Ish-Presidenti Nishani/ Sulmi i kryeministrit të sotëm ndaj personalitetit të Dr. Elez Biberaj është më shumë sesa i turpshëm

437
Sigal

Sulmi i kryeministrit aktual ndaj personalitetit të Dr. Elez Biberaj është më shumë se sa i turpshëm. Kjo së pari, sepse “turpi është ngrënë me bukë e pirë me verë të shtrenjtë” prej shumë kohësh. Por ai artikulim i sforcuar dëshmon modelin tashmë të degraduar të autoritarizmit folklorik të trashëgimisë kutërbuese të kukudhëve bllokmenë, të rritur, ushqyer e indoktrinuar me urrejtjen ndaj “imperializmit”. Këta kukudhë të kompleksuar nga makabriteti i modelit 50-vjeçar, përpiqeshin të ishin më të zhurmshmit dhe ekstravagantët përgjatë kundërrevolucionit duke tentuar madje kompleksimin e viktimave të revolucionit. Sulmi qeveritar ndaj personifikimit të vokacionit perëndimor rreket të shpërvidhet mes perdes tymuese që nuk bën më “derman”. “… një gjuhë për të ardhur keq, me shumë etiketime fyese, të pavërteta të vrazhda…” etiketohet Dr. Biberaj prej kryeministrit aktual! Pikërisht ai që fyen dhe etiketon pa kufi Presidentin e vendit, ai që shantazhon, shan, stigmatizon, me çfarë t’i zërë gjuha opozitën e vendit, ai që gjykon, deformon, përçmon djemtë e vajzat gazetarë, ai që përdhos, qesharakizon, poshtëron qytetarët e pafuqishëm që i mbledh me hall në mexhlisin e artikulimeve të pakontrolluara deri për “gratë e burrave” e për “burrat e grave” të të mjerëve që nuk mbjellin dot më as tokën e tyre. Ky pra i “tërheq veshin”, Dr. Elez Biberajt përmbi etikën dhe vrazhdësinë!!! “…i korruptuar është akuzë e rëndë….a keni prova për këto akuza”, vijon sulmin verbal kreu i qeverisë ndaj Dr. Biberajt!!!

Provat në këto vite qeverisje janë ulëritëse!

  1. KLSH denoncon së fundmi, se vetëm gjatë vitit 2018 është konstatuar një dëm ekonomik në shumën 213.9 miliardë lekë. Po t’i shtosh këtij raporti edhe ato të 5-6 viteve paraardhëse bëhet një shifër e tmerrshme abuzimesh e dëmesh korruptive.
  2. Gjykata Evropiane e Llogarive deklaronte para do kohësh se: “në Shqipëri 30% e të gjitha prokurimeve bëhen pa garë”.
  3. Raporti më i fundit i Departamentit të Shtetit mbi klimën e investimeve te huaja citon: “Raportet për korrupsion në prokurimet publike janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të Partneriteteve Publike dhe Private ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë”.
  4. World Justice Project, një institut ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vendos Shqipërinë në vendin e 103 nga 126 vendet për nivelin e korrupsionit duke e përfshirë atë në listën e 25 vendeve më të korruptuara në botë, me shtete si Nigeria, Moldavia, Ukraina, Venezuela, Pakistani, Afganistani, Bolivia, Meksika etj.
  5. MONEYVAL, organizëm i Këshillit të Evropës, deklaronte në raportin e fundit të saj se, “korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. I lidhur shpesh me aktivitetet e krimit të organizuar”. Skandali më i fundit i superstradës tek Unaza e Re me vlerën 20 milionë euro për një kilometër i vuri kapakun edhe falsifikimit të dokumenteve të institucioneve shtetërore amerikane.

Mund të rendisësh prova të tilla tronditëse pa fund për korrupsionin që veç kryeministri nuk e pranon dot. Një kryeministër i dështuar që stigmatizon një profesionist ekselent të medias duke i deklaruar se; “…unë nuk jam prokuror apo gjykatës dhe s’kam ndërmend ta marr përsipër një rol të tillë,…. e ju s’mund të tregoni dot një rast të vetëm, kur unë apo qeveria ime të kemi ofruar qoftë edhe mbrojtje verbale nga drejtësia për këdoqoftë…”

  • Oficerët e policisë Dritan Zagani dhe Emiljano Nuhu janë aty prova të gjalla të dhunimit të drejtësisë dhe shtetit prej pushtetit.
  • Por ato duken minore krahasuar me dhunën e pushtetit ndaj drejtësisë në hetimin e ish-ministrit të brendshëm tashmë dhe në gjykim për përfshirje në krimin e organizuar. Pengimi ndaj prokurorisë nuk e kishte hallin tek arrestimi i Saimir Tahirit por tek bllokimi i kontrollit të banesës së tij për të mbledhur provat që aq të shumta ishin, sa shpërthyen në qiell në mes të autostradës së Elbasanit.
  • Dosja skandaloze ÇEZ, dosjet 339, 184, koncesionet e Check Up apo taksës tek Rruga Kombit nuk do mundet të mbyllen në sirtar përgjithmonë.

Kryeministri, pasues i denjë i kulturës së “komunikatave të Komitetit Qendror” i hakërrehet një njeriu të rritur mes të lirisë së Perëndimit se; “…ju gaboni krejt kur thoni se shqiptarët duhet të mbështeten tek mediat ndërkombëtare, përfshirë “Zërin e Amerikës”, për mbulimin e çështjeve të ndjeshme…”. Sot, “Zëri i Amerikës”, “DW”, “RAI2”, “ZDF”, “The Guardian”, “Courrier International”, “Washington Times” e shumë të tjera janë bërë zëri kumbues i çdo shqiptari patriot në thirrjet e tyre për veshët e botës së lirë. T’u kërkosh shqiptarëve të zëvendësojnë sot “VOA” me “ERTV” është njësoj si t’u kërkosh atyre, teksa shkojnë për plazh në Drimadhas, të vënë mbi kokë kasketën e ‘dajos biroist’. Shqiptarët besuan tek “Zëri i Amerikës” teksa hodhën në koshin e historisë etërit e bijve, që i grabisin dhe poshtërojnë edhe sot shqiptarët po aq shumë sa ç’tregonte “VOA” për etërit në përmbysjen e parë.