Prof. Xhevat Lloshi/ Paraqitja e vlerave të shqipes artistike

101
Përkthimet hap pas hapi e zgjerojnë pjesëmarrjen e letërsisë shqipe në letërsinë botërore, e çojnë në duart e lexuesit botëror. Kjo nënkupton që edhe gjuha shqipe nuk mbetet një guaskë e mbyllur, e cila e mban brenda perlën e vet, përkundrazi, nëpërmjet përkthimit vlerat e veta ajo i derdh në thesarin ndërkombëtar. Besoj se kishte ardhur koha që kësaj fushe t’i kushtohej vëmendja e studiuesve dhe e një rrethi më të gjerë jo vetëm dashamirësish, por edhe e organizmave shtetërorë. Përcjellja e veprave të letërsisë shqipe në gjuhë të huaja është një veprimtari, që meriton mirënjohje e falënderim jo vetëm nga ana e shkrimtarëve, por edhe prej gjithë njerëzve të kulturës shqiptare. Meritojnë mirënjohje përkthyesit tanë dhe në veçanti përkthyesit e huaj, të cilët ose marrin mundimin të mësojnë shqipen, ose i çmojnë krijimet tashmë në një gjuhë tjetër dhe vendosin t’i japin në gjuhën e tyre.
– Tashmë me ndërmarrjen nga ana e Akademisë së Shkencave të hartimit të Bibliografisë së letërsisë shqipe në gjuhë të huaj, me bashkëpunimin edhe të një vargu institucionesh të tjera, do të kemi një pamje më të gjerë e më të plotë të letërsisë shqipe të përkthyer. Kjo tablo na lejon të shprehemi se kemi hyrë në një periudhë tjetër. Nuk mundet më që vetëm të kënaqemi se shkrimtarët tanë lexohen kudo nëpër botë. Kemi të drejtë të shtrojmë pyetjen: Cili është niveli i këtyre përkthimeve? Sa kanë arritur ato të përçojnë jo vetëm vlerat letrare pavarësisht prej gjuhës, por edhe vlerat artistike të shqipes? Pasi ta rrahim këtë pyetje, na mundësohet të përcaktojmë edhe se çfarë do ta vlente të bëhej më tej në këtë fushë.
– Për t’iu përmbajtur caqeve të një kumtimi të shkurtër, kam marrë në shqyrtim një faqe (133-134)1 nga romani i I. KadaresëKush e solli Doruntinën (1979), përkthyer nga I. Vrioni dhe botuar frëngjisht më 1986, më 1988 anglisht, më 1989 bullgarisht, më 1992 gjermanisht dhe në disa gjuhë të tjera. Janë shprehur mendime të ndryshme rreth veprës,2 ndërsa unë po mjaftohem të përmend R. Elsinë, meqë libri i tij “Histori e letërsisë shqiptare” lexohet jashtë anglisht dhe është botuar shqip (1997).3 Sipas tij, këtu Kadareja zhytet përsëri në të kaluarën legjendare të Shqipërisë dhe legjendën ballkanase e ka shndërruar në një ‘thriller’ të kohës: “Kjo atmosferë intrigash mesjetare, që na jep Kadareja, na kujton atë të romanit mjaft me sukses të Umberto Ekos Il nome della rosa.” Nuk më duket një trajtim edhe aq i goditur. Përmendjen si “thriller” ai e ka huazuar nga fjalia e parë paraqitëse e Nicole Chardaire-it për botimin frëngjisht (Fayard, 1986).
-Sipas mendimit tim, shkrimtari ka vënë në qendër një temë mbarënjerëzore dhe universalisht tragjike: pikëpyetjen e madhe ekzistenciale se a mund të ketë kalim nga vdekja në jetë. Kalimi nga jeta në vdekje është dukuri absolute, porse pikëpyetja e madhe ekzistenciale përpara njerëzve ka përftuar përfytyrimet se mund të ketë edhe rrugë të anasjelltë: nga vdekja në jetë. Mitet popullore dhe legjendat fetare i kanë dhënë përgjigje kësaj pikëpyetjeje, se është e mundshme nëpërmjet ringjalljes dhe rimishërimit. Siç dihet, në fetë e mëdha monoteiste është pranuar ringjallja. Mirëpo, në rast se do ta shihnim më nga afër, në thelb ringjallja është vetëm një prej akteve të rimishërimit, i cili njihet gjerësisht në besimet orientale. Janë një varg nocionesh që ndërthuren bashkë: ndarja e shpirtit nga trupi, bota tjetër për të cilën anglishtja ka fjalën “afterlife”, domethënë jeta e pastajme, e përtejme, si dhe ndëshkimi ose shpërblimi për atë që është bërë në këtë botë. Krishti ishte në qiell përpara se të mishërohej si Biri i Perëndisë mbi tokë; u kryqëzua, u ngjit në qiell, u rimishërua pas tri ditësh, ndodhet në qiell dhe përsëri do të rimishërohet ditën e gjyqit të fundit.
-Ndërkaq ndeshemi edhe me një përfytyrim tjetër për këtë kalim, nëpërmjet një gjetjeje letrare. Nga kjo pikëpamje, romani i I. Kadaresë është një rrëfim për ringjalljen, ose më mirë, për rimishërimin. Legjenda e vëllait të vdekur që ngrihet nga varri për këtë arsye ka në thelb një temë mbarënjerëzore dhe universalisht tragjike.
-Ky përfytyrim artistik në mënyrë të natyrshme merr trajta surrealiste. Gjithë përpjekjet e Stresit për të zbuluar se kush e solli Doruntinën synojnë ta zbërthejnë se a ka qenë e mundur që Konstandini të ringjallej. Është një mëdyshje e qartë surrealiste. Gjykimi realist është fare i rëndomtë: kjo gjë nuk mund të ndodhë. Gjykimi fetar është se kjo ndodh, për shembull, me të Birin e Perëndisë dhe në gjyqin e fundit. Kurse Stresi nuk i ndahet hetimit të vet. Në mënyrë të kuptueshme, konceptimit surrealist të hetimit i përgjigjet edhe një shtjellim surrealist, edhe një ligjëratë surrealiste. Mjafton për ta dëshmuar këtë pak më shumë se një faqe prej kapitullit të katërt, kur Stresi shkon te varrezat dhe i duket se e ka gjetur përgjigjen. 
Kjo është një faqe nga më sublimet në letërsinë tonë, ku janë ngjeshur përjetimet ekzistenciale me shtrirje mbarënjerëzore. Përballë kësaj ngrihet pyetja e kërkimit tonë: si do të dilte kjo faqe në një gjuhë tjetër, ose ndryshe, si do të rimishërohej? Në këtë kuptim edhe vetë përkthimi është një rimishërim. Këtu shfaqen vështirësitë e vërteta të përkthimit. Jam ndalur për krahasimin vetëm te katër gjuhë: frëngjisht, anglisht, bullgarisht dhe gjermanisht. Për anglishten kam sjellë edhe tekstin e ribotimit të vitit 2009 me tjetër titull, por pa hyrë në krahasime midis dy varianteve, sepse kjo do të kërkonte një diskutim tjetër. Po e paraqes menjëherë përfundimin e përgjithshëm që del: disa prej përftesave gjuhësore tejet mbresëlënëse në gjuhën shqipe nuk ka qenë e mundur të jepeshin në gjuhët e huaja. Dhe mungojnë në përkthimet pikërisht disa nga përftesat e ligjëratës surrealiste. 
Nuk ka asnjë mëdyshje për vlerat e përkthimeve të J. Vrionit dhe për meritat e tij në njohjen e letërsisë shqiptare jo vetëm në Francë, por edhe në vende të tjera, sepse puna e tij ka qenë pikënisja edhe e përkthimeve për të tjera gjuhë. Kështu që diskutimi i mëposhtëm niset nga puna e tij pikërisht sepse është e nivelit që e vlen të shqyrtohet.
Krahasimi me origjinalin shqip ngre dy probleme: saktësinë e fjalëve të veçanta dhe ndjekjen e ndërtimeve sintaksore.
Te varianti frëngjisht4 mungojnë këto fjalë e fjali prej tekstit shqip: në një jetëvdekje, apo vdekjejetë të përzier; një çast kishin kujtuar se; kur të besohet se; veçse një gënjim i shkurtër; nga trojet e tejjetshme; për dikë që nuk është më në jetë; sepsekurrë kjo s’bëhet në këtë tokë dhe as që do të bëhet kurrë, sa të jetë jeta; është një nga pikëllimet më të mëdha të dheut, që do ta mbështjellë atë si mjegulla, gjer në shuarjen e tij…
Të shqyrtojmë disa prej tyre;
– I tejjetshëm nuk do të thotë as vdekja, dhe as bota e përtejme e besimeve fetare. Kjo është një botë përtej kësaj jete, e cila ka trojet e veta, domethënë që nuk janë as qielli, as parajsa, as ferri. Madje disa faqe më parë autori ka përdorur edhe fjalën: e mbijetshme.
– Frëngjisht kjo është dhënë: des terres de l’au-delà, duke qenë kështu trojet e përtejme, domethënë diçka që e afron me botën e përtejme, por të cilën nuk e nënkuptonte origjinali. Po kështu ka dalë edhe në përkthimin anglisht: from the lands beyond, sepse është mbështetur te përkthimi frëngjisht. Bullgarisht (1989)5është edhe më larg përfytyrimit të kësaj hapësire surrealiste dhe është bërë: nga jeta përtej varrit. Së fundi, gjermanisht del:aus dem Jenseits, që si mbiemër përdoret pikërisht për botën e përtejme, përtej varrit. Para së gjithash do vënë në dukje, se i tejjetshëm është një neologjizëm krejt individual për shqipen dhe do të mbetet i tillë, domethënë nuk do të gjejë vend në fjalorët e zakonshëm të gjuhës. Përkundrazi, në të gjitha variantet e përkthimeve shfaqen fjalët e zakonshme të gjuhës. Imazhi surrealist ka humbur. Por a do të thotë kjo, se do të ishte i pamundur një përkthim më i afërt? Besoj se jo. Pjesa e parë tej-i përgjigjet parashtesës latine trans- në këtë rast me kuptimin e kalimit në një gjendje tjetër. Për këtë gjendje tjetër metapsikike në frëngjisht është edhe fjala transe, prej së cilës e ka edhe anglishtja trance. Këtu vijnë edhe mbiemrattranscendent, transcendental. Rrjedhimisht, shqip do të ishte *i transjetshëm dhe prej kësaj mund të përftoheshin neologjizmat përkatës në përkthimet e gjuhëve të tjera. 
– në një jetëvdekje, apo vdekjejetë të përzier janë dy fjalë me përngjitje, sërish neologjizma individualë për atë gjendje të pamundshme si realitet dhe, për pasojë, të pamundshme për të qenë leksema të rëndomta të gjuhës. Përkthyesit janë munduar të japin diçka të përafërt; kështu frëngjisht është: dans un état tenant à la fois de la vie et de la mort, tour à tour dominé par l’une et par l’autre, që praktikisht është një përpjekje për t’i shpjeguar dhe jo për t’i përkthyer. Anglishtja6 tashmë është një përkthim i këtij shpjegimi fjalë për fjalë. Bullgarisht e lexojmë: në një botë ndërmjet vdekjes dhe jetës. Në këtë rast gjendja e variantit frëngjisht dhe anglisht ka kaluar te një botë. Së fundi, gjermanishtja7 e ka: oder einem Zustand, in dem sich beides mischte: Lebtod oder Totleben. Këtë radhë është aftësia e gjermanishtes për fjalë të përngjitura, që ia ka mundësuar përkthyesit të bënte po ata neologjizma si edhe të shqipes. Gjithsesi, besoj se edhe në gjuhë të tjera mund të ndërtoheshin neologjizma të tillë të çuditshëm, sepse do të bënin të njëjtën përshtypje dhe pikërisht ky është synimi i tyre në origjinal.
Rasti i tretë është në rreshtin e parafundit të këtij fragmenti:
– pikëllimet më të mëdha të dheut. Teksti frëngjisht në fillim ka shtuar: l’une des plus grandes tristesses en ce bas monde,domethënë e ka afruar pikëllimin me njerëzit e kësaj bote.
Arsyeja është se trishtimi u takon njerëzve e jo sendeve. Mirëpo I. Kadareja e ka të zakonshme këtë përftesë, domethënë kalimin metonimik të dukurive psikike të njerëzve te gjendje të sendeve, si në shembullin vetmia e kullës, sepse në të vërtetë është vetmia e njerëzve që banojnë në atë kullë. Pas kësaj për vazhdimin: që do ta mbështjellë si mjegull tokën, derisa të shuhet – përkthyesi e ka përsëritur të veçuar pikëllimin, që tashmë do të mbështjellë botën e njerëzve: tristesse qui continuera de s’envelopper comme la brume jusqu’à son extinction…(f.101). Mirëpo origjinali e ka pikërisht në kuptimin konkret të globit të tokës, madje edhe foljen “të shuhet” e ka me kuptimin fizik të shuarjes së tokës si objekt planetar. Kjo do të thotë që përkthyesi ka dashur të mos i dalë që pikëllimi, një dukuri njerëzore, të mbështjellë tokën, diçka fizike. Kurse Kadareja ka qenë konseguent në përftesat e veta, ai e donte që edhe pikëllimi – dukuri psikologjike – t’i përkiste dheut, një dukurie fizike.