Frank Shkreli: Mos e keqkupto demokracinë, z. Millosheviç! Me rastin e 20-vjetorit të sulmit të NATOS-s kundër Serbisë

61

Nga Frank Shkreli*, ish drejtor i VOA-s

24 Marsi i këtij viti shënon 20-vjetorin e fillimit të sulmit ajror të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s kundër objektivave ushtarake të Serbisë. Ishte angazhimi i parë që prej themelimit të Aleancës më të fortë ushtarake që ka njohur ndonjëherë historia, me qëllim për të ndaluar krimet e Serbisë, dhunën dhe spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e veta autoktone mijëra vjeçare, në Kosovë.

 “Ka ardhur koha për veprim”, kishte deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Javier Solana, duke njoftuar fillimin e sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë. Ndërkohë që disa minuta pasi kishin filluar bombardimet kundër objektivave ushtarake serbe, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton u shpreh para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se, “Ne dhe aleatët tanë në NATO ndërmorëm këtë sulm pas përpjekjeve intensive dhe të vazhdueshme për të arritur një zgjidhje paqësore të krizës në Kosovë.” Presidenti Bill Klinton tha me atë rast se sulmet ushtarake të cilat sa po kishin filluar, kishin për qëllim realizimin e tri objektivave: për të demonstruar vendosmërinë e NATO-s, për të ndaluar Beogradin që të ndërmerrte ofensiva të tjera ushtarake kundër Kosovë dhe për të degraduar aftësitë ushtarake të ushtrisë jugosllave për të ndërmarrë ofensiva të tjera në të ardhmen. Përveç pozicioneve ushtarake serbe, sulmet ajrore të forcave të NATO-s kishin si objektiva bombardimin e ndërtesave qeveritare të Serbisë si dhe infrastrukturën e vendit, në përpjekje për të destabilizuar regjimin e Millosheviçit. Në përpjekje për të siguruar mbështetjen e Kongresit dhe të popullit amerikan për sulmet kundër Serbisë, Presidenti Klinton e mbronte politikën e tij ndaj Kosovës nga pikëpamja humanitare për shpëtimin e një kombi të vuajtur po se po, por edhe nga pikëpamja gjeostrategjike e Shteteve të Bashkuara. “Ju duhet të vendosni, bashkatdhetarë të mi amerikanë, nëse jeni ose jo dakord me mua, se në shekullin 21, Amerika si superfuqia e botës duhet të jetë kundër spastrimit etnik, nëse i kemi mjetet për të bërë një gjë të tillë dhe nëse kemi aleatë që do na ndihmojmë për të bërë një gjë të tillë në rajonin e tyre. Unë u kërkoj që të bisedoni me fqinjët dhe me miqtë tuaj në lidhje me ketë çështje”. Duke iu drejtuar atyre amerikanëve të cilët ndoshta nuk dinin as se ku gjendej Kosova, Presidenti Klinton u bënte thirrje që të shikonin hartën e Evropës dhe të dëgjonin lajmet se ç’po ndodhte në Kosovë. “Mendoni për argumentet e mia dhe merrni në konsideratë nëse jeni dakord me mua ose jo dhe njëkohësisht thoni një uratë për të rinjtë dhe të rejat tona në uniformë, të cilët do të shkojnë atje për të bërë atë unë që unë i urdhëroj ata të bëjnë si Krye- komandanti i tyre”.

Presidenti Klinton dhe administrata e tij ishin të vendosur për të ndaluar makinerinë e luftës së Millosheviçit. Klintoni ishte shprehur se, “Në qoftë se Presidenti Millosheviç nuk është i gatshëm të bëjë paqe, atëherë ne do ia kufizojmë mundësitë që të bëjë luftë.” Ndërsa zëdhënësi i

Pentagonit në atë kohë, Keneth Bacon kishte deklaruar se, “Ne kemi një objektiv ushtarak, me të cilin do që të bëjmë më të mirën që mundemi për të ndaluar sulmet e Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës, duke shkatërruar infrastrukturën ushtarake serbe. “Planet tona”, shtoi ai, “janë për një fushatë sulmesh ajrore të shpejta dhe të shkatërruese”.

Presidenti Klinton kishte ndërmarrë një fushatë pothuaj demokratike për të bindur popullin dhe Kongresin amerikan se sulmet kundër Serbisë ishin mënyra e vetme për të shpëtuar një popull, e vetmja rrugë për të sjellë paqe në Ballkan dhe në Evropë. Megjithëse kishte edhe kundërshtime ndaj një mase të tillë në qarqe të ndryshme edhe vetë Partia Republikane që ishte në opozitë kishte paralajmëruar Millosheviçin që të mos inkurajohej nga debatet demokratike në Amerikë – në Kongres dhe në media – pro dhe kundër sulmeve amerikane ndaj Serbisë, se debatet nuk ishin shenjë e ligështisë së politikës amerikane, por e arritjes së një vendimi me konsensus.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në atë kohë, republikani Dick Armey nga shteti Texas pat deklaruar, pas një takimi mbi gjendjen në Kosovë me Presidentin Klinton në Shtëpinë e Bardhë, se, “Një prej çështjeve për të cilat të gjithë, pa dallim, jemi dakord, është se ne mund të debatojmë me njëri tjetrin se cila është politika më e mirë dhe rruga që duhet ndjekur në interesin kombëtar, por u pajtuam se do të mbështesim vendosmërisht forcat tona ushtarake që do të marrin pjesë në fushë-betejën e atjeshme”, duke paralajmëruar udhëheqin serb: “Mos e keqkupto demokracinë, Z. Millosheviç!” dhe vendosmërinë amerikane për të vepruar kundër së keqes, pa marrë parasysh dallimet ose interesat politike të palëve, sidomos për çështjet madhore, përfshirë ato morale, në fushën e politikës së jashtme dhe atë ushtarake.

Sulmet e NATO-s kundër Serbisë vazhduan për 79 ditë rresht. Me 10 qershor, 1999, operacionet ushtarake ajrore të NATO-s morën fund, kur Serbia nënshkroi një marrëveshje paqeje, në bazë të cilës forcat serbe u tërhoqën nga Kosova dhe u zëvendësuan nga forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Me marrjen fund të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë dhe kapitullimit të saj, Presidenti Bill Klinton mbajti një fjalim drejtuar Kombit Amerikan: “Sonte mund të njoftoj popullin Amerikan se, “Kemi realizuar fitoren për një botë më të sigurt, një fitore për vlerat demokratike dhe një fitore për një Amerikë më të fortë… agresioni kundër një populli të pafajshëm është ndaluar.” Duke iu drejtuar drejt për drejt popullit serb, Z. Klinton, u shpreh se, “Ju kini pësuar 79 ditë bombardime, jo për të mbajtur Kosovën si pjesë të Serbisë, por thjesht sepse Z. Millosheviç kishte vendosur që të zhdukte nga faqja e dheut shqiptarët e Kosovës – të vdekur a po të gjallë.”

 “Kjo fitore”, vazhdoi Presidenti Klinton, “sjellë një shpresë të re se kur një popull veçohet për shkatërrim, për arsye të trashëgimisë së tij kombëtare, ose besimit fetar dhe kur ne kemi mundësi të bëjmë diçka për të ndaluar një gjë të tillë, bota nuk do të lejojë një gjë të tillë.” Pasi falënderoi popullin amerikan dhe forcat e armatosura amerikane për mbështetjen për këtë ndërmarrje ushtarake, Presidenti Klinton 20-vjet më parë u shpreh se pas fitores ushtarake në Kosovë kundër Serbisë, na pret beteja për fitoren e paqes për shqiptarët dhe për popujt e tjerë të Ballkanit, për të ndërtuar një të ardhme në liri, përparim dhe harmoni për të gjithë.

Presidenti Klinton përfundoi fjalimin e tij drejtuar popullit amerikan duke thënë se, “Amerika përballet me sfida të mëdha të kësaj bote, por njëkohësisht jemi të gatshëm të përballemi me to. Kështu që sonte u kërkoj të jeni krenarë për vendin tuaj dhe shumë krenarë për forcat tona të armatosura, sepse në Kosovë ne bëmë atë që duhej të bënim dhe ne e bëmë këtë ashtu siç duhej.”

Në luftën kundër Serbisë, për çlirimin e Kosovës, Shtetet e Bashkuara, pas debateve të shumta demokratike së bashku me Aleancën e NATO-s, kishin përcaktuar qartë qëllimet dhe objektivat që duhej të realizoheshin me sulmet ajrore kundër Beogradit, me qëllim çlirimin e një populli nga zgjedha e një shteti kriminal. Por në këtë 20-vjetor të fillimit të sulmeve të NATO-s, lind pyetja nëse klasa aktuale politike shqiptare – si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri – ka vendosur ende se si të veprojë në paqe dhe në demokraci, për realizimin e objektivave dhe interesave kombëtare afatgjata dhe afatshkurtra të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor. Le të shërbejë 20-vjetori i fillimit të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë si një rast për një reflektim serioz nga mbarë Kombi Shqiptar dhe sidomos nga klasa aktuale politike: nëse 20-vjet më vonë shqiptarët në përgjithësi dhe Kosova në veçanti, janë gati të përballen me sfidat e mëdha, anë e mbanë trojeve të veta, në rrugën historike drejtë një shoqërie me të vërtetë të liri, në paqe e demokraci në vendin e vet. Sot, pas aq shumë vuajtjesh, gjatë shekullit të kaluar, shqiptarët nuk presin asgjë më shumë as më pak se kaq, nga udhëheqësit e tyre. Fati i shqiptarëve sot është në duar të vet shqiptarëve! Nëse shqiptarët janë të aftë të menaxhojnë fatin e vet, kjo është një pyetje tjetër.