Engjëll Musai: Kur kryeministri e pagëzonte krimin “hëngshi kokat!”

621
Sigal

Kur kryeministri e pagëzonte krimin “ hëngshi kokat!”

Engjëll Musai

Drejtor i “Telegraf”

Nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria është kthyer në një çiflig të një grupi oligarkësh dhe një gjë të tillë e kisj paralajmëruar vite më parë ish-sekretari amerikan i shtetit. Dhe sikur të mos mjaftonte çifligu i delenxhinjve të brendshëm kanë filluar të na shfaqen faturat marramendëse të “kolonizatorëve” të huaj, kryesisht atyre “fondacioneve të shoqërisë të hapur” që shfrytëzuan barbarisht nëntokën, me makineri, shpërthime, tritol, lëndë eksplozive etj., duke përfituar çdo vit nga i miliard euro dhe më në fund lanë pas varfërinë, tokën e helmuar, shtëpitë e shkatërruara dhe disa delenxhinj që në këmbim të pasurisë nëntokësore, minierave dhe koncesioneve po qëndrojnë në pushtet. Sigurisht që në krye të këtyre strategjive dhe përgjegjësive qëndron kreu i partisë në pushtet njëkohësisht kryeministër i vendit. Ai ka marrë shumë kunguj në dy sqetulla. Po bën jo vetëm kryeministrin, por edhe gazetarin, edhe kryetarin e ‘Rilindjes’, ministrin e Jashtëm, të Brendshëm, të mbrojtjes, të Drejtësisë, të Financave, Shëndetësisë, Kryeprokurorin, Kryegjyqtarin, kreun e kushtetueses, atë të KLSH-së, para pak kohësh edhe të SHIK-ut. Nga  sot ai do të vazhdojë të ribëjë kryeopozitarin, në parlament (pas largimit të PD-LSI)…A bindeni tani ju qytetarë se kush është shteti dhe kush ka përgjegjësi për këtë katrahurë ku jemi katandisur? Ai bën partizanin, bën ballistin, zogistin dhe tani po mendon për viktimat sociale të turqisë duke u ngritur memorial, por harron dhe përbuz heronjtë e LANÇ-it dhe festimet e Jubileut të 75-vjetorit të Çlirimit.

As Enveri nuk ka pasur kaq shumë kunguj në një sqetull sa ka sot kreu i vetëshpallur i “rilindjes”. Edhe socialistët e ndershëm megjithëse me vonesë po e kuptojnë dhe reagimi ishte i qartë kur shpërfillën votimet e 30 qershorit, duke bërë që vetën 8-10% e shqiptarëve të shkojnë. Madje edhe një pjesë e mirë e tyre nga halli se i hiqnin nga puna familjarët e tyre. Ja ky është shteti. Nuk rriten pensionet? Po si mund të rriten kur lekët i gllabëron kuçedra me emrin “rilindje”, e cila bërtet natë e ditë për të paguar tasat dhe qëllimi i saj final është që  këto para t’ua japë oligarkëve që fshihen pas tyre. Jemi pa drita, por me çmimin më të lartë në Evropë, edhe pse diktatori na la me hidrocentrale që sot i ka zili bota. Jemi pa ujë që të lajmë këmbët dhe menderen. Se për ujë të pijshëm nuk bëhet fjalë. Por çmimi është më i larti në botë, madje edhe se në Afrikë. Iu nxi jeta biznesit të vogël dhe fshatarëve që shesin një kokërr domate, por nga ana tjetër oligarkëve iu falen nga 150 milionë euro taksa të dividentit. Zjarrvënësve të plehrave në tre qytete u jepen jo pak, por 370 milionë euro e barabartë më rritjen 100% të pensioneve, por plehrat janë njëlloj në rrugë, rrugicë e lagje. Jepen 260 milionë euro për 20 km rrugë Milot-Balldren ose 13 milionë euro për një kilometër, ndërkohë që për të njëjtin reliev të rrugës Fier – Vlorë me katër korsi, rruga ka kushtuar 3 milionë euro për një kilometër. Akoma më keq me PPP-të e mjekësisë, shërbimeve ndaj qytetarëve, universiteteve që duhet t’i paguajnë familjarët, çmimet e rritura nga më të lartat në Evropë, edhe pse rrogat janë pesë fish më të ulëtat dhe pensionet 10 fish më pak. Krimi po bën kërdinë, droga ka mbuluar vendin, dikur më masive dhe tani më e kontrolluar dhe më e komanduar. Njerëz  që vriten çdo ditë në rrugë, në makina, në spitale, në lokale, para bankave dhe kudo ku iu teket kriminelëve. Dhe normale që kështu do të ndodhë derisa kryeministri që është mandatuar për rend dhe qetësi njëherë deklaron “hëngshi kokat!” duke na kthyer tek “Kanuni”  dhe një herë del në Twiter dhe thotë: “Të diel të mbarë me sa më pak vrasje”. Ndaj dhe plumbat dhe krimet makabre nuk ndalin, drejtësia është e kapur, hetimet janë në shërbim të krimit, pasi ky i fundit e konverton në vota besnikërinë e tij. Ndaj nuk rriten pensionet, ndaj ikin qytetarët, ndaj arratisen të rinjtë, ndaj këtu do të mbesin ferrat dhe shtetasit arabë që po vijnë çdo ditë si një marrëveshje e heshtur për të zaptuar tokën e Shqiponjave që të parët e mbrojtën me gjak e sakrifica në shekuj.