Frank Shkreli/ 100-vjetori i Konferencës së Paqes – Wilsoni, Noli, Fishta dhe gjendja aktuale politike në Shqipëri

644
Sigal

Nga Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë

Ky vit shënon 100-vjetorin e Konferencës së Paqes që filloi në Paris në janar të vitit 1919 dhe kulmoi me nënshkrimin e Traktatit të Versajës, më 28 qershor, 1919. Lufta e Parë Botërore kishte marrë fund në nëntor të vitit 1918, por përfundoi zyrtarisht me nënshkrimin e Traktatit të Parisit qershorin e vitit 1919.

Ndërkohë që shkollat mund të jenë mbyllur për pushimet verore, kjo nuk do të thotë se nxënësit dhe studentët nuk kanë mundësi të mësojnë për këtë përvjetor historik dhe për rëndësinë që kjo konferencë ka në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Burimet janë të shumta në internet që hedhin dritë për rëndësinë e asaj konference për Evropën dhe për botën, përfshirë edhe historinë e Shqipërisë.

Janë dy arsye që shqiptarët duhet ta kujtojnë këtë përvjetor: Një, është roli i presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilsonit, si përfundim i takimit të Fan Nolit me ish-udhëheqësin amerikan, para se Wilson të nisej për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe arsyeja tjetër është pjesëmarrja e delegacionit shqiptar në atë konferencë, përfshirë At Gjergj Fishtën.

Është edhe 100-vjetori i fjalimit të tij historik mbi të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone, në atë konferencë — një fjalim ky që deri më sot as Evropa as bota nuk e kanë dëgjuar një fjalim të tillë mbi, “Shqiptarët dhe të Drejtat e tyre”, nga asnjë përfaqësues shqiptar – as në nivel kombëtar as në ndonjë konferencë ndërkombëtare – gjatë 100-viteve të kaluara.

“Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë.” Presidenti Wilson ishte i pari president i Shteteve të Bashkuara, i cili në politikën e jashtme amerikane të kohës, ka theksuar rolin ndërkombëtar si mjet për krijimin e një rregulli të ri botëror, ndërkohë që kishte shpallur hyrjen e Amerikës në Luftën e Parë Botërore, si një përpjekje – sipas tij – për të bërë botën, “të sigurt për demokracinë”.

Ndërhyrja amerikane bëri që lufta të përfundonte në favor të aleatëve dhe janarin e vitit 1918, i paraqiti Kongresit të Shteteve të Bashkuara, objektivat amerikane të përfundimit të luftës, duke njoftuar, “14 Pikat”. Në bazë të njërës prej këtyre pikave, me mbarimin e luftës do të krijohej Lidhja e Kombeve, në bazë të së cilës, të gjitha kombet – të mëdha e të vogla – do të gëzonin garanci të përbashkëta për pavarësinë politike dhe integritetin territorial të tyre.

Siç dihet Peshkop Fan Noli ishte takuar me Presidentin Wilson, para se ish-presidenti amerikan të shkonte në Paris për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes. Noli ishte i bindur se Shqipëria, në personin e Wilsonit, kishte një mbështetës të fortë. Në një fjalim të vitit 1918 botuar në gazetën Dielli, me titull, “Borxhi që Shqipëria i ka Amerikës”, Peshkop Noli shpreh bindjen e tij se Shtetet e Bashkuara do të përkrahnin pavarësinë e Shqipërisë. Duke shprehur besimin se Amerika do të dilte fituese dhe se fitorja e Amerikës, sipas Nolit, do të ishte edhe një triumf për demokracinë anë e mbanë botës.

Ai ishte i patundur në besimin e tij se kushtet e paqes do të të vendoseshin, sipas Nolit, nga “Një arbitër i botës, i cili është i drejtë, d.m.th., nga presidenti Woodrow Wilson”, ka thënë Noli. “Kushtet e tija njihen mirë prej të gjithëve… që secili popull duhet të ketë të drejtën të zgjedhë vetë sovranitetin nën të cilin dëshiron të jetojë.” Fan Noli pastaj vazhdon duke thënë se, “Unë kam pasur nderin të takoj këtë njëri të madh, me një rast historik.” Në shkrimet e tija, Noli ka rrëfyer se Presidenti Wilson kishte ftuar me një rast, përfaqësues të grupeve etnike, përfshirë edhe Nolin si përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, për t’[u takuar me presidentin Wilson në Mount Vernon, jo larg kryeqytetit amerikan.

Duke u kthyer nga Mount Vernon për në Washington, Noli kujton se, ai iu afrua presidentit Wilson për t’i folur për hallet e Kombit shqiptar duke i bërë apel Wilsonit që, të “shpëtojë një racë heroike por të pa-mbrojtur”. Sipas Peshkop Nolit, Presidenti amerikan Wilson u përgjigj pa hezitim: “Unë do të kem një zë në Konferencën e Paqes dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë.” Ashtu edhe ndodhi, megjithëse kërcënimet ndaj Shqipërisë dhe territorit të saj, nga fqinjët grabitqarë, nuk pushuan as pas Konferencës së Paqes.

Gjendja politike në Shqipëri pas Luftës së Parë Botërore ishte tepër e paqartë. Fqinjët e saj, serbët, grekët dhe italianët mezi prisnin të ndanin mes tyre Shqipërinë copa copa. Në të vërtetë, përfaqësuesit diplomatikë evropianë kishin rënë dakord që Shqipëria të ndahej duke i dhënë nga një pjesë Jugosllavisë, Italisë dhe Greqisë.

Kjo marrëveshje u arrit pa marrë parasysh dëshirat e Shqiptarëve, por dhe në mungesë të kryenegociatorit diplomatik amerikan. Ndërkohë, Kongresi i Lushnjës, në Janar të vitit 1920, vendosmërisht hodhi poshtë marrëveshjen e armiqve të shqiptarëve për të ndarë Shqipërinë copa copa sikur të ishte plaçkë, ndërsa u paralajmëruan fqinjët dhe Evropa se shqiptarët do të luftonin në mbrojtje të integritetit territorial të vendit.

Në këtë atmosferë pasigurie për Shqipërinë deh shqiptarët, në Mars të vitit 1920, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Wilson ndërhyri për të bllokuar zbatimin e marrëveshjes anti-shqiptare të Parisit dhe menjëherë vendosi të pranonte përfaqësuesin diplomatik shqiptar në Washington, duke afirmuar në këtë mënyrë mbështetjen e Amerikës për pavarësinë e Shqipërisë. Dhe nga fundi i atij viti, Lidhja e Kombeve njohu sovranitetin territorial të Shqipërisë, duke e pranuar atë si anëtare të plotë të organizatës botërore, megjithëse fatkeqësisht me kufij të cunguar.

Duke shprehur admirimin dhe falënderimin e tij ndaj Wilsonit, Fan Noli është shprehur se Amerika kishte Presidentin Abraham Linkolnin, i cili nuk duronte një Amerikë gjysmë të lirë e gjysmë të skllavëruar, ndërkohë që në personin e Wislonit, Shtetet e Bashkuara, kishin, “një president i cili nuk mund të duronte një botë gjysmë të lirë dhe gjysmë të skllavëruar.” Noli ka thënë se Wilsonin, “do ta njohë historia si çlirimtar i të gjitha kombeve, të mëdha e të vogla.”

Ishte Konferenca e Paqes në Paris, 100-vjet më parë që i dha rastin Woodrow Wilsonit që bota ta njihte, atëherë dhe sot, për sukseset e tija në fushën e politikës së jashtme, si një idealist i cili besonte në paqen botërore dhe në vetëvendosjen dhe në sovranitetin territorial të kombeve të mëdha e të vogla.

14-pikat e tija të famshme për paqen në botë – të përpiluara 100-vjet më parë – mbeten ende pjesë e pandarë e politikës së jashtme amerikane dhe shembull i një vizioni të bashkëpunimit ndërkombëtar për sigurimin e lirisë dhe demokracisë të vendeve, vizion ky që më në fund çoi në krijimin e Lidhjes së Kombeve – para-ardhëse e Organizatës së Kombeve të Bashkuara — përpjekje këto për të cilat Wilsonit iu akordua Çmimi “Nobel” për Paqe, në vitin 1920.

Në këtë 100-vjetor të Marrëveshjes së Paqes në Paris, me 28 qershor, 1919, të kujtojmë rolin e Woodrow Wilsonit, këtij burrështetasi të madh amerikan, zëri i të cilit, në Konferencën e Parisit ishte vendimtar për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Të kujtojmë Fan Nolin, sadopak për kontributin e tij, siç ka thënë edhe vet, “Për kauzën njerëzore dhe qytetërimin botëror, me aqë sa kemi mundësi.” Të kujtojmë me këtë rast edhe At Gjergj Fishtën, i cili si anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit, 100-vjet më parë mbajti fjalimin historik – para përfaqësuesve të disa vendeve më armiqësore të kohës ndaj interesave shqiptare — që mbetet sot e kësaj dite fjalimi më klasik në oratorinë shqiptare mbi, “Shqiptarët dhe të Drejtat e tyre”.

Është ironik fakti se 100-vjet pas Konferencës së Paqes në Paris, kur Shqipërisë i kërcënoheshin rreziqe të shumta nga armiqtë e jashtëm – sot rreziku më serioz që i kanoset Shqipërisë – siç e ka cilësuar edhe Gjergj Fishta – është , “Rreziku i Përmbrendshëm”, megjithëse,

“Sot Shqypnia ka nji qeveri të vetën, ka nji parlament të vetin, ka nji ushtri, nji financë, e ma tepër, ka nji vijë kufijsh të njoftme ligjsisht prej Fuqive të qytetnueme: të tana sende këto qi na dëshmojnë se Shqypnia asht, e se asht e lirë e e pamvarun”.

Sipas Gjergj Fishtës, janë vet shqiptarët, pikërisht, ata që përbëjnë rrezikun më të madh ndaj interesave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, si 100-vjet më parë ashtu edhe sot,që ai ka i cilësuar si

“Njerëz rrugaça, njerëz shakllabana e të pa kurrfarë njerëzie e mirërritjeje, të pa kurrfarë mësimi të vlefshëm, që gjithë jetën e vet s’qenë të zott me shtrue kund ndoj plang, me ngulë kund ndoj truell, me ngrefë kund ndoj shtëpi, me kapë kund ndoj punë, me zanë kund ndoj mik, por gjithmonë me valixhe nën dorë, të harlisun nga mendja, të përdhosun kah fjala, të çoroditun kah vepra; ku mbillen, s’korren; ku bijnë nuk çohen; veç nga, si mizat pakrye, skele në skele, fshat në fshat, qytet në qytet, gjithkund tue zanë ndoj ves të ri, gjithkund tue lanë ndonji marre të re për Shqypni.” (Nga “Hylli i Dritës, 1921, nr. 1).