Një lajm i hidhur për ushtarakë e civilë

590

Ismet Isufi

U ndodha i befasuar nga lajmi i papritur e shumë i hidhur, për ndarjen nga jeta të eprorit, shokut, mikut e bashkëpunëtorit tonë, ushtarakut të kalibrit më të lartë të Ushtrisë, Kiço Mustaqi, birit të shquar të Pecës së Delvinës, por dhe i gjithë Shqipërisë e Kombit shqiptar. Me një karrierë ushtarake brilante, nga komandant toge, në pedagog, e pastaj komandues në reparte e pastaj në njësi të mëdha Brigade e Korpuse, me tej në disa funksione të larta Drejtor në ministrinë e Mbrojtjes , për 9 vjet Shefi Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, dhe gati një vit Ministër i Mbrojtjes, pikërisht në vitet 1990-1991, në kohën e trazirave në vend, e sidomos të ngjarjeve të shkurtit 1991 në Shkollën e Bashkuar “Enver Hoxha”. Jo vetëm unë por të gjithë ata që kanë punuar e jetuar së bashku me Kiçon, kanë ç’të kujtojnë e tregojnë për cilësitë e virtytet e larta që e karakterizonin atë në punë e në jetë. I thjeshtë, i pastër, pa vese, i ndershëm, i drejtpërdrejtë, kërkues, rigoroz,korrekt. Përherë stoik i rrallë në bindjet dhe qëndrimet e tij. Besnikëria, përkushtimi e devotshmëria e lartë në kryerjen e çdo detyre, do ta karakterizonin që nga më e thjeshta e deri tek ajo e Ministrit të Mbrojtjes. Ai i takon asaj plejade të shkëlqyer të ushtrisë, pas asaj të Epopesë së Madhe të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, që kontribuan aq shumë në Modernizimin e gjithanshëm të Ushtrisë sonë Popullore, në përgatitjen cilësisht të kuadrove dhe gjithë efektivave, në punën e palodhur, për ta edukuar e mbrujtur Ushtrinë me idealin e lartë si Ushtri e Popullit, mbrojtëse e sigurt e Atdheut. Kiçua, bashkë me kolegët, ka lënë gjurmë të pashlyera në mbarë kuadrot dhe efektivat e ushtrisë, kryesisht në zhvillimin e stërvitjeve treguese, model, të vogla e të mëdha, në çdo njësi, e sidomos në kryeqytet, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të udhëheqjes së lartë të Partisë e të Shtetit të kohës. Për merita të veçanta u vendos në krye të Shtabit të Përgjithshëm në kohë të turbullt e të vështirë që kalonte vendi e ushtria, pas viteve ’80 dhe punoi me përkushtim që përgatitja dhe gatishmëria e Ushtrisë dhe aftësia mbrojtëse e vendit, të mos prekej e dëmtohej, por të ecte në rrugën e përparimit. Dhe ia arriti këtij qëllimi, falë edhe përkushtimit të armatës së madhe të kuadrove të ushtrisë e pa lënë mënjanë atyre në terren,që ishin në këmbë, kur qe fjala për Mbrojtjen e Atdheut. Edhe më e vështirë ka qenë situata, kur Ai u emërua ministër i Mbrojtjes, pasi vepronin nen rrogoz e nuk kishin dalë haptazi falangat e shkatërrimit të ushtrisë e të vendit, që e nisën me shkatërrime, me dhunim bustesh e lapidarësh, e deri provokacione të pashembullta në rrethim e izolim të Shkollave Ushtarake, e sidomos të Shkollës së Lartë të Bashkuar “Enver Hoxha”. Falë devotshmërisë, vendosmërisë, aftësisë politike e profesionale, Kiço Mustaqi, së bashku me kuadrot udhëheqëse të ministrisë dhe komandave të shkollave ushtarake, bëri që këto provokacione të dështojnë me turp, dhe të mos përlyhet jo më nderi e dinjiteti i shkollave ushtarake, i kuadrove dhe studenteve, por as i Ushtrisë dhe i kuadrove të saj. Ai përballoi me sukses provokacionet e ish Komandantit të FA, Ramiz Alia, në gjullurdinë e pas viteve 90, për të denigruar ushtrinë, për ta përdorur atë si mish për top, e për ta shkatërruar atë, siç ndodhi më vonë. Dhe pikërisht, për mosrealizim të synimeve të tyre, klika sunduese antishqiptare që do të vine të fuqi, do ta dënonte në mungesë ish ministrin e asaj kohe Kiço Mustaqi, me 5 vjet heqje lirinë. Janë të paprincipta, keqdashëse e deri armiqësore të gjitha akuzat që u përhapën atë kohë e më pas, për ta përfshirë Kiço Mustaqin si puçist e agjent të grekëve. Ai nuk iu nënshtrua asnjëherë as tradhtisë, as spiunazhit të huaj, dhe as persekutimit të klikës sunduese të pas viteve ’90. Përkundrazi edhe në kohë të vështira e plotë peripeci e me rrezikshmëri të lartë, tregoi pjekuri, guxim e vendosmëri mbresëlënëse, për dështimin e plote e turp te këtyre akuzave. Në të gjitha funksionet e detyrat e larta si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, si deputet i Kuvendit Popullor,si Ministër i Mbrojtjes dhe anëtar i Byrosë Politike të KQ tê PPSH -së, Gjeneral Kiço Mustaqi ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Kiço Mustaqi në jetë të jetëve, deri në momentet e frymës së fundit, ai ishte e mbeti besnik i idealeve të larta Ushtrisë, të idealit në shërbim të Popullit dhe të Atdheut. Ne, ushtarakët dhe civilë, nga mbarë Shqipëria, e tej saj, përulemi me respekt e mirënjohje përpara Emrit dhe Veprimtarisë së ndritur të eprorit, shokut, mikut e bashkëpunëtorit tone, Kiço Mustaqi, të cilat janë ngulitur thellë ne mendjen dhe zemrat e gjithë Ushtarakeve, të Miqve, dhe atyre të Shoqërisë Civile, me të cilët ai jetoi e punoi dhe që i deshi dhe i respektoi shumë. U prehtë i qete dhe paste mbi vete Dheun e Lehtë! Lamtumirë i shtrenjti Epror, Shoku e Bashkëpunëtori ynë i ngushtë, KIÇO! I përjetshëm Kujtimi i të paharruarit Kiço Mustaqi!