Denoncohen katër mësues pazarxhinj për kurset private

989
Prokuroria e Elbasanit ka nisur procedimin penal ndaj katër mësuesve të dy shkollave të mesme në qytetin e Elbasanit dhe të Cërrikut, të cilët janë denoncuar nga nxënësit dhe familjarët për “mitmarrje”. Më e veçanta është se, tre nga mësuesit e denoncuar janë me 3-4 vjet punë në arsim, por hiletë duket se i kanë mësuar shumë shpejt. Sipas burimeve nga organi i akuzës mësohet se, “emrat e mësuesve (tre prej të cilëve nuk kanë mbushur 5-vjeçarin në profesion) po mbahen sekret për arsye të ndryshme hetimi dhe konfliktualiteti, por ndaj tyre ka nisur procedimi penal dhe bëhet fjalë për katër mësues të shkollave të mesme të qytetit të Elbasanit dhe të shkollave të Cërrikut, të cilët pas hezitimit të nxënësve për t’u dhënë para për kurset, ndaj tyre ka patur presione për notat”. Sipas të njëjtit burim, sekret mbahen edhe emrat e nxënësve që kanë denoncuar, të cilët kanë paraqitur pranë Prokurorisë edhe fletoret dhe dokumente të tjera shkresore, që vërtetojnë kurset e zhvilluara edhe gjatë vitit të kaluar shkollor, si dhe një kasetë ku janë zhvilluar biseda telefonike mes dy nxënësve dhe mësuesve (dy prej tyre sapo ka dalë në pension), ku këta të fundit u kishin dhënë ultimatumin se, “ose ejani në kurse ose mbeteni në klasë”. Madje në bisedat telefonike, mësuesit u kanë kujtuar nxënësve maturantë edhe “paratë që prishni në PUB-e dhe lokale nate”. Moda e kurseve dhe marrjes së parave (mitmarrja) ka hyrë prej vitesh në shkollat e sistemit 9-vjeçar dhe të mesëm. Shpesh mësuesit që guxojnë të bëjnë kurse private, rezultojnë të kenë edhe mbështetje politike. Në Elbasan ky fenomen negativ pranohet edhe nga drejtues shkollash, por deri sot asnjeri nuk ka patur guximin të denonconte qoftë edhe pa publikuar emrin e mësuesit në organet e hetimit. Sipas një burimi hetimor “bëhet fjalë për një proces verifikimi, i cili do të çojë pastaj në masën e ndalimit dhe gjykimit për mësuesit e korruptuar”. Por numri i tyre në gjimnazet dhe shkollat e sistemit 9-vjeçar në Elbasan dhe Cërrik, është shumë më i madh, dhe kjo mësohet në biseda me nxënës dhe prindër. Sipas njërit prej tyre, që sivjet është maturant në një nga gjimnazet e qytetit të Cërrikut, “kurset tek ne kanë nisur qysh javën e parë të shkollës, janë vënë me detyrim nga mësuesit e lëndëve kryesore, për çdo lëndë kurs i veçantë dhe 5 mijë lekë të reja në muaj, ato zhvillohen me grupe nga e hëna deri të shtunën, dhe mjafton të mos pranosh bëhesh armik me mësuesen dhe mbetesh në vjeshtë ose në klasë duke përsëritur vitin”. Rastet e denoncimit të 4 mësuesve në Elbasan dhe Cërrik, kanë bërë bujë dhe opinioni mësues–nxënës ka qenë kureshtar të mësojë emrat e tyre. Skandalet e mësuesve në shkolla me kurse dhe marrje parash nga nxënësit, deri sot nuk janë marrë seriozisht nga organi i akuzës, i cili i ka konsideruar ato si “inate personale”, por kur në rastin konkret nxënësit dhe prindërit e tyre kanë dorëzuar kasetat e incizuara dhe fletoret e kurseve, duket se hetuesit u bindën duke çelur dosjen penale ndaj tyre. Sipas Kodit Penal dhe akuzave, të cilat mund të ngrihen ndaj mësuesve, parashikohet gjobë deri 100 mijë lekë ose 3 vjet heqje lirie, gjë e cila mund të kishte pasoja pozitive, duke ndalur presionet dhe mitmarrjen. Duket se pavarësisht paralajmërimeve edhe nga Ministria e Arsimit dhe kreu i saj zonja Nikolla, mania për para nuk po i tremb shumë ata mësues, që shpesh kanë edhe mbështetje politike, për të fituar para nga kurset e paligjshme madje ndonjëherë duke patur mbështetjen edhe nga ndonjë drejtues shkolle. 
Sigal