Eliana Hoxha: Mosmirnjohja ndaj sovranit, thelbi i poshtërsisë

419
Sigal

“Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë”- shkruante filozofi gjerman Immanuel Kant te “Kritikë e arsyes së kulluar”

Vendin e parë të mosmirënjohësve për mua personalisht, e zenë shpërdoruesit e besimit të sovranit. Thënë kjo, unë nuk pretendoj arsye dhe aq më pak kritikë apo autokritikë të kulluar nga mosmirënjohës të çertifikuar si ty, absolutisht jo kryelypës! Ti ke dekada që lyp për të qeverisur, e në fakt krejt mosmirënjohës vetëm bën gjoja sikur qeveris për të lypur dhe jo vetëm. Por të më detyrosh të bëhem lypëse, mosmirënjohëse si ty, të më imponohesh të ndjehem borxhlije kur s’kam asnjë faturë të pashlyer, asnjë borxh financiar apo moral, këtë refuzoj me përbuzje t’a gëlltis. Të autorizosh veten për të thënë se nuk je i autorizuar të japësh llogari, informacion, është e papranueshme. Duhet të arsyetosh me fakte, shkresa zyrtare, shifra pse bën lypësin dhe jo kryeministrin. Të më kërkosh miratim jam apo jo dakort të lypësh edhe në emrin tim, kur ende refuzon të shpjegosh pse taksat rriten, shtohen dhe ti konkuron me veten për vendin e parë si lypës. Duhet të më kërkosh autorizim për të autorizuar veten deri këtu. Kjo tejkalon kompetencat e tua jo vetëm si ushtrues i detyrës, privilegjeve që ke uzurpuar, por edhe rregullave të pashkruara parë në rrafshin njërëzor, apo edhe fetar. Lypëse nuk më bën dot ti mua zotni pa miratimin tim më parë. Nuk lyp dot pa autorizimin tim kur refuzon të jesh i përgjegjshëm e transparent si kryeadministrator i taksave tona. Ku i çon paratë e taksapaguesve shqiptarë, kur për çdo gjë i jep vetes lirinë e shfrenuar të lypësh dhe jo të kthesh taksat në kujdes ndaj qytetarit?! Për më tepër të vendosësh veton prej diktatori e të përzgjedhësh ti, çfarë duhet dhe s’duhet të kem dijeni unë?! Nuk cënohet siguria kombëtare nëse ti tregohesh i përgjegjshëm, llogaridhënës ndaj sovranit, mjaft të kujtohesh se dikur premtoje se do ishe kryeshërbëtori dhe jo lypësi global. Paautorizuar ti nga vetja?! Po autorizimin për këtë plotfuqishmëri kush t’a dha, ku e more, si?? Ti i paautorizuar, të më informosh të kem dijeni pse kërkon vendin e parë të lypësit, kur ke lypur votat për të qeverisur?! Ti refuzon të thuash shumë gjëra kryelypës: si p.sh tenderat klasifikuar “sekret” për karta higjenike etj. Ti vetautorizohesh të karantinosh çdo informacion, nuk do ta ndash me publikun, madje ke kthyer nenin 55 për ata që guxojnë thonë, shkruajnë atë që s’të leverdis ty. Arsyeja e censurës është e qartë: 7.2 miliardë euro sipas KLSH-së mungojnë në buxhetin e shtetit këto vite që ti lyp për të qeverisur dhe zë vendin e parë si lypës, duke rilindur diktaturën e kafshatës. Ti lyp në emrin tim për gjithçka, po pse? Taksat përse i paguan qytetari, bizneset? Që ti të bësh lypësin?! Ti lype edhe për rindërtimin e përsëri kurrkund, 8% realizim plani je sipas FMN. Ty nuk të mjafton më shpërdorimi i buxhetit të shtetit, ti tashmë lyp për të përvetësuar edhe paratë e taksapaguesve të vendeve mike. Kujtoj tani, pushteti yt lokal ka miratuar ligje të posaçme në këshillat bashkiakë për ti gjobitur lypësat hallexhi, që në pamundësi për t’u ushqyer zgjasin dorën njerëzve në rrugë, se ti i ke braktisur. Ti nuk je lypës, jo! Lypësi nuk ka faj për varfërinë e tij, vuan pasojat e keqqeverisjeve si e jotja. Lypësi nuk administron paratë e askujt. Lypësi nuk shpërdoron paratë e të tjerëve. Lypësi nuk premton asgjë veç mirënjohjes dhe buzëqeshjes me sy, shpeshherë turpëruar kur zgjat dorën për mbijetesë. Lypësi ka dinjitet kryelypës, lypësi nuk vjedh. Prandaj ti as lypës nuk ke autorizim të vetquhesh. Ti nuk je lypës. Ti je shpërdorues i mundit, djersës, gjakut, dinjitetit tonë qytetar dhe kombëtar. Prandaj, mua dhe qytetarët e ndershëm të këtij vendi nuk na manipulon dot, as na poshtëron dot, aq më pak na kontaminon dot, sepse ne s’kemi domosdoshmëri vaksinimi për të qenë individë të Lirë që reagojmë ndaj çdo individi që në thelb ka poshtërsinë, qoftë ky edhe mandatari i radhës gjoja qeverisës.