Sejmen Gjokoli/ Në Tuz, mes historisë dhe harresës…

923
Me Ramazan Çekën, poetin e gazetarin shkodran, udhëtojmë drejt Tuzit, qytetit shqiptar në Malin e Zi, më pak se 10 km nga pika kufitare e Hanit të Hotit. Në shoqërinë tonë është Gjon Dushaj, kryetari i shoqatës “Ded Gjon Luli”, një djalë me shpirt artisti, por edhe një veprimtar i njohur për çështjen shqiptare. Ka trembëdhjetë vite që drejton shoqatën dhe ansamblin folklorik me të njëjtin emër por na thotë së është edhe një ndër organizatorët e ditëve festive në përkujtimet vjetore të kryengritjes së Malësisë së Madhe, shenjtërimit të Nënë Terezës e ditës së Flamurit, çdo 28 nëntor. Gjoni na tregon për jetën e vëllezërve tanë të asaj ane dhe nuk e fsheh që shpesh herë janë të mënjanuar nga shteti amë dhe pse venë e vijnë në të dy anët, lirshëm. E ka merak që ende asgjë e dallueshme nuk është bërë për njërin prej figurave të mëdha të shqiptarisë, Ded Gjon Lulin, i cili nuk vjen nga legjendat, por nga kulla e tij e gurtë, aty në Bardhaj, 12 km prej Tuzit nga ku fusha e Malësisë së Madhe duket si në pëllëmbë të dorës. Dhe bëhet fjalë për prijësin e kryengritjes së Malësisë së Madhe, njeriun që një shekull më parë ngriti Flamurin Kombëtar në Deçiç. Vetëm një bust fare i vogël për këtë burrë të madh lirie, aty në një qendër të Tuzit, është fare pak. Ca më keq që as nga presidenca shqiptare ende s’ka mundur të dalë një vlerësim kombëtar për këtë prijës e luftëtar lirie.
Sigal

NË SHTËPINË MUZE TË SHTJEFËN IVEZAJ 

Gjon Dushaj na fton të bëjmë një vizitë në shtëpinë e Shtjefën Ivezajt në Lekaj, vetëm dy km nga qendra e Tuzit. Siç na thotë, Shtjefni është njeriu që shtëpinë e tij e ka kthyer në muze e që, për vizitorët, ka disa vite që është bërë pjesë e guidës turistike, ndonëse jashtë protokolleve e axhendave zyrtare. I zoti i shtëpisë, Shtjefni, na pret në oborrin përpara saj, aty ku mbi barin e gjelbërt zënë vend disa prej objekteve muzeale të “artilerisë” së rëndë, derdhur në metal. Na pret plot dashuri, si të njihemi prej kohësh, i veshur shik si për një ballo klasike por edhe si një ciceron profesionist. Në hyrje të shtëpisë, një ndërtesë e thjeshtë njëkatëshe, të tërheq vëmendjen një tabelë e korrnizuar ku shkruhet: “Më 1 maj 2002, Shtjefën Ivezaj me familjen, këtë shtëpi familjare e shndërruan në muze Etnografik të Malësisë”. Brenda, ku të futesh. Të katër ambientet e shtëpisë plot e përplot me eksponante, në faqet e mureve, në dysheme, në tavan, kudo. Zanatit të fotografit me të cilin ka punuar tërë jetën i ka sajuar një aneks më vete, dikur ballkon por që tani brenda kësaj hapësire mund të shikosh lloj-lloj aparatesh e pajisjesh qysh nga koha e primitivitetit. Ka qenë vetëm tetëmbëdhjetë vjeç kur ka nisur të merret me fotografinë nga ku prej vitit 1966 në dyqanin e tij në Tuz do të vendoste tabelën “Foto Shtjefën Ivezaj” të cilën, si relike, e ruan të vendosur diku në hyrje të banesës muze. Pastaj vijnë me radhë “pavionet” e ndara në katër dhomat e shtëpisë ku më së shumti bie në sy etnografia e pasur, madje e rrallë. Kam pasur rastin të vizitoj mjaft muzeume etnografike brenda e jashtë vendit, por kurrsesi e asnjëherë nuk kam parë një muze të tillë. Dhe kur mendon se gjithçka këtu është bërë nga një njeri pasionant e pa asnjë ndihmë nga dikush shfaqja merr përmasat e të jashtëzakonshmes. Nuk jam i sigurt si funksionon por nëse do ishte aq shumë perfekt, të paktën Shtjefën Ivezaj do ishte futur me kohë në Gines. Sado i futur diku në një cep të globit, aty në Lekaj të Tuzit do të ishte gjetur. Dhe duhej të gjendej aspak për nevojë të Shtjefnit për t’u dukur por për të treguar një mrekulli të realizuar nga një njeri. Gati e pa besueshme por duhet të jetë njeriu i vetëm në këtë botë që shtëpinë e vet, rreth njëqind metra katror ta kthejë cep më cep në një muze të mirëfilltë etnografik. Po edhe fototekë, bibliotekë e filateli. Shtjefnit tani është afër të tetëdhjetave e ndonëse duket tepër vital të parën gjë që të thotë kërkon ta lidhë me jetën dhe vdekjen. Tani jam i vdekur, kur të vdes do jem i gjallë – na thotë duke dashur t’i japë përgjigje habisë sonë. Është një thënie, domethënien e të cilës e kupton mbasi i ke dhënë fund vizitës plot objekte e materiale të shumëllojshme e të rralla, të gjitha të përdorura në shekuj nga shqiptarët e asaj ane e që fillojnë prej majës së gjilpërës e deri tek topat me gjyle të rënda. Është muze që nuk ka inventar, besoj si asnjë tjetër në botë. Dhe nuk ka si të ketë mbasi është gati e pa mundur të hedhësh në letër ato mijëra objekte që lidhen me jetën e njeriut prej lindjes deri në vdekje. Objekte të rralla materiale të trashëgimisë kulturore që do ti kishte zili cilido muze i kësaj fushe edhe në vendet më të zhvilluara. Të mbledhura nëpër ditë e vite, një pasuri e rrallë në një kohë gati dyzet vjeçare. Pa asnjë përkrahje dhe përkujdesje nga dikush, asnjë dorë shteti apo pushteti, përjashtuar komunën e Tuzit me ndihmesa modeste. Gjithë ditën punoj, gjithë natën e ruaj – na thotë i zoti i shtëpisë – muze dhe këtu nuk lë pa falënderuar edhe bashkëshorten e tij, Gjysten, me të cilën dëshiron të ndajë përpjekjet dhe andrallat për gjithçka ka realizuar një jetë të tërë. 

NJË LETËR PËR PRESIDENTIN…

Në korridorin e vogël ku bashkohen të katër dhomat është vendosur një tavolinë e vogël me një libër të madh përshtypjesh që të fton të ndalesh. Shënime përshtypjesh të panumërta nga vizitorët e rastit. Nga të gjitha trojet shqiptare por edhe ambasadorë të Francës, Gjermanisë, Italisë etj. Midis faqeve të librit gjen përshtypje edhe nga mjaft njerëz të artit e kulturës, studiues të fushave të ndryshme. Po Shtjefën Ivezaj e ka një merak e nuk heziton ta thotë. Përpara pak ditësh në Tuz ka qenë për vizitë Presidenti i Shqipërisë, ka menduar se do ta kishte mysafir të nderuar por kjo nuk ka ndodhur. Më kot ky burrë Grude ka pritur në shtëpi. E di që nuk ma ka fajin Presidenti – na thotë, të zotët e vendit duhet ta binin atë këtu. Ja ku jemi, vetëm dy km nga qendra e Tuzit ku Presidenti qëndroi për vizitë. Do t’i shkruaj një letër e do t’i tregoj, nderi nuk do ishte thjesht për mua e familjen time por për të gjithë historinë e Malësisë – na thotë jo pa keqardhje. Këtu prehet e trukon historia e kësaj ane, këtu valëvitet flamuri kombëtar që ngriti në Deçiç gati një shekull më parë Ded Gjon Luli. 

NË VEND TË MBYLLJES

I mrekulluar dhe i befasuar nga sa pashë në muzeun e Shtjefën Ivezaj do hidhja disa përshtypje të shoqëruara me foto në adresën time në rrjetin social. Më bënë përshtypje komentet e vërshuara sa kaq nga shumë miq të mi nga të gjitha trojet shqiptare. Dikush shkroi edhe më konkretisht mbasi në publikimin tim paralajmëroja botimin e përshtypjeve përmes një shkrimi në gazetën “Telegraf”. Për lexuesin, nga komentet e shumta kam shkëputur dy prej tyre. I pari vjen prej Prishtine, i dyti nga një shqiptar i Shkupit. I përzgjodha këto pasazhe edhe si mbyllje të shkrimit tim në “Telegraf”.
Berat Luzha: Të bëhet një muze privat aq i pasur, një ekspozitë aq interesante nga dy të moshuar në një shtëpi të vogël, është një mrekulli e vërtetë, çfarë, pa e parë, nuk do të mund të besohej. Padyshim se Shtjefni ka bërë një punë të shkëlqyer për popullatën shqiptare në Mal të Zi dhe për tërë kombin shqiptar!
Ismet Shaini: Me vëmendje për vite të tëra e përcjellim përkushtimin dhe sakrificën e z. Shtjefën Ivezaj. Pasi lexova statusin tuaj u nxita të jap një sugjerim-lutje deri te gazeta “Telegraf”. Nëpërmjet kontributit të gazetës suaj të sensibilizohet në parlamentin e Malit të Zi edhe çështja e Muzeut Etnografik (statusi, mirëmbajtja, financat, me një fjalë institucionalizimi i kësaj shtëpie të bekuar për traditën dhe kulturën shqiptare). Shtjefën Ivezaj me familjen nuk do të jetojnë përgjithmonë por muzeu i trashëgimisë kulturore në Malësi duhet të mbetet për brezat e ardhshëm që do të jetojnë aty dhe gjetiu. Prandaj lusim për angazhim më serioz si nga gazetarët,deputetët,dhe instancat më të larta shqiptare në trojet autoktone… 
Tuz – Vlorë, 25-29 Prill 2015