Prof.Lush Susaj: Tërmeti dhe epoka e abuzivizmit

511
Sigal

Bashkë me tërmetin e 26 Nëntorit duket që është mbyllur edhe epoka e errët dhe e gjatë e abuzivizmit, korrupsionit dhe ndërtimeve kaotike e të pasigurta

 

Një vështrim filozofik mbi shkaqet dhe pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit

 

Ata politikanë, biznesmenë e zyrtarë që kanë shkelur ligjet e urbanistikës dhe të ndërtimit janë përgjegjësit kryesorë për viktimat dhe dëmet materiale

Prof. Dr. Lush SUSAJ

 

Niҫja (1888) thoshte: “E vërteta është një iluzion pa të cilin nuk mund të jetojmë”. Ndërsa filozofi i lashtësisë Permiditi thoshte: “E vërteta logjike është shumë më lartë se njohja empirike, kurse arsyetimi është më lartë se përvoja”. Në këtë këndvështrim, asnjë arsyetim logjik e mbi të vërtetat e shkaqeve dhe pasojave të tërmetit të 26 Nëntorit 2019, asnjëherë nuk është i vonë dhe as e tepërt. Nga këndvështrimi filozofik, tërmeti i 26 Nëntorit, njëlloj si të gjitha fenomenet e tjera natyrore e shoqërore, duhet të trajtohet dhe analizohet në kuadrin e të kundërtave që e përbëjnë dhe përcaktojnë ekzistencën e këtij fenomeni dhe të ngjarjeve që e pasojnë. Në këtë kontekst, po sa nuk mund të përjashtohen shkaqet gjeofizike që e shkaktuan tërmetin, po aq nuk mund të përjashtohet edhe fakti që viktimat dhe dëmet materiale, kanë për bazë mosveprimin, abuzivizmin, injorancën, korrupsionin dhe paligjshmërinë e thellë e të gjatë të zyrtarëve të administratës dhe të institucioneve të sigurisë. Ky termet duhet të lexohet e të kuptohet si një tragjedi që zbuloj dhe denoncoj përmasat e frikshme të varfërisë, korrupsionit strukturorë dhe të rrënimit të sistemit politik e shtetëror në Shqipëri. Filozofi i lashtësisë Aristoteli (384-322 p.e.r), na mëson se: “Tragjedia denoncon teprimet njerëzore, hybrisin e tyre”.

  • Tërmeti dhe beteja me frikën dhe hipokrizinë

Në filozofinë epikuriane thuhet që frika e shkatërron mirëqenien dhe lumturinë e njeriut dhe të shoqërisë. Analiza filozofike e frikës nga fundi i botës dhe frikës nga vdekja, na mëson se si njerëzit, që të jenë të lumtur, duhet ta përjashtojnë frikën nga të menduarit dhe jeta e tyre e përditshme. Kjo sepse filozofia si shkenca e shkencave dhe si niveli më i lartë i analizës dhe interpretimit mbi natyrën, shoqërinë dhe mendimin njerëzor, argumenton në mënyrë përfundimtare se nuk ekziston as fundi i botës dhe as kontakti i njeriut me vdekjen. Kjo në kuptimin që kur është njeriu nuk është vdekja dhe kur vjen vdekja nuk është njeriu. Epikuri thoshte se:“Vdekja nuk na arrin asnjëherë… me vdekjen nuk mund të takohemi kurrë”. Në këtë mënyrë, nuk duhet të kemi frikë, sepse frika është lumturia e vrarë, është koha dhe energjia e humbur kot së koti. Në të tilla situata, shteti dhe e gjithë shoqëria shqiptare, ka nevojë për më shumë qartësi, kurajë dhe guxim, në mënyrë që të gjithë ata që kanë lidhje me korrupsionin, hipokrizinë dhe shkeljen e ligjeve dhe të standardeve në fushën e urbanistikës, të ndërtimtarisë dhe të legalizimeve, të identifikohen dhe të përballën sa më parë me pasojat e veprimeve dhe të mosveprimeve të tyre. Beteja dhe fitorja ndajë frikës dhe hipokrizisë administrative e ligjore, nuk është dëshirë por detyrim dhe domosdoshmëri. Heraklidi (550-480 p.e.r), thoshte: “Fitorja mbi frikën është vetë liria….., Liria nuk është zgjidhje arbitrare por e drejtë hyjnore nga ku buron forca e madhe transformuese e zhvillimore”. Në këtë kontekst, të gjithë ata politikanë, biznesmenë e zyrtarë që kanë shkelur ligjet e urbanistikës dhe të ndërtimit, si dhe ata që kanë heshtur përballë këtyre shkeljeve duhet të kuptojnë se tashmë ata janë të identifikuar dhe të denoncuar si shkaktarët dhe përgjegjësit kryesor për viktimat dhe dëmet materiale. Për këta njerëz, rruga e përballjes ligjore me fajësinë e tyre është mundësia e vetme për t’u çliruar nga frika dhe turpi i përjetshëm.

Shkrimtari i mirënjohur Orhan Pambuk (2006), tek libri me titull “Unë jam e kuqja”, me të cilin mori edhe çmimin Nobel ka shkruar që: “aty ku nuk ndëshkohet krimi dhe padrejtësia,, nuk ka as qetësi dhe as zhvillim”. Në po këtë libër, ai sjell në kujtesë edhe një fjalë të urtë të Stambollit, e cila përdorej sa herë që sëmurej shteti dhe populli nga padrejtësia, korrupsioni dhe varfëria, e që thotë: “Ikim sa nuk na kanë glasitur pulat”. Është hipokrizi dhe fyerje e rëndë ndajë viktimave dhe ndajë vetë ekzistencës së shtetit kapardisja dhe shfaqja në vatrat e krimit dhe ekranet e televizioneve e atyre hajdutëve dhe halabakëve të politikës dhe administratës që kanë dhënë lejet korruptive për trojet në tokat torfike dhe mbi llucat argjilore, apo për ata që kanë dhënë lejet për shtesat e kateve mbi themelet e paqëndrueshme, apo të atyre që kanë bërë ligjet korruptive të legalizimeve dhe të shtesave të kateve mbi muret e amortizuara etj.

  • Tërmeti i 26 Nëntorit dhe disa mësime shumë të vyera

Përveç anës së zezë e të dhimbshme që ka të bëjë me viktimat dhe dëmet materiale, mendoj se duhet parë edhe ana tjetër e tërmetit, ajo e përvojës dhe mësimeve të vyera. Nga pikëpamja filozofike, e keqja nuk nuk mund të ekzistojë pa të mirën dhe anasjelltas. Në këtë kontekst, Epikuri thoshte: “E keqja është plotësimi i së mirës, sepse pa të keqen e mira nuk do të kishte kuptim”. Në këtë këndvështrim, edhe tek tërmeti i 26 Nëntorit, duhet të lexohen mësimet e dobishme të këtij tërmeti denoncues sikurse po i trajtojmë disa prej tyre.

Së pari, Shqipëria nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë më më si më parë. Bashkë me tërmetin e 26 Nëntorit duket që është mbyllur edhe epoka e errët dhe e gjatë e abuzivizmit, korrupsionit dhe ndërtimeve kaotike e të pasigurta

Së dyti, besojmë që Shqipëria do të çlirohet sa më pare nga hajdutët, nga të korruptuarit dhe nga përbindëshat e ulur mbi kolltukët e pushtetit e që akoma kullojnë lot dhe gjak shqiptarësh të pafajshëm.

Së treti, pas këtij tërmeti denoncues, shteti dhe administrata do ta kenë edhe më të lehtë që të çlirohen sa më parë nga arroganca, ligësia, fiktiviteti, sofizmi dhe të gjitha sjelljet e tjera degraduese e të trashëguara nga diktatura, e që kanë për bazë filozofinë e kapitalizmin anarkik të Marksit, tashmë i provuar si regresiv e shkatërrimtarë për Shqipërinë. Në këtë kontekst, po sjell në vëmendje një thënie të Platonit (427-347 p.e.r), sipas të cilit “Njeriu nuk mund të arratiset nga vetvetja, njerëzit janë të prirur për t’u kthyer në vendin dhe në kohën e tyre”. Këtë të vërtetë filozofike po e shohim dhe po lexojmë përditë, sa herë që ish zyrtarë e politikanë të korruptuar e në pikëpamjen psikiket të deformuar nga marksizmi anarkik na shfaqën përballë viktimave të tyre dhe në gërmadhat e pallateve dhe banesave të shembura prej babëzisë, injorancës dhe korrupsionit të tyre. Shfaqja e tyre është tersllëku, shëmtia, fyerja dhe dhimbja jonë më e madhe.

Së katërti, Shqipëria ka nevojë dhe shpreson për një amnisti të shpejtë dhe sa më të gjerë, nga ku do të liroheshin shumë njerëz të varfër, mbase edhe të pafajshëm por që janë dënuar nga një sistem i korruptuar i kleptokratëve dhe kakistokratëve që dominuan shtetin dhe administratën e këtyre 30 viteve. Në vendin e tyre duhet të shkojnë zyrtarët dhe politikanët e korruptuar. Duhet të shkojnë ata që kanë firmosur (kuptohet pasi kanë marrë paratë) për trojet dhe lejet e ndërtimit, ata që kanë firmosur për cilësinë e dobët të punimeve, ata që kanë mbyllur sytë përpara shtimit dhe legalizimit kuturu të kateve, ata që kanë iniciuar ligjet dhe VKM-të korruptive e kaotike të ndryshimit të destinacionit të tokës bujqësore në troje ndërtimi, ata që kanë degraduar institucionet shkencore dhe institucionet e tjera të sigurisë, etj. Fytyrat dhe duart e tyre të pista e të gjakosura nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojnë më as nëpër ekranet e televizioneve dhe as nëpër zyrat e shtetit. Gjykimi dhe izolimi ligjor dhe demokratik i tyre është shërbimi më i madh që mund t’i behët Shqipërisë. Në këtë mënyrë duhet lexuar e kuptuar edhe tërmeti që sot është denoncuesi më i madh i teprisë me korrupsionin, hajdutërinë dhe demontimin e shtetit ligjor.

  • Anarkia marksiste dhe nevoja për një zhvillim të qëndrueshëm.

Shqipëria ka nevojë për politika, reforma dhe ligje që sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm e demokratik, përkundrejt anarkisë marksiste që në vite e dekada me radhë ka dominuar e shkatërruar të gjitha institucionet dhe jetën tonë shoqërore, ekonomike e politike. Nga këndvështrimi filozofik, zhvillim i qëndrueshëm do të thotë zhvillim harmonik, ku çdo gjë e ku gjithkush është në vendin e duhur. Ndryshe ndodh në Shqipëri dhe kudo ku ka funksionuar dhe funksionin anarkia marksiste. Sipas Marksit (1818-1883), kapitalizmi është anarkia që drejtohet me ligje njerëzore e që lëvizja e klasës punëtore dhe çdo gjë tjetër iniciohet dhe komandohet nga lartë. Në këtë mënyrë, gjatë anarkisë së gjatë marksiste të Shqipërisë, as populli, as njerëzit e bazës, as specialistët, as institutet shkencore, as universitetet, as akademia, as pronarët, etj, nuk u pyetën asnjëherë dhe për asgjë. Nga lartë u imponuan dhe u zbatuan reformat dhe ligjet e njohura kaotike e korruptive të urbanistikës, të tokës, të bujqësisë, të drejtësisë, etj, e që sollën katastrofat e njohura në urbanistikë, në ndërtimtari, në bujqësi, në arsim, në drejtësi, në ndarjen territoriale, etj. Atje ku gjallon anarkia marksiste, hajdutët, kriminelët dhe të korruptuarit nuk ndëshkohen, përkundrazi jetojnë në simbiozë me pushtetin e krimit dhe korrupsionit të tyre. Në anarkinë marksiste, nuk ekziston më as vota, as të drejtat e tjera të njeriut, madje as morali dhe as mendimi shkencor. Kujtoj faktin që në filozofinë e Karl Marksit (1819-1888), thuhet që çdo gjë është mall që mund të shitet e blihet, dhe se ata që nuk zotërojnë mjetet e prodhimit, nuk kanë asnjë vlerë dhe as mundësi. Nga anarkia marksiste, Shqipëria është sfilitur, është shkatërruar e po varfërohet dhe shpopullohet frikshëm.

  • Zgjidhja sipas filozofisë së Karl Marksit dhe Emanuel Kantit

Tërmeti denoncues i 26 Nëntorit e ka zbuluar fytyrën e vërtetë të politikës dhe shtetit të kapur. Nevojat imediate për zgjidhje nuk mund të adresohen dhe as që mund të gjenden tek anarkia marksiste dhe as tek filozofia e revolucioneve të Marksit. Në të tilla situata ekonomike, politike e shoqërore, zgjidhjet e pranueshme, progresive e demokratike mund të kërkohen tek filozofia gjermane e Emanuel Kantit (1724-1804), sipas të cilit duhet të kërkohet prishja e kontratës së qeverisjes me të gjithë ata që abuzojnë, mashtrojnë, korruptohen dhe nuk dëgjojnë.