Frank Shkreli: Zgjedhjet në Kosovë: A është ky ndryshimi i madh në politikën shqiptare?

136

Nga Frank Shkreli

Më 6 Tetor, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare në të cilat, sipas rezultateve paraprake, dolën fituese Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Në pritje të certifikimit të rezultatit përfundimtar, pasi të jenë numëruar të gjitha votat, Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, bashkë me kandidaten e kësaj partie për postin e kryeministrit, Vjosa Osmani, janë pajtuar për formimin e koalicionit qeverisës dhe për vazhdimin e bisedimeve të mëtejshme, midis këtyre dy partive, për formimin eventual të qeverisë së re të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 6 Tetorit.

Në një konferencë të përbashkët para disa ditësh për shtypin në Prishtinë, të dy këta janë shprehur se hollësitë e ndarjes së pushtetit të ardhshëm qeveritar do të njoftohen pasi të ketë përfunduar procesi i numërimit të votave. Media e Kosovës ka cituar Vjosa Osmanin të ketë thënë me atë rast: “Në radhë të parë ne si Lidhje Demokratike e kemi deklaruar edhe më parë që po presim rezultatin final dhe, natyrisht, në qoftë se rezultati konfirmohet kushdo që del se ka marrë më së shumti vota në atë moment, ne në asnjë mënyrë nuk do të hezitojmë që në bashkëqeverisje të pranojmë kushdo që ka fituar, ta merr pozitën e kryeministrit”, ka theksuar kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani. Në lidhje me këtë, sipas të dhënave në media, Kryetari dhe kandidati për Kryeministër i Vetëvendosjes, Albin Kurti theksoi të njëjtin qëndrim për të pritur numërimin përfundimtar të votave, duke thënë se, “Për dakordim e për korrektësi, natyrisht, që e kuptoj se fjala e fundit është certifikimi në fund i zgjedhjeve nga KQZ-ja. Por besoj që PDK-ja është në opozitë dhe kjo nuk do të ndryshojë. Vetëvendosja dhe LDK-ja do të qeverisin së bashku, as kjo nuk do të ndryshojë dhe mund t’i ruajmë fjalët e fundit për në fund, por mendoj se shumëçka, për të mos thënë gjithçka është e qartë”, tha ai.

 

A është ky modeli i ri i qeverisjes ndër shqiptarë?

 

Në të vërtetë janë deklaratat e mësipërme dhe të tjera si këto – gjatë ditëve të fundit – nga të dy protagonistët kryesorë të politikës së Kosovës sot për sot, që më bëjnë optimist se ndoshta, më në fund, diçka mund të ndryshojë për më mirë në skenën politike, anë e mbanë trojeve shqiptare. E them këtë sepse, fotoja e mësipërme e Kurtit dhe Osmanit, dalë së bashku para medias, duke mbajtur pothuaj të njëjtin qëndrim në lidhje me numërimin e plotë të votave, pa pretendime, është shpresëdhënëse dhe me shton besimin se vërtetë, diçka e re po ndodh në politikën shqiptare.

 

 

“Kënaqësi të pritem sot në Këshillin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, nga z.John Erath, Drejtor për Evropën. Patëm diskutime shumë produktive rreth prioriteteve dhe sfidave që e presin Kosovën gjatë muajve e viteve në vijim”, ka shkruar Vjosa Osmani, të martën në portalin e saj të fejsbuk-ut.

 

 Foto: Zoran Zaev / FB

 

“Insistoj që politikanët shqiptarë, në të dy anët e kufirit që na ndan padrejtësisht, duhet të kenë mendjen tek historia, kur kanë punë me Serbinë”. Albin Kurti në një intervistë me Ora News, gjatë të cilës u shpreh, gjithashtu se gjëja e parë për të cilën do të flasë në takimin e parë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, do të jetë i ashtuquajturi, “Shengen ballkanik”.

 

Thuhet se çdo gjeneratë i qet udhëheqësit e saj – nga njëherë për mirë, nga njëherë për keq. Këto 30-vitet e fundit, shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor, politika shqiptare dhe klasa politike që ka udhëhequr shqiptarët, nuk u ka shërbyer mirë. Shqiptarët në përgjithësi po përballen me vështirësi të përditshme, kryesisht të shkaktuara nga klasa politike që po i udhëheqë ata, vështirësi e probleme këto, të cilat kanë shkaktuar një lëkundje të madhe dhe tronditëse në besimin e shqiptarëve për të ardhmen e jetës në trojet e veta. Ngjarjet politike të këtyre dekadave të fundit që, pothuaj, kanë përmbysur jetën e shumicës së shqiptarëve, janë themeli i shqetësimeve të mëdha ndër shqiptarët e ditëve të sotme. Fatkeqësisht, janë ngjarje që mund të thuhet ,se nuk mund të parashikoheshin as nga arsyeja dhe logjika njerëzore. Duket sikur shumë shqiptarë kanë humbur shpresën, perspektivën dhe besimin në të ardhmen, duke pritur dhe menduar se punët po shkojnë keq e më keq dhe po përpiqen t’i gjejnë vetes dhe familjes një “qoshe të qetë” e të sigurt dhe të largohen masivisht nga trojet stërgjyshore. Është fatkeqësi kombëtare, që të shtrënguar nga halli, nga nevoja ose nga dëshpërimi, shumë shqiptarë po zgjedhin këtë rrugë – më keq se pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbe dhe, më keq se pas pushtimit komunist ndërkombëtar.

Unë nuk e kam ndër mend të qortoj as të kritikoj askënd që merr një vendim të tillë, përballë vështirësive të jetës, pasi më në fund, shumë prej nesh kemi bërë një gjë të tillë, gjysmë shekulli më parë, përballë diktaturës së egër komuniste. Edhe ne mendonin që atë kohë, se komunizmi do të ishte i përjetshëm, se asgjë nuk do të ndryshonte në jetën tone, për derisa të sundonte ai regjim. Por, më në fund, edhe ajo e keqe, ndryshoi!

Mesazhi im modest me këtë rast është, që të mos humbasin besimin, pikësëpari në vetvete. Fara e ndryshimit duhet të mbillet që sot. Jo nesër, jo pasnesër, por tani. Fatkeqësisht, Kombi shqiptar, për pothuaj një gjysmë shekulli u sundua nga një prej regjimeve më të egra komuniste në botë, bazuar në një ideologji sllavo-aziatike, krejtësisht e huaj për karakterin shqiptar dhe të okupimeve sllave të trojeve shqiptare. Si rrjedhim, mendohej se dielli shqiptar po mbulohej përgjithmonë nga re të zeza dhe se fati i keq nuk do t’i ndahej atij kurrë. Është e vërtetë se gjithnjë, forcat barbare, autoritare dhe më reaksionare të ditës së sotme – Rusia, Serbia dhe Turqia – po kërcënojnë gjithnjë, jo vetëm identitetin kombëtar dhe gjeografinë tokësore të trojeve stërgjyshore të shqiptarëve, por edhe kulturën, gjuhën dhe jetën e pasardhësve të Arbërit. Sot, si gjithmonë më parë, valë të egërsuara armiqsh shekullorë po përplasën në tokat shqiptare. Prandaj, sot më shumë se kurrë kemi nevojë – jo për pushtetarë që bashkëpunojnë me këto forca të errëta, historikisht, anti-shqiptare, por për udhëheqës të rinj të këtij brezi të shqiptarëve, të cilët do t’i dalin përpara kësaj stuhie të tmerrshme dhe t’i thonë: Ndal, se këtu ende ka shqiptarë!

Unë jam i bindur se ky brez i ri politikanësh shqiptarë do të dijë t’i dalë përpara kësaj stuhie të egër dhe do të përballojë rreziqet që sot i kanosen Kombit. Unë besoj se, në qoftë se punët shkojnë mirë, tani e tutje, ka mundësi që zgjedhjet e fundit në Kosovë, të sinjalizojnë fillimin e një ndryshimi madhor të proceseve politike ndër shqiptarët. Kjo është shpresa ime, i bindur se në shpirtin e shqiptarit ekziston gjithnjë ajo cilësia që e ka karakterizuar gjithmonë popullin shqiptar: Heroizmi përballë fateve të zeza, të shkaktuara nga të huajt e nganjëherë edhe nga të vetët, siç ishte përvoja e shekullit të kaluar. Jam i vetëdijshëm se Vjosa Osmani dhe Albin Kurti nuk do ta kenë të lehtë detyrën e tyre, por udhëheqësve të rinj politikë – të këtij brezi të ri politikanësh shqiptarë të Kosovës – iu urojmë sukses, në javët, muajt dhe vitet e ardhshme – ashtu që fitorja e tyre politike sot, të shënojë gjithashtu edhe fillimin e një fitoreje të madhe për të ardhmen e mbarë Kombit shqiptar dhe njëkohësisht edhe fillimin e një ndryshimi të madh, të cilin e presim për më shumë se një shekull.

 

Somario

Mesazhi im modest me këtë rast është, që të mos humbasin besimin, pikësëpari në vetvete. Fara e ndryshimit duhet të mbillet që sot. Jo nesër, jo pasnesër, por tani

 

Fatkeqësisht, Kombi shqiptar, për pothuaj një gjysmë shekulli u sundua nga një prej regjimeve më të egra komuniste në botë, bazuar në një ideologji sllavo-aziatike, krejtësisht e huaj për karakterin shqiptar dhe të okupimeve sllave të trojeve shqiptare

 

Është e vërtetë se gjithnjë, forcat barbare, autoritare dhe më reaksionare të ditës së sotme – Rusia, Serbia dhe Turqia – po kërcënojnë gjithnjë, jo vetëm identitetin kombëtar dhe gjeografinë tokësore të trojeve stërgjyshore të shqiptarëve, por edhe kulturën, gjuhën dhe jetën e pasardhësve të Arbërit

 

Prandaj, sot më shumë se kurrë kemi nevojë – jo për pushtetarë që bashkëpunojnë me këto forca të errëta, historikisht, anti-shqiptare, por për udhëheqës të rinj të këtij brezi të shqiptarëve, të cilët do t’i dalin përpara kësaj stuhie të tmerrshme dhe t’i thonë: Ndal, se këtu ende ka shqiptarë!