Kush e “paguan” ekstremizmin?

95

Vangjush Saro

 

Është e habitshme se si një antivlerë, në rastin tonë ekstremizmi, po iu kundërvihet haptazi dhe më egërsi vlerave më të spikatura dhe më të shenjta për ne, si komb dhe si popull. Ekstremizmi është një dukuri që jo pak herë e ka bërë të vuajë këtë vend; është si një fantazmë, që nuk na ndahet. Në shumë situata dhe argumente, ekstremizmi ngre krye si një ‘i paguar’ nga interesa dhe zyra që jo gjithmonë janë të emërtuara. Duke sjellë në fokus ngjarje të vjetra dhe të reja, pësime le të themi nga ekstremizmi, me vjen ndërmend një pasazh nga një prozë e I. Kadaresë, që gjatë vizitës në një vend nordik, teksa shikon një kështjellë të mirëmbajtur dhe, duke kujtuar kalatë tona të rrënuara e copë-copë, pyet ciceronin apo shoqëruesin si ishte e mundur që të ish e ruajtur kaq mirë. Dhe tjetri i përgjigjet me thjeshtësi: “Me bisedime.”

Aktualisht, duke mos dalë dot asnjëherë nga ‘pamundësia’ e bisedimeve, shohim shumë përçapje për ta trazuar edhe më këtë hartë mundimesh të pafund. Ekstremizmi po shkelmon vlerat e sistemit demokratik, për të cilin qytetarët e këtij vendi u ngritën masivisht në vitin ‘90; përkatësisht zgjedhjet e lira dhe demokratike. Ato nuk mund të realizohen e quhen të tilla kur opozita është jashtë loje; kur rregullat janë prishur, ndoshta pjesërisht edhe për fajin e saj; kur pushteti përpiqet me të gjitha mjetet dhe, sidomos me propagandë, të ndajë votuesit më dysh, për t’i kthyer ata pas, në dekadat kur e drejta dhe votimi ishin një grotesk. Koha që na ndan nga data ‘e fiksuar’ është e pakët; madje sa vjen, bëhet edhe më kërcënuese. Ky kthim prapa, nuk ka asnjë pajtim me parimet dhe arritjet e deritanishme.

Por në këtë temë, ne kemi ende shumë për të thënë e për t’u trishtuar njëherësh. Për shkak të aferave të një sërë ekstremistëve, për shkak të shitjes shtrenjtë të maskës ‘antikomunist’, ky komb po shkelmon një tjetër vlerë të madhërishme, atë të kontributit në Luftën Antifashiste, kur vendi dhe populli u kërcënuan nga një ndeshje civile, por që mbeti e tillë vetëm në mendjet e kolaboracionistëve historikë dhe në ‘planet’ e errëta të ndjekësve të tyre, biologjikë apo ideologjikë, të kësaj kohe; pothuaj një shekull më pas… Natyrisht, nuk mund ta shlyejë askush – sado i paguar të jetë e sado vrer të ketë – të drejtën e një kombi e të një populli për të mbrojtur dhe pohuar prosperitetin e vet në Luftën e Dytë Botërore, në përfundim të së cilës, rreshtoheshim krah fuqive kryesore të demokracisë perëndimore, si fitues mbi nazifashizmin. Diskutimi në lidhje me rolin e njërit apo tjetrit dhe qasjet e ndryshme me shikim nga çfarë do të vinte më pas, janë një gjë tjetër; dhe është e natyrshme, trajtimi me drejtësi i dukurive dhe vlerës së palëve, kërkon durimin dhe përkushtimin e ekspertëve.

Le të vazhdojmë, për fat të keq, edhe me të tjera përçapje për përçarje e shkelmim vlerash. Ky komb, më mirë ‘baballarët’ e këtij kombi, po shkallmojnë tani edhe një trashëgimi me të vërtetë të pangjashme me kënd, parimin e besimit qytetar, atë të mirëkuptimit midis njerëzve, pavarësisht bindjeve politike dhe besimit fetar, një vlerë që as shekujt nuk e trandën dot… Është e trishtueshme te shikosh se si iu vërsulen qytetarët policëve, pastaj këta të fundit qytetarëve, më tej palët e qytetarëve sipas konceptimit të situatave… njëri-tjetrit. Në këto e sipër, të tjerë njerëz, afër apo larg nesh, politikanë, diplomatë, drejtues shërbimesh, mbajnë shënime dhe raportojnë ‘përparimin’ e çështjes së tyre. Kurse çështja jonë mbetet në vend…

Ekstremistët gjithnjë janë përpjekur të marrin përpara ç’të mundin: arritjet e mëparshme në disa fusha, ndërtimet, filmin, sportet, duke vënë vula politike dhe ideologjike që jo gjithnjë mund të përdoren. Për t’u kthyer edhe njëherë te versioni më i fundit politik i kësaj teme, në rastin konkret ai i zgjedhjeve vendore, pyetjet që shtrohen janë të thjeshta: Pse na imponohet ekstremizmi? Si është e mundur që vende të tjera, kombe të tjera, zhvillojnë referendume dhe qytetarët pyeten gjerësisht për historinë, për kufijtë, për armët, etj., kurse te ne qytetarët duhen vetëm ‘mish për top’, në zgjedhje groteske apo edhe për të prishur zgjedhjet? Po ulemi në një truall të vështirë dhe po pranojmë çfarë ka ardhur e vjen nga pozita gjeografike, nga mungesa e përvojës në demokraci, fundja edhe nga prania e lobeve që përfaqësojnë interesa shumë të gjera, në rang botëror. Por shumë prej këtyre argumenteve, i rrëzon si padashur një dukuri tjetër e trishtë. Kështu, në një mënyrë apo në një tjetër, ekstremistët e këtij kombi po shkatërrojnë – po bëjnë çmos, por vështirë t’ia dalin – gjuhën e vet kombëtare, duke iu kthyer në masë dialekteve, a thua gjendemi në fazën kur këto nuk mund të konvergojnë dhe nuk mund të prodhojnë dot një gjuhë të njehsuar; kurse ajo është miratuar në shkallë mbarëkombëtare shumë dekada më parë. Dhe e pranoi e praktikoi Shqipëria e Kosova. (Është e ulët gërricja e disa fragmenteve ideologjike të Kongresit në fjalë (një tjetër vlerë padyshim) me qëllim që të ngatërrohet gjuha si e tillë me ideologjinë, apo me ndikime të tjera propagandistike të kohës, në çdo rast, pra edhe në këtë rast, ‘hemisfera’ pa shumë lidhje…) Mos vallë edhe në këtë temë… luan rol bota, pozicioni gjeografik, interesat madhore të atij apo këtij shteti gjigant, situata që mund të jetë ashtu edhe kështu?

Jo. Dhe që të mos mbetemi pa një përgjigje disi më të zgjeruar, le të themi se mbase për shumëçka që nuk na shkon mbroth, duhet të kërkojmë në veten tonë, në dobësitë tona si komb, si popull; thjesht e kokëftohtë e (jo kokënxehtë). Dhe po kaq thjesht e (gjakftohtë) kokëftohtë duhet të rikthehemi në bërjen a ribërjen e këtij kombi… Tingëllon si një fjalë e madhe, por realisht vjen si një detyrë ende e papërmbushur. Dhe këtu, nuk është më fjala për politikë, por për teza të tjera, që lënë hapësirë edhe për akademitë, edhe për shoqatat atdhetare, edhe për institucione si referendumi, edhe për vendimmarrjen qytetare, etj., pra fjala është për një proces të vështirë, por të cilit nuk mund t’i shmangemi dhe që, shpresojmë, ndoshta do të prodhojë ndonjë zgjidhje.