Afrim Krasniqi/ KLSH dhe sfida për vullnet anti-korrupsion

339
Kontrolli i Lartë i Shtetit është organ kushtetues dhe në gjuhën e thjeshtë është përgjegjës për kontrollin, sesi shpenzohet buxheti shtetëror, grandet që merren nga shteti dhe burimet e tjera që menaxhohen nga shteti. KLSH nuk është gjykatë dhe as njësi anti-korrupsion, ai nuk vepron me indicie dhe as nuk mund të ndjekë problematika, për të cilat nuk ka fakte, rregulla dhe norma të njohura nga objekti i kontrollit.
Në traditën 25 vjeçare të këtij institucioni pesha e tij është varur jo nga numri i raporteve dhe gjetjet teknike, por nga raporti që kanë krijuar me institucionin mazhorancat politike, si dhe nga niveli deri ku institucioni ka arritur të kontrollojë. Gjatë vitit të fundit KLSH bëri lajm në media përmes raporteve të shkeljeve të pretenduara prej tij që arrijnë deri në totalin e buxhetit shtetëror për arsimin apo mbrojtjen. Gjatë një verifikimi të këtyre raporteve rezulton se më shumë, se 200 zyrtarë të të gjitha niveleve, për herë të parë edhe në rang ministri, janë bërë objekt hetimi dhe janë depozituar si lëndë hetimi në Prokurori. Një bilanc i tillë në kohë krize për besimin e institucioneve dhe akuzash për korrupsion të gjerë, përbën një zhvillim pozitiv dhe ndryshe nga e kaluara, një bazë e mirë referimi për punën e prokurorisë dhe organeve të tjera të zbatimit të ligjit. Për efekt studimi, për një institucion perëndimor kam pasur rastin të analizoj ecurinë e këtyre dosjeve në prokurori dhe të shoh ecurinë e produktit që nxjerrin raportet e KLSH-së. Rezultati është dramatik. Nga më shumë se 200 persona të kallëzuar në organet e hetimit vetëm 5 prej tyre janë vërtetë në hetim rutinë nga organi i akuzës, prokuroria. Pjesa tjetër e dosjeve ose është mbyllur ose nuk përbën indicie për hetime investime nga ana e këtij institucioni. Për më tepër, 90% e zyrtarëve të akuzuar në raportet e KLSH-së për dëme në miliona euro shkaktuar shtetit shqiptar nuk janë cenuar nga vendi i punës që kanë pasur, të paktën 20 prej tyre janë promovuar në poste më të larta ose kanë bërë lëvizje paralele apo më lart në institucione të tjera brenda piramidës ekzekutive. Për ironi të fatit, në fundviti u dhanë disa çmime meritash për zyrtarë e aktivistë, politikanë dhe stafe politike, dhe të paktën në tre raste fitues ishin individë që sipas KLSH kanë bërë shkelje të rënda të ligjit dhe duhet të jenë objekt i prokurorisë. Përballë këtij bilanci dramatik të pandëshkueshmërisë, alibitë mbeten të njëjta: pala e akuzuar pretendon se KLSH ka bërë kontrollore të paragjykuara, prokuroria ankohet se dosjet e depozituara nuk janë të plota, vetë KLSH i publikon raportet e tij online dhe raporton rregullisht në parlament, – dhe në fund, askush nuk mban përgjegjësi për miliona dëme, abuzime apo vjedhje, shpërdorime apo pagesa klienteliste, shkaktuar shtetit shqiptar. Edhe në skandalin e Bankës Qendrore fatura i kaloi qytetarëve dhe buxhetit që vjen prej taksave të tyre, jo buxhetit të vetë Bankës dhe personave direkt apo indirekt përgjegjës. E njëjta praktikë vijon edhe në rastet e tjera të skandaleve të ngjashme.
Cilat janë zgjidhjet dhe praktikat e mira? 
Së pari, nëse i referohemi lajmeve të fundit që vijnë nga Rumania, Kroacia, Sllovenia apo Serbia, një numër zyrtarësh të lartë, përfshirë ministra dhe ish-ministra, kryetarë bashkie, deputetë e drejtorë të enteve publike janë arrestuar. Bazë për arrest janë raporte të njëjta si raportet e KLSH në Shqipëri, të hartuara nga njësitë anti-korrupsion apo institucionet simotra me KLSH. Dallimi i tyre me Shqipërinë është se në këto vende presioni evropian për integrimin është më i madh, dhe për pasojë, vullneti politik për të arritur standardet e besimit dhe mirëqeverisjes është më i madh sesa në Shqipëri. A mund të aplikohet e njëjta praktikë edhe tek ne? Po. Baza ligjore ekziston. Raportet e KLSH në tërësinë e tyre kanë fakte dhe emra, kanë praktika të vërtetuara dhe dokumente, janë produkte ekspertësh dhe përbëjnë bazë të fortë hetimi për çdo person të përmendur në to. Në thelb ato kanë bërë më shumë se 70% të punës hetimore të Prokurorisë, mjafton të ketë vullnet pozitiv dhe dosjet e tyre janë objekt i qartë hetimi.
Së dyti, në praktikën e punës të administratës publike, por edhe të institucioneve qendrore ekziston kodi i sjelljes zyrtare, norma etike pune dhe akte të tjera që rregullojnë imazhin e institucionit dhe individit në raport me përgjegjësinë ligjore dhe publike. Në një vend si Shqipëria, ku për çdo vend pune në administratë konkurrojnë 20-100 persona, është luks dhe demotivim mbrojtja politike me çdo kusht e zyrtarëve të akuzuar në raportet e KLSH. Ata nuk janë fajtorë, por kanë humbur kredon e besimit, kanë shkelur etikën dhe kosto e mosbesimit ndaj tyre kalon në kosto mosbesimi ndaj institucionit dhe shtetit. Ndaj, referuar praktikave më të mira të vendeve demokratike, zyrtarët e akuzuar për shkelje të rënda do të duhet të pezullohen nga funksioni derisa fajësia ose pafajësia e tyre të provohet në gjykatë. Nëse ata vijojnë punën, nëse shpërfillimin raportet e akuzave ndaj atyre, atëherë sjellja e tyre krijon konflikt interesi me vendin e punës, me vartësit dhe dëshmitë e tyre, bëhet mjet presioni ndaj prokurorisë dhe krijon klimë të dukshme mosbesimi për vullnetin real politik e institucional kundër korrupsionit.
Së treti, është pozitive reforma në drejtësi në këndvështrimin e një hetimi dhe masash drastike kundër gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar. Por paketa e reformës do të duhej të shoqërohej edhe me një ndryshim përfshirës edhe për KLSH, për të ecur drejt një sistemi të ri të gjykatës së llogarive, për të mundësuar që çdo raport i tij të marrë përgjigje ligjore, – ose në dëm të personave që theksohen në raport, ose në dëm të hartuesve të raportit, në varësi nga përgjegjësia. Gjithashtu do të duhej që Kuvendi, pas çdo raportimi vjetor të KLSH, të zhvillojë debat dhe më pas edhe hetim të posaçëm parlamentar ndaj praktikës së tij dhe sidomos të institucionit të prokurorisë, për t’i dhënë përgjigje konkrete raporteve zyrtarë që flasin për miliarda lekë të humbura, vjedhura apo shpërdoruara në një vend ku qytetarët vijojnë të futen në burg për fatura qindarkash mujore të papaguara.
Së fundi, qeveria ka një komitet anti-korrupsion, ka njësi të saj anti-korrupsion, ka struktura të tjera ligjore që veprojnë në fushën e anti-korrupsionit. Ajo duhet ti përdorë këto institucione jo për të rivalizuar KLSH, por për plotësim të raporteve të tij, duke verifikuar faktet dhe marrë masa ligjore, administrative dhe etike brenda saj. E njëjta vlen edhe për strukturën e administratës publike, e cila duhet të krijojë data base të nëpunësve të shtetit, dhe në rastet e raporteve të KLSH, të bllokojë çdo promovim apo lëvizje paralele të individëve të akuzuar në këto raporte, deri në zbardhjen e plotë ligjore të fajësisë apo pafajësisë së tyre. Fakti që ende nuk ndodh as njëra dhe as tjetra, janë tregues i qartë i nivelit minimal dhe sistemit jo efektiv të politikave anti-korrupsion në administratën publike. Ekzistojnë pra praktika të mira, mjete të shumta dhe rrugëzgjidhje të cilat minimalisht mund të ndikojnë në krijimin e një sistemi më efektiv reagimi ndaj raporteve për miliardat abuzive në buxhetin shtetëror vjetor. Përvojat e vendeve të tjera tregojnë se faktori kryesor është vullneti politik për zgjidhje, dhe nëse ai ekziston, mekanizmat gjenden. Në Shqipërinë e sotme raportet e KLSH më shumë bëjnë lajm në media dhe krijojnë debate online, sesa arrijnë të lëvizin sadopak institucionet që paguhen me taksat tona dhe kanë përgjegjësi kushtetuese për mbrojtjen e interesit publik dhe dhënien e drejtësisë. Ky është një lajm i keq për Shqipërinë dhe një standard tjetër, që tregon diferencën tonë si mentalitet, model dhe sistem qeverisjeje ndaj vendeve të tjera ish- komuniste, tashmë anëtare në BE ose shumë më përpara nesh, në procesin integrues dhe shtetit të së drejtës.