Profesioni i gazetares është shumë i vështirë, por po kaq i bukur

726
Sigal

Intervista / Flet Fjori Bregasi, prezantuesja e njohur e RTSH-së: Arti i komunikimit është më i vështiri

… Fjori Bregasi u lind në Qytetin e Tiranës. Që e vogël ishte e apasionuar pas Televizionit, Radios & Prezantimit. Aktualisht ajo është 19 vjeç dhe drejton një emision radiofonik të quajtur Reagim + , në Radio Televizionin Shqiptar. Sa i përket arsimimit, vazhdon studimet për Gjuhë të Huaja në universitetin shtetëror të Tiranës. Është këmbëngulëse dhe shumë e dhënë pas zhvillimeve të reja në shkencë. Në një intervistë ndryshe dhe ekskluzive për Telegraf, Fjori rrëfen fëmijërinë e saj, pasionet e vegjëlisë, ambiciet, sfidat dhe dashurinë e madhe për Radion …

Përshëndetje Fjori, prej kohësh ju ndjekim çdo të shtunë në darkë në Radio në Programin Reagim + …
Po, është e vërtetë, unë kam emisionin tim, ku trajtoj debate dhe tematika të ndryshme nëpërmjet të ftuarve.

Si dhe kur ka nisur karriera juaj si Prezantuese?
Tashmë u bënë vite që merrem me këtë punë dhe dua të them që e dashuroj Radion. Që e vogël isha e apasionuar pas prezantimit dhe me kohë ëndrrat e mia u bënë realitet.

E keni menduar ndonjëherë të gjendeni në Televizion ?
Për momentin jam mirë këtu ku jam. Televizioni është i vështirë ndërsa në radio jam më komode.

Me çfarë po merreni aktualisht ?
Me programin qe drejtoj dhe studimet e larta. Vazhdoj për gjuhë të huaja në Universitetin Shtetëror të Tiranës, viti i parë. Jam shumë e ngarkuar, por e gjej kohën për të gjitha.

Si nis dita për Fjorin ?
Nis shumë herët, duke ndjekur titujt e gazetave pastaj duke shkuar për në fakultet e kur kemi ndonjë orë bosh përfitoj për të pirë një kafe me mikeshat e mia. Më pas me familjen që janë gjithçka për mua.

Pjata juaj e preferuar ?
Supa me perime & Sallatat e ndryshme.

Stina e preferuar ?
Sigurisht që Vera, e adhuroj detin dhe plazhin.

Të gjitha bukuroshet aspirojnë botën e televizionit, po ti ?
E thashë dhe më sipër, për momentin jam e kënaqur me radion por më vonë të shohim ofertat që mund të kem.

Jeni supersticioze?

Besoj por me masë. Besoj në atë çka mund të bëj me aftësitë e mia.

Kur ndiheni mirë në një bisedë?

Për mua biseda është orë mësimi. Pra ndihem mirë kur mësoj diçka të re dhe po ashtu u mësoj bashkëbiseduesve diçka që ata s’e dinë.

Çfarë vlerësoni tek një njeri?

Intelektin dhe sinqeritetin.

Marrëdhëniet me librin jashtëshkollor?

Besoj se i kam të mira. Lexoj çdo roman të ri që del në treg

I ke marrë parasysh pengesat e të qenit gazetare?

E di që është e vështirë, por është një profesion që kërkon lëvizje, imagjinatë, studim dhe këmbëngulje. Ndaj dhe i jam future me zell.

Ç’është dashuria për ju?

Është një lule e bukur që çel në kohën e duhur për të mos u vyshkur kurrë.

Jeni për martesë apo bashkëjetesë ?
Sigurisht të dyja, në kohën e duhur.

Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

Një ndër problemet kryesore është se ajo s’po krijon terrenin e duhur në shoqëri. Po çan me shumë vështirësi.

-Cili është arti më i vështirë i njeriut në një shoqëri kozmopolite?

-Arti i komunikimit. Sot mund të dish shumë, por ndoshta nuk din të komunikosh. Shumë keqkuptime në jetë vijnë nga mos përsosja e këtij arti.

Sa i rëndësi i kushtoni pamjes tuaj ?
I kushtoj rëndësinë e duhur, sipas këndvështrimit tim.

Pro apo kundër kirurgjisë plastike ?
Sigurisht që Pro.

Pro apo kundër martesave gay ?
Tashmë është viti 2012 dhe mendoj se, të gjithë duhet të jemi Pro.

Cila është prezantuesja shqiptare që Ju pëlqeni?
Sigurisht që, Rudina Magjistari.

Cili është personazhi shqiptar i veshur më mirë, Sipas jush ?
Padyshim Jonida Maliqi

Së fundmi doni të shtoni diçka tjetër?
Një falënderim të përzemërt për familjen time dhe gjithashtu. për gazetën “Telegraf”.

Bisedoi: Hermes M. Nikaj