Të pathënat e jetës së Margaritës në një film dokumentar

544
Sigal

INTERVISTA/ Flet regjisori dhe skenaristi Kujtim Gjonaj: “Me këtë film janë zbuluar shumë mistere të jetës së saj”

Një film dokumentar për Margarita Xhepën do të shfaqet ditën e martë në Teatrin Kombëtar, duke sjellë shumë të reja, të panjohura në jetën e artistes së madhe. Regjisori Kujtim Gjonaj dhe skenaristja Angjelina Xhara, kanë punuar për rreth dy vjet për realizimin e këtij filmi, për një artiste të madhe. Në këtë film të titulluar thjesht “Margarita” aktorja e mëse 300 roleve në filma dhe në skenë shfaqet me shumë anë të panjohura të jetës së saj, ku realizuesit e filmit janë munduar ti gjejnë dhe ti bëjnë prezent tek shikuesit.

  Si ju lindi ideja për realizimin e një filmi dokumentar për Margarita Xhepën?

 Një nga shijet e mia artistike si regjisor dhe si skenarist është dhe mbetet respekti dhe nderimi ndaj figurave të mëdha artistike dhe historike të kombit tonë. Pa dyshim, një ndër yjet e skenës dhe të ekranit shqiptar mbetet Margarita Xhepa. Ajo është një aktore universale, një aktore drame me peshë të madhe, të rëndë ën historinë e artit shqiptar, që ka në krijimtarinë e vet mbi 300 role, si në filma dhe në tetarë, që përbën një rekord. Është një aktore që ka mbartur mbi supet e veta role të karakterit epik si Ofelinë, Klean tek “Dhelpra dhe rrushtë”, drama të tilla si “Intrigë dhe dashuri”, kryevepra të dramaturgjisë botërore,  por edhe ato shqiptare.  Pra në kuptimin e plotë të fjalës Margarita mbetet siç thonë mjaft kritikë dhe bashkartistë një “Zonjë e rëndë”. Pra këto ishin disa nga mijëra arsye të tjera për të bërë një dokumentar për këtë aktore me përmasa të mëdha dhe shumë dimensionale. Mbi të gjitha, përveç se është një aktore universale mbi të gjitha ajo është një njeri i mrekullueshëm, është një njeri që i ka të gjitha brenda, njeri i dashur me popullin e saj, me njerëzit, që po aq sa ka dhënë po aq dashuri ka marrë po nga ky vend nga ky popull, nga këta njerëz. Është një dashuri reciproke.  Kjo dashuri, kjo shtysë, kjo mënyrë të jetuari, këto arritje, këto suksese,  ngjallën jo pak interes për të bërë këtë film edhe tek kolegia ime, Angjelina Xharo.

Kush ishin vështirësitë për realizmin e një filmi për një figurë kaq komplekse sa Margarita Xhepa?

Me thënë të drejtën, për realizimin e një filmi për Margarita Xhepën është shumë e vështirë. Është e vështirë pasi bën  një film për një figurë me përmasa të mëdha në tërë botën shqiptare dhe më tej, ballkanike apo Evropiane, por nga ana tjetër, kjo figurë në krahasim me figurat e tjera historike që unë kam bërë filma, Margarita është e gjallë dhe një film për një figurë me përmasa të tilla kaq  të mëdha është prezent, patjetër lidin vështirësi, sepse vlerësuesi i parë do të jetë vetë ajo. Pra ajo do të jetë që do jap notën kryesore dhe këtu risku është i madh. Kjo është  një vështirësi e pa konceptueshme, për të cilën, ne si ekip realizimi e kemi kaluar me shumë sukses. Vështirësia e dytë  se duke pasur parasysh Cv e madhe ët saj, pra krijimtarinë, realizimet, njohjen, vlerësimet, dekorimet, aktivitetin e saj tepër të veçantë për rreth 60 vjet direkt në botën e madhe të skenës dhe ekranit por dhe si recituese e rrallë, si mund ta konceptosh gjithë këtë jetë intensive, aktive me 50 minuta film? Artistikisht jeta e artistike e kësaj artisteje të madhe është koncentruar brenda këtij 50 minutëshi. Por nuk është konceptuar në mënyrë të tillë klasike, si një film biografik (lindi këtu, u rrit aty, u shkollua, etj), pra nuk është statistikor apo  kronologjik, por është një film dokumentaro-artistik. Do të thoshja një film  që mund të përcaktohet më thjeshtë si një përjetim artistik, ku protagoniste është vetë Margarita dhe biografia e saj është vënë në funksion të filmit me një vlerësim ideo-emocional,  të miqve, kolegëve, bashkëpunëtorëve, të njohurve, të afërmve, pra do ta quaja një vlerësim si një ndër figurat më të shquara të grave intelektuale shqiptare.

 Cilët nga figurat e artit shqiptar keni intervistuar apo kanë dhënë mendime për Margarita Xhepën?

Po është Muntaz Dhrami, Skulptor i Popullit, i cili  ka dëshirë të bëjë një vepër për Margaritën. Ka folur dramaturgu Rruzhdi Pulaha, pasi shumë drama të tij ka pasur role dhe Margarita. Mund të përmend dhe aktorin dhe regjisorin e shquar Lazër Filipi, apo regjisorin e talentuar të teatrit Mihallaq Luarasi. Nga ana tjetër nga regjisorët e filmit mund të përmend Pirron apo dhe figura të tjera. Pra kam marrë shumë opinione apo vlerësime nga aktorë të filmit dhe atij teatror që kanë luajtur me Margarita Xhepën apo kritikë që dinë ta vlerësojnë realisht këtë figurë të veçantë. Këtu mund të përmend edhe Reshat Arbanën apo dhe aktorë të tjerë me këto përmasa.

 Cilat janë vendet kryesore, ku ke xhiruar për realizimin e këtij filmi?

 Dihet veprimtaria e Margaritës në film dhe në teatër, dihen rolet e saj në veprat e Shekspirit, si dhe rolet në film. Kemi xhiruar në Tushemisht (Volorek), ku tashmë është krijuar një shesh pushimi me skulpturën e artistes së madhe Violeta Manushi, e cila aty ka luajtur filmin “Zonja nga qyteti”. Kemi xhiruar në Pogradec, në Lushnje, por edhe në Greqi. Peshën e vet artistike dhe emocionale Margarita e ka në shumë sheshe xhirimi dhe në disa skena. Por ne e çuam dhe më tej iniciativën duke xhiruar dhe në Greqi ku ajo ka realizuar disa vepra me kërkesat e disa regjisorëve grek ku mund të veçojmë filmin “Mirupafshim”. Në Greqi ka luajtur dhe veprën e Euripidit, si dhe  pjesën e Legjendës së Kostandinit në 5 gjuhë, ku Margarita ka realizuar në gjuhën tonë. Në këtë pjesë ajo shkëlqeu.. Në Festivalin e filmit në Selanik 1998 me rolin e saj tek filmi “Mirupafshim”, ajo mori një çmim të veçantë. Për këto arsye ne nuk mund ta anashkalonim Greqinë, por dhe për faktin dytë se ne nuk mund ta anashkalonim komunitetin e madh shqiptar që ka në Greqi që e mirëpresin dhe e duan shumë atë. Më bëri përshtypje një thënie e një emigranti që theksoi “ne jemi rritur me rolet e tua e nderuara Margaritë”.  Këto fjalë kishin brenda dashurinë e madhe dhe respektin e madh për këtë artiste të madhe. Në këto takime dikush e përqafon, dikush e mbështjell në krah, dikush i përkëdhel flokët, dikush loton nga malli për atdheun, dikush i sulet me vrap ta arrijë. Por shkuam pasi në Greqi ka shumë vepra të antikitetit ku Margarita ka rolet e saj që lidhen dhe me Akropolin e famshëm ku ajo ka luajtur rolin e Ekubës nga drama “Trojanët”.

Cili është mesazhi që do të përcjellësh me këtë dokumentar për Margarita Xhepën?

Një grua artiste me përmasat e Margarita Xhepës, është krenaria jonë, dashuria jonë, është nderi ynë. Në këtë film unë dua të përçoj  se n.q.s të do familja është mirë, kur të do shoqëria është akoma më mirë  ndërsa  kur të do gjithë populli është një mrekulli. Njerëzit që i do populli janë mrekullia e këtij populli. Sot ne vuajmë për njerëz të tillë. Jemi popull që meritojmë shumë dhe na duhen më shumë njerëz si Margarita.

Si ishte në xhirime Margarita?

Di të them që artistja e madhe ishte shumë komode në punë. Ajo falte vetëm buzëqeshje, mirësi dhe kurrë nuk ankohej. Unë kam realizuar mbi 110 filma, por të gjithë e kanë cilësuar filmi më i mirë. Shpresoj të jetë një kulm në krijimtarinë time.

 Realizimi

Regjisor: Kujtim Gjonaj

Skenariste: Angjelina Xhara

Operator: Kristaq Janushi

Montazhi: Lulzim Sula

Formuluese muzike: Majlinda Bërxolli

Producent: Genti Gjonaj