Pse u prish shtëpia e Flamurit?

461

Gëzim Llojdia

Çfarë thotë Sefa Vlora për Shtëpinë e Flamurit dhe disa të panjohura ?

Dita e Flamurit Kombëtar, dita kur u shpall independenca jonë, ka shenjat edhe të veçantat e saj që gjithsesi janë disa, mirëpo pikësynimi ynë do të jetë rrugëtimi për të gjetur tre prej tyre.

Godina ku ngrit Flamuri,

Flamuri, që u ngrit, më 28 nëntor

Akti prej dy fletësh i shpalljes

Që prej kohës kur u ngrit flamuri në qytetin jugor të Vlorës, kombi shqiptar bëri më tej, një shekull jetë. Kur shkojmë në Vlorë, duam të kërkojmë dy nga tre këto shenja, ku gjenden dhe gjurmët e asaj kohe. Ku gjendet aktualisht banesa ku u ngrit Flamuri, ngase sot gjejmë tej te ndërtesa e detit, një ndërtesë të dytë si vendstrehim të qeverisë së Vlorës, ndërtesa muze.

Vetë kompleksi muzeal e historik Vlorës, ndahet në dy vende:

a- Sheshi i Flamurit që përmban Lulishten e Flamurit ku gjendet varri i Plakut të mirë dhe Burrit të shtetit, Ismail Qemal Vlorës me një  statujë sipër të flamurtarit, punuar mjeshtërit nga Odhise Paskali. Qe pikërisht viti 1932, ku u ngrit Varri Monumental. Sefa Vlora shkruan: Në ceremoninë e përmortshme kur u varros për të parën herë në Kaninë, as fshatar, as qytetar nuk qëndroi në shtëpi të tij: Tërë faqet e maleve dhe brigjeve qe qëndronin gjatë udhëtimit ishin mbushur me njerëz. Ish një apoteoze madhështore e popullit, të gjithë pa dallim, dhe një kurorë që ay e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit tij deri sa dha frymën e fundit. Transferimi i dytë i trupit tij nga Kanina në Vlorë, në 1932 pati formën zyrtare, po dhe kësaj here populli, me të math e me të vogël rrodhi vetiu aty në Sheshin e Lirisë në Vlorë për ta nderuar Birin e tij të Madh. Varrimi në Lulishten Popullore të Vlorës qe një mendim me vend, sepse  kësisoj Qeveria Mbretërore ia ngarkonte popullit barrën ta ruante, duke e patur afër aty, ku kreu ay vetë veprën e tij historike. Po aty gjendet edhe shtiza e flamurit, e ndërtuar në vitin 1937, kur poeti Ali Asllani, ishte Kryetar i Bashkisë së Vlorës, u ngrit edhe “Shtylla e Flamurit Kombëtar”. Duke vijuar historinë me shkrimin e Sefa Vlorës që thotë: Ismail Qemal Bej Vlora ka lindur në Vlorë, më 16 të Vjeshtës së dytë në vitin 1844, në shtëpinë e Familjes Vlora. Vdiq ne Perugia të Italisë, më 24 Janar 1919. Më parë u varros në avllinë e teqesë së Kaninës simbas porosisë që kish lënë vetë. Më vone me vendimin e qeverisë Mbretërore te Shqipërisë u varros në lulishten popullore të qytetit Vlorës. Lulishtja së bashku me ndërtesat që kanë pas qenë aty ishin prona e Familjes tij. Këto prona ju shiten Bashkisë së Vlorës në vitin 1919. Ismail Beu lindi në godinën e quajtur te Haremeve…” Banesat e familjes Vlora aso kohe emërtoheshin Saraje. Këto banesa, pra sarajet e familjes Vlora ishin të përbëra nga dy godina të mëdha.

Godina ku u ngrit flamuri quhej Selamllëku dhe këtë emërtim siç do ta shohim na e sjell në kujtesë, kujtimet e Eqerem bej Vlorës. Godina e flamurit siç paraqitet nga një foto, e cila qarkullon kudo në botime ka gjithashtu një skicë, që është ruajtur deri në ditët sotme,e cila tregon një godinë të madhe për nga lartësia dhe gjerësia e saj. Si dhe ndodhet një maket i banesës së Vlorajve, aty ku u ngrit flamuri në vjeshtën e vitit ’12. Ky është maketi i MKP që ndodhet në Skelë të Vlorës. Në fotografinë, e cila është origjinale ku shfaqen tre katet e banesës nga katër si shqipton më tej Eqerem bej Vlora. Janë tre katet e banesës historike që u rrafshua diku aty nga viti 1925. Edhe këtë vit – shuarje të saj e sjell po ky dëshmitar. Ndërsa në skicën e sarajeve të familjes “Vlora”, mendohet, se ato u prishën aty rreth viteve ’20. Pozicionimi i kësaj banese historike: Gjendej në vendin ku është Monumenti i Flamurit, inauguruar në vitin ’72. Ai kap pikën e 17 m lartësi dhe i gjithi është i derdhur në bronz dhe pjesa tjetër prek Lulishten e Flamurit, ku gjendet varri i kryetarit të Qeverisë së Vlorës, Ismail Qemal Vlora, vendosur edhe një skulpturë e titulluar: “Flamurtari” e skulptorit Odise Paskali. Eqrem bej Vlora thotë se: Në hyrjen juglindore të qytetit të Vlorës, në kryqëzimin e shumë rrugëve, të cilat duke zënë fill nga Rruga e Skelës, të çonin në qendër të qytetit, në mes të një parku të madh prej 40.000 metrash katrorë, rrethuar me mure të larta tetë-metërshe dhe me dy porta në të, ka qenë deri në vitin 1925 një ndërtesë e stërmadhe me një tjetër më të vogël përpara. Ai ishte konaku i Vlorajve, përfshi haremin (banesën e grave) dhe selamllëkun (banesën e burrave). Shqyrtojmë selamllëkun ose atë godinë të njohur si banesën e burrave. Ndërtesa ka pasur tre kate lartësi, një numër të madh dhomash korridore dhe ambiente të tjera. Nëse do ta vrojtonim: Në pamje të parë majtas tregon pozicionin e dritareve të çdo kati .Dritaret e katit të parë janë të gjitha me hark dhe duken rreth 6 copë ndërsa në fakt kanë qenë më tepër por kaq kanë hyrë në fokusin e fotos. Janë dritare të njohura për kohën, të vogla, të larta, por të ngushta, duke përfunduar me hark. Në dritaret e katit të dytë majtas janë rreth 7 copë, të cilat na shfaqen në disa forma të çrregullta. E para dhe kryesore ku u shpalos flamuri është më madhe se të tjerat, madje është edhe derë.

Duke treguar portën hyrëse për në saraje. Përpara saj shquhen qartazi shkallët, që nga lartësia e banesës zbresin duke cekur tokën. Në katin më  sipër duken dritare me forma drejtkëndëshe pa hark. Shquhen rreth 8 të tilla majtas. Kurse në krahun e djathtë shquhen tre po të tilla, të vogla dhe një e madhe. Po kaq gjenden edhe një kat më poshtë. Kjo është banesa Xhemil Bej Vlorës. Të gjithë autorët që përshkruajnë ngjarjen madhore të 28 nëntorit mbështesin qëndrimin, se delegatët janë mbledhur në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, kushëriri i Ismail Qemal Vorës. Godina tre kate e Xhemil bej Vlorës gjendej aty ku është sot monumenti kushtuar Pavarësisë. Shtiza e Flamurit është e ndërtuar aty ku sot ka vendin e lartësimit Flamuri Kombëtar. Mendohet se kjo shtizë përkon me dritaren e katit të dytë të selamllëkut ku u ngrit Flamuri, pasditen e 28 nëntorit. F. Paskali, bija e skulptorit Odise ka shkruar: “Shtiza që ngrihet Flamuri Kombëtar çdo 28 Nëntor në qytetin e Vlorës, është krijuar nga babai im Odhise Paskali, në vitin 1932. Edhe memoriali i varrit të Ismail Qemalit me figurën e Flamurtarit është vepër e babait tim Odhise Paskali, e vitit 1932. Që të dy këto vepra janë inauguruar më 28 Nëntor 1932. Plot 75 vjet më parë. Duke iu referuar sërish E. Vlora, me dëshmi autentike nxjerrim një gjysmë fraze ku ai shprehet: “U mblodhëm të gjithë në selamllëk“ …Pra, te sarajet e Xhemil beut. Një maket i sarajeve Vlora, ku u ngrit flamuri gjendet aktualisht në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Skelë, mirëpo ky maket ka paraqitur vetëm 2 kate të ndërtesës, pra vetëm  vendin ku u ngrit flamuri. Në këtë maket të punuar pas çlirimit të vendit kur u shpalla muze kombëtar, shohim ndërtesën flamurit, e cila tregon vetëm dy nga tre katet të godinës së flamurit. Kati i tretë paraqitet me 17 dritare, të cilat sipas ideatorit të këtij maketi përfundon secila me hark, gjë që nuk është në origjinalin e saj. Kati i dytë, sipas këtij maketi ku u ngrit flamuri, ka 11 dritare dhe vend-hyrjen.

Çuditërisht këtu dritaret paraqiten drejtkëndëshe kur, në të vërtetë, në foton origjinale ato shfaqen në formë të çrregullt; disa më të mëdha dhe disa më të vogla. Disa përfundojnë me hark dhe disa përfundojnë në formë trekëndëshi. Shtëpia e Vlorajve, ajo që ka mbetur nga koha është vetëm 10 m nga Sheshi historik i Flamurit dhe është pjesë e kompleksit muzeal historik. Shtëpia e Vlorajve që së fundi njihet si shtëpia te Sheshi i Flamurit me monumentin e tij ende nuk ka atë pamje dhe formë që duhet të kenë objektet muzeale si në të gjithë botën. Sheshi i Flamurit ka edhe godinën e bankës, rrugën “Justin Godart”, sahatin, godinën e bashkisë, rrugën e hebrenjve etj. Nga shtëpitë e fisit të Vlorajve, fis me degët e shumta të tij, një prej tyre ishte Ismail Qemal beu, kanë ekzistuar disa shtëpi; :shtëpia e Xhemil Beut, Syrja Beut, Eqrem Vlorës. Tek shtëpia e Xhemilit, është pritur në jetë ardhja e engjëllit shqiptar Ismail Qemali. Këtë ta thonë historianët, por edhe kujtimet e E.B Vlorës. Pasardhësit e Ismail Qemalit, shprehet studiuesi, megjithëse disa banonin në Tiranë nuk u ftuan asnjë herë të merrnin pjesë në ceremonitë festive të 28 Nëntorit. Vajza e E. bej Vlorës “pasuria dhe koleksionet e vyera të trashëguara, antikuarët, xhevahiret. Vetëm sahate antike floriri kishin 25 që u shitën, pa përmendur koleksione armësh, pistoleta të punuara me argjend e të dekoruara me gurë të çmuar…, apo bibliotekën e pasur.” Sarajet përbëheshin nga dy godina madhështore, pronë e Xhemil Beut, kushëri i parë i Ismail Qemalit dhe ndodheshin në vendin ku sot është Sheshi i Flamurit, saktësisht në pjesën ku ngrihet Monumenti i Pavarësisë dhe ku shtrihet Lulishtja e Madhe. Kuvendi u mblodh në pjesën e sarajeve, që emërtohej ndryshe “Selamllëku”, godina më e madhe në atë kohë që sot përkon me pozicionin karshi hotel Sazanit. “Ngritja e flamurit u realizua në dy kohë, fillimisht në ballkonin e katit të dytë, që ishte njëkohësisht dhe hyrja për në godinë dhe më pas në një nga dritaret e të njëjtit kat”. Madje kjo dritare përkon me vendin ku sot ndodhet Shtiza e Flamurit. Nga ky akt nuk pati fotografi, sepse mungonin fotografët e kohës. Por fotoja që përjetëson ngritjen e flamurit nga Ismail Qemali në ballkon, u realizua një vit më pas, në 28 nëntor të vitit 1913, në godinën ku u vendos Qeveria e Përkohshme, (në skelë), aty ku sot ndodhet Muzeu i Pavarësisë. Kjo foto, , u realizua nga Marubi i famshëm i Shkodrës.Sarajet e Vlorajve kanë ekzistuar deri në vitin 1925, kur ato u prishën për t’ia lënë vendin ndërtimit të Lulishtes së Madhe, në Sheshin e Flamurit. Pinjollët e familjes së famshme u zhvendosën në godina të tjera, mes të cilëve, Syrja Beu (babai i Eqerem Bej Vlorës), pak metra më tutje, në godinën që sot emërtohet “Shtëpia e Beut”. Ndërsa Siri Beu u zhvendos në Ujin e Ftohtë, në një vilë që përkon me kodrën ku sot ndodhet njëra prej vilave të shkatërruara të ish-udhëheqjes komuniste. Skema e Shtizës së Flamurit, fillimisht u konceptua dhe u ndërtua pak vite më vonë, me nismën e Patër Anton Harapit dhe të Don Markut. Kjo shtizë është ndërtuar e rindërtuar disa herë në pozicione të ndryshme dhe aktualisht vendndodhja e saj, përkon me dritaren ku u ngrit flamuri nga Ismail Qemali. Madje edhe lartësia e saj, e njëjtë me atë të katit të dytë të godinës së Vlorajve. Shtiza e Flamurit u realizua përfundimisht nga Ali Asllani, dy herë kryetar bashkie i Vlorës.