Shuhet ish-komandanti i Shkollës së Bashkuar, Arseni Stroka

331
Nga: Kolonel Prof. As. Zaho GOLEMI
AKADEMIA E FORCAVE TË ARMATOSURA
Pas një sëmundjeje të rëndë u nda nga gjiri familjes, vëllezërve, gjithë të dashurve të tij, miqve e shokëve të shumtë, kolegët e karrierës së gjatë ushtarake sikurse edhe të veprimtareve shoqerore ish-ushtaraku madhor Arseni Taro Stroka. Figura e ndritur e oficerit shembullor, do mbetet model karakteri, autoriteti, serioziteti, përkushtimi ndaj detyrës, model i fjalës së ëmbël dhe dashurisë për vartësit e shokët, model i breznive bashkëmoshatare e pas tij, për ish-studentët e shumtë të ish-Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerave dhe gjithë ushtarakëve model të një epoke që ka përmbushur me nder misionin fisnik të mbrojtjes. Arseni Stroka do të ngelet përherë një emër i dashur i nderuar e i respektuar për vlerat dhe virtytet, pëtr punën e djersën e derdhur nga nivelet e transheve e hendeklidhjeve e deri në nivelet më të larta operative e strategjike të mendimit të gjerë e të thellë në funksion të mbrojtjes së Shqipërisë sonë të dashur. Emëri i tij i mendimit gjeneralist ka ngelur i spikatur kudo ku punoi e kontribuoi për çështjen e mbrojtjes shqiptare. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e thellë për të gjithë. Arseni Stroka iu përkushtua karreres ushtarake. Ai spikati që në rininë e tij në vitet e para si kuader ushtarak me një portretin e një kuadri të devotshëm duke u kthyer në simbol të takticienit në ushtrinë shqiptare në rritje e në konsolidim. Më pas arriti në majat më të larta të hierarkisë ushtarke, duke filluar nga instruktor i stervitjes taktike, Komandant i Regjimentit të Zbulimit, Komandant i Shkollës së Kuadrove Rezervë, Komandant Brigade, Komandant Korpusi, Komandant Divizioni dhe Komandant i Shkollës së Bashkuar të Oficerave. 

Arseni Stroka ishte lindur më 20 gusht 1938 në fshatin e thellë të Golemit në Kurvelesh, ku kreu edhe arsimimin fillor. Arseni Stroka u mëkua, qysh në fëmijërinë e hershme me traditat e familjes, të fisit, të fshatit, mori me vete “pasaportën” e zgjuarsisë natyrale, dhuratë genit dhe të natyrës. Shkollën 7-vjeçare ose unike e ka kryer në Vlorë në vitet 1950-1953, ndërsa shkollën e mesme në Tiranë. Motivi që shtyu të ndiqte rrugën e karrierës ushtarake ishte tradita familjare dhe fama që kishte në atë kohë shkolla prestigjioze “Skënderbej”, si një ndër shkollat më elitare të vendit. Ai vinte në këtë shkollë burrash me tërë freskinë dhe bukurinë e trevës labe, erën e trëndelinës, pastërtinë e shpirtit dhe trimërinë e atyre njerëzve stoikë, mirësinë e nënave e motrave heroina me karakter të fortë e shpirt të paepur. Arseni Stroka erdhi në Tiranë që fëmijë në një kohë kur Ushtria shqiptare kishte “uri”, për t’u rritur me armë e specialitete. Ai mësoi me vullnet të hekurt mori kulturë të gjerë, në lëndët ekzakte e ato shoqërore e sidomos ato ushtarake duke qenë i shkëlqyer në mësime, i shëndetshëm e i shkathët, i zgjuar nga natyra e me shumë vullnet për të mësuar, në Shkollën “Skënderbej”, ku u rrit dhe fuqizua me frymën e komunitetit, me tiparet të ndershmërisë, drejtësisë, besnikërisë, të jetuarit në komunitet, me rregull e disiplinë të fortë e të ndërgjegjshme ushtarake. Shembull i madhështisë së ushtarakëve Arseni Stroka e shikonte edhe tek bashkëfshatarët e tij golemas si Adem Meta, Skënder Idrizi, Veliçan Golemi, Selam Tako etj. Shkollën e Bashkuar të Oficerëve e kreu me sukses të plotë në vitet 1957-1960, duke merituar gradim jashtë radhe për rezultate të shkëlqyera në mësime. Në fakt origjina e historisë së fshatit të tij është e lashtë, por më shumë ajo njihet nëpërmjet gojëdhënave, sesa përmes librave. Golemi vendlindja e tij, njeh mirë bëmat e tetë brezave Stroke në lagjen e Gjinajve në Golem. Babai i Arsenit ishte pjesmarrës në luftërat e viteve 1912-1914 në çetën e Golemit, e udhëhequr nga Sulo Beqiri, më vonë pjesëmarrës aktiv në Luftën e Vlorës 1920 dhe në vitin 1924 ka qenë fanolist. Lufta e madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare i rreshtoi Strokajt në anën e lëvizjes partizane. Periudha e pasçlirimit ishte e vrullshme në përputhje me reformat në Shqipëri për një jetë më të mirë. Arseni Stroka ka pasur një karrierë brilante. Jeta nuk e përkëdheli togerin e ri të porsadalë nga bankat e shkollës dhe në fakt ai ja krijoi vetes premisat e një karriere të suksesshme. Në gushtin e vitit 1960, Arsenin e emërojnë komandant të togës dhe shpejt edhe në atë të komandantit të kompanisë. Kuadro bashkëkohës të Arsenit do të përshkruanin Arseni Strokën me një shprehje: “Arsenin nuk mund ta imagjinoje në vend tjetër, veçse gjithmonë në pozicion, në poligon të taktikës dhe të zjarrit, gjithmonë kërkues dhe eksperimentues, modeli i takticienit të spikatur shqiptar të të gjitha kohëve. Figura të tilla përgjatë gjysmë shekulli mund t’i numërosh me gishtat e dorës. Poligoni ka qenë shtëpia e tij”. Është kjo arsyeja që në vitet 1962-1967 emërohet në detyrën e pedagogut të përgatitjes së taktikës në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Në vitet 1967-1970 kaloi në detyrën e inspektorit për përgatitjen taktike në Drejtorinë e Përgjithshme Luftarake në MMP, në vitet 1970-1972 kreu me sukses të plotë Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm “Mehmet Shehu”. Në 1972-1975 kryen detyrën e Komandantit të Detashmentit të Zbutimit dhe më vonë edhe të Komandantit të Regjimentit të Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm. Nga prilli 1975 deri në dhjetor 1981, ka qenë Komandant i Shkollës së Kuadrove Rezervistë Zall-Herr; më 1982-1985 Komandant i Korpusit të Pukës (K5K) dhe të Divizionit të Këmbësorisë së Kukësit (D22K). Në shtator 1985 e deri në qershor 1992, ka kryer detyrën e Komandantit të Shkollës së Lartë të Bashkuar. Në 1991-1992 shef MCR në Ministrinë e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore që ishte dhe viti i fundit i karrierës së së ndërprerë padrejtësisht dhe para afatit, por edhe në kulmin e energjive të tij për t’i dhënë ende shoqërisë ushtarake shqiptare. Arseni Stroka ngeli në kujtesën e sa e sa brezave të ushtarakëve si zotërues i artit taktik dhe veçanërisht zhvillues i mendimit taktik, kjo i takon pikërisht viteve 60-të. Arseniu në vitet më të bukura të jetës ka qenë në detyrën e pedagogut të taktikës, që koha e kërkonte si drejtues, pedagog, por edhe si komandant. Në periudhën e thellimit në studime Ai përvetësoi eksperiencat më të mira të kohës, krijoi me studim aftësi të kompetencës profesionale për problemet metodike, por edhe krijues e interpretues teoriko-praktik i kërkesave të artit taktik të kohës. Përkushtimi i madh e rendit takticienin Arseni Stroka ndër personalitetet më në zë të kohës për mjeshtërinë e artit taktik shqiptar për gjysmëshekullin e XX-të. Në vitet 1966-1968 janë me dhjetëra mësimet treguese, gjithë fantazi e larmi që mbajnë vulën “Arseni Stroka” për nivelet skuadër, togë e kompani. Në vitet që do të pasonin, do të ishte protagonist i mendimit ushtarak edhe në nivele operative e strategjike. Kjo është dëshmi e kohës që e mbajnë dhe e ruajnë arkivat, kujtesat kombëtare të vlerave të krijuara në vite. Nuk ishte e rastit që edhe për realizimin e dy filmave me karakter ushtarak “Flakë në transhe” dhe “Mësymja në bregdet” do të zgjidhej Arseni Stroka si promotori kryesor i tyre për të shpalosur shembullin më të përparuar në ushtri për kohën. Arseni Stroka ka qenë pjesëmarrës në shumë stërvitje të mëdha të ushtrisë shqiptare, stërvitje që kanë edhe mendimin taktik e operativ të tij, nga stërvitja “Bodej 1968” e deri tek stërvitja “Gjallica 1985, stërvitje që lëviznin e ngriheshin jo pak, por mbi 80-100 mijë trupa ushtarake, të papërsëritshme në hapësirën shqiptare në dekada. Do ta kishim të vështirë të përmendim një aktivitet tepër të gjallë e dinamik, jetësor nga nivelet taktike e deri tek ato operative-strategjike që ta përshkruanim në pak rreshta, sepse jetës së ushtarakut në shërbim të vendit 24 orësh ditë e natë, në shtatë ditë të javës dhe në 30 ditë të muajit për të cilat detajet nuk përfundojnë asnjëherë, sepse ushtaraku Arseni Stroka vinte nga një vend ku geni i pellazgo-ilir i arbërorit është i lashtë si vetë jeta, në genet e damarët e Kurveleshit dhe të mbarë trevës së Labërisë. Arseni Stroka ishte dhe mbeti stoik, krenar dhe dinjitoz për gjatë gjithë jetës së tij. Ai ishte shëmbëlltyra e vlerave dhe virtyteve të ushtarakut edhe në pension që duhet thënë se ka qenë mjaft aktiv në jetën shoqërore, si anëtar në forumet drejtuese të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”. Arseni Stroka kishte kujtesë të admirueshme. Ai ecte me hap të plotë e të rëndë si ushtarak në rrugët e Tiranës dhe kështu do ta mbajnë mend shokët e kolegët ish-ushtarakë. Arseniu kishte fjalë të matura, të ëmbla e të mençura, me logjikë të fortë, ishte një gjysh shembullor, edukator me fantazi, i veshur gjithmonë me shije, nuk e shikoje kurrë të paqethur, apo të parruar. Ai bënte pjesë në atë kategori ushtarakësh, që ndonëse pensionist deri në fund të jetës së tij manifestoi rregull e disiplinë në vetvete. Arseniu ishte dhe mbeti deri në fund të jetës autoritar në mendim dhe veprim, shembull i njeriut të së djeshmes dinjitoze e krenare në mbrojtje të kauzës së tij. Duke shfletuar në arkivat e ushtrisë, gjej në gazetën “Luftëtari” të datës 13 nëntor 1966 një shkrim “Metodist i mirë” i cili portretizonte një djalosh të hollë e tepër energjik, i cili vepronte me ndërgjegje të lartë në zhvillimin e mësimit taktik “Toga e këmbësorisë në mbrojtje”. Kujdesej për jetën e kursantëve, depërtonte në botën e brendshme të vartësve, kaliste tek ata guximin, ndërgjegjen dhe zgjuarsinë, udhëhiqte me shembullin vetiak, me veprime të përpikta dinamike e energjike në stërvitjen taktike. Ky ishte një moment nga faqja e madhe jetësore e një jete të tërë të përkushtuar ushtrisë e popullit. Ishte një grimcë e një jete të madhe, ishte ky shkrim që sikurse gjithë jeta e tij ushtarake e rendit në njërin ndër 50 ushtarakët më të spikatur që kanë vënë gurë në ngrehinën e madhe të Forcave të Armatosura. Eprorët, kolegët dhe vartësit kanë lexuar tek Arseni Stroka modestinë kur shprehej se: “Nuk kam qenë ndonjë talent i veçantë”…Por në të vërtetë tek ai ishte bashkuar talenti dhe vullneti, puna, sakrifica dhe përkushtimi, prandaj do të ngelet përherë në kujtesën e brezave të ushtarakëve.

Në telegramin e ngushëllimit që Zv/shef i shtabit të Përgjithshëm të FA-së Gjeneralbrigade Dedë Prenga i dërgoi familjes së të ndjerit Arseni Tare Stroka thuhej: “Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta, të njeriut tuaj të dashur Kolonel në Rezervë Arseni Stroka. Kolonel ® Arseni Stroka pas përfundimit të shkollës në Golem Gjirokastër vijoi studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, Tiranë. Gjatë karrierës së tij 32 vjeçare, Kolonel ® Arseni Stroka ka shërbyer në detyra të ndryshme në repartet e Forcave të Armatosura NGA Komandant toge në Komandant Korpusi. Në emrin tim dhe të ushtarakëve të FA u shpreh familjes ngushëllimet më të sinqerta dhe ta përballoni këtë fatkeqësi të madhe me kurajë e durim. Qoftë i lehtë dheu dhe u prehtë në paqe!”

Ish-ushtaraku Arseni Stroka pas një sëmundje të rëndë në moshën 79-vjeçar u shua edhe pse do të ngelet në kujtesën e kujtdo si një shkëmb labërie. Legjenda e arsimimit ushtarak që shërbeu në çdo cep të Shqipërisë ishte pjesë e armatës së korifenjve të artit taktik, të strategjisë dhe të mendimit ushtarak shqiptar. Lamtumirë Komandant Arseni Stroka!