Abdurahim Ashiku: Pranvera “pa të shtuna” e “Rrugës së Arbrit”

61

 Gazeta Telegraf/ U desh ardhja e një delegacioni të Qeverisë Maqedonase të
kryesuar nga Ministri për Investimet e huaja Arlind Zeqiri, Gëzim Beadini – zv.
Ministër i Financave dhe Faton Pollozhani, zv. Ministër i Transportit që
ministri më i ri i Qeverisë Shqiptare Sokol Dervishaj të njoftojë “Angazhimin e
Qeverisë Shqiptare për të filluar punimet 
për ndërtimin e Rrugës së Arbrit në pranverën e 2017-ës” (?!)  Këtë zë të parë që nga ardhja e tij në Qeveri
si përfaqësues i LSI, Dervishaj e konsideroi si “një arterie të rëndësishme rrugore
që forcon lidhjen mes Shqipërisë e Maqedonisë me korridoret rajonale”. Nuk di
si ta cilësoj këtë: si sihariq i madh i nxjerrë nga goja e  një Ministri 
të Transportit dhe Infrastrukturës apo si lojë e re elektorale në vijim
të lojërave pambarim që janë luajtur me këtë rrugë për të cilën flitet e
flitet, e askush nuk ngul një kazmë e zbraz një lopatë.  Fillimet e punimeve të Rrugës së Arbrit tash
e sa kohë (më se një dhjetëvjeçar) kanë filluar në fushatat elektorale për
zgjedhjet e përgjithshme kuvendare të Shqipërisë. Shiritat e përurimit i kanë
prerë udhëheqësit më të lartë të shtetit në rang kryeministror, Nano, Berisha
Rama… Prenë shiritat, prenë financimet. Rruga e Arbrit mbeti si në rrëfenjat
e moçme me “Kalenda Greke” e “Javë pa të shtunë”. Po çfarë janë “Kalendat
Greke?”. Fjala “kalendë” nuk na qenka fjalë greke por qenka fjalë e vjetër
latine-calenda… Tek romakët e lashtë calenda ishte dita e parë e muajit.
Shprehja “në kalendat greke” ka kuptimin që gjëja për të cilën flitet e
premtohet nuk do të zgjidhet kurrë sepse grekët e lashtë nuk kishin
Kalenda  Ministri Dervishaj thotë që
“punimet  për ndërtimin e Rrugës së
Arbrit fillojnë në pranverën e 2017-ës”(?!) 
Pranvera në fjalorin e përditshëm fillon më 1 mars e përfundon më 31
maj. Në kalendarin hënor fillon më 14 mars e mbaron në 13 qershor. Në
kalendarin astronomik fillon më 22 mars e mbaron më 21 qershor. Ministri
Dervishaj për fillim të punimeve për ndërtimin e Rrugës së Arbrit jep
pranverën  e vitit 2017  pranvera e nxehtë zgjedhore (ndoshta më të
nxehtën e të gjitha kohërave) zgjedhje të cilat do të përcaktojnë “kuajt e rinj
në pajtonin qeveritar”. E shikuar kjo në syrin e premtimeve të mëparshme,
pranverat zgjedhore të viteve 2005, 2009 dhe 2013, Rruga e Arbrit fillon e
mbaron si “premtim ala “Kalenda Greke“ duke u shndërruar në një “Pranverë pa të
Shtuna”. Ministri Dervishaj duket se ka konspektuar me “laps të mprehur mirë”
kryeministrin Rama i cili në fushatën elektorale për kryetarin e Bashkisë së
Dibrës tha se nuk do të ikte nga karrigia e Kryeministrit pa mbaruar Rrugën e
Arbrit (!) Pranvera 2017, si të gjithë pranverat fiks do të ketë tre muaj ose
zbërthyer në ditë, plotë 92 ditë. Ministri deklaroi se “punimet  për ndërtimin e Rrugës së Arbrit fillojnë në
pranverën e 2017-ës”. Nuk përmendi as njërin prej tre muajve të pranverës 2017,
as edhe njërën nga të 92 ditët e pranverës (!) U tha se “punimet  për ndërtimin e Rrugës së Arbrit fillojnë në
pranverën e 2017-ës”. Dhe kjo kur aktualisht janë ndërtuar disa kilometra rrugë
dhe ajo që mbetet dhe përbën kryesoren në ndërtim janë tunelet e Qafë Murrizes
dhe Ura e Vashës… Në Shqipëri, me “Pranverën 2017” për Rrugën e Arbrit”,
fillon fushata premtimore elektorale. Rruga e Arbrit doli nga “Kalendat Greke”
për të hyrë te “Pranverën pa të shtuna”…