Zaho Vasili: Trembëdhjetë bilbilejtë

238

Te kështjella në Janinë

Jam ulur nën degë rrapi,

gjethet zënë e fëshfërijnë

drithërimë, ta dredhin shtatin.

 

Kalaja si gjithë kalatë

gjakun ndez me madhështinë,

të duket tek cepi, lartë

të ngjan sikur sheh Alinë.

 

Përballë fërfërin liqeni

si fustani i vajzërisë,

të duket se del Frosina

si një zanë e bukurisë.

Mornicat mbulojnë shtatin

ç’janë ata që sokëllijnë,

të lidhur e nën shpatë

të trembëdhjetë po vijnë…

 

***

 

Djepi që përkundi djemtë

moj kalaja Labëri,

supe ngritur shtatdrejtë

hapën faqen në lavdi.

 

Secili një copë shkëmb

të gjithë bashkë një mal stralli,

erën kishin nëpër këmbë

plumbi nuk ua gjente ballin.

 

Aq sa buza u këndonte

aq ishin edhe të vrenjtur,

populli tyre rënkonte

djemtë merrnin gjak në vetull.

 

Shpatën e mbanin me dhëmbë

strallin e kishin te këmba,

tek pashallarët e rëndë

kishin hapur plagë të rënda.

 

 

Erës a i vë dot fre

a mund ta ndalësh stuhinë?

s’pengohet asnjë rrufe

djem o djem për Shqipërinë…

 

Palcën nga shkëmbi

kishin marrë nga stralli,

ndaj s’luajtën nga  vendi

I bardhë u mbeti balli.

 

***

 

Si ujkonjë ulërin

era e marrë e Labërisë

bora edhe gurin ngrin

u digjet zemra nën sisë.

 

Brenda shkëmbi digjej furrë

trembëdhjetë zemra në flakë,

Sipër mali shkëmb e gur

turqit poshtë,dora mbi shpatë.

 

Fshati heshti vetull rëndë

s’ka më helm të hidhëruar,

turkoshakët rrinë në këmbë

me pishtar flake në duar,

 

Sipër brenda shkëmbit

këmbët i kishin mbi prush,

të dalim,si na mban vendi

burrat poshtë me thikë në gushë!

 

Eni djem zbresim në fshat

me sherqet hedhur mbi supe,

fshatin do ta shkojnë në shpatë

dalim djem e bëjmë tutje,

 

Duall duall Bilbilejtë

si shkëmbej rrokullisen,

turkoshaku hidhur flet

trimat heshtin, silloisen.

 

***

 

O ju rrepe në Janinë

në Janinën e Aliut,

degët nuk e mbyllën synë

pret me thikë erë e veriut.

 

Atë ditë rrepet ç’panë

atë ditë rrepet ç’dëgjuan,

nuk i lëmë djemtë, thanë

gjithë degët kundërshtuan.

 

U hodh laku i litarit

dridhma mori dega e rrapit,

Bilbilejve nuri i ballit

dy herë i zgjati te shtati.

 

Trembëdhjetë shkëmbej të rëndë

me ballin sipër te retë,

si male rrinin në këmbë

trembëdhjetë supe përpjetë.

 

Pashai dha shenjë me kokë

andej nga laku i litarit,

djemtë, trembëdhjetë shokë

thoshin, unë do dal i pari!…

 

Ngjitu! Ishte urdhri i prerë

laku si pikë lot lëkundet,

urdhri kishte helm e vrer

toka si një zemër tundet.

 

Aq të qetë në fytyrë

trembëdhjetë një trup i vetëm,

turqit si një dru i nxirë

fjalët historisë i mbetën:

 

-Dale bej të ndez cigarë

se s’jam çanaku me dhallë,

Po jam bilbili me pallë

do ngjallem edhe i vrarë!…

 

Një nga një të trembëdhjetë

vanë në litar vetë,

rrapet që ju ndodhën pranë

hodhën gjethet,gjethet qanë…

 

 

Fryu era nëpër gjethe

zogjtë e bukur fjalë na prunë,

malesh zbriti lajm i zi

Bilbilejtë na i zunë.

 

Bilbilejtë kush i njihte

Bilbilejtë trembëdhjetë,

kurmet s’patën asnjë dridhmë

në litar vanë vetë.

 

Heshtën zogjtë nëpër degë

heshti era nëpër fletë,

kush ka ndjerë stuhitë e jugut

i ka njohur Bilbilejtë.

 

Lisat kush i pa në jug

i ka njohur Bilbilejtë,

kurmet s’patën asnjë dridhmë

në litar vanë vetë.

 

Trima që u lidhët nyje

shekujve për Shqipërinë,

ranë etër, dolën bij

ranë pisha, lisa mbinë…