Viron Prodani / Historia e panjohur e Liceut të Korçës

1656
Çdo vjeshtë, qyteti i Korçës merr një gjallëri të re me hapjen e shkollave, por sidomos me qindra nxënësit që vijnë nga të gjitha anët e Shqipërisë për të vazhduar apo për të nisur studimet në Liceun Kombëtar. Regjistrimet dhe riprovimet angazhojnë me qindra nxënës dhe prindër. Në këtë periudhë, fillimi i vitit të ri shkollor është ngjarja më e rëndësishme e qytetit të Korçës. Kandidatët e rinj pranoheshin me konkurs duke dhënë disa provime, ndërsa nxënësit që kishin riprovim gëzohen ose pikëllohen sipas rezultatit të provimit. Kishte vite, që ndonëse më pak gjallëri se fillimi i vitit shkollor, Korça ka patur edhe në fund të vitit shkollor. Kjo, për arsye se liceistëve bursistë iu vonohej dhënia e bursës dhe qëndronin në Korçë deri sa merrnin bursën për të blerë biletën e udhëtimit, të kryenin shpenzimet e tjera të domosdoshme dhe pastaj të niseshin për në shtëpitë e tyre. Por kultura dhe gjuha frënge ne Korçe nuk mësohej vetëm në lice. Shoqëria e femrave “Përlindja” në Korçë, në statutin e saj të 1920 në nyjen 3 thotë: a) Shoqëria do të përkujdeset të përhapi mësimin e gjuhës shqipe, frëngjishte midis femrave, si dhe të përkthejë prej gjuhëve europiane në gjuhën amtare librat e nevojshme. Më 26 qershor 1918, u bënë provimet e shkollës së djemve. Nxënësit u përgjigjën shumë bukur me një lehtësirë të plotë në mësimet si në shqip sa edhe në frëngjisht. E kësisoj mbetën shumë të kënaqur me këtë kremtim për përparimet e mëdha që kanë bërë në këtë kohë të paktë. Në 1920, Shkollat Fillore mësonin gjuhën frënge në tre klasa. Mësues të kësaj lënde kanë qenë Prift K. Ballamaçi, Muharem Rexhep dhe Hafëz Avdulla. Po në këtë vit, Shkollat e Cupave mësonin gjuhën frënge në tre klasa. Mësuese të frëngjishtes ishin Margarita Saltiel, Julia Saltiel, Kaliroi Panushka, Marianthi Kostandin dhe Nathalia Shishmanjan. Inspektori i Përgjithshëm i Arsimit z. Logoreci, në nëntor 1920 që inspektoi shkollat e Qarkut të Korçës konstatoi për ecurinë e gjuhës frënge në Lice. Por që të forcohet akoma më shumë duhet që gjuha frënge të fillojë të mësohet që në fillore me qëllim që nxënësit të vijnë të përgatitur në Lice. Edhe në qytetin e Pogradecit pjesë e Prefekturës Korçë, mësohej gjuha frënge. Mësues i frëngjishtes ishte Hajdar Blloshmi.
Aspekte të tjera të përhapjes së kulturës franceze në Korçë 
Gjatë Luftës I Botërore, ardhja në qytetin e Korçës e ushtarakëve francezë dhe sidomos e profesorëve në Liceun Francez, krijoi një atmosferë kulturore që ishte tepër e veçantë nga të gjitha të tjerat që kishin ardhur deri atëherë në këtë qytet. Filloi të hyjë e të përhapet letërsia franceze nga librat dhe revistat që vinin nga Franca. Në këpucaritë dhe rrobaqepësitë porositeshin këpucë dhe veshje të modës franceze. Në floktore u bënë të zakonshme prerjet e flokëve “alla garcon” dhe “alla bebe”. Shpesh në mirësjelljet midis njerëzve përdorej fjala “merci”. Në shtresat më të larta shkonin për vizita për të pirë “çaj” ose kur ishte mbrëmje shkonin për “soiree”. Në dy kinematë “Majestik” dhe “Lluks” shfaqeshin filma francezë të kohës. Të shumta ishin botimet e kryeveprave të letërsisë franceze të përkthyera në shqip si: “Zonja me Kameliat” e Aleksandër Dyma (biri) përkthyer nga Tajar Zavalani. “Kryevepra të zgjedhura” përmban tregime të Prosper Merime, Gi de Maupassan. “Gramatika Shqip-Frëngjisht” me reklamën: “shitet një frangë ar, po vlen një thesar”. Në 1922 në Paris, u ngrit “Oda e Tregtisë” Shqiptaro-Franceze. Në 1923 u përpilua dhe statuti i shoqërisë. Tregtarët e mëdhenj merrnin rroba, bizhuteri dhe artikuj të tjerë nga Franca dhe reklamonin mallin ose shërbimin e tyre duke ndërthurur tekstin me fjalë shqip dhe frëngjisht që të tërhiqnin sa më shumë klientelën. 
Magazina “Sheko e Bijt”. -“Me rastin e sezonit të ballove suallmë një koleksion komplet SOIRIES për ballo si Devoire, Argente, Lame d’ore argente; soie naturel enffrisable, tyl zhorzhet prej të gjitha ngjyrave”. 
– “MPRENT” – “Shtëpi për të prerë e për të qepur rroba grash etj. Shkollë e madhe profesionale e Francës që u jep diploma po të ndiqni Shtëpinë MPRENT”.
-“Shkollë për valle”. – “Jepen mësime për të gjitha vallet e reja prej Profesorit z. Kostandin Duska, të njohur prej Akademisë së Valles të Parisit”. 
– “Bon Marche” e vëllezërve Kajno. – “Sende për zonja dhe zotërinj. Këmishë, kollare, kravata, parfumeri, çanta për zonja të modës së fundit të Parisit”.
– Dhimitri Zado. – “Nga Parisi. Për toaleta crep de shin, sharmeze, crep clode, crep xhorxheta. Për mantora crep charmant me ngjyra, figurina. Për tajera gabardine, Jak Charleston dhe blek boton”.
Edhe nje ish liceist, Dhimiter Shuteriqi e përcakton kështu qytetin e Korçës: “Në këtë qytet ndihej zhvillim. Më shumë se në çdo qytet tjetër, kishte kulturë të re jetese, një kulturë të rrallë në marrëdhëniet shoqërore të njerëzve”.
Te liceistët ndjehej dhe shprehej shumë dëshira për kulturën franceze sa e pranon edhe Prefekti i Korçës z.Mark Kodheli kur ky i shkruan Mëkëmbësit të Mbretit për pjesëmarrjen në demonstratën e 28 Nëntorit 1939 të disa profesorëve dhe nxënësve të Liceut: “Është për t’u vënë në dukje, se studentët që frekuentojnë atë Lice kanë marrë deri dje arsim të mbështetur mbi parime e metoda franceze dhe prandaj nuk mund të shohin veten papritur të qetë në një klimë shpirtërore që ndryshon shumë nga ajo në të cilën kishin qenë edukuar në të kaluarën. Vetëm një përgatitje e përshtatshme mund ta shtyjë këtë klasë për të ndjekur vetvetiu idetë fashiste, për ata krejt të reja”.
Historia e Liceut
Në tetor 1916, forcat ushtarake franceze kaluan kufirin shqiptaro- grek dhe u vendosën në qytetin e Korçës. Më 16 dhjetor 1916 u nënshkrua protokolli që mundësonte të krijohej në zonën e Korçës “Krahina Autonome e Korçës” me administratë nga nëpunës shqiptarë nën mbrojtjen e pushtetit të ushtrisë franceze. Përveç masave të mara për organizimin e administratës, xhandarmërisë, nga patriotët shqiptarë u bënë përpjekjet edhe për arsimin. Në prill të vitit 1917 u formua një komision për studimin e arsimit të qarkut duke krijuar një këshill në përbërje të të cilit ishin dy inspektorë për kontrollin e shkollave. U shtypën një sasi e madhe librash për arsimin. Në vitin 1916-1917, në Korçë u hapën 6 shkolla një prej të cilave Liceu. Liceu është e para shkollë e mesme e arsimit të përgjithshëm në Shqipëri. U hap më 25.10.1917 me vendim të Këshillit Qeveritar të Krahinës Autonome të Korçës dhe dëshirës së popullit të Korçës. Hapja e Liceut ishte një vepër emancipuese për kohën. E para shkollë e arsimit të përgjithshëm në Shqipëri, e cila ishte laike, e pavarur nga çdo lloj besimi fetar. Liceu financohej nga qeveria shqiptare. Në fillim quhej “Licea shqipo – franceze”. Në 1921-1922 mori emrin “Liceu Kombëtar”. Mësimet bëheshin në gjuhën frënge dhe shqipe. Mësuesit ishin francezë dhe shqiptarë. Me 1 maj 1939, Ministria e Jashtme Franceze njoftoi për mbylljen e Liceut. Profesorët francezë në tetor të këtij viti u larguan nga Shqipëria. Me ardhjen e italianëve në Shqipëri, shkolla merr emrin “Liceu Kombëtar i Korçës”. Qeveria italiane njofton se Liceu nuk do të mbyllet, por do të vazhdojë me ndryshime në programin mësimor. Nga programi u hoqën lëndët në gjuhën frenge dhe vendos gjuha italiane. Në 1927, diploma e Liceut Kombëtar njihej nga Qeveria Franceze si e njëvleftshme me ato të Francës. Liceu Kombëtar ishte shkolla më e përsosur e Shqipërisë. Kjo shquhej për disiplinën e rreptë dhe të drejtë. Populli i Korçës edhe më gjerë, ka falënderuar me mirënjohje shtetin francez dhe profesorët francezë që kanë dhënë ndihmën e tyre për krijimin dhe lartësimin e Liceut. Drejtori i parë ka qenë francezi Vitali Gerson i ardhur nga Misioni Laik i Selaniku. Bashkë me këtë filloi punën edhe oficeri francez Recoing mbi baza vullnetare. Në 1917 kishte 36 nxënës dhe 3 profesorë shqiptarë që do të pasoheshin nga të tjerë si Kostandin Xega, Nikolla Çipi etj. U ngrit edhe një komision që do të ndiqte mbarëvajtjen nën kryesinë e Havjarit dhe Sejfulla Ibrahimit. Oficeri francez z. Recoing, hodhi poshtë uniformën ushtarake për t’i dhënë shkollës që po lindte kontributin e parë për përhapjen e kulturës frënge. Më 9.10.1920. “Liceu nuk është hapur akoma”. I pari Drejtor Teknik (provizor) shqiptar që filloi në Liceun Kombëtar në vitin shkollor 1920-1921 ishte Thoma Avrami. Ky qëndroi deri sa të vinte nga Rumania Petro Marko. Gazeta “Koha” që ka vërtetësi jep këto njoftime me 16.10.1920: “Liceu hapi dyert me Z. Thoma Avrami deri sa të arrijë P. Marko nga Rumania, Director Liceu. Sivjet u emërua profesor Z. Shuteriqi ish në gjimnazin e Elbasanit”, 30.10.1920. “Liceu u çel por nuk kanë ardhur Drejtori dhe Profesorët”. Emërimi i Petro Markos në 1920 si Drejtor i Liceut, vërtetohet me Listën e Personelit të Liceut dhe shkollave të tjera në Korçë që publikon Ministria e Arsimit për buxhetin e këtij viti me pagat përkatëse. Lista që do t’i bashkangjitet librit thotë: Paragrafi 2, Shkollat e djemve (Korçë). I- LISEJA. Nyja 10: Drejtor I) Petro Marko. Dh. 650. veç shtimit 25%. Publikimi i këtij dokumenti që i përket Fondit 334 “Inspektorati i Arsimit Korçë”, viti 1920, Dos. 6 fl. 1. ka interes të veçantë mbasi jep emrat e personelit, lëndët e mësimit dhe pagat për çdo punonjës të Liceut, Shkollës Fillore të Djemve dhe Shkollës së Cupave në Korçë. Në njoftimin e datës 22.01.1921, kjo gazetë thotë: “Thoma Avrami Profesor në Lice”. Kishte dy muaj që kishte filluar viti shkollor 1921-1922 dhe në Korçë mbërriti z. Leon Monbonyran që të drejtonte Liceun. “Më 1 tetor 1923, fillon në Lice Profesor Xega. Z. Monbonyran ka fuqi të plotë për të rregulluar Liceun”, “ZP”, Tiranë. Në pranverën e 1924 u largua nga Liceu z. Monbonyran dhe në vend të tij erdhi z. Oddes që qëndroi gjatë verës. Ne tetor të këtij viti erdhi z. Bailly Contant që më parë drejtonte Liceun e Gjirokastrës. Më pas, këtë detyrë e kishin profesorët francezë nga të cilët po përmend Deslions, Perret, Courvill. Më 27.10.1924 u bë çelja e mësimeve të Liceut me një kremtim shumë të bukur. “Ceremonia filloi në ora 10 ku morën pjesë Prefekti z. Spiro Koleka, Drejtori i Përgjithshëm, arsimtari Mihal Sherko, Kryetari i Kishës Autoqefale At. Vasil Marko, komisioneri i Bashkisë S. Kotta, inspektori i arsimit Sotir Papahristo, Delegata Franceze pranë komisionit të kufijve dhe disa prindër e nxënës. Drejtori i Liceut z. Contant falënderoi Qeverinë Shqiptare dhe tha se me ndihmën e profesorëve do të realizohen shpresat e kombit shqiptar për këtë institut. Përshëndeti koloneli francez i delegatës z. V. Botka. Në emër të mësuesve të Liceut foli Nikolla Cipi. Viti shkollor 1925-1926 filloi më mbarë. Ministria e Arsimit hiqet si dikaster dhe zëvendësohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit, drejtimi i të cilit ju besua Pertef Pogonit. Një dekret i dale, i jepte Liceut rregulloren definitive që i përngjante Liceut Franko-Turk të Gatallasarait dhe siguronte mbarëvajtjen e Liceut. Në këtë vit me detyrën e Drejtorit Teknik, në Lice filloi z. Bailli Contant. Ky kishte sjellje aristokratike, dallohej për qartësi dhe qetësi shpirtërore. Ishte mëndje hollë dhe zotëronte mjeshtëri të rrallë për të fituar tek të gjithë besimin, zëmrën dhe dëshirën e sakrifices. Ky e drejtoi Liceun për tre vjet, periudhë e shkurtër por plot pjellori në mbarëvajtjen e tij. Karakteri Kombëtar i Liceut u forcua në vitin shkollor 1925-1926 me ngritjen e një Drejtorie Administrative shqiptare që vazhdoi deri në fund të saj. Si drejtor i kësaj drejtorie, në tetor filloi Sotir Papahristo, që punoi për 8 vjet. Pas tij në këtë detyrë janë emëruar Pertef Pogoni (1933-1937), Kostaq Cipo (1937-1939), Elmaz Ahmeti (1939-1944). Liceu në mbarëvajtjen e tij pati përkrahjen e z. Xhafer Ypi kur ky ishte në të gjitha postet e tij si anëtar i Këshillit të Lartë, Ministër i Arsimit apo kryeinspektor i Oborrit Mbretëror. Sipas profesorëve dhe nxënësve, do të ishte mirëdashje po të përulemi në shënjë mirënjohje përpara Naltmadhërisë Tij Mbreti Zogu i Parë i cili i dha Liceut, provë besimi, i gatshëm për të dëgjuar çdo thirje të Liceut në çastet e rrezikut me dashurinë e tij. Dokumenta dhe shkrime në shtypin e kohës të viteve 1917-1918, në Arkivin Qëndror të Shtetit dhe Bibliotekën Kombëtare ku te flitet per hapjen e Liceut dhe aktivitetin e saj nuk ka. Në gazetën “Albania”, 31.7.1918, ku flitet për qytetin e Korçës midis të tjerave thuhet: “Arsimi fillestar është bërë i përligjshëm në gjuhën kombëtare si dhe një tjetër anë fërngjishtja mësohet posi një gjuhë e huaj më vete”. Arkivi i Shtetit ka dokumenta të aktivitetit të Liceut nga viti 1927-1944. Nga viti 1922, shtypi i kohës fillon të shkruajë për Liceun e Korçës për aspekte të veçanta të aktivitetit të saj. Në shtyp kishte edhe vërejtje për mësimin e gjuhës frëngjishte kur duhej më shumë të mësohej gjuha shqipe. Gazeta e Korçës më 30.6.1920 shkruan: “Tre vjet u mbushën që kur u çelën Shkollat Kombëtare në Korçë. Në këto tre vjet, mund të themi se është bërë pak punë, por më shumë sivjet…Sefte pa hapur mirë shkollat na u hap një fare Shkollë e Mesme në të cilën si gjuhë amtare mësohej frëngjishtja. Nuk jemi kundra të hapurit e kësaj shkolle mirëpo të përdoreshe atje gjuha amtare dhe jo gjuha e huaj. Se si mund të mësojë një djalë gjuhën e huaj kur ai nuk di mirë gjuhën e tij. Ne sot nuk kemi nevojë të mësojmë gjuhën e huaj por gjuhën tonë. Vjet vumë në punë si Drejtor Arsimi z. Dhosi Havjari. Kështu që kemi pothuaj 1 vjet që Shkolla Kombëtare ka marë tjetër udhë, udhë thjesht kombëtare. Drejtoria e Arsimit sivjet rrëfeu se nën drejtimin e z. Dhosi Hvjari me të vërtetë ka pasur program kombëtar”.
Detyrat e Drejtorit Administrativ
Sipas rregullores të Ministrisë së Arsimit të datës 02.09.1927, firmosur nga Ministri i Brendshëm, Ministri i Financave, Ministrit të Punëve Botore dhe miratuar nga Ahmet Zogu, detyrat e Drejtorit Administrativ ishin: Ka përsipër Administratën e përgjithëshme të Liceut; Përkujdeset për disiplinën e mbrëndëshme të Liceut; Mban korespondencë me Ministrinë e Arsimit mbi të gjitha çështjet administrative,financiare dhe teknike; Kryeson Këshillin disiplinor dhe ven në zbatim vendimet e tij nëqoftëse nuk lypet autorizim nga eprori; Aplikon masat disiplinore mbi personelin dhe nxënësit e Liceut në Internat në marëveshje me Drejtorin e Internatit për këta të fundit; Përpiqet që personeli të kryejë detyrën e vet, dhe përkujdeset për përparimin, disiplinën, rregullin e mire të shkollës; Kontrollon të gjitha veprimet e drejtorit të internatit; Për çështjet e jashtëzakonëshme mer përsipër çdo përgjegjësi, mund të pezullojë një nënpunës ose një profesor duke lajmëruar Ministrinë e Arsimit; Në mbarim të vitit shkollor, pregatit raportin mbi nënpunësit e trupit mësimor, bën vërejtjet e duhura dhe ja drejton Ministrisë së Arsimit; Mbikqyr zbatimin e programit të mësimeve shqip dhe për të kontrolluar profesorët shqiptarë hyn brënda në klasë; Për çështjet teknike të mësimit, përmirësimin e tyre, komunikon me Drejtorin Teknik; Mban të gjitha regjistrat e nevojëshme të shkollës sipas rregulloreve në fuqi; – Kontrollon e vërteton borderotë dhe dëftesat e personelit të Liceut; Është përgjegjës për zbatimin e mire të buxhetit të Liceut dhe çdo shpenzim do të kontrollohet e të vërtetohet prej tij. Këshilli disiplinor. Kryesohej nga Drejtori Administrativ dhe përbëhej nga 5 anëtarë dhe zgjidhej çdo vit me vota të fshehta. Vendimet mereshin me shumicë votash. Kur votat ishin të barabarta, vendimi merej në favor të nxënësit.
(Vijon numrin e ardhshëm)
Sigal