Andrea Petromilo/ Burokraci, paaftësi apo derivat korrupsioni

570
Sigal

Kush njeh historinë e lumenjve sigurisht që do të mund ta bëjë analogjinë me përmbysjen e sistemit komunist dhe (ardhjen) instalimin e demokracisë në këtë vend të arbrit. Vërshimet e lumenjve me prurje masive të lëndëve inerte, pa përzgjedhje, që së fundi depozitohen nëpër ultësira, në shifra statistikore njohin vetëm katastrofa me dëme të jashtëzakonshme, por që qeveritë e shteteve përkatëse pas ndihmesës imediate aktive për ta përballuar situatën, (kanë pas marrë!!) marrin ndërkaq masa për përmirësimin e gjendjes së popullatës së dëmtuar, pas inondatës. Fatkeqësisht demokracia tek ne, sipas analogjisë së përshkruar më sipër shkaktuar prej një fenomeni natyror ka një ngjashmëri identike, por me një përjashtim: qeveritë e ardhura në rokadat e viteve tek ne ( fenomeni shoqëror!!), jo vetëm që nuk u interesuan për përmirësimin e gjendjes, por morën pjesë aktive në thellimin e shkatërrimit të jetës së popullatës së shumëvuajtur…Pas shfarosjes së plotë të industrisë ku ishin punësuar pjesa dërmuese e popullsisë; të bujqësisë, duke prerë, djegur e tharë masivisht plantacionet e paimagjinueshme të pemëve frutore, agrumeve, vreshtave, të kthimit në ugare, djerr e moçale të hambarëve fushore dikur të sistemuara me rrjetet e kanaleve kulluese, e ujitëse, të drenazhuara, ku begatia e prodhimeve u jepte nur peizazheve, ku nëntoka u zhvat me “ thonjtë e pamëshirshëm”, ku shkollimi humbi nocionin e vet mësimdhënës e edukativ, e mjekësia humanizmin etj… portreti i këtij vendi u gjymtua. Pra, disa piramida të ndërtuara me djersën e mundin e popullit, humbën jo vetëm identitetin, por u rrafshuan thuajse krejtësisht duke mbetur thjesht në imagjinatën e njerëzve që e përjetuan. Njerëzit e këtij vendi të lashtë, u detyruan të “roiten” si bletës që i ”tretet” kosherja, morën malet, çanë detet e gjetën “limane” ku i çoi fati pas furtunës që i kishte ngritur në “ fugën” ciklonike…Por kjo ishte një pjesë e fatkeqësisë, që sipas mënyrës së vet e përballoi: dikush me humbje e dhimbje të madhe, dikush tjetër vetëm sa u traumatizua, por pati dhe nga ata që fati u dhuroi një farë buzëqeshje, por në flatrimin e saj s’ ndihej lumturia, por një gëzim i përmbajtur, pasi dhimbja tek ata ishte e papërfillshme kundrejt atyre që provuan dhimbjen  therëse…Pjesa tjetër e fatkeqësisë, vazhdoi e vazhdon  kur “inondata”  themi se ka pushuar(!!)… (asnjëherë s’do fashitet, por le ta quajmë se rrebeshet kanë pushuar, ndërsa ç’do reagim nuk sjell atë ç’ ka provuam në vitet e sapo përmbysjes!!).Vitet ikin dhe njerëzit mësohen. Robtimi i shkaktuar nga vitet e punësimit, sipas kritereve ligjore, pritet të “troshitet”,  e të “miklohet” sadopak me daljen në pension. E meritojnë ata të çlodhen, tu gëzohen viteve që u mbeten për të jetuar (sipas asaj që u është shkruar, siç thuhet, në ditën e tretë të paslindjes!)…Por ç’ ndodh? Duke ditur se në këtë moshë, cenet shëndetësore kanë filluar të ndihen tek dikush me shumë e tek dikush më pak, shteti, ua bënë shtegun për të kaluar tek “rroga” që i takon secilit, me qark rrezor të vogël, tepër të mundimshëm. Njihet nga të gjithë që “inondata” s’la gjë në këmbë, shkatërroi ndërmarrjet, etj…etj.. Dhe një pjesë e madhe e dokumentacioneve humbën, u dogjën,… me një fjalë  siç thotë populli, “e mori lumi”. Shumë prej punonjësve dhe kuadrove të asaj periudhe të gjatë 45-50 vjeçare nuk punuan në një front pune e as në një vend pune, e jo vetëm kaq, nuk punuan as në një rreth e as në një qytet apo fshat, por në disa…. Këtu nis “Odisea” e pambarimtë dhe e stërmundimshme që paraqitet në nuanca e peripeci  të ndryshme. Dikush  nuk ka pasur fatin të ketë marrë librezën e dikurshme të punës, ndërsa nuk mungojnë dhe rastet që ta ketë mundësuar marrjen e saj, por sipas zyrtarëve të sotëm ajo, libreza, nuk “pi ujë”. Përse?- pyesin shumë prej tyre. Përgjigja: Nuk njihet! Nis dialogu, sigurisht i shkurtër, pasi zyrtari “nuk ia ka ngenë ”nevojtarit”, që sipas tyre ka ardhur në zyrë për të kaluar kohën e lirë, madje të tepërt!! Ju lutem, vijon i interesuari, ju keni të drejtë se mund të jenë bërë njëmijë e një maskarallëqe ( falsifikime!). Bukur! Brenda jush krijoni një komision dhe bëni verifikimin. Nëse rezulton se është i falsifikuar dokumenti që paraqes (apo libreza, apo firma…), atëherë, pa hezitim ,sipas ligjeve të mashtrimit, më dënoni! Më kot përpiqet i interesuar ta bindi punonjësen e administratës së sotme. “Odiseja” tashmë e pashmangshme!! Ka nga ata që një pjesë të viteve e gjejnë dhe një pjesë jo. Bredhje, gjetje dëshmitarësh, gjyqe…Paraja?- Zbrazen xhepat e fukarait (mos vallë enkas qeveria i krijoi këto bllokazhe!?) Koha? Ditët mes lodhjes maten me kthimin e fletëve kalendarike… Ankthi? Jo të rralla rastet kur tensionimi është kthyer në sëmundje kronike e stresi u ka plasur shpirtin… Trishtimi i çdo dite të mëparshme bashkë me shpresën e humbur shoqërohet për ditën e nesërme e në vijim… Mallkimet të pashmangshme, me buzën e plasur. Pyesim: A nuk njihen situatat e krijuara nga ministria përkatëse? A është  trajtuar ndonjëherë se si mund të jetë më e lehtësuar procedura pasi janë shtruar në tavolinë nga specialistët e kësaj fushe (jo ata specialistë të diplomuar sot!) dhe midis disa varianteve përzgjidhet më i miri (volitshmi)? Kush është fajtori për këtë katrahurë? Pa asnjë ekuivok fajtor është shteti vetë. Përse?  Shteti i dikurshëm (i diktaturës!!) i ka pasur evidencat, listat, regjistrat, lista pagesat ( borderotë)…Diku ato gjenden, madje jo nëpër skuta. Dokumentacioni që flasim nuk ndodhej vetëm në ndërmarrje, por dhe gjetkë… Atëherë, përse nuk krijohen komisione (ekipe operative të vogla!) nëpër rrethe, pa krijuar mbingarkesë administrative, por brenda atij  numri punonjësish që ka organika aktuale (dhe nuk janë të pakët me sa shohim!!) që atyre mund t’u kufizohet orari i pirjes së kafeve (!) apo shkrirjes në biseda ordinere ku shpalosen çastet mbresëlënëse, e jo mbresëlënëse të një dite të mëparshme, po pa harruar obligimet  e secilit për të nesërmen, apo dhe më tej? Të interesuarit që mbyllin moshën për pension le të aplikojnë kërkesën pranë këtij komisioni dhe shteti (administrata) përmes telefonave,  mjeteve elektronike, apo shkuarjes në vendet përkatëse etj… Ta zgjidh këtë problem duke mos e stërmunduar individin dhe duke mos e futur në ullukun që e shter nga xhepat të interesuarin. Të shumta janë dhe rastet e gabimeve ortografike të emrave e mbiemrave etj.. të të interesuarve, gabime të bëra nga zyrtarët e qeverisë së dikurshme apo dhe të sotme. Kur, p.sh, në tre ndërmarrje apo institucione të dikurshme që ka punuar dikush, emri dhe mbiemri përkojnë,  po kështu dhe rrjedha e viteve të punës gjithashtu dhe në një ndërmarrje, apo institucion tjetër që shteti i atëhershëm e ka transferuar pas disa vitesh, është bërë një gabim ortografik apo diçka tjetër dhe që individi (i interesuari) nuk është fajtor për këtë,  atëherë komisioni që folëm pak më lart, le ta zgjidhi. Mendojmë se zgjidhja është fare e mirë, por dhe fare e lehtë. Por  ndodh ama, që një administratë e sotme (zyrtari), duke daktilografuar të dhënat arkivale për t’i kthyer përgjigje të interesuarit, bën gabime pasi, ose është e “kualifikuar”, ose është zhytur në muhabetin e ëmbël me punonjësen fqinjë, ngatërron germat dhe pa iu kthyer korrektimit, e fut në zarf dhe e nis në adresën pritëse. Dhe përsëri një telash i ri, dhe përsëri një “odise” tjetër, në kurriz të të interesuarit. Pra, i interesuari turfullon nga marazi, kurse ajo, zyrtarja qesh e i lumturohet karriges pa as më të voglin shqetësim. A nuk ka përgjegjësi për trenazhin që i bën pragpensionistit? Të paktën një tërheqje veshi(!!). Gjëra të tilla harroi, o mjeran!!! çështja e zgjidhjes së këtij problemi, në më të shumtën e rasteve, bëhet përmes hapjes së procesit  gjyqësor! Më “makabri”. Zgjodha nga leksiku një fjalë të tillë, për arsye se atje (në mjediset gjyqësore), për veç emocioneve torturuese të ankthit, sorollatjet janë të pambarimta, që nga shtyrja e seancave, gjetja e avokatëve, përballja me dëshmitarët, që të shkretët duke qenë në hallin e tyre për të ndihmuar situatën, venë e përsëri venë sipas oreksit të gjyqtarëve. Por nuk mjaftojnë këto. Tarifat janë “spec djegës”. Tarifa të paimagjinueshme. Një vulë është të shkretën dhe kushton sa frëngu pulën. Thua se zyrtari  u thye në kërbishte ulur në karrige? A është e drejtë kjo rrugëzgjidhje, kur fajtor është vetë shteti dhe jo individi? Pastaj, përse qeveria nuk e merr përsipër zhvillimin e proceseve gjyqësore dhe shpenzimeve për to,  por duhet t’i përballojë individi pa qenë fajtor? Qeveria i njeh këto, por gjithmonë shkon me parimin: Merrja shpirtin popullit, fukarait se ai është i pafuqishëm dhe s’ka ku shkon! Dhe gurin dhe arrën e kemi ne!!! Pra, për të dalë në pension, o mjeran, ankthi ta “grabit” shpirtin, vepron me shpejtësi, si ndryshku që korodon hekurin në prani të lagështirës dhe oksigjenit të ajrit. Në vend që të të krijohet mundësia të jetosh disa ditë të qeta, pas kalvarit të gjatë të viteve të punësimit, ankthi, që ta servir shteti yt, të përgatit për udhën e gjatë të moskthimit! O Zot! Shteti yt, qeveria (e mëparshmja- po e sotmja?! që ti vetë zgjodhe, për tu kujdesur për ty! Kur do zgjidhet kjo situatë peripecish? Njeriu, punonjësi i dikurshëm, intelektuali, që shërbeu me devotshmëri kudo që e thirri nevoja, s’është fajtor, por futen në hallkat torturuese të burokracisë, paaftësisë dhe sigurisht dhe korrupsionit. Si mund të shpjegohet ndryshe? Indiferentizëm, moskokëçarje, mosmirënjohje, … ? Çfarë emri t’i vëmë? Veç një gjë dihet:  Shtrydhen xhepat e hallexhiut, përveç telasheve që përshkruam më sipër dhe janë pak (!), por  dhe për të  zënë “mik” ndonjë prej punonjësve të administratës që ta shpejtojë procesin, që të përgatisë dosjen në është e mundur sa më shpejt, pasi familjes i ka mbetur dollapi bosh , kur i thonë, bie miu e thyen kokën…  Nëse rilindja ka ardhur për të larguar mjegullën nga kupa qiellore e arbrit, duhet që t’i lëshojë rrezet në krejt shtjellën nebulike që është krijuar. Ndoshta mund të mbetet ndonjë “krifë”, por horizontit do t’i jetë  falur kaltërsia. “Operacionet” gjithmonë janë të vështirë e me dhimbje, por kur bisturia përdoret me kujdes, dhimbja përballohet, pasi përmirësimi ndihet, nuk vonon…