Protestojnë naftëtarët e Ballshit: Kemi 9 muaj pa rroga

739
Pa asnjë mjet jetese dhe të mbytur në borxhe, naftëtarët e Ballshit thonë se për shkak të krizës së ish-gjigandit të naftës “ARMO” ato po përballen me varfëri të skajshme, ndërsa shpresat dhe besimi tek një zgjidhje e mundshme për rimëkëmbjen e tij po shuhen çdo ditë. “Duam punë, duam bukë”, me këto thirrje qindra punonjës të rafinerisë më të madhe të naftës në Shqipëri, “ARMO”, nisën protestën e tyre të 1 Majit, Ditës së Punëtorëve. Prej 12 gushtit 2015 ata kanë hyrë në protestë për të kërkuar 9 rroga të papaguara nga kompania e privatizuar, e cila ka pezulluar prodhimin për shkak të borxheve të mëdha të akumuluara ndaj bankave. Bashkë me gropën e borxheve të “ARMO”, i vetmi burim që siguron punësimin e shumë banorëve të zonës së Ballshit, punëtorët thonë se jeta e tyre ka shkuar në skajin e varfërisë dhe se problemit u duhet një zgjidhje urgjente. “Prej 17 vjetësh kam duruar ndotjen e ajrit dhe problemet shëndetësore që sjell gazi i kësaj rafinerie për të siguruar jetesën. Tanimë, jemi hedhur në rrugë, pa asnjë shpresë dhe përkrahje”, tha për mediat një 56-vjeçare, punëtore ndërtimi pranë rafinerisë. 

Të zhytur në borxhe

“Jemi të zhytur sa nuk ka më në borxhe, të cilat më parë as që i njihnim. Për 9 muaj nuk kam pasur asnjë të ardhur, nuk kam mundur të paguaj dritat, ujin, që do të m’i presin dhe këstet e kredisë së shtëpisë, të cilën banka do të ma marrë. As ushqimoret nuk na japin më veresi”, shtoi ajo mjaft e shqetësuar. Punëtorët thonë se vetëm vitin e shkuar të paktën katër naftëtarë kanë humbur jetën prej ndotjes që shkakton rafineria. Sipas një studimi të Institutit për Kritikë dhe Emancipim të Shoqërisë, IKESH, punëtorët në Shqipëri shfrytëzohen me intensitet të lartë deri në rrezik shëndetësor apo jete, u cenohen të drejtat bazë dhe kjo vjen si pasojë e pushtetit thuajse absolut të pronarit mbi punonjësit në rrethana të mosinspektimit shtetëror. Protestës së naftëtarëve në Ballsh me 1 Maj iu bashkuan dhe anëtarë të Organizatës Politike – një grupim me pikëpamje të majta, të cilët udhëtuan nga Tirana për t’i kërkuar qeverisë të respektojë të drejtat e punëtorëve. 

Shtëpitë në shitje

Në thuajse çdo ndërtesë të qytetit të vogël qëndron e ngjitur nga një letër ku shkruhet “shitet”. Në shtëpinë e Përparim Jonuzaj nuk ka akoma një tabelë të tillë, por megjithatë ai thotë se së shpejti do të detyrohet ta nxjerrë atë në treg në rast se kriza e kompanisë nuk gjen një zgjidhje. “Do ta shes shtëpinë që të pushoj lotët e vajzës, e cila si nxënëse ekselente do të ndjekë arsimin universitar dhe që të paguaj borxhet që na kanë mbuluar,” tha një 54-vjeçar, i cili ka punuar prej 34 vjetësh në këtë rafineri nafte në Ballsh. “Ndodhemi në këtë situatë prej privatizimit të kryer shumë keq, ndërsa më ka mbetur vetëm 1 për qind besim se do të gjejmë një zgjidhje”, përfundoi ai, me sytë e skuqur dhe duart e shtrënguara nga stresi. 

Lista e borxheve te kasapi
Duke ndjekur me mosbesim marshimin e disa qindrave naftëtarëve, kasapi Musli Hazeri thotë se ka reshtur së dhëni borxhe për punonjësit e “ARMO” dhe se i ka humbur shpresat për të marrë borxhet e vjetra. Disa metra më tutje, në një nga pak marketet e qytetit një fletore e trashë mban emrat e shumë prej atyre që parakalojnë sot për të kërkuar zgjidhjen e kolapsit të “ARMO”. “Naftëtarët janë detyruar të marrin borxhe në marketin tim sa për të mbajtur frymën gjallë, por kjo situatë ka nëntë muaj që vazhdon. Nëse uzina si mjeti i vetëm i sigurimit të jetesës në këtë zonë, nuk del nga kriza, qyteti dhe njerëzit do të marrin fund”, tha Gëzim Sinanaj, pronari i dyqanit të vogël në rrugën e tregut në Ballsh. Muharrem Sulaj, i cili ka punuar që prej 1976 në rafineri, tha se varfëria po i detyron shumë naftëtarë t’i ndërpresin studimet e fëmijëve në shkollë. “Po u hymë në hak fëmijëve tanë, që shumë prej nesh janë të detyruar t’i lënë pa shkollë ose t’u ndërpresin studimet ngaqë nuk kemi me se t’i mbajmë. Ne duam të punojmë, sepse puna është jeta dhe jemi të gatshëm t’i kthehemi punës sapo të përmbushen kërkesat tona”, tha ai. 

Kërkohet statusi i naftëtarit
Naftëtarët e “ARMO” kërkojnë gjithashtu të përfitojnë statusin e naftëtarit dhe të ketë kontrolle më të larta për ndotjen që sjellin gazet në zonë, duke pohuar se shumë herë i janë drejtuar urgjencës për këtë shkak. “Shpresojmë që kryeministri Rama të mbajë sa më shpejt premtimin e dhënë për zgjidhjen e krizës së “ARMO” dhe shpërndarjen e rrogave dhe siguracioneve të punëtorëve që qyteti të rifillojë jetën, tha Kamber Iljazi, kryetar i Shoqatës së Përpunimit të Naftës në Shqipëri, me qendër në Ballsh.
Sigal