Dr. Qemal Lamaj: Shqiptarët nuk tremben nga populizmi e antishqiptarizmi i ultranacionalistëve grekë

647
Sigal

Shqiptarët nuk tremben nga populizmi e antishqiptarizmi i ultranacionalistëve grekë

 

Populizmi, ultranacionalizmi dhe antishqiptarizmi mbeten programet politike dhe temat e nxehta të diskutimeve elektorale, parlamentare, qeveritare e shoqërore për të ardhur, mbajtur ose lënë pushtetin politik. Ato u dëshmuan edhe në zgjedhjet parlamentare, krijimin e qeverisë së re, reagimeve mediatike të presidentit e personaliteteve të ndryshme greke.

Në faqen zyrtare të MPJ të Greqisë, më 24 qershor 2019, u publikua deklarata e ish ministrit te jashtëm te Greqisë, Giorgos Katrougalos se: “Përsa i takon mbrojtjes së të drejtave të minoritetit kombëtar grek në Shqipëri është hera e parë që në vendimin e Këshillit të Çështjeve Evropiane (të BE) është vendosur një lidhje e qartë midis perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe respektit për të drejtën e vetëvendosjes, (self-determination), për minoritetin”.

Është me të vërtetë skandal politik që Qeveria e Athinës guxon të publikojë një deklaratë të falsifikuar duke u referuar në një dokument të Bashkimit Evropian, kur edhe vetë Ministri i Jashtëm i Greqisë, njëri nga firmosësit është edhe jurist dhe mundohet ti rritë vlerat vetvetes në biografinë e tij zyrtare edhe si hartues i Kushtetutës së Shqipërisë të vitit 1998!?

Në faqen e BE ku është publikuar teksti i plotë i konkluzioneve të Këshillit Evropian të Çështjeve të Përgjithshme të 18 qershorit 2019 , nuk e përmendet në asnjë rresht të komunikatës fjala “vetëvendosje”, dhe asnjë fjalë për për referim si një e drejtë e minoritetit grek në Shqipëri. Edhe strategjia e Qeverisë së re greke, me kryeministër Qiriakos Micotaqis, erdhi ne pushtet me populizmin, ultranacionalizmin e antishqiptarizmin duke deklaruar se Shqipëria nuk do të anëtarësohet ne BE pa plotësuar te drejtat e minoritetit grek. Ministër i Jashtëm, Nikos Dendias, është emëruar një nga greket moderne me origjinë nga Himara. Ai ka mbajtur qëndrime të ashpra edhe ndaj Shqipërisë, duke pretenduar, se duhet të mbrojmë të drejtat tona, minoritetin grek në vendin fqinj dhe nuk mund të lejojmë që vendi të bëhet terren për kërcënime. Shqipëria ka nevojë për marrëdhënie te mira me Greqinë, edhe me BE. Kemi shume mënyra dhe mjete për t’i bërë presion Shqipërisë. Ata nuk duhet mund të besojnë se mund të bëjnë ç’të duan”. Presidentit grek, Pavlopulos, demonstron të njëjtën politike zyrtare. Në një deklaratë të tij, më 10 korrik 2019, tha se “është e pakuptimtë që udhëheqja e Shqipërisë të shtrojë çështjen Çamërisë”, si dhe kërkonte nga Shqipëria që të hiqte dorë nga Çamëria, nëse do integrimin në BE! Po ky president, vjeshtën e kaluar katër herë me radhë parashtroi kushtin grek të përdorimit të vetos për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE, nëse Shqipëria nuk lëshon “pe” në çështjen e detit, çështjen e varrezave, proteksionin grek mbi ortodoksinë shqiptare, statusin e privilegjuar të minoritetit grek etj. Me këto qëndrime, nuk bëhet fjalë për mendime me dëshirën e ndihmës si shtet fqinjë, as në emër të miqësisë midis grekëve e shqiptarëve. Është ndërhyrje dhe imponim i njëanshëm i vullnetit në marrëdhëniet ndërshtetërore greko-shqiptare. Planet e vjetra shoviniste maskohen me formulime gjoja evropiane për t’i imponuar Shqipërisë vetëvendosjen e minoritetit grek duke tentuar me riaktivizimin e fantazmës së të ashtuquajturit “Protokolli” të Korfuzit të vitit 1914. Fantazmë që ushqehet e mbahet gjallë nga ultranacionalistët është dëshmi platformës së megalo-idesë dhe zbatuar nga kriminelët Jani Katalisis dhe Zevra, për të cilët nuk flitet nga politika zyrtare shqiptare. Juridikisht dhe praktikisht ky protokoll nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë fuqi ligjore. Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, si dhe Qeveria e Parlamenti i Greqisë, çdo shqiptar dhe çdo grek është e domosdoshme të mbajnë parasysh faktin se i ashtuquajturi Protokoll i Korfuzit” i vitit 1914, nuk është ratifikua kurrë as nga Parlamenti i Shqipërisë, as nga qeveria e Kryeministrit Turhan Pasha në kohën e mbretërisë si Princ Vidit, si dhe as nga Parlamenti i Greqisë.

E drejta e vetëvendosjes njihet nga e drejta ndërkombëtare për kombet, jo për minoritetet. Sipas regjistrimit zyrtar të vitit 2011, numri i minoritarëve grekë është 24.242 persona, përfshi edhe ata që nuk janë rezidentë e nuk jetojnë në Shqipëri. Numrin më të shumtë e zënë personat që u deklaruan grekë pas ndryshimeve demokratike, në vitet 1990-1992, nën presionin e propagandës zyrtare e fetare ortodokse greke, të joshjeve me pensione, dhënien e shtetësisë greke, vizave shengen etj.

Atë që politika greke kërkon të imponojë për politikën shqiptare, është njëkohësisht edhe vetë demaskim e vetë ndëshkim për mohimin e minoriteve në Greqi, pasi pretendon shtetin një kombësh dhe nuk pranon të hartojë një ligj për minoritetet.

Realiteti shqiptar pas vitit 1990, me vështirësitë e zhvillimit, sfidave të integrimit euro-atlantik, korrupsionit politik dhe ekonomik të elitës është imponuar nga politika ndërkombëtare sidomos ajo e Greqisë për të bërë edhe lëshime me pasoja për sovranitetin shtetëror.

  1. Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë jenë imponuar kanë bërë lëshime në dëm të sovranitetit dhe interesave kombëtare, sidomos për Marrëveshjen e Kufirit Detar, varrezat e ushtarëve grekë që erdhën si pushtues të territoreve shqiptare, etj.
  2. Greqia ka vepruar historikisht dhe më me intensitet gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit për të pasur mbështetje të sigurt nga politika shqiptare. Këto u bënë të njohura sidomos me anë të medias me veprimtarinë e gjerë agjenturore, korruptimin me fonde, krijimin e bizneseve, plotësimin e ambicieve, imoralitetit, shtetësisë greke ndaj politikanëve e personaliteteve të njohura shqiptare.
  3. Greqia ka arritur të ketë mbështetjen e sigurt të një lobi tradicional dhe të fuqishëm progrek në politikë e institucionet zyrtare, i cili disa herë ka arritur edhe nivelin e kryeministrave e ministrave të jashtëm dhe që bëjnë presion dhe arrijnë të realizojnë pranimin e çdo pretendimi grek e mbivlerësuar rrezikun e votës së Greqisë për anëtarësimin në BE duke sakrifikuar interesat kombëtare.

Politika zyrtare e Greqisë ndaj Shqipërisë, shtron me të drejtë rrezikun e sovranitetit dhe integritetit territorial, në planin strategjik të integrimit evropian. Është e domosdoshme të mbahet qëndrim i vendosur në prioritet strategjike midis sovranitetit e integritetit shtetëror dhe integrimit evropian. Sovraniteti dhe integriteti janë jetike, të përhershme dhe të përjetshme për kombin shqiptar. Këto kanë përparësi edhe në orientimin strategjik të integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shqiptarët janë sovranë dhe këtë status do ta ruajnë edhe në procesin e integrimit evropian. Ky është edhe orientimi strategjik i bashkësisë evropiane dhe statusit të shteteve të tij anëtare. Kjo vlen edhe për anëtarët e rinj.

Më qartë dhe saktë: Sovranë do të mbetemi dhe te bëhemi edhe anëtarë të Bashkimit Evropian. Nuk pranojmë cenimin e sovranitetit dhe ricopëtimin e Shqipërisë.

Greqia nuk do të ketë mbështetje nga BE për pretendimet e saj shoviniste ndaj Shqipërisë. Politika evropiane ka qenë dhe mbetet e pandryshuar. Ultranacionalzmi grek nuk pranohet nga demokracia evropiane. Parlamenti dhe Komisioni Evropian.

Diplomacia shqiptare dhe ajo evropiane do të jenë në gjendje që të demaskojnë pretendimet shoviniste greke dhe do të mënjanojnë presionet për votën greke. Bazuar në parimet e demokracisë perëndimore, nuk do të jetë e nevojshme të vihen në provë potencialet ekonomike, ushtarake të Shqipërisë kundër pretendimeve greke. Edhe politika greke që manovron me statusin e saj, e ka të qartë se nuk do të arrijë të imponojë me votën e saj vendimin e Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave dhe më pas për anëtarësimin e merituar të Shqipërisë.

 

24 korrik 2019 12:57