Përse studentët duhet të kërkojnë arsim publik falas

661
Sigal

Nga Dylejman KARAJ

Të gjithëve ju kujtohet se si në seancën Parlamentare të muajit Korrik 2015, në fund të miratimit me nxitim dhe ngutje të pakuptimtë të Ligjit Nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor …” , ministrja Lindita Nikolla e toku dorën me tutorin e saj Kryeministër sipas stilit “Qe palla”, d.m.th., ligjin e miratuam! Ia hodhëm “deleve “ edhe kësaj here, ishte mesazhi i kësaj hareja qeveritare. Pra, një ligj i hartuar dhe i miratuar me shpejtësi rrufe, fliste për kohë të këqija dhe për punë të pista, në auditorët e arsimit tonë të lartë. Një ndër nenet që nxjerr zbuluar korrupsionin dhe vjedhjen galopante në zyrat e dekanëve dhe profesorëve me shkollë të mesme, është Neni 15 i Ligjit 80/2015 {Bordi i Akreditimit} Ndër të tjera në pikën 6) të nenit 15 sanksionohet se: Pika 6 ) Emërimi dhe shkarkimi i Kryetarit dhe anëtarëve të Bordit të Akreditimit bëhet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrisë përgjegjëse për arsimin. Pika 7) Organizimi dhe funksionimi i Bordit të Akreditimit, si dhe masa e shpërblimit të kryetarit dhe anëtarëve të tij përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Mjaftojnë vetëm këto dy pika, të këtij neni, për të kuptuar të gjithë varësinë politike dhe aspak të pavarur të Bordeve të Akreditimit, nëpër të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë. Nga ky ligj buron varësia politike,vjedhja e fondeve publike me bekimin e ministrisë së Arsimit dhe të tutorit te saj “shkëlqesisë së Tij” zotit Kryeministër.

Së dyti, ka një fakt të provuar dhe të ditur nga të gjitha familjet shqiptare, nga të gjitha bizneset e vogla, të mesme e të mëdha se që prej vitit 2015, në çdo faturë të ujit të pijshëm dhe të energjisë elektrike paguhet taksa për arsimin në një vlerë të lartë në raport me të ardhurat mesatare të një familjeje shqiptare. Pyetja është e thjeshtë . Vallë për cilët oligarkë dhe për çfarë orgjish, shkojnë këto taksa të përmuajshme, të cilat paguhen rregullisht nga familjet e varfra shqiptare? Vetëm prej këtij fakti është legjitime kërkesa e studentët në protestë, dhe familjet shqiptare duhet të kërkojnë me çdo çmim nga qeveria aktuale dhe çdo qeveri tjetër pas kësaj: Arsim publik falas për të gjithë. Studentët e Shqipërisë së vitit 2019-2020, mund dhe duhet të paguajnë vetëm një çmim simbolik për fjetje dhe ushqim, kur ata jetojnë nëpër konvikte dhe asnjë çmim për të marrë dije dhe kulturë në auditorët e Universiteteve publike. Në fjalë të fundit për çfare i paguajnë taksat për arsimin, te gjitha familjet dhe të gjitha bizneset në Shqipëri?