Ja propozimet për Reformën në admistratën zgjedhore

913
Sigal

Reforma për administratën zgjedhore

 Prof.Dr. Kristaq Kume       

Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve

Projektligji në Kuvend dhe propozimi i im

Misionet e Vëzhguesve Ndërkombëtar të OSBE/ODIHR, në mënyrë të përsëritur kanë rekomanduar gjetjen dhe zbatimin e zgjidhjeve legjislative që bëjnë sa më mirë të mundur, ndërtimin e një administrate zgjedhore të pavarur, politikisht të paanshme dhe me kapacitetet profesionale në nivelin e detyrës. Reagimi ynë ndaj këtij rekomandimi deri sot ka qenë i munguar. Ndryshimet e bëra në legjislacionin zgjedhor, në asnjë rast nuk e kanë konsideruar këtë rekomandim. Aktualisht, në kuadër të diskutimeve dhe punës për reformën zgjedhore, nga partitë politike dhe jo vetëm nga partitë e vogla, ka pasur deklarata për nevojën e trajtimit dhe gjetjes së zgjidhjeve legjislative për këtë problem. Bashkë me këtë deklarim politik, në Komisionin Parlamentar për reformën zgjedhore, kur në të bënte pjesë edhe opozita që tashmë është jashtë parlamentit, u punua edhe mbi këtë çështje. Si rezultat në dokumentin ku trajtohen ndryshimet që mund të bëhen në Kodin Zgjedhor, vend i veçantë i është kushtuar edhe problemit të parimit dhe rregullave sipas të cilave duhet të ndërtohet administrata zgjedhore. Këto ndryshime, për të cilat opozita e bashkuar jashtë parlamentit, deklarohet se janë bërë pa e marrë edhe aprovimin e saj, janë pjesë e projekt ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10.019, datë 29.12.2008 “Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”, të depozituar në Kuvend në datën 18.12.2018. Me rifillimin e punës në Komisionin për reformën zgjedhore, pas dorëzimit të mandateve të deputetëve të PD e LSI, mazhoranca deklaroi se pasqyrimi në Kodin Zgjedhor i rekomandimeve të OSBE/ODIHR, është objektivi kryesor i punës i këtij komisioni. Këtë deklaratë ajo e shoqëroi edhe me nënvizimin e faktit se puna e bërë prej këtij Komisioni është një material shumë i vlefshëm, mbi të cilin do të vazhdohet të punohet. Për rrjedhojë analiza e zgjidhjeve legjislative që propozohen në projekt ligjin e cituar më sipër dhe dhënia e sugjerimeve për rrugë zgjidhje është një proces që duhet të paraprijë vendimmarrjen e Komisionit për ndryshimet që mund të bëhen në projekt ligj, përpara se të dërgohet për diskutim dhe miratim në sallën e Kuvendit. Në mbështetje të kësaj pune, në vijim, nëpërmjet analizës së zgjidhjeve të dhëna në projekt ligj për çështje që lidhen me ndërtimin e administratës zgjedhore, kam paraqitur disa mendime dhe sugjeroj zgjidhje që mund të realizojnë, në mënyrë më efektive, zbatimin e rekomandimit përkatës së OSBE/ODIHR. Natyrisht sa sjell më poshtë nuk pretendoj të jetë zgjidhje shteruese dhe e vetme por besoj se mund të jetë ndihmuese në punën e Komisionit për Reformën zgjedhore.

Projekt ligji

Në projekt ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10.019, datë 29.12.2008 “Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”, për dispozitat që trajtojnë çështje që lidhen me ndërtimin e administratës zgjedhore, vlerësoj se:

  1. Parimi që propozohet për ndërtimin e administratës zgjedhore, rregullat dhe mënyra që duhet të zbatohen, ndryshojnë në vartësi të nivelit të kësaj administrate. Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në projekt ligj nuk ka asnjë ndryshim. Për ndërtimin e tij mbetet po e njëjta formulë ligjore. Komisionet e nivelit të dytë, të emërtuar Njësi të Administrimit të Zgjedhjeve (NJAZ), propozohet të ndërtohen sipas parimit të përfaqësimit dhe balancimit të plotë politik, me 6 anëtarë (3 nga propozime të partive të shumicës parlamentare dhe 3 nga partitë e opozitës parlamentare). Njësia do të ketë 2 sekretarë që zgjidhen, me short, nga KQZ-ja. Partitë politike mund të propozojnë si kandidatura vetëm persona që janë të trajnuar, të certifikuar si administratorë të zgjedhjeve prej KQZ-së dhe që kanë kaluar me sukses procesin e qartësimi të kryer prej KQZ-së. Anëtarët në Njësitë e Administrimit t Votimit (NJAV), 3 anëtarë dhe në Njësitë e Administrimit te Numërimit (NJAN), 2 anëtarë, do të zgjidhen me short nga KQZ-ja, midis personave të trajnuar si administrator zgjedhore në sistemin e trajnimit të KQZ-së.

Siç shihet propozimi i bërë e anashkalon rekomandimin e shtjelluar në Kodin e Praktikave të Mira Zgjedhore të Komisionit të Venecias, sipas të cilit e gjithë administrata zgjedhore është e këshillueshme të ndërtohet sipas po të njëjtin parim. Projekti nuk sjell të re në krahasim me Kodin aktual për komisionet e nivelit të dytë. Këto komisione (Njësi) parashikohet të ndërtohen mbi bazën e propozimeve të partive politike. Ndryshimi qëndron vetëm në faktin se, personat që do të propozohen nga partitë duhet të jenë paraprakisht të trajnuar, të certifikuar dhe qartësuar nga KQZ, ndërkohë që në Kodin aktual trajnimi i këtyre komisionerëve bëhet nga KQZ-ja vetëm pasi ata propozohen nga partitë dhe emërohen në detyrë nga KQZ-ja. Veç kësaj, projekti parashikon “…..subjektet zgjedhore ose përfaqësuesit e tyre në KQZ kanë të drejtë të kërkojnë që anëtari ose sekretari i NJAZ-it të lirohet ose shkarkohet nga kjo detyra…“ duke theksuar se, kjo kërkesë duhet të plotësojë kushtet e parashikuara në Kod dhe të jetë, në çdo rast, e argumentuar me faktet për shkeljen e pretenduar. Duke e shtrirë të drejtën për shkarkim nga detyra të anëtarëve të NJAZ-it deri tek partitë politike, dispozita krijon mundësi për t`u keqpërdor prej tyre dhe për të krijuar paqëndrueshmëri në administratën zgjedhore ndërkohë që ajo ka filluar, me kohë të plotë, punën për administrimin e zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, duke e ballafaquar këtë rrugë zgjidhje me kërkesën dhe përmbajtjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR në lidhje me mundësinë për “të lejuar emërimin mbi baza jopartiake të komisionerëve zgjedhor dhe anëtarëve të grupeve të numërimit” (Raport Përfundimtar – Zgjedhjet për Kuvendin, 25 Qershor 2017), projekti për të jep vetëm një përgjigje të pjesshme -emërimin jo partiak vetëm për anëtarët në komisionet në qendrat e votimit dhe për grupet e numërimit).

  1. Në projekt i kushtohet vend i veçantë problemit të trajnimit të administratës zgjedhore. Sipas këtij projekti, administrator i zgjedhjeve mund të jetë vetëm një person që është paraprakisht i trajnuar, certifikuar dhe i qartësuar nga KQZ për të kryer këtë detyrë. Të drejtën për t`u përfshirë në procesin e trajnimit, projekti jua njeh të gjithë shtetasve që kanë të drejtën e votës. Në projekt përcaktohet se, këtë të drejtë e gëzon automatikisht çdo shtetas që ka statusin e nëpunësit civil, ndërkohë që për shtetas të tjerë që kanë të drejtën e votës, për t`u pranuar në procesin e trajnimit duhet të plotësojnë disa kushte siç janë:
  1. Të zotërojnë gjuhen shqipe,
  2. Të kenë gjendje shëndetësore që ju lejon kryerjen e detyrës,
  3. Të mos të jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose kundra vajtje penale,
  4. Të mos kenë marrë masë disiplinore për largimin nga shërbimi civil,
  5. Të kenë arsim të lartë ose të jenë duke e kryer atë.

Projekti parashikon që çdo shtetas me status të nëpunësit civil duhet, detyrimisht, t`i nënshtrohet trajnimit për administrator zgjedhor. Trajnimi duhet të jetë pjesë e kurrikulës së Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, e cila e organizon dhe zhvillon atë në bashkëpunim me KQZ-në. Sipas projektit të gjithë nëpunësit civilë janë potencialisht edhe administrator zgjedhor. Për gjithë shtetasit me të drejtë vote që nuk janë pjesë e shërbimit civil, pranimi në programet e trajnimit bëhet pas aplikimit individual dhe vetë-ofrimit të tyre për të marr përsipër këtë detyrë. Për këta shtetas, në rastin kur ju pranohet kërkesa, programet e trajnimit organizohen dhe zhvillohen nga KQZ-ja.

Mënyra se si propozohet të formohet trupa potenciale e administratorëve të zgjedhjeve, për mendimin tim, mbart me vete mundësi për përdorimin e saj në interes të objektivave politikë, në veçanti të mazhorancës qeverisëse. Ndarja e dallueshme midis administratorëve potencialë që vijnë nga shërbimi civil dhe shtetasve që vetë-ofrohen, si rregull favorizon këtë mazhorancë. Ajo do të jetë përherë e prirur që për komisionerë në NJAZ-të të propozojnë nëpunës civilë, tek të cilët, si rregull, ka edhe mundësi më të mëdha për të ndikuar. Po kështu, zgjedhja nëpërmjet shortit e personave që do të administrojnë procesin e votimit dhe të numërimit të votave favorizon nëpunësit civilë. Si rregull, në zbatim të ligjit, nëse projekti miratohet kështu si është i shkruar, ata pritet të jenë shumë më tepër në numër sesa qytetarët e vetë-ofruar.

Një tjetër faktor që e bën jo shumë efektive zgjidhjen ligjore të propozuar në projektligj është mundësia që ai krijon për t`u përfshirë në listën e shtetasve që trajnohen dhe që mund të ngarkohen me detyrën e administratorit të zgjedhjeve, pa asnjë kufizim në lidhje me angazhimin politik të tyre. Mungesa e këtij kushti krijon hapësira dhe mundësi që në këtë listë të ketë një numër të konsiderueshëm shtetas, anëtarë të partive politike. Kjo e zvogëlon në mënyrë të ndjeshme efektin e rrugëzgjidhjes që propozohet në këtë projekt ligj, rrugëzgjidhje që synon ndërtimin e administratës zgjedhore mbi baza jopartiake, si një proces gradual.

Propozimi i im

Partitë politike, mazhoranca dhe opozita brenda dhe ajo e bashkuar jashtë parlamentit duhet të bien dakord që parimi sipas të cilit do të ndërtohet administrata zgjedhore të jetë i njëjtë për të gjithë nivelet e saj. Nëse do të dakordësohen që nëpërmjet këtij parimi do të synohet zbatimi i rekomandimit të përsëritur të OSBE/ODOHR për ndërtimin e një administrate të pavarur dhe politikisht të paanshme, ndër zgjidhjet që mund të diskutohen janë:

  1. KQZ përbëhet nga 5 anëtarë. Kryetari i KQZ zgjidhet, me short, nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit nga radhët e gjyqtarëve që kanë përvojë pune jo më pak se 15 vjet dhe që vetë ofrohen për këtë detyrë. 4 anëtarët e KQZ zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë, me 3/5 e votave, nga kandidatë shtetas që vetë-ofrohen për të kryer këtë detyrë. Kriteret për t`u pranuar kandidatura dhe procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve, me përjashtim të votimit fundor në Kuvend, të jenë ato që parashikohen në Kodin aktual për zgjedhjen e Kryetarit të KQZ-së.

Partitë politike marrin pjesë në mbledhjet e KQZ-së me përfaqësues, sipas përcaktimeve të shprehura në Kodin aktual.

  1. Komisionet zonale të administrimit zgjedhor përbëhen nga 5 anëtarë dhe 1 sekretar. Kryetari i komisionit zgjidhet, me short, nga KQZ-ja nga radhët e gjyqtarëve në gjykata të nivelit të parë dhe avokatë, në rrethin ku bënë pjesë zona e administrimit zgjedhor dhe që kanë jo me pak se 5 vjet përvojë punë dhe që vetë-ofrohen. 4 anëtarë të Komisionit zonal të administrimit zgjedhor, zgjidhen me short nga KQZ-ja nga shtetasit që janë trajnuar, certifikuar dhe qartësuar për të kryer detyrën e administratorit të zgjedhjeve dhe që janë votues në njësinë përkatëse zgjedhore. Sekretari zgjidhet, me short nga KQZ-ja, nga lista e qytetarëve që vetë-ofrohen. Ai nuk janë pjese e vendimmarrjes se komisionit dhe nuk ka të drejtë vote.

Subjektet zgjedhore kanë përfaqësues të tyre në komisionin zonal, në cilësinë e vëzhguesit.

  1. Për formimin e komisioneve në qendrat e votimit dhe për grupet e numërimit të zbatohet rregulli dhe procedurat e paraqitura në projekt ligjin e cituar më sipër. Përzgjedhja e tyre, me short, të bëhet prej Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor. Subjektet zgjedhore kanë përfaqësues të tyre në komisionet e qendrave të votimit dhe në vendet e numërimit, në cilësinë e vëzhguesit.
  2. Administrator zgjedhor mund të jetë çdo shtetas me të drejtë vote, që vetë-ofrohet për të marr këtë detyrë. Në kriteret që duhet të plotësohen nga shtetasi për t`u pranuar kërkesa e tij, të shtohet edhe “Të mos këtë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit”

Trajnimi, certifikimi dhe qartësimi i administratorëve zgjedhore të përcaktohet si detyrë për t`u organizuar, zhvilluar dhe realizuar nga KQZ-ja. Për trajnimin e administratorëve zgjedhor KQZ-ja bashkëpunon me OJF të specializuara në këtë fushë trajnimi.

  1. Për programet e trajnimit, bazën e të dhënave të zyrtarëve zgjedhor, procedurat e vlerësimit të performancës, rregullat që duhet të zbatohen për qartësimin e zyrtarëve zgjedhor mund të zbatohen dispozitat e shtjelluara në projekt ligjin e cituar.

Në trajtimin e mësipërm janë paraqitur vetëm linjat kryesore që propozohet të ndiqen në rast se partitë politikë dakordësohen që administrata zgjedhore do të ndërtohet si rekomandohet në raportet e fundit të misioneve të vëzhguesve ndërkombëtare të OSBE/ODIHR. Shtjellimi i mëtejshëm i tyre dhe konkretizimi në dispozita të detajuara ligjore është detyre që mbetet për t`u bërë.