“Lum ti, që e përcolle mëmën me këngë!”…

258

Pse tha Zeno Saraçi, “Lum ti, që e përcolle mëmën me këngë!”…

Kristo MËRTIRI

Pas 3 dekadave, ishte i pari “8 Mars” që nuk telefonova në Lushnjë. Trishtimi pikëllues e kishte mbytur urimin tim të përvitshëm. Zeno Saraçi (Guçe), një grua labe e rrallë në Myzeqe, ka mbyllur sytë përgjithmonë. Vendalinjtë e përcollën si bijën e tyre të dashur, të veçantë e zemërbehar, që u shërbeu një jetë të tërë me shpirt të kulluar e mendjendriçuar. Punëtore e bujare si ajo! Kur dëgjoja mjaft lushnjarë që e thërrisnin “profesore”, ishin ditët e para të punës time si korrespondent profesionist, pasi kisha lënë prapa jo pa drithërimë rrethet Përmet, Tepelenë, Gjirokastër e Sarandë. Pse ta fsheh, përmes vetmisë, mërzitjes e zhgënjimit njerëzor nga një transferim mafioz, hipokrit e i fëlliqur, kurdisur në kulisat e metropolit (I katërti, me familje e me një kokosh plaçka në shpinë), duhet të paguaja ende, të duroja “siç duron mali dëborën” koston e kaluarit të imponuar në Gazetari nga disa tipa e prototipa të neveritshëm me kolltukë drejtuese të falura nga maja e “Olimpit”. Moralshitës me okë, që vetë nuk provuan kurrë asnjë lloj transferimi në rrethe dhe firmosnin e vulosnin pa iu dridhur qerpiku për fatet e të tjerëve! Ishin gati “ta bënin hardhinë murriz” apo ta përkthenin ligësinë si sapun mbi gunën e kësaj bote të kokolepsur, siç i përcaktonte aq bukur e saktë Zenua jonë e paharruar. Madje, dinte t’u qepte aty për aty edhe bejte të mprehta humoristike jo dosido, plot kripë a piper Labërie, që herë-herë ngjanin me shkumëzimin e bardhë të Gurrës së Picarit në Gjirokastër. Një ilaç qetësues real e njerëzor. I ndrittë shpirti atje ku prehet në paqe me veten e të tjerët! Kush e ka njohur nga afër prej të gjallëve në Myzeqe, me siguri do më mirëkuptojë menjëherë…

Sepse Nënat kanë qenë, janë e do të mbeten përjetësisht burim i pashterur frymëzimi e meditimi, dhembshurie pa anë e fund. Pas arratisë e mërgimit të detyruar ekonomik e politik në dhera të huaj, po i tregoja një episod plagëpambyllur ende e gati të pabesueshëm, tronditës. Mos e provoftë askush në jetë! (Episod që po e rrëfej për herë të parë publikisht).

“…Po trokiste 28 Nëntori, mbi 20 vite më parë. Në emigracion, ajo datë ka një peshë reale të shumëfishtë atdhetarie për çdo shqiptar që ka lënë trojet e veta stërgjyshore, nënën, babanë, motrën, vëllanë, gruan e fëmijët, shtëpitë me oxhakët pa tym… Mjaft prej tyre heqin rrobat e punës sfilitëse, vishen si për festë jo të zakonshme dhe marrin udhët për te shtëpia e vetme e përbashkët: Në rezidencat diplomatike e konsullore, ku prushëron Dita e Pavarësisë Kombëtare. Dita e Flamurit Kuq e Zi! Në Ambasadën tonë në Athinë kam ndjerë nga afër emocione refugjatësh të vuajtur, urime, përqafime dhe sy të përlotur. Por edhe shpërthime të natyrshme me këngë popullore krahinore. Shpërthime malli e dëshpërimi:

“Përmes detit të trishtimit

Nuk më hyn në sy Egjeu

Vesojn’ retë a sytë e mi ?

Fatgremisur buzë Pireut !

Përmes detit të kurbetit

Pikë-pikë pikëllimi,

S’mbin një fije bar te Nëna,

Po s’u ktheva nga mërgimi…”

Grupit të vogël lab, befas iu bashkuan djem e vajza të reja, gra e burra të dërmuar nga ikja biblike prej vatrave hallemëdha në fshatra e qytete. Po vinte mesnata. Unë kisha shumë kohë pa vënë këngë në buzë. Dhe nuk prita më tej:

“Ku më le mua të zinë

Lart e poshtë nëpër Athinë,

Jeta ime rrokullimë

Më ka marrë brinjë më brinjë…”

Më mbuluan përqafimet dhe urimet e bashkëvuajtësve zëdridhur. Shumica e tyre më dëgjonin për herë të parë, bashkë me diplomatët e pranishëm. Mbeti një nga netët e rralla ku kam kënduar aq shumë me gjongul e zjarr të papërsëritshëm. Por…ku ta dija vallë se atë natë Nëna ime në Tiranë po jepte shpirt e po ikte në atë botë me sytë nga dera e larë në lot kur mora arratinë, atje, në rrugën “Myslym Shyri”! Dhe kujtoj sot e gjithë ditën fytyrën e saj engjëllore, buzëqeshjen dhe një refren-porosi të saj: “Kur të iki unë, o bir, merrjani këngës! Boll u helmova…”. Mirëpo, kur mbarova këtë rrëfim, heshtja na pushtoi të dyve pak çaste. Zeno Saraçit i qenë mbledhur rrudhat në ballë, më kërkoi për herë të parë një cigare dhe e grisi shpejt heshtjen:

-Kristo, dëgjoje pak motrën, lum ti që e përcolle mëmën me këngë! Ngrije kokën e mos u ligështo kurrë. Kjo palo dynja i ka nën lëkurë të gjitha, të mirat e të këqijat…

Kaq tha ajo grua e fortë, me një zgjuarsi natyrale e karakter stralli. Në zemër të Myzeqesë erdhi nuse e re dhe bëri emër aq të respektuar. Po kështu Magripi, bashkëshorti shofer veteran që tani sikur i priten gjunjët e nuk del dot vetëm nëpër qytetin e Lushnjës. Iu pre “krahu” i djathtë. Kur po hynte me kuje e ulërimë fillimviti i zi ’97 dhe shteti i “Sudes” po shkërmoqej mbi kurrizin e popullit fukara; kur sapo isha dënuar nga Gjykatat ushtare, militante e mujshare të “plepave” se përse lejova të botohej shkrimi i një bashkëpunëtori në gazetën “Kombi”; kur befasisht e pabesisht e pashë veten të flakur në rrugë pa shtëpi e katandi pas 5 vjetësh papunësie e tiranie të pashoqe në media e gjetkë, labja e rrallë Zeno Saraçi (Guce) kishte nisur me furgon Veipin për në Tiranë. Bashkë me një dhuratë simbolike në vend të një urimi prej nëne e motre të madhe që “të gëzoja një natë me fëmijët” (Dërgoi djalin e madh Veip, mikun tim të veçantë, ish-tipografin mjeshtër që dikur i këndonin shkronjat shqipe në plumb e në duar në shtypshkronjën e rrethit, sot biznesmen serioz, i talentuar e dinjitoz). Ndërsa Ermali ynë i sapokthyer me pushime nga një universitet Amerikan i Kalifornisë (fituar me konkurs), pas një kalvari të pamerituar strehimi e udhëtimi me mjete rrangallë transporti e fare pranë një aksidenti të tmerrshëm (kur moshatarë të tij, fëmijë politikanësh që nuk i vrau kurrë këpuca, vinin e shkonin me bursa të posaçme e avionë të “prenotuar”), ai djalë kërkonte zemërdridhur çatinë prindërore të përpirë nga kuçedrat e shtetit amë rrumpallë! Por…as ne, as Veipi e as Ermali nuk e hapën më atë derë tatëpjete e fatkeqe. Arratia po trokiste egërsisht orë e çast. “Veçse rruga për te miqtë e zemrës nuk është kurrë e gjatë e as tërkuzë, në gëzime e hidhërime…Ja, ç’u kam thënë shpesh Veipit, Tanës e Nanit, një llaf me jastëk nga mençuria e moçme edhe për nuset Leta e Eli dhe për nipat e mbesat Valbona, Renato, Onezë, Fation e Orkida: “Mos u bëni të mirë sa t’u lëpijnë dhe as të prapë sa t’u pështyjnë!…”. Postulate që nuk harrohen lehtë.

Se Nënat janë e mbeten thesar i pazëvendësueshëm. Isha me fat që njoha mirë këtë familje të mrekullueshme. “Doni të dëgjoni a këndoni labçe bio, shkoni te Zeno e Magrip Saraçi!”. Një këshillë jo vetëm nga qytetarët lushnjarë. Atje u njoha edhe me simotrën e saj gjirokastrite, Evgjeninë fatkorbë, që i kishte ikur përgjithmonë një nga sytë e ballit, Besnik bukuria, student ushtarak i shkëlqyer e bilbil i motiveve popullore të Labërisë. Është një nga 11 yjet e këputur nën ortekun që skuqi e nxiu dëborën e Fekenit prapa Dajtit!…Po te ajo vatër e ngrohtë, njoha picariotin që “hante bukë veç”, Zenel Guçen, burrërorin e përkushtuar dekada të tëra në çdo fshat myzeqar. Njeriu që ia hidhte këngës e mbante ison gjyryk në zijafete, shoqëri e miqësi. Kushëririn me halle shumë e zemërmadh, Zenua e qau me lot e ligje…Kjo mbesë Dëshmori (një muaj para se të ikte papritur e pa kujtuar në duart e Veipit) shkoi në Gjirokastër. Të nesërmen ishte 5 Maji! Populli kujtonte të rënët për një Botë të Re, për Lirinë e Demokracinë e vërtetë. Gjirokastritët hidhnin sytë me admirim edhe te kjo grua e “panjohur”, e thyer në moshë e nga të vetmet që kish mbushur të dy krahët me lule pranvere. Në hyrje të Varrezave që kundërmojnë trëndafil e manxuranë, u ul ngadalë te Gjyshi dhe diçka foli me veten. I puthi pllakën e mermertë te koka dhe vazhdoi e qetë parakalimin te të tjerët. Lexonte emrat dhe te disa ndalonte. U hidhte lule të pa shkarkuara ende nga vesa e majit: Nderonte një për një çdo Dëshmor nga Picari i saj i shenjtë!

…Në varrimin jo të zakonshëm në Lushnjë, dikush i ardhur nga larg e tha bukur: -Sot më të gdhirë edhe Gurra e Picarit m’u duk se u bë krua! Ndërsa mbesën Onezë që po mbaronte studimet e larta në Tiranë, nuk po e mbante dot vendi, rënkimi e dhimbja në kraharor, bashkë me një amanet të patretur të 4 viteve më parë që gjyshja Zeno ia besoi vetëm asaj: Pa u mbyllur banesa e fundit, duhej të lexonte një letër me vargje lamtumire, qëndisur me dorën e Nënës. U drejtohej familjarëve, miqësisë e shoqërisë. Nuk mbeti pjesëmarrës pa u ngashëryer… Kur erdhën e ikën vjeshta e dimri i sivjetmë, mua sikur më therën më fort eshtrat nga reumatizma. Për herë të parë munguan çorapet e papuçet e leshta, tjerrë e punuar nga gruaja vjershëtore labe. Por këngët, rrëfimet dhe këshillat e saj të kulluara do rrojnë, do kujtohen e frymëzojnë gjatë. Bashkë me atë përgjigjen gurgullimë përtej çdo definicioni e emocioni: – Dëgjo motrën, lum ti që e përcolle Mëmën me këngë!…