Prof. Dr. Agron F. Fico: Qyteti i manxuranës, qyteti i Kadaresë

1327
Gjirokastra – më njoftonte në një mesazh, nikoqirja e qytetit, Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës Zamira Rami se – kishte javë që po përgatitje për gostinë e madhe të djalit të shquar të qytetit. “kolosit të letërsisë shqipe” Ismail Kadaresë. Është e gëzueshme që në masmedia herë pas here botohen lajme për punërat që bëhen për të nderuar ditëlindjen e Kadaresë.
Qyteti i manxuranës
Tashmë janë të njohura, madje edhe më të njohura, pas daljes në dritë të romanit të parë befasues “Korinikë në gur” të Ismail Kadaresë, medaljonet gjuhësore për qytetin e Gjirokastrës si “qyteti i gurtë” pas medaljonit “qyteti i argjendtë”. Ndërsa sot, në këtë përvjetor të ndritur të Kadaresë, krijuesit të një korpusi madhor artistik-letrar e publicistik, Gjirokastra do të quhet edhe “qyteti i manxuranës”.
Në dritaren e pothuajse të çdo shtëpie gjirokastrite do të shohësh vazo me manxuranë. Kjo lule, me ato fletë si pëllëmba e dorës, ka një gjelbërim të përhershëm, por mbi te gjitha një erë të këndshme e të veçantë. Gratë gjirokastrite, kur dikush vjen për vizitë dhe duan të tregojnë një shkallë të lartë nderimi, e gostitin me kafe-guri (të shtypur në një dybek guri) dhe mbi filxhanin e kafesë i vënë një gjethe manxurane. Kafeja, bashkë me shijen e veçantë si kafe-guri, mban erën e manxuranës. Një kafe e paparë. E paparë ndofta në rruzullin tokësor. Këtë lloj kafeje nuk mund ta pish as në Romë, as në Nju Jork dhe as në Brazil, atdheun e kafesë.
Madje, do të shtoja se edhe qytete të tjera kanë ndonjë lule të veçantë adhurimi, p.sh. Shkodra është njohur për karafilat, që i këndon: Karafila të bukura ka Shkodra… Nuk ka të tillë në dynja? Aman-aman. Ose janë të njohura trëndafilat e Përmetit, nga të cilat gratë duar-arta të këtij qyteti bëjnë liko me shije dehëse.
Aq sqimatare janë nikoqiret gjirokastrite për pastërtinë sa edhe manxuranën e kanë poetizuar:
Nusja që fshin odanë
Me një degë manxuranë…
Gjirokastra – qyteti i Kadaresë
Është e njohur legjenda e lashtë se shtatë qytete të Greqisë janë grindur për një kohë të gjatë të gjenin se kujt i takonte nderi ta kishte bir të vetin poetin e madh të antikitetit, Homerin.
Por ndryshe, krejt ndryshe nga ngjarja e legjendës greke, Gjirokastra e ka shkrimtarin e madh, birin e vet nga çertifikata e lindjes, por mbi të gjitha në veprën e tij shumë-vëllimesh ku Gjirokastra është krye-tema. Të tilla janë “Princesha Argjiro”, romani befasues “Kronikë në gur”, novela “Hankonatët”, romani tronditës “Darka e gabuar” e mjaft poezi si “Gurskalitësit” etj.
Këto vepra e kanë bërë të njohur shkrimtarin dhe kanë qenë pasaporta e re e qytetit të Gjirokastrës.
Kadareja e mbart Gjirokastrën dhe jetën e saj edhe kur “qan me botë” thërrmimin e perandorisë komuniste, mu në zemrën e vet, Moskë, “Dimri i madh”, edhe kur viziton murin e madh kinez, edhe kur pi kafe në katin e 27-të të ish-kullave binjake në Nju Jork, edhe kur shkruan e mediton në Kafe Rostand në Paris; kudo që shkon, e sa herë që evokon episodet e këtij qyteti me “gërr-mëre dhe hatëre të mbetura”.
Është gati i panjohur fakti që kritiku i tij i parë ka qenë një poet i qytetit, xha Vehipi, siç thirrej Vehip Qorri, se ishte i verbër, ndërsa gjimnazistët e “Asim Zenelit” e kishin pagëzuar me emrin “Homeri i qytetit”, sa nga pamja e jashtme e të dyve, aq edhe se xha Vehipi bënte bejte për ngjarjet e jetës, për njerëzit që takonte dhe bisedonte.
Gjimnazistët edhe ndonjë shaka e bënin me poetin e mençur. Një ditë e takova dhe, për të hapur bisedën, i thashë se djali i Halit Kadaresë, d.m.th. Ismaili, po ia merrte zanatin, hartonte vargje dhe i botonte. Ai më njohu nga zëri dhe përgjigjen, sipas zakonitn, ma dha në vargje:
Ismaili djal’i mbarë,
Vjershëtor i kllasit të parë;
Djali i Halitit me siza,
Mëndja e tij plot alitrika…
(Siza: syza; alitrika: elektrik-ndriçim)
Gjirokastra nuk njihet thjesht si vendlindja e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, por mbi të gjitha se ajo ishte dhe u bë një burim i fuqishëm, një minierë ari frymëzimi dhe lëndë e parë për shumë nga veprat e tij, tashmë të njohura në shumë gjuhë dhe vende të botës.
Nga poema për “Princeshën Argjiro”, romanin “Kronikë në gur”, tek romani “Darka e gabuar” dhe novela e fundit”Kukulla”, tek mjaft poezi si “gurskalitësit” etj. e kanë bërë aq të njohur shkrimtarin e madh por ato kanë qenë edhe janë bërë edhe pasaporta e re e vetë qytetit të Gjirokastrës.
“Princesha Argjiro” – poema që i kushtohet legjendës për ndërtimin e qytetit, Gjirokastrës, i shkaktoi debate të forta kur u botua. Poeti shkruan:
Dhe nga emri Argjirë
Q’ u rrëzua në rrëpirë.
Mori emrin qyteti,
Që mes shekujve i mbeti.
Gjirokastra “me vulë”
Aty linda edhe unë… (“Princesha Argjiro”, 1958, f. 45)
Studiuesi Ndriçim Kulla thekson se “Princesha Argjiro” ishte plotësisht jashtë standardeve të letërsisë së realizmit socialist duke u nisur nga titulli… Në titull flitej për një princeshë. Titulli ishte aristokratik.” (“Ylli i shkrimtarit” 2013, f. 93).
Madhështinë e kalasë së Gjirokastrës Kadareja e pikturon në këtë poemë si një anije ose kryqëzor që lundron në një det shtëpish.
Përmbi supe ç’mbajnë vallë,
Këto gërxhe radhë-radhë?
Një kala, kala e lartë,
Rri mbështetur ditë natë
Përmbi ta. Si luftanije,
Që s’çan më dete stuhie,
Por ka ngecur tej në rërë
Po më ngjan kala e vrërët. (Po aty, f. 3)
Ndërsa në romanin “Kronikë në gur” Kadare, si rrallëkush, ka skalitur në libër magjinë e qytetit të lindjes.
Ky është një qytet i çuditshëm – shkruan ai – që duket sikur kishte dalë në luginë papritur në një natë dimri si një qenie prehistorike dhe, duke u kacavjerrë me mundime të mëdha, i është qepur faqes së malit. Gjithçka në këtë qytet ishte e vjetër dhe e gurtë, duke u nisur nga rrugët dhe krojet e gjer te pullazet e shtëpive të mëdha, shekullore, që ishin mbuluar me pllaka guri ngjyrë gri, të ngjashme me luspa gjigante. Ishte vështirë të besoje se nën ato koraca të forta gjallonte dhe përtërihej mishi i butë i jetës. (I. Kadare, Vepra, vëll. i pestë, Fayard 1997, f. 21-22).
“Kronikë në gur” është një ndër romanet e parë të Kadaresë për Luftën Antifashiste, që solli një imazh më të ndërlikuar të saj, ku ndërthuren fate ushtrish të huaja të pakteve të ndryshme kundërshtare, fate shtresash të ndryshme brenda për brenda tyre, fate të njerëzve të lidhur vullnetarisht me qëndresën, ose të mobilizuar prej komandës, fate të indiferentëve, të sehirxhinjve ose dhe të kundërshtarëve.
Me këtë roman Kadare pasuroi temën e Luftës Antifashiste duke sjellë një shikim prej fëmije për evokimin e ngjarjeve të saj. Rrëfimi me syrin e fëmijës, në vetën e personazhit që evokon fëmijërinë e autorit, i ka dhënë romanit një farë karakteri autobiografik.
Me këtë vepër Kadareja bëri përpjekjen e parë për ta bërë Gjirokastrën skenën kryesore të ngjarjeve të kohës.
“Kronikë në gur” përmban vlera të rëndësishme të një letërsisë të mirëfilltë etnografike.
“Kronikë në gur” u bë sinonim i vetë qytetit të Gjirokastrës. Thuhet “Kronikë në gur” dhe kuptohet qyteti i Gjirokastrës.
Romani “Darka e gabuar” (2008) ka si objekt artistik hyrjen e gjermanëve më 1943 në Gjirokastër, vendosjen e komunizmit e gjer tek vdekja e Stalinit më 1953.
Romani “Darka e gabuar” vendos dy njerëz dhe dy kohë në pozicione të ndryshme, nga njëra anë doktor Gurameton dhe komandantin e divizionit gjerman, kolonelin Fritz von Schwaben, në anën tjetër, si dhe Shqipërinë e parë në tre shtresime: otomane, gjermanike dhe komuniste.
Qyteti i tij i lindjes, Gjirokastra, është hapësira bujare ku autori monton pjesën, vizaton atmosferën, arkitekturën e qytetit, ndërton shtëpitë, sokakët, rrugët shpirtërore, thashethemet dhe heshtjen, padyshim me një domethënie të caktuar emocionale, me një ngarkesë të posaçme afektive, ku personazhet mund të identifikohen lehtësisht, shumë prej tyre mbajnë emra apo mbiemra të vërtetë. Mund të pohohet fakti se Kadare pikturon shpirtin e vendit, frymën e tij.
“Kadare – shkruan Dr. Luan Topçiu – nuk pikturon topografinë fizike të qytetit, por një topografi shpirtërore: historinë mesjetare të qytetit, fqinjësitë e tij, marrëdhëniet me Perandorinë Osmane, pushtimin Italian, pushtimin gjerman, vendosjen e komunizmit, krime dhe dashuri, intrigat dhe kurthet, çmendurinë dhe xhelozinë, meskinitetin që prodhojnë vendbanimet e vogla etj.
Në “portretin e Gjirokastrës” hyn edhe ritmi i jetës së këtij qyteti, herë me një ritëm anakronik, herë më përzgjatje kohore nga një periudhë në tjetrën, me pushtimet dhe heshtjen e tij, me muzikën e rëndë të ndërtimeve hijerënda të gurta. Në ndërtimin e romanit vihet në dukje rivaliteti i dy doktorëve Gurameto në qytet, aeroporti i vjetër, personazhet e familjeve të mëdha në qytet, Guva e Shanashisë, shtëpia e Kadarenjve që shërbeu si spital, rruga e Varoshit, Vehip Qorri etj.
Romani është një ironi për komunizmin, është një qëndrim i figurshëm i historisë së Shqipërisë nga Lufta e Dytë Botërore dhe deri në ditët e sotme.
Shkollimi i shkrimtarit
Shkrimtari i shquar Ismail Kadare, i lindur dhe i shkolluar ne gjimnazin “Asim Zeneli”, në gjirin e një familjeje të dëgjuar, njohu dhe trashëgoi edhe kulturën popullore të qytetit, mençurinë qytetare gjirokastrite, humorin e hollë dhe ironinë e mprehtë, këngët shumë-zërashe dhe gjer tek vajtimet korale të grave gjirokastrite, të njohura si “të qarët me botë”. Njohës i thellë i folklorit dhe kulturës popullore në përgjithësi, në romanin-epope “Dimri i vetmisë së madhe” shkrimtari evokon një nga format më të lashta të traditës shqiptare, formën kolektive të vajtimit, që në Shqipërinë e Veriut njihet me termin teknik “gjama” dhe në Gjirokastër “të qarët me botë”. Pas fjalimit të Hoxhës në mbledhjen e 81 Partive Komuniste në Moskë, më 1961, përfaqësuesit e partive të ndryshme i sulen delegacionit shqiptar me egërsi. Autori, me një similitudë të guximshme, evokon këtë “të qarët me botë”. Dolores Ibauri, drejtuese e PK të Spanjës, me një shall të gjerë të zi mbi supe, ia nis në kor vajtimit të “tragjedisë së përçarjes së unitetit të lëvizjes komuniste” (më saktë të ish-perandorisë së errët të diktaturave). “Pa përpara vetes një radhë plakash gjirokastrite të veshura me të zeza, të ulura rresht në një nim të gjatë, që qanin qetësisht të mënyrë të njëzëshme, me njërën dorë të vënë te vetulla e djathtë, sipas zakonit… Ishte herë e parë që shikonte një vajtim të tillë të përbashkët. “E qarë me botë”, kështu quhej… (Ismail Kadare, Veprat -vëllimi i shtatë, f. 210). Në 80-vjetorin e lindjes, Ismail Kadare po nderoht nga lexuesit kudo qe ështe përkthyer vepra e tij letrare dhe është i njohur, po Gjirokastra ka nderin e veçantë dhe gëzimin e pamasë që këtë ditë të bardhë ta kthejë në një festë të madhe mbarë shqiptare.
Gjirokastra, si një nënë e dhëmshur, i dha gjirin e frymëzimit Kadarese dhe Ai në një hark kohor disa dekadash e beri këtë qytet të gurtë, Gjirokastrën te njohur përjetesisht ne letërsine më të njohur të rruzullit tokësor. Tanimë postat shqiptare dhe ato të huaj në adresën e qyteiti te gurte krahs toponimit Gjirokastër do të shtojnë edhe fjalën Kadare dmth: Gjirokastër (Kadadare).
Jam besimplote se nikoqirtët e gostise se madhe ne 28 janarit ne Gjirokastër , miqve,te ftuarve dhe vizorëve do t’ju shërbejne kafe guri e mbi të nje fletë manxurane.
Sigal