Abdyl Frashëri, arkitekti dhe ideologu i një Shqipërie të Pavarur dhe të Bashkuar

5921
Sigal

Lidhja Shqiptare të Prizrenit, 1878, akti historik që i çeli rrugën Pavarësisë së Shqipërisë

Vetëm 4 vjet veproi si protagonist në jetën politike Abdyli, por hyri dhe mbeti në histori si një nga burrat më të mëdhenj të Shqipërisë. Ai u bë dhe është një apostull i shqiptarizmit. 9 gushti i 1839 – ës  dhe 23 tetori i 1892-it janë dy ditë që përcaktojnë hapësirën kohore 53 -vjeçare të jetës së Abdyl Frashërit. Ai la shumë pas që të mos harrohet kurrë, aq më tepër në 100-vjetorin e formimit të shtetit shqiptar. Rruga e formimit moral, kulturor dhe politik e Abdylit filloi në Frashër dhe vazhdoi në Janinë si dhe më tej në Stamboll. Në pranverë të vitit 1877, Abdyl Frashëri hyri si protagonist politik në skenën e historisë së Shqipërisë. Në këtë situatë tepër të vështirë, kur luftohej për jetë a vdekje, Abdyli hartoi platformën e re politike dhe ideologjike me synimin mbrojtjen e interesave kombëtare të Shqipërisë, e cila i kundërvihej platformës që përpunuan qarqet sulltaniste të Stambollit, që  synonte mbrojtjen e kufijve të Turqisë në Europë. Synimi politik i platformës së Abdyl Frashërit ishte: trojet shqiptare të shpërndara në atë kohë në vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës të bashkoheshin në një vilajet të vetëm me emrin “Vilajeti i Shqipërisë” dhe, me krijimin e kushteve të favorshme për shqiptarët, synimi i mëtejshëm i kësaj platforme do të ishte: krijimi i Shtetit Autonom ose i Shtetit të Pavarur të Shqipërisë. Abdyli, më 1877, zgjidhet edhe deputeti i Vilajetit të Janinës në Parlamentin e Dytë Osman, ku morri pjesë vetëm në 10 seanca, nga 14 deri më 30 janar 1878.  Më 18 dhjetor 1877, Abdyli, së bashku me bijtë e mëdhenj të truallit shqiptar, ndër  ta me Pashko Vasën, Sami Frashërin, Ymer Prizrenin e Jani Vreton, formuan Komitetin Kombëtar të Stambollit. Këta personalitete të kulturës, politikës e veprimit atdhetar, pranuan platformën e re politike dhe ideologjike të Abdyl Frashërit dhe e zgjodhën atë kryetar të këtij Komiteti. Copëtimi i trojeve shqiptare më 3 mars 1878 nga Traktati i Shën-Stefanit midis 4 shteteve, Serbisë, Bullgarisë, Malit të Zi e Turqisë, shpërthimi i terrorit të egër nga ushtritë serbo-malazeze në viset shqiptare të Veriut dhe organizimi nga Athina më 22 shkurt 1878 i komplotit në Lëkurës të Sarandës për të aneksuar viset shqiptare të Jugut, e detyruan Komitetin Shqiptar të Stambollit dhe Abdyl Frashërin të heqin përkohësisht dorë nga ideja e kryengritjes çlirimtare anti-osmane dhe të përpunojnë një program të ri politik, që çoi në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Tri ditë para se të mblidhej Kongresi i Berlinit, për të siguruar lirinë dhe unitetin territorial të atdheut nga atdhetarë të gjithë viseve të vendit, në Prizren, në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës, u themelua më 10 qershor 1878 Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me kryetar Iljaz Pashë Dibrën dhe Abdyl Frashërin përgjegjës për punët e jashtme të Lidhjes. “Qëllimi i kuvendit është që t’u presim hovin armiqve të pashpirt duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit”, – tha Abdyli përpara 110 delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Prizrenit. “Ndërgjegjja e popullit shqiptar ngre krye kundër  nënshtrimit … Pikërisht tek kjo ndjenjë e ka burimin Lidhja e sotme Shqiptare”, – shkruante Pashko Vasa më 1878. Abdyl Frashëri nuk është vetëm një nga udhëheqësit kryesorë politik e ideologjik, por edhe një organizator e aktivist i shquar, diplomat i talentuar e politikan i madh i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Nisur nga detyra që mori në Kuvendin e Prizrenit, Abdyli, në krye të delegacionit shqiptar,  u nis menjëherë në Berlin, për t’i parashtruar Kongresit të Fuqive të Mëdha, që u hap më 13 qershor 1878, peticionin me anën e të cilit kërkohej respektimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve dhe, në radhë të parë, paprekshmëria e trojeve të Shqipërisë. Kudo që ishte Lidhja ishte Abdyli dhe kudo që ishte Abdyli ishte Lidhja. Më 1 nëntor 1878 ai përfaqësoi Toskërinë në Kuvendin e Parë të Dibrës, ku u miratua rezoluta me të cilën kërkohej zyrtarisht nga Porta e Lartë krijimi i Vilajetit të Bashkuar Autonom të Shqipërisë. Në janar të 1879-ës ishte organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës, i cili arriti të pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë. Abdyli së bashku me Mehmet Ali Vrionin, në pranverë të 1879-ës, morën përsipër  dhe kryen në emër të Lidhjes së Prizrenit një mision diplomatik me rëndësi në kryeqytetet e Europës, në Romë, Paris, Londër, Berlin dhe Vjenë, ku kundërshtuan vendimet e Kongresit të Berlinit dhe mbrojtën interesat e Shqipërisë. “Evropa na ka njohur si njerëz të luftës, tani ajo do të na njohë edhe si njerëz të punës dhe përparimit”, – u dëgjua zëri i Abdylit edhe njëherë në Europë.  Abdyli ishte promotori edhe i dy kuvendeve ndërkrahinore të Frashërit, i pari u mbajt në maj 1878 dhe, i dyti, u zhvillua në  qershor 1880. Të dy u zhvilluan në Teqen  bektashiane të Frashërit.  U drejtuan nga Abdyl Frashëri. Përgatitjet për Kuvendin e Parë të Frashërit u bënë në Janinë. Medi Frashëri, në librin e tij të botuar më 1927 “Liga e Prizrenit dhe efektet diplomatike të saj”, ndër të tjera shkruan: “Qëndra e Jugës me rëndësi ishte ajo e Frashërit edhe faqeza ndodhej nën kryesinë e Alush Babait, por vërtetisht nën kryesinë e Abdyl Beut. Në qendrën e Frashërit mori pjesë Dangëllia, Kolonja, Leskoviku, Përmeti, Skrapari, Dëshnica, Korça dhe gjithë baballarët bektashinj të Toskërisë, kërkesa e bashkimit të katër vilajeteve, pikë së pari, u formulua në Teqe të Frashërit, pastaj u dërgua në gjithë qendrat e Shqipërisë”.  Në Kuvendin e Dytë të Frashërit morën pjesë përfaqësues nga krahinat e Përmetit, Skraparit e Leskovikut të Vilajetit të Janinës dhe të Korçës, Kolonjës, Kosturit e Naseliçit të ish- Vilajetit të Manastirit etj. Nga Gjirokastra, pas Kuvendit te 23 korrikut 1880, Abdyli u hodh ne Dibër e shkoi më tej në Kosovë dhe aty, në Prizren, së bashku me rilindësit e mëdhenj të Lidhjes, shpallën formimin e Qeverisë së Përkohshme Shqiptare, në krye të së cilës u vu luftëtari i shquar Haxhi Ymer Prizreni. Me cilësinë e ministrit të Jashtëm të kësaj Qeverie, në fjalën që mbajti me rastin e krijimit të saj, Abdyli ndër të tjera tha: “Porta e Lartë nuk do të bëjë asgjë për Shqipërinë …  Le të mendojmë dhe të punojmë për vete dhe le të mos ketë ndryshim midis toskëve dhe gegëve. Te jemi të gjithë shqiptarë dhe të formojmë një Shqipëri të Bashkuar”. Në prill 1881 Abdyli u arrestua në trevën e Elbasanit. Vitet e rënda në bodrumet e burgut të Prizrenit dhe të internimit në Balikesër e Bandërma si dhe të izolimit në Stamboll ia rënuan shëndetin, por ato nuk e thyen vullnetin, guximin dhe vendosmërinë e Abdylit. Abdyli vdiq në Stamboll më 23 tetor 1892, 53 vjeç, një vit më i ri se Naimi dhe Samiu, por ngeli një monument i madh i patriotizmit.

________________________________________________________________________

“NGREHU, O ABDYL BEJ, NGA VARRI SE T’U MBARUA QËLLIMI”

Eshtrat e Abdylit u sollën në Shqipëri në mars të vitit 1978. Qëndruan ato tre muaj në vendlindje, në Frashër, në shtëpinë e Tij të ringritur më 1974, pastaj u prehën dhe do të prehen përjetësisht në kryeqytet, në Tiranë. E priti kombi duke e shpallur Hero të Popullit. Dy figura madhore të trevës së Përmetit, të nderuar me titullin “Nderi i Kombit”, skulptori Odise Paskali dhe historiani Kristo Frashëri, i kanë ngritur ndër të tjerë dy monumente madhore apostullit të shqiptarizmit, Abdylit, i pari e ka përjetësuar në bronz  figurën e Abdyl Frashërit, i dyti e ka bërë këtë nëpërmjet monografisë që i kushton Abdyl Frashërit. Të tjera monumente madhore kërkon historia dhe kombi për Abdyl Frashërin. “Ngrehu, o Abdyl, nga varri se t’u mbarua qëllimi”, – i këndon populli birit të vet të madh që tha fjalët e fundit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: “Shqipëria do të bëhet!”. Dhe u bë Shqipëria më 28 nëntor 1912. Dhe u bë edhe Kosova më 17 shkurt 2008. Emri dhe vepra e Abdyl Frashërit ka qenë, është dhe do të jetë simbol atdhedashurie, uniteti dhe bashkimi për  15 000 000 shqiptarët që jetojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Abdyl Frashëri ishte dhe është ku ishte dhe është liria dhe e mira e shqiptarëve dhe Shqipërisë.

________________________________________________________________________

KANË THËNË PËR ABDYL FRASHËRIN

SAMI FRASHËRI: “Edhe vdekjen, sikurse jetën, e pati burrërore. Vdiq duke dhënë këshilla të urta dhe duke thënë fjalë trimash”

DERVISH HIMA, atdhetar: “Shpirti i Abdyl Frashërit vërtitej në qiellin e Shqipërisë për t’u kujtuar shqiptarëve detyrën që kishin ndaj atdheut”.

FAIK KONICA: “Mjekra e gjatë, pak e thinjur, balli i lartë dhe i gjerë i jepnin Abdyl Beut një hije vërtet madhështore …Po sytë? Dy sy të mëdhenj e të thellë, që kishin shkëlqimin e yjeve dhe forcën e çelikut dëftenin shumë, gjithë vlagën, gjithë fuqinë e këtij burri. I tillë ishte ky tribun i lirisë së kombit. Abdyl Frashëri ishte trim, e kishte syrin si shigjeta dhe i bënin të gjithë tungjatjeta, ishte i matur dhe nuk ia hidhte dot as mbreti dhe as krajli, ishte i përmendur për penë dhe  dije”.

GJERGJ FISHTA në veprën “Lahuta e Malcis”: “Një burrë që i la faqe  t’bardh i la Shqipnisë”

REXHEP QOSJA: “Vallë a nuk ka një Abdyl Frashër tjetër Shqipëria”!?…

Kastriot BEZATI