza logjike, që kryhet simbas kqyrjes së peshores së interesave: kush fiton e kush humb, nga kjo rrëfenjë, të jep mundësinë për t’u pozicionuar në mënyrë të kthjellët dhe për të mos rënë në grackën mediatiko-politike.
Meta pra, nëse do të shqyrtonim farsën si të ishte një hipotezë, nuk do të mund t’i futej kurrë rrugës së një marrëzie të tillë. Sepse nga kjo marrëzi do të kish vetëm humbje. Personale dhe politike. Ndërkohë që ai është plotësisht në pushtet, me numrin më të madh të deputetëve dhe votave që ai dhe forca e tij politike do të kishin ëndërruar për shembull në vitin 2009. Apo aq më tepër në vitin e rëndë 2011, kur u detyrua të jepte dorëheqjen, i rrethuar nga shumë dyshime dhe pasigurira, të cilat vinin nga të gjitha anët. Nga kundërshtarët, por edhe nga aleatët. Logjika ta thotë, që planifikimi për një vrasje të dyfishtë, me pikësynime hakmarrëse, në kushtet e mira të një pushteti të sigurt dhe të rehatshëm, do të ishte një absurd. Mirëpo opinioni i njerëzve që luftojnë me të përditshmen, opinion i cili ndërtohet në vrap e sipër dhe shpesh në mënyrë të sipërfaqshme, e që influencohet rëndë nga mediatizimi dhe shumëfishimi politik i jehonës, me gjasa është goditur jo pak.
Në të kundërt, shumica e analistëve nuk e humbën baraspeshën logjike në këtë pikë, pavarësisht simpatisë apo antipatisë ndaj Ilir Metës. Dhe kjo rezistencë konceptuale, në emër të së arsyeshmes, ngriti një mur logjik ndaj strategjive komunikative të përfitimit politik të Opozitës, që u ngut të përqafojë me be e rrufe këtë akuzë të paprovuar ndaj King maker-it të këtyre 10 viteve të fundit.
Mirëpo më interesante është ajo që po ndodh tani. Simbas të gjitha gjasave, është Mark Frroku, personi kyç i kësaj historie. Ndoshta është ai, arkitekti i kësaj farse dhe Toma, viktima, që duhet të shërbente si detonator shpërthyes për të shkatërruar Ilir Metën. Publikisht dhe politikisht. Kuptohet, së bashku me Ilir Metën, edhe shumicën qeverisëse sigurisht.
Gjenialiteti taktik i Doktorit u rrëfye edhe njëherë në një lartësi të admirueshme. Duke përllogaritur si të mirëqenë tundimin e Edi Ramës për të qenë i vetëm në pushtet, eksperiment të kryer njëherë në vitin 2008-2009, Berisha mendoi se duke vendosur kokën e Metës në një pjatancë të florinjtë, Rama do të tundohej apo do të lëkundej. Duke marrë kësisoj mbi vete, në kushtet e një trysnie shumë të lartë psikologjike, “tërbimin” e Metës.
E pra, çarjen e Shumicës në prag të Zgjedhjeve Administrative. Dhe realizimin e projektit të zgjedhjeve të parakohshme, shumë herë të parashtruar haptas si një zgjidhje pasionante që do të rikthente Sali Berishën në kryesimin e betejës politike, të cilin ai, di dhe mundet ta udhëheqë si pakkush në këtë vend.
Si qëllim dytësor, ishte dëmtimi maksimal i aftësive fluide të Ilir Metës, që e ka kthyer, pa u ndjerë dhe pa bujë, politikën shqiptare në një situatë Tre Polare. Në trekëndëshin PS-PD-LSI.
Duke e shpallur armik të përbetuar Metën, përveç shkeljes së syrit ndaj Ramës, për ta inkurajuar kundër Metës, Berisha, nëse nuk funksiononte varianti i parë, së paku synonte ta rikthente situatën politike në Dy Polare. Duke “ngjeshur” sa më shumë Metën pranë Ramës dhe Ramën pranë Metës. Sepse në një situatë Dy Polare, shanset për rritje të PD-së konsiderohen më të mëdha.
Dy të “Rinjtë”, Rama dhe Meta, në kapërcimin e kësaj “fushe të minuar”, sapo rrëfyen se nuk janë të “pashkolluar” dhe “aguridhë” në taktikën politike shqiptare. Çimentoja e Koalicionit të tyre e kaloi këtë sprovë.
Përmes një kompromisi të pashkruar dhe të papërfolur. Rama dominoi tundimet e pushtetit absolut. Gjithmonë nëse ka pasur të tilla. Ndërsa Meta është “zgjuar” këto ditë shumë më socialist sesa ishte më parë, dhe më agresiv ndaj Opozitës.
Mirëpo thuhet se jo çdo e keqe vjen vetëm për të keq. Votimi plebishitar i së enjtes me 113 vota për rastin Frroku, bashkimi i votave PS-LSI-PD dhe të tjerë, solli një hop pozitiv dekriminalizues.
Dhe kështu, ata që u përdorën për të endur rrjetën me të cilën do të “kapej” Ilir Meta votim pas votimi parlamentar, ndodhen vetë brenda kësaj rrjete.
Të përdorur. Të braktisur. Të harruar. Të flijuar.

Marrë nga Gazeta Mapo 
Sigal