Për cilën demokraci po luftojmë?

294

Prof. Dr. Zamira Çavo

Në fillim të viteve 90’ të entuziazmuar nga ideja e demokracisë u rreshtuam të gjithë në një front për ta zëvendësuar sistemin me fjalën e madhe Demokraci. Disa dhanë edhe jetën. Të tjerë e rrezikuan atë. Por mbi një çerek shekulli nën të ashtuquajturën “demokraci” si rezulton ky sistem? Pa asnjë mëdyshje, më i mirë se çdo sistem që ka përjetuar Shqipëria e varfër deri në palcë, sepse të paktën po u mëson njerëzve disa të vërteta që ata me siguri nuk do donin t’i dëgjonin. Kjo është një ndër vlerat e mëdha të këtij sistemi. Çfarë kuptojmë me demokraci? Sipas të gjithë fjalorëve të botës, Demokracia është një sistem qeverisjeje që bazohet në sovranitetin e popullit dhe garanton pjesëmarrje dhe barazi të çdo qytetari në qeverisjen publike. Pas më se një çerek shekulli si paraqitet “demokracia” te shqiptarët?

  • Çfarë ka populli në dorë? Qeverisjen? Sigurisht jo. Në këtë demokraci sundojnë prej gati 30 vitesh vetëm “elita”, të cilat vetëm ndryshojnë vendet në varësi nga mashtrimi që i bëjnë popullit! Pra, populli nuk ka asgjë në dorë, madje as votën, të cilën për shkak të varfërisë, mungesës së kulturës demokratike dhe nivelit arsimor, ia shet pa mëdyshje atij që ofron më shumë. Ndërsa “elitat” vetëm mashtrojnë gjatë gjithë fushatës, duke u premtuar parajsën njerëzve, të cilët nën trysninë e injorancës së tyre vazhdojnë t’i besojnë, edhe pse janë zhgënjyer në të gjitha rastet. Pra, sistemi nuk është demokratik por sistem elitar!
  • Qeverisjet nuk janë më të përgjegjshme përballë elektorateve të tyre. Nën pretendimin e qeverisjes me “specialistë” sot kemi gjithnjë e më shumë qeveri teknike e teknokratësh, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me demokracinë, përkundrazi vijnë në kundërshtim me të. Këto lloj qeverish që kemi hequr mbi kurriz, propozojnë ligje që u shkojnë për shtat klaneve dhe interesave klanore. Madje tani me ato të famshmet platforma digjitale që ia errin edhe më shumë sytë njerëzve, e kanë bërë qeverisjen kilometra larg popullit. Qeveritë e teknokratëve janë shumë larg qeverisjes demokratike. Ndërkohë, ne vazhdojmë të kërkojmë qeveri teknike për të zgjidhur hallet tona.
  • Demokracia është pluralizëm idesh, vlerash dhe, sigurisht, edhe partish politike. Kjo do të thotë që respektimi i ideve të ndryshme është përparësi ashtu sikundër nuk mund të presësh që një parti të shprehë interesat e të gjithëve. Por ama një parti ka detyrimin që grupimin që përfaqëson ta përfaqësojë me dinjitet dhe fuqi. Në fakt, e keqja e madhe në Shqipëri janë partitë politike që janë shndërruar në klube klanesh dhe interesash të ngushta. Këto parti bien dakord mes tyre vetëm për një gjë: Kush do ta qeverisë vendin në mandatin pasardhës! E çfarë mund të presësh nga ky lloj pluralizmi?
  • Demokraci do të thotë që çdo individ të marrë pjesë në qeverisje me mendimin dhe pjesëmarrjen e tij. Kjo natyrisht kërkon një kulturë demokratike. Por çfarë kulture demokratike kemi ne si popull kur rreshtohemi si ushtarë pas një lideri dhe nuk luajmë nga llogoret, madje jemi gati të japim edhe jetën për të vendosur se cili maskara do na qeverisë?

Me pak fjalë, kjo është Demokracia për të cilën ne menduam të luftonim e luftojmë. E dini se çfarë ndryshimi ka nga sistemi i mëparshëm? Ndryshimi i parë dhe kryesor është “Fjala e lirë” sigurisht, por ç’mund të bëjë unë me fjalën e lirë? As jetën time nuk e ndryshoj dot, jo më vendin. Plus që ndonjëherë kjo liri fjale të merr në qafë në një popull që është mësuar t’u thuash vetëm gënjeshtra! Sa për qeverisjen, dje kishim një diktator, të cilit i këndonim këngë, sot kemi disa të tillë që sërish iu këndojmë këngë!

E për sa kohë që ne e quajmë një sistem të tillë, DEMOKRACI, unë nuk do jem kurrë në anën tuaj!