Prof. Dr. Bardhosh Gaçe:“Bylispolifonia”, një risi për ruajtjen e polifonisë magjike

666
Sigal

PERSONAZH/ Flet Prof. Dr. Bardhosh Gaçe për Festivalin tradicional të Bylisit

Në datat 5-6 korrik 2014, në qytetin antik të Bylisit (Ballsh), do të zhvillohet Festivali i VI Ndërkombëtar “Bylispolifonia”. Një ndër organizatorët, mbështetësit dhe pjesëmarrësit e rregullt të këtij eventi është studiuesi, shkrimtari, Prof. Bardhosh Gaçe. Festivali i VI, Ndërkombëtar “Bylispolifonia” do të zhvillohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Drejtor Organizativ është z. Fatos Klosi, Drejtor Artisik i këtij Festivali është dirigjenti i talentuar Ermir Dizdari, regjisor, z. Milto Kutali, drejtues shkencor Prof. Ramazan Bogdani, konsulent Aleksandër Peçi. Sipas tij, për ruajtjen e polifonisë nuk duhet vetëm puna e një shoqate, por dhe e shtetit, grupeve të ndryshme të polifonisë. Festivalin e fundit ai e quajti një risi dhe një rrugë te re për njohjen e “Bylysit” si qytet turistik brenda dhe jashtë atdheut

Festivali Ndërkombëtar “Bylispolifonia” i këtij viti shënon edicionin e VI, si do ta cilësonit Festivalin “Bylispolifonia”?
Do të flisja shumë…Është një ndër nismat më të bukura që është ndërmarrë për të propaganduar polifoninë shqiptare, këtë lloj kënge të magjishme që e ka bekuar Perëndia. Dihet tashmë se shumëzërëshi polifonik e ka zanafillën që në lashtësi në vajet e nënave që vajtonin me ligje trimat e humbur në luftë. Këto vaje i gjejmë në qytetin e lashtë të Butrintit dhe pse jo dhe të Bylisit. Në këtë qytet antik, me një teatër mijëravjeçar, padyshim që në shkallët e tij janë kënduar këngë nga më të bukurat polifonike, pasi në atë kohë nuk ekzistonin ende mjete instrumentale të kohës moderne. “Bylis” mbetet me një qytetërim të veçantë ku teatri mbetet shëmbëlltyra më e mirë e një kulture të lashtë.
Do ta cilësoja një hap të ri për të propaganduar këngën e zemrës, këngën e popullit, për të çuar kudo nëpër botë të veçantat e polifonisë shqiptare, si një nga perlat e këngës botërore që me të drejtë është marrë në mbrojtje nga UNESCO.

Aktualisht ka shumë diskutime për emërimin polifoni apo iso-polifoninë. Si kanë lindur këto debate?
E vërtetë. Një ndër debatet më të rëndësishëm të kësaj kohe për kulturën shqiptare është ai mbi polifoninë shqiptare. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (sot Ministria e Kulturës), para disa vjetësh, në kuadrin e mbrojtjes e të trashëgimisë së folkut shqiptar, si edhe të vlerave që duhet të përfaqësonte kombi shqiptar në UNESCO, u bë pjesë e këtij projekti (por edhe të debatit). Këtë projekt e kishin nisur me UNESCO-n dy studiues të njohur, Agron Xhangolli e Afërdita Onuzi, por e plotësuan më vonë Beniamin Kruta e Spiro Shituni. Ata e studiuan polifoninë dhe vunë në pah shumë këngë nga zona të ndryshme të Labërisë, që dhe pse këndonin afërsisht njëlloj, kishin ndryshime nga fshati në fshat apo më tej. Por jo vetëm shqiptarët… Të interesuar për polifoninë kanë qenë dhe janë shumë të huaj që mbesin të mahnitur kur e dëgjojnë. Një ndër më të interesuarit ka qenë anglezi Aleksandër Thenton. Ishte ky studiues, i cili, për t’ia bërë më të afërt polifoninë shqiptare UNESCO-s dhe për ta vënë në mbrojtje të saj, bëri filmin dokumentar “Polifonia shqiptare”, i cili mori çmimin e parë nga fondacioni “Tursian” në Gjermani më 1990. Më pas u krijua një grup studiuesish dhe u vunë në pah të gjitha stilet e polifonisë. Projektin e bëri Spiro Shituni, i cili i grumbulloi të gjitha stilet, e më vonë të gjitha këto u dërguan në UNESCO. Në vitet 1994- 1995, UNESCO kërkoi që të prezantohej kjo kulturë. Specialistët e saj vunë disa kushte për ta marrë në konsideratë: një festival apo një takim (ky u zvarrit ca sepse ndërkohë u organizua Festival i Gjirokastrës). Gjithsesi, duhet theksuar se që me simpoziumin e parë për polifoninë shqiptare, i cili u mbajt më 1988, u vunë themelet që polifonia jonë të studiohej, të regjistrohej në terren, të arkivohej dhe të studiohej, duke përsosur kësisoj përpjekjet për ta shpallur vlerë të rrallë të trashëgimisë kulturore botërore.
Çfarë kronikash janë gjetur, ruajtur dhe përcjellë në këtë drejtim?
Për këtë ka mjaft kronika që nga shekulli i dytë, i nëntë, i pesëmbëdhjetë që flasin për ekzistencën e polifonisë në Epir, i Çamëri e Labëri (por ajo shtrihet deri në Toskëri). Nga studimet e mëvonshme është parë se kjo këngë shtrihet edhe në vise të tjera fqinje, si variante të polifonisë që lëvrohet edhe në popuj të tjerë. Por më shumë këngën polifonike e ruajnë viset shqiptare, pra edhe Kosova dhe trevat shqiptare të Maqedonisë. Studimet e sotme kanë treguar se kjo këngë ka shkuar deri në Korsikë, ku ka shqiptarë të emigruar me shekuj. Në Korsikë pohojnë se, “nuk është e jona kjo muzikë”, por e mbajnë si diçka të lashtë të ardhur nga Mesdheu. Dhe megjithëse aktualisht shumë pak banorë të Korsikës janë me origjinë shqiptare, e ruajnë polifoninë shqiptare si një gjë të rrallë, si një jehonë mali. Polifonia e tyre dhe e disa vendeve të tjera, ruan elementët e vajtimit, dhimbjes, tragjedisë. Shumë debate kanë bërë studiuesit për polifoninë. Polifonia shqiptare e ka prej kohësh këtë emërtim, por Ministria e Kulturës, duke i vënë një bisht përpara: isopolifonia, na u shfaq për herë të parë, pa e marrë vesh as studiuesit e as dijetarët, me një tabelë që u vendos gjatë një takimi në Vlorë, që u quajt “Takimi i iso-polifonisë”. Kjo është bërë në vitin 2005. Ky emërtim nga Ministria e Kulturës e asaj kohe (Arta Dade ishte ministre) pati kundërshtime të mëdha. Iso është elementi i fundit i polifonisë, ajo çka populli e quan “mbajtës apo mbushës”. Fillimisht janë marrësi, kthyesi, hedhësi dhe pastaj isoja. Shqipëria ka fatin më të madh që ka një pasuri me kaq vlerë si polifonia, e cila mund të konkurrojë në çdo vend të Evropës. Unë kam qenë në Stamboll, Selanik, Athinë, Lion, Itali etj. me asamble të ndryshëm, dhe si polifonia shqiptare nuk ka. Polifonia shqiptare është si një relikë e veçantë, me një natyrë e veçantë interpretimi.
A ka tendenca për ta gjymtuar polifoninë?
Gjithmonë ka pasur. Përhapja e turbo-folkut po e shkatërron polifoninë; shartimet që bëhen me të, duke marrë tekstet e duke i bastarduar po shkatërrojnë strukturën e polifonisë. Tani mund të gjesh këngë me vetëm një iso dhe një marrës. Pra, po shkatërrohet vetë bota poetike e polifonisë shqiptare. Kjo ndodh se turbo-folku po i shfrytëzon në mënyrë tjetërsuese vargjet dhe strukturën e polifonisë. Është detyrë e Ministrisë, e studiuesve të tjerë dhe e shoqatave kulturore që të merren me ruajtjen e vlerave të saj të vyera. Unë e quaj një kontribut të veçantë që në Vlorë e në Bylis zhvillohen dy festivale të polifonisë, ku shoqatat mundohen, ndryshe nga shteti, ta ruajnë këtë traditë. Këto shoqata, sot, janë ato që e mbajnë këtë polifoni, e ruajnë dhe e zhvillojnë. Kurse shteti shqiptar, në veçanti Ministria e Kulturës, megjithëse mori meritat për këtë vlerë të çmuar nga UNESCO, që e shpalli vlerë kulturore për njerëzimin, nuk po e mbron si duhet…