Prof. Dr. Bajram Hysa: Funerali i “Rilindjes”

738
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Një atmosferë  mortore, me sharje e fyerje për opozitën, mbizotëroi mbrëmë në sheshin ‘Skënderbej’, ku PS nisi fushatën zgjedhore. Kandidatët u munduan, të gjorët, t’i thurnin lavde kryeministrit, duke i folur monumentit të Skëndërbeut që të dëgjonte “udhëheqësi”, që ndriçonte në gjysmëerrësirën e Sheshit, si një Far i venitur që ndriçon rrugën për në Moskë, Pekin apo Ankara, por kurrsesi për në Evropë . Si pasojë e një mbingarkese të tejskajshme nga mitingu madhështor i PD-së, i nervozuar, Rama e quajtur opozitën si një “shportë karavidhesh”. Ai nuk harroi të recitonte në jerm, i bërë qull në djersë nga ai central energjie që vinte nga sheshi Nënë Tereza, se “më të mirë se ne nuk ka”, duke u mburrur me projektet 3D dhe me ca vaksina të pacertifikuara kineze e ruse. Por nervozizmi i vërtetë i Ramës buron nga sondazhet parazgjedhore, që e nxjerrin opozitën fituese dhe me shanse më të mëdha për të krijuar qeverinë e re pas zgjedhjeve . “Kryerilindasi”, apo socialisti i vonuar, i kapardisur me logon e vjetër të saponxjerrë nga bodrumi i selisë, nuk përmbahet dot, aq sa i turret edhe Brukselit, se “po fut hundët” në zgjedhje!

Sipas psikiatërve, nervozizmi është një shenjë e nënvlerësuar dhe pak e njohur e depresionit. Përfytyroni një njeri me depresion të rëndë. Në mendje me siguri ju vjen një njeri me humor të ulur dhe me pak energji që lufton çdo ditë me veten. Kjo është piktura më e shpeshtë që përfytyrohet për njerëzit që luftojnë me depresionin. Një ndër format e tjera, në të cilën mund të shfaqet depresioni është zemërimi i pakontrolluar. Ndaj shau opozitën mbarë e prapë, me një fjalor oriental.

Krejt i kundërt ishte mesazhi i Lulzim Bashës. Apeli elektoral i tij për t’i dhënë fund tranzicionit shqiptar dhe për hapjen e  një faqeje të re të historisë moderne dhe evropiane të Shqipërisë. Opozita e ka të qartë se Shqipëria po kërkon vetveten; të ardhmen e ka në duart e veta, për të frenuar shpopullimin dhe varfërinë, për t’i dhënë fund zhvatjes dhe aferave me pasuritë e shqiptarëve, për të ringjallur besimin te demokracia dhe shpresa e integrimit evropian, e vrarë për 8 vite nga një monstër politike. PD dhe opozita e bashkuar do t’i fitojë këto zgjedhje për të ndërtuar një realitet progresiv, duke guxuar për të hyrë në një rrugë të re, për të dalë nga izolimi dhe për t’iu përafruar politikës evropiane. Vonesat dhe ndërlikimet, duke synuar mandate absurde me vota të vjedhura dhe me mashtrime, do shtonte zhgënjimet, do të vriste shpresën. Zgjedhjet e 25 prillit janë ora e fatit, shansi i vetëm për shpëtimin e vendit. Qytetarët, në zgrip të mbijetesës, nëpërmjet përfaqësuesve të vet të zgjedhur nga radhët e opozitës, do të jenë në gjendje të ndjekin dhe të ndihmojnë zhvillimin e institucioneve, për t’i dhënë fund sistemit kleptokratik të fyerjeve, favorizimit dhe poshtërimit. Rama e ka ndier solidaritetin e prekshëm të qytetarëve me opozitën në rrugën e saj të fitores, ndaj u shpërfytyrua në sheshin Skënderbej, që ngjante si funerali i Rilindjes.