Dr. Qemal Lame: Deklarata e papranueshme e presidentit të Çekisë

179

Deklarata e papranueshme e presidentit të Çekisë

 

Qemal Lame

 

Papritur dhe në kundërshtim me politikën zyrtare çeke dhe atë evropiane, presidenti i Çekisë, Milos Zeman, në vizitën e tij zyrtare në Serbi, të mërkurën, më 11 shtator 2019, në Beograd, tha se do të diskutojë me ekspertët kushtetues të vendit të tij, mundësinë e tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës. “Nuk jam diktator, por ajo që mund të bëj është se pas një muaji mblidhet këshilli kushtetues dhe unë do të shtrojë çështjen nëse është e mundur të tërhiqet njohja e pavarësisë së Kosovës”, tha presidenti çek gjatë një konference me gazetarë bashkë me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç. Ky është një deklarim i padenjë i një politikani të lartë që ndikon negativisht në marrëdhëniet ndërkombëtare, Së pari, është një veprim i njëanshëm që nuk përkon me postin kryesisht ceremonial të tij. Së dyti, këtë deklarim e vlerësojmë të papranueshëm dhe në kundërshtim me marrëdhëniet miqësore çeke-shqiptare dhe aspiratat e përbashkëta të integrimit evropiane dhe ato euroatlantike. Parlamenti dhe Qeveria e Çekisë reaguan duke kundërshtuar deklarimin e presidentit. Deklaratat e presidentit 74 vjeçar, që është i njohur për qëndrime kundërthënëse, me të drejtë nxitën reagime të menjëhershme nga institucionet shtetërore përfaqësuese në Çeki, të cilat mbrojnë marrëveshjet ndërshtetërore dhe rolin e tyre si shtet anëtar në BE dhe në NATO.

Presidenti i senatit çek, Jaroslav Kubera, u tha medieve në Çeki se presidenti Zeman bëri deklarata të tilla vetëm për t’u bërë qejfin serbëve, por ideja e tij është joreale. “Presidenti mund të thotë çfarë të dojë, por nuk është ai që mund të bëjë diçka. Do të ishte debat i madh për asgjë”, cituan mediet çeke presidentin e senatit. Shefi i diplomacisë çeke Tomáš Petříček, tha se nuk sheh asnjë arsye për një debat të tillë dhe se kjo nuk do të ishte në interes të Republikës Çeke. Në një postim në rrjetin social Twitter ai shkroi se “qeveria çeke, që është përgjegjëse për politikën e jashtme, nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës apo cilitdo vend të Ballkanit Perëndimor. Ne vazhdojmë të mbështesim bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian”. Përfaqësues të opozitës në Çeki i dënuan deklaratat e presidentit Zeman duke theksuar se nuk është punë e tij të përzihet në vendimet e qeverisë.

Kosova reagon ndaj deklarimit të presidentit çek.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli shkroi se “Miqësia dhe partneriteti ynë është i fortë si guri. Ju bëj thirrje të gjithëve që të mos bien në grackën e Beogradit për të përhapur lajme që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Nuk ka asnjë ç’njohje të Kosovës, vetëm rruga përpara për ta bërë Kosovën më të fortë dhe pjesë si e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare. Unë i jam mirënjohës homologut tim Ministrit të Jashtëm Tomáš Petříček për mbështetjen e tij dhe të popullit dhe qeverisë së Republikës Çeke”. Presidenti çek njihet si kundërshtar i pavarësisë së Kosovës. Ai ishte kryeministër, në vitin 1999, kur NATO-ja bombardoi Serbinë për t’u ndalur gjenocidi dhe zhdukja e kombit shqiptar në Kosovë nga Qeveria dhe Forcat e Armatosura të Serbisë. Në konferencën e përbashkët, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, vuri në dukje qëndrimin e njohur, se Serbia ka marrëdhënie të mira me NATO-n, por nuk reflekton për fajësinë për gjenocidin ndaj shqiptarëve:“Do të përpiqemi gjithmonë të kemi marrëdhënie të tilla në të ardhmen në mënyrë që viti 1999 të mos ndodhë më. Plagët e popullit serb nga vitit 1999 ende nuk janë shëruar dhe sot është vështirë të gjesh dikë që ta kuptojë atë që NATO-ja ka bërë në vitin 1999”, tha presidenti serb. Kosova shpalli pavarësinë e saj nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s që i dha fund luftës gati dyvjeçare. Pavarësia e Kosovës është njohur nga mbi 100 vende të botës, përfshirë edhe 23 vende anëtare të Bashkimit Evropian. Çekia e ka njohur Kosovën në maj të vitit 2008.

Serbia vazhdon të kundërshtojë shtetësinë e Kosovës. Ajo lobon aktivisht dhe 10 shtete kanë tërhequr njohjet. Shtetet perëndimore, sidomos SHBA dhe BE kanë kërkuar nga Serbia që të ndali ofensivën diplomatike kundër Kosovës. Kosova në kundërpërgjigje ka vendosur taksën 100 për qind për mallrat serbe. Pas taksës, bisedimet janë ndërprerë. Aspiratat e të të dyja vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian janë të kushtëzuara me një marrëveshje normalizimi marrëdhëniesh ndërmjet tyre. Serbia është e domosdoshme të rikthehet pa kushte në bisedime, të njohë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe të dëshmojë vullnetin për bashkëpunim të barabartë dhe për miqësi midis serbëve e shqiptarëve.