Shkëlqim Selmani: Dekreti i Presidentit dhe turpi i KQZ-së

537
Sigal

Turp, sa turp!

Presidenti i Shqipërisë ka nxjerrë një dekret për shfuqizimin e datës 30 Qershor si datë zgjedhjesh. I drejtë a i padrejtë ky dekret vetëm gjykata kushtetuese ka tagër ta vlerësojë. Të gjitha institucionet e shtetit janë të detyruara ta zbatojnë. Kështu funksionon një shtet ligjor, por ç’po ndodh në Shqipëri ? Kryeministri nuk e njeh dekretin e Presidentit ?! Pastaj si reaksion zinxhir i papërgjegjshmërisë së kryeministrit edhe institucione të tjera si KQZ, ministria e brendshme dhe gjithë administrata shtetërore shkon pas kësaj aventure të rrezikshme dhe më pasoja të rënda për demokracinë dhe sigurinë kombëtare. Nga ana tjetër opozita e bashkuar, bashkitë që drejtohen nga përfaqësues të opozitës dhe shumica e revoltuar e popullit të zemëruar nga kusaria, varfëria e skandalet e panumërta të kësaj qeverie mafioze e mbështesin dekretin e Presidentit. Asnjëra palë nuk tërhiqet. Kjo tregon se verbalisht lufta politike ka arritur një ekstrem ku rrezikon të kthehet në përplasje civile. Shenjat e para janë dhënë në Shkodër, Tropojë, Kavajë etj. Ajo që më shqetëson mua në këtë situatë prag luftë civile është gjakftohtësia kriminale e mazhorancës ilegjitime aktuale dhe sidomos indiferenca e elitës intelektuale dhe asaj që quhet shoqëri civile në Shqipëri. Çfarë duhet të ndodhë akoma që ata të bashkohen të gjithë në një zë dhe të mos e lënë këtë qeveri të ligë e arrogante që zhytjen e saj në llum e krim ta shkarkojë si gjëmë mbi popullin e vuajtur e të pafajshëm. A u ka ngelur ndopak ndërgjegje njerëzore, qytetare e intelektuale. Turp, sa turp!