Novruz Hasko, luftëtari i Brigadës

1643
Sigal

100-vjetori i lindjes së luftëtarit të Brigadës së 7-të Sulmuese, komisarit të batalionit “Riza Cerova” dhe heroit të Tendës së Qypit e çlirimit të Beratit

Novruz Malindi, njeru që kërkoi dhe gjeti atë që ëndërronte

Nga Bashkim Koçi

Sa më shumë e kam njohur fshatin Malind të Skraparit, aq më shumë kam kuptuar e jam bindur se ai, edhe pse është aq i vogël, edhe pse është “sa një pikë gjaku”, siç ka dashur ta krahasojë poeti Xhevahir Spahiu, ka nxjerrë figura të larta, me kontribute goxha të spikatura për kombin në shumë fusha të veprimtarisë njerëzore. Nga Malindi ka qenë patrioti Ali Malindi (Spahiu), i cili drejtoi bashkinë e qytetit të Vlorës për disa vjet (1903-1908), duke lënë aty gjurmë të një veprimtari të shquar për çështjen kombëtare. Po nga Malindi i kanë rrënjët Skënder Malindi, luftëtar dhe ushtarak i karrierës; Teki Malindi, drejtues dhe frymëzues i rrallë që kontribuoi për shumë vite për ngritjen dhe fuqizimin ekonomik të Skraparit; Dule Malindi (Çaushi) një zë i rrallë i këngës polifonike toske dhe, qershia mbi tortë, Xhevahir Spahiu, poeti ynë kombëtar i cili ka lindur dhe ka kaluar vitet e para të fëminisë në Malind.

Nëse u hedhim një vështrim jetëshkrimeve të të gjithë figurave të fshatit Malind që kanë lënë pas histori suksesi ata kanë një gjë të përbashkët: Të gjithë, absolutisht të gjithë, janë të shkolluar, brenda dhe jashtë, që e kanë konsideruar arsimimin “gur themeli” për të ngritur e formatuar bukur “ngrehinën e jetës”. Aty problemi i shkollimit ka qenë parësor. Malindasit nuk kanë kursyer dhe nuk i kanë quajtur kurrë “vite të shkuara dëm” ato që i janë dedikuar arsimimit. Këtë çka po them po e ilustroj me kontributin e një ndër fiseve të këtij fshati, atij të Haskove, i cili vetëm nga bijtë e bijat e tij i ka dedikuar arsimit mbi 250 vjet punë të marra së bashku. Është vërtet për të qëndruar pak e për të marrë frymë thellë për këtë shembull disi të veçantë, të habitshëm, ndoshta të rrallë edhe për gjithë vendin. Tek kjo “ushtri” asrsimdashësish e arsimdhënësish m’u desh të përzgjedh vetëm një, atë që, edhe pse u mor me shumë punë të tjera “anësore”, administrative e partiake, vitet më të “të tijat” i pati në fushën e arsimit, Novruz Malindin.

Novruz Malindi lindi, më 22 mars të vitit 1919 nga prindër të nderuar, Habil (1874-1920) e Qerime Hasko (1891-1976), për të cilët edukimi dhe mirërritja e pesë fëmijëve, një vajzë dhe katër djem. Më i vogli, Novruzi, ashtu si edhe katër të tjerët fëmijë, shkollën fillore e mbaroi aty në fshat, në Malind. Problemi, i cili për familjen u kthye në hall, ishte vijimi i mëtejshëm i shkollës, i 7-vjeçares për të cilën nuk bëhej fjalë të kishte as në Malind e as në fshatrat e tjerë aty rrotull. Por thuhet se, nëse kërkon, mund ta gjesh atë që të duhet. Në qytetin e Beratit në ata vite jetonin me familje disa malindllinj, një prej të cilëve, ajo e Karafil Caushit, e bëri shtëpinë strehë për të miturin Novruz. Ky gjest human, i paimagjinueshëm për kohët e sotme, u bë jo vetëm se ai ishte djalë miku, por edhe sepse, siç e thamë në fillim të këtyre radhëve, në Malind kur bëhej fjalë për shkollimin e fëmijëve, të gjithë, pa përjashtim, hapnin dyer e dritare. Në këtë familje, përveç ngrohtësisë që iu krijua për të bërë jetë normale, si të ishte pranë prindërve të tij, iu krijuan kushtet për të mësuar e për të ndjekur sistematikisht programin mësimor. Rezultatet ishin shumë të mira, ashtu si duhet të ishin ato të një nxënësi të zellshëm në mësime. Novruz Malindi ishte mësuar ta mbante kokën lart, ta shikonte botën drejt e në sy. Ishte nga ata fëmijë që nuk kënaqej me pak. Pra e dinte çfarë donte dhe pse e meritonte. Ndaj menjëherë pas mbarimit të arsimit 7-vjeçar kërkoi të mos krijonte asnjë boshllëk për vijimin normal e pa ndërprerje të formimit të tij nëpërmjet shkollës. Vetëm me kujdesin e familjes, por dhe të njerëzve të tjerë të afërt që e kishin merak të madh për të mos humbur e vajtur dëm një mendje e zgjuar dhe e mprehtë si ajo e Novruz Haskos, u arrit që ai të vijonte shkollën e mesme të përgjithshme në Tiranë, të cilën e mbylli me të gjitha notat shkëlqyeshëm.

Po tani? Kishte marrë informacion që për nxënësit që kishin dalë më rezultate të mira, të shkëlqyera, shteti jepte bursë për të vijuar studimet jashtë vendit. Një nga këto vende ishte Italia ku mund të studioje për degë të ndryshme të bujqësisë. Atëherë për të realizuar këtë ëndërr vuri përpara vëllanë e madh, Hakiun, dhe trokiti aty ku edhe mund të merrje përgjigjen. Kontingjenti i parë u mbyll, u plotësua -i kish sqaruar nëpunësi i ministrisë – por, meqë ti i paskërke notat shumë të mira, interesohu në ditët që vijnë, sepse ka mundësi që të na vijë edhe një kontingjent tjetër shtesë. Me këto fjalë të dy vëllezërit u larguan në pritje për t’iu trokitur fati. Novruzi shkoi në qytetin e Elbasanit dhe filloi punë si shpërndarës gazetash. Thuhet që u bë shpërndarës gazetash me qëllim që të ndiqte çdo ditë, të lexonte e i shfletonte ato të shkreta gazeta faqe më faqe se ndoshta gjente lajmin e shumëpritur për ardhjen e kontingjentit shtesë të studentëve që do të studionin jashtë vendit. Në një nga ditët e fundit të muajit nëntor të vitit 1937 i erdhi sikundër e priste njoftimi, që e kishte parë në një cep të faqes së fundit të gazetës. Lajmëroi menjëherë të vëllanë, ashtu si edhe e kishin lënë, dhe drejt e tek nëpunësi, i cili kishte në dorë fatin e djaloshit skraparli për t’u shkolluar e arsimuar. Morëm dhe një mushkë të ngarkuar me dy kosha rrush, për t’ia dhënë si bakshish nëpunësit, për ta bërë për vete, ka shkruar në kujtimet e tij Novruzi. Përgjigja ishte pozitive por, edhe pse ishte fund nëntori dhe shkollat kishin rreth dy muaj që kishin filluar, ai duhej të nisej me urgjencë për të filluar mësimet në fakultetin e agronomisë të universitetit të Milanos në Itali.

Kurrë nuk është tepër vonë për të qenë ajo që ju mund të ishit. Edhe pse ai i përfundoi studimet në qershor të vitit 1942, fati nuk e dërgoi për të filluar punë, atje ku edhe ai kishte studiuar për katër vjet, për bujqësi, por në një front tjetër, atë të luftës. Është rasti të sjellim faktin se Novruz Malindi fill pas dy muajsh që kishte mbërritur në atdhe, në fillim të gushtit, u arrestua me akuzën e “armëmbajtjes pa leje” dhe e dënuan me dy muaj burg. Pyetja që mund të bëjë lexuesi është: Ç’e lidhte studentin ekselent Novruz Hasko, i porsaardhur nga qyteti i Milanos, të vinte armën në brez dhe në një çast të arrestohej për “armëmbajtje pa leje?” Logjika ta thotë që përgjigja është kjo: Sepse ai e ndjeu dhe e kishte ndarë mendjen për rrezikun e pushtimit fashist, sepse e pa me sy dhe e dëgjoi me vesh që Shqipëria në fakt ishte e pushtuar.