Adriatik Riza Dosti: Ambasadorë apo Koloniz (i) atorë ?

146

Nga Adriatik Riza Dosti

Shumëkush di apo ka lexuar e ka parë filma për ato ç’ka kanë ndodhur 2-3 shekuj më parë ku koloniziatorët britanike, hollandezë, francezë, spanjollë, portugezë e deri edhe italianë bënë kërdinë në pjesë të ndryshme të Globit, duke gllabëruar, pushtuar, poshtëruar e skllavëruar e përcudnuar gjithçka në sa e sa vende e popuj.

Dhe ju siguroj se kolonizimi e koloniziatorët vazhdojnë të jenë po aq aktiv edhe sot njësoj sikurse 2-3 shekujt e shkuar, veçse me një ndryshim, sot në kohët moderne ata quhen Ambasadorë, vishen me kostume të shtrenjta, me kollare, buzëqeshin e ngërdheshen dhe gjithmonë tundin shaminë e bardhë të diplomatit e të diplomacisë.

Dhe jo rastësisht Shqipëria jonë o motra e vëllezër të të njejtit gjak e Atdhe , po vuan ende nga këta bastardë –ambasadorë, ndërkombëtarë e shtetarët tanë bashkë dhe ka kohë që trajtohet e quhet Afrikë e Bardhë në mes të Europës, ndaj dhe ata po e zhvasin sa të mundin e po e hedhin në zjarr për ta përcëlluar fare sa herë që ju duhet, djegia e një vendi dhe e një populli.

E më së shumti besoj e mendoj, prej tyre e kanë pësuar qysh prej shekullit të shkuar Shqipëria e shqiptarët e fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite në këtë dekadë të dytë të shekullit të 21 janë po ata që po i vuajnë në kurrizin e tyre më tepër se asnjë lloj vendi tjetër në Europë, hiletë, poshtërsitë, lojërat e dredhitë e këtyre fare ambasadorëve bastarde e hipokrite, që dje i çanë, i ndanë e i coptuan e sot po i sherrosin e po i hedhin në zjarr për ti djegur e shuar fare si komb e si popull.

Së pari jam kategorikisht kundër shfajësimit tonë naiv se….e po jemi vend e popull i vogël në dhe natyrisht që kështu do ndodhë dhe janë ata që vendosin për ne si vend e si popull.

Jo o shqiptarë jo, të mos shkojmë shumë larg prej kufijve tanë e vogël është edhe Kroacia, Sllovenia apo qoftë edhe Mali i Zi,  por asnjë lloj ambasadori nuk guxon të bëjë ligjin atje, sepse për vendin e popullin e tyre vendosin vetë kroatët, malazezët e sllovenët dhe askush tjetër, kushdo qoftë ai.

E vogël fare dhe me njëmijë halle e probleme është edhe pjesa tjetër shqiptare Kosova,  që sot për sot njihet po prej këtyre fare ambasadorëve si Shtet më vete, por ama kur erdhi puna për vendosjen e taksës ndaj Serbisë në të mirë të trevës kosovare e të popullit kosovar as u tremb, as u dhjaks e as u dorëzua përballë kërcënimeve, presioneve e shantazheve të shumta e të egra nga po këta fare ambasadorësh, madje nuk lëshoi pe as edhe përballë kërkesës e insistimit të mikut e aleatit të saj të madh, të cilit i detyrohet aq shumë për Lirinë e saj SHBA-së, sepse vuri e ve kombin e popullin e vet mbi të gjithë e mbi gjithçka.

Ndërsa në të rrahur që Këlyshe, përballë ”forcës së ambsadorëve”, frikës prej tyre e pa zotësisë sonë për të bërë e udhëhequr Shtet, nuk jemi edhe sot e kësaj ditë aq trima e kombëtarë sa të vendosim qoftë edhe një datë zgjedhjesh pa pyetur më parë Ambasadorët, nuk jemi të zot të miratojmë qoftë edhe një Ligj të vetëm në parlamentin tonë pa miratimin e pëlqimin e Ambasadorëve, madje edhe Kushtetutën na i bëjnë e na i aprovojnë e miratojnë Ambasadorët- Guvernatorë, të cilët shpesh mbulohen me petkun e ndërkombëtarëve, e ku po shpesh na kërcënojnë e shantazhojnë si komb e si popull se pa ata e ndihmën e tyre ne jemi të vdekur e të mbaruar, natyrisht kërcënime diplomatike me kostum e kollare dhe me ngërdheshje që nënkupton buzëqeshje, që në shqip përkthehet përdhosje kombëtare , denigrim e poshtërim.

Dhe pa hyrë fare që në kohërat e Ismail Qemalit e të Mbretit Zog që po këta hale- ndërkombëtarësh e ambasadorësh ç’nuk ju bënë atyre burrë-shtetasve të shquar shqiptarë për ti penguar që kjo Shqipëri e këta shqiptarë të ishin vërtet indipendentë e të pavarur prej askujt e që të vendosnin vetë për fatet e tyre, le të shohim telegrafisht kohën e komunizmit e pas – rënien e tij e deri më sot.

Pas hyrjes së komunistëve të Hoxhës në Tiranë dhe instalimit të pushtetit të tyre diktatorial në Shqipëri, e në kohën e dashurisë së zjarrtë me jugosllavët në Tiranë, njeriu i plotfuqishëm në fakt nuk ishte Enver Hoxha por saktësisht Ambasadori i Jugosllavisë i cili orientonte e vendoste pothuajse për gjithçka nga Jugu deri në Veri të Shqipërisë.

Pas prishjes me jugosllavët këtë rol do ta merrte e do ta mbante për vite me radhë Ambasadori Sovjetik pa fjalën , vendimet e qëndrimet e të cilët Hoxha e Byroja e tij politike kukull nuk bënin dot një pordhë.

Pas çarje-ndarjes së madhe me sovjetikët njeriu i plotfuqishëm i politikës shqiptare për gjithçka do të bëhej për gati 2 dekada Ambasadori i Kinës popullore e motër, ku më së shumti këtë rol e interpretoi i famshmi manekin tipik aziatik Liu Xhen Hua.

Pas rënies së komunizmit në skenë dolën plot të tillë Ambasadorë – Koloniziatorë –Guvernatorë, që i diktuan e vazhdojnë ti diktojnë Shqipërisë e shqiptarëve gjithçka që ata duhet të bëjnë nga e Hëna tek e Diela , nga Janari në fund të Dhjetorit e vit pas viti, e për gati 29 vjet rresht që prej asaj kohe që menduam se fituam Lirinë tonë të vërtetë e tashmë ishim zot të fateve tona kombëtare, si vend e si popull.

Kështu radhazi, shqiptarët do të mësoheshin me apo pa dëshiren e tyre , me hir e me pahir edhe me faktin se zot e zonjë në Shqipëri mund e duhej të ishin Mariza Lino, Arviziu, ambasadorja greke, ”kryepeshkopi” Janullatos e deri tek përrallaxhiu i Peshqëve të mëdhenj kinezi që fliste në emër të Amerikës, Donald Lu e natyrisht kur u bë Deti – Kos nxitoi të merrte lugën edhe kokëkuqja kroate Vllahutinka, e kush më shumë e kush më pak e bënë atë vend e atë popull çorap e lesh e li si kurrë më parë në historinë e vet sa tragjike po aq edhe të trazuar.

E sot ja tek jemi sërish viktima të lojës së ambasadorëve me kostum kollare e ngërdheshje-buzëqeshje që po na çojnë nga gropa në gropë e që po na hedhin nga gremina në humnerë, sepse problemi është po ai i viteve e dekadave të mëparëshme, jemi rrahur që herët e që Këlyshë e tani nuk kemi më dot as guxim e as kurajo të lehim edhe pse jemi në të drejtën e zotit e në shtëpinë tonë, sikurse nuk kemi as politikanë e politikë që bëhet nga Burra shteti që të paktën njëherë të vetme në jetën e tyre të duan Shqipërinë mbi Partinë e të duan e respektojnë shqiptarët mbi ndërkombëtarët.

Prandaj vazhdojnë të bëjnë kërdinë e të tallen me ne pa ju hyrë një gjemb në këmbë edhe bufoni Borchard, edhe fytyrë pa deshifruesi Soreca, edhe ambasadorët e Gjermanisë [shumë i çuditshëm rasti i kësaj ambasadores së sotme gjermane në Tiranë] të Britanisë, të Italisë, të Francës, Hollandës etj.

Një parrullë u shkrua në hyrje të shtëpisë së Ambasadorit të OSBE – Borchardit e u ngrit i gjithë shteti shqiptar në këmbë, ndërkohë që një batalion i tërë me grekër fashistë e vorio-epiriotë invaduan territorin e Republikës së Shqipërisë në Bularat,  një vendi anëtar të NATO-s dhe ndërkombëtarët e ambasadorët por edhe bura-leshët tanë shtetarë e qeveritarë nuk pipëtinë fare dhe futen bishtin ndër shalë.

Nuk gjen kërkund në Europë e madje deri edhe në botë një rast të tillë të dytë si Shqipëria ku ambasadorët e ndërkombëtarët të jenë ulur kësisoj këmbëkryq e të ndjehen kaq të plotëfuqishëm në Atdhe të tjetërkujt, ku të vendosin e urdhërojnë ata për gjithçka e ku të ndihen ata zotër në tokën e lashtë të shqiptarëve e shqiptarët e gjorë ti mbajnë sytë e veshët nga ata.

Dhe kjo ndodh se ne kurrë deri më sot nuk kemi pasur në krye tonë shqiptarë të vërtetë që të na bëjnë të ndihemi Ne dhe vetëm Ne zotër në tokën e dheun tonë, ndaj dhe ambasadorët – koloniziatorë – guvernatorë vazhdojnë bëjnë kërdinë e pallë bashkë, të mbushin xhepat e të pasurohen, të argëtohen e dekorohen të mbivlerësohen e të na përplasin po ne shqiptarëve kokë më kokë derisa të lumturohen me fatkeqësinë tonë të përbashkët kombëtare etj etj.

E natyrisht kur ke ”Mashën” s’ke pse djeg duart në prush, ndaj dhe Gështenjat do ti nxjerrësh nga zjarri me duart e ëe tjerëve, ku rolin e këtyre ” lloj duarsh ” ne shqiptarët tradhëtare pa para e me shumicë ndaj popullit e vendit tonë, historikisht e kemi bërë e vazhdojmë ta bëjmë me qejf e kënaqësi të madhe.

Po e mbyll vetëm me rastin e Hungarisë që i përzuri e ju vuri Drune siç thotë populli, me ambasadorë leshi e ndërkombëtarë preshi, me FMN e me George Sorros me co. e ja tek është më mirë e më rehat se kurrë më parë, madje fjala e Ministrit të Jashtëm Hungarez pak ditë më parë në Tiranë tek tha qartë e saktë se zot në shtëpinë tuaj jeni ju dhe vetëm ju dhe Shqipërinë nuk mund ta dojë dot tjetër kush më shumë se sa ju, nuk ma do mendja se ka nevojë për komente të tepërta.

Ndaj zotërinj politikanë, shtetarë e qeveritarë të shtetit e popullit tim, kthejuni sa nuk është tepër vonë Kurrizin Ambasadorëve – koloniziatorë – guvernatorë e tregojuni gjoksin e dilini për zot kombit e popullit tuaj, ndryshe historia nesër do t’ju dënoj e do t’ju mallkoj shumë rëndë.